Mendime » Radovani
Fritz Radovani: I paharrueshmi 11 nandor 1990
E hene, 03.11.2025, 06:56 PM

RRËMAJI, SHKODER,
1990.
Nga Fritz RADOVANI:
I
PAHARRUESHMI
11 NANDOR 1990
“GJAKU I MARTIRËVE TË FESË DHE T’ ATDHEUT ASHT FARA QË SOT KA
BIJTë! KATOLIKË E MYSLIMANË, TË VRAMË SË BASHKU NË ZALLIN E KIRIT, TË LIDHUN
DORADORËS, SOT THËRRASIN: BASHKOHUNI VËLLAZËN SHKODRANË, SI NA KËTU QË KEMI
VDEKË PËR LIRI DHE DEMOKRACI TË VËRTETË!”
“Amanetin e mban toka” !, thonë Shkodranët.
Filloi rindërtimi i Kapelës. Ato selvia të vogla, fidanat që dikur mbillte
Nikolin Muzhani, tashti u banë trupa me mbulue çatinë e djegun. Një kantjer i vogël
ndërtimi që ruhej nga qinda të rinjë ditë e natë për mos me u përsëritë
dhunimi. Futej ndonjë gjips me spijunët e partisë, por përgjegja ishte vetëm
një: “Na leni rahat të vazhdojmë punën tonë… !” Çakiçi rrahte pa pushue tue
ngulë gozhda. Karroca me llaç e gëlqere shkarkoheshin në sheshin para Kapelës.
Të gjithë muratorë, të gjithë hamaj padallim Feje, të gjithë elektricistë e
bojaxhijë, për me zbukurue tempullin e rindërtuem nga RINIA. Vetëm ndër dy
vende nuk fikej drita as ditë as natë, në Rrëmaji dhe në komitetin e partisë.
Vetëm ndër dy vende ka roje të vazhdueshme, ndër vorre dhe në sigurim, ndërsa,
agjentët janë përhapë në gjithë qytetin: “ Kush e gjenë ku asht Don Simoni?”
por, askush nuk flet… Dihet se nuk asht i arrëstuem
po, ku asht nuk dihet!
Asht data 10 nandor, ora 19.00. Terr. Nata ka fillue por pak
kush asht ndrye ndër shtëpia, gjithë Shkodra asht dyndë ndër Vorre. Janë fikë
dritat. Tre djelm të fortë janë tek kulmi i faqatës së Kapelës. Njeni duket si
Krishti, ka në krah një Kryq jo druni, po hekuri, ashtu si e pat edhe Shqipnia
për 50 vjet; tjetri të duket se po e gozhdon me një çakiç të randë në dorë;
ndërsa, i treti mban një qiri në dorë, për dritë. Vëndoset edhe Kryqi. Kur,
përfundon puna dhe asht derdhë edhe betoni një duertrokitje e fuqishme ushton
në Rrëmaji nga mija vetë që janë aty, të gjitha dritarët e apartamentëve hapën
për me vështrue se shka ndodhi: “KISHA ASHT GATI PËR
NESËR!” ndigjohet një za i fortë mes brohoritjeve.
Në
orën 23.55’ në zyrën e sekretarit të parë të partisë, Xhemal Dymylia bie
telefoni, asht zani i Presidentit të Republikës, tregonte dëzhurni që ndodhet
aty tue pi një kafe me Xhemalin. “Si urdhëron, po, po, si urdhëron… Peres De
Kuelar më foli… si urdhëron shoku Ramiz, … qetësia duhet siguruar… po, shoku
Ramiz… njofto Çapajevin… po, si urdhëron shoku… Forcat speciale… po, po,
ndigjoj… tashti, shoku Ramiz, si urdhëron… deri në një urdhër të dytë… po,
shoku Ramiz, këtu jam sonte!…” Gjithë natën lëvizje gjipsash, gjithë natën korrierët
spijun e agjenta në qarkullim…në çdo qoshe të qytetit që dukej sikur po flenë.
Shkodra dukej se
flenë por, jo; dukej se heshtë por, jo; dukej se zien, por, jo; asht çue dhe
zor se flenë ma, asht çue e nuk besoj se heshtë ma; nuk zien por, vlon, vlon bashkë
me Gjakun e Martirëve e derdhët si lum në Zallin e Kirit, aty, aty, brijë
çinarëve të Rrëmajit!
11 NANDOR 1990, ora 11.00. Ka disa postbloqe por jo, të rëndësishme. Disa makina gaz të sigurimit
janë në disa këthesa rruge. Mbrenda tyne shihej edhe ndonjë surrat i njohtun
spijuni por nuk do ta ndyjë këtë artikull me emnat e flligtë të tyne. Filmojnë
dhe shënojnë emna… Karvani i fshatarëve me biçikleta asht i pafund. Të gjithë
ecin në punën e vet. Të gjithë drejt vorrëve… të gjithë të zhytun ndër mendime…
të gjithë të duket se, me vete thonë Punën e Pendimit, asnjeni nuk din a
këthehët në shtëpi… të gjithë me fëmijë, gra e pleq për dore, të gjithë
përshëndetën njeni me tjetrin, të gjithë janë SHQIPTARË, padallim Feje … Të
gjithë drejt vendit të Ringjalljës së Përjetëshme…
Një
grup i madh Myslimanësh asht vendosë mburojë tek dera e vorrëve. Njeni më
tregon se, na do të qëndrojmë këtu mbasi po kje se ndodhë gja, na do të
përdorim armët që kemi në trup… Ju, rrini të qetë ashtu si jeni me fëmijë e familjet tueja!..Sot jemi ne këtu! Ndër
katët e nalta të apartamentëve shihet ndonjë tytë automatiku e drejtueme nga
ne. Në krahun e majtë të Vorrëve janë disa vagona të mbushun me sambistë të
ardhun me forcat speciale nga Tirana, që presin “urdhën” …
Në
sheshët e vogla përbrijë apartamentëve sheh vetura me gjithfarë targash
tue fillue nga trupat diplomatike, sigurisht, edhe nga ministria e mbrendshme e
deri tek taksitë e Elbasanit, Durrësit e të Kavajës… të gjithë kanë ardhë me pa
me sytë e tyne Mbrekullinë, mbasi nuk u besojnë ma fjalëve…
Pritët
Ai burrë që do të këthejnë edhe një fletë tjetër të lavdishme në Historinë e
Shqipnisë, ashtusi atë ditë në Deçiq, u prit Ded Gjo’ Luli me trimat e tij… e,
Ismail Qemali në Vlonë,… atëditë!
Mërrini…
Erdhi Don Simoni! … Shihe, shihe, ku asht i rrethuem me djelmë të rinjë… Dikush
çohët në majë të gishtave me e pa, dikush hypë mbi ndonjë gurë vorri, dikush
tjetër çon fëmijët hopa; të gjithë kanë sytë në një pikë: “Tek Prifti vigan,
tek Ai sokol, që nuk e ban ma Nana Shqipni shokun e tij, asht vetëm një vijë e
bardhë në fytin e tij që ndanë kokën nga trupi, asht shenja e Shugurimit
Meshtar, asht pikërisht ajo shenjë, që kush e di sa herë diktatori ka matë
shpatën e tij me gjak për atë fyt… Asht Don Simon
Jubani… Meshtari i Shkodrës… i bardhë në fëtyrë, si Shpirti i
tij….” Një gëzim që nuk përsëritët ma!
Qe erdhi,….Ai ecë me shpejtësi si gjithnjë e
gjujzohët para Elterit!
Një grup grashë të moshueme me shenjën “Bijat e
Marisë” këndojnë me lot për faqe, nga mallëngjimi kangën e “Zojës së Shkodrës”,
të shoqnueme nga populli i cili, nuk e ka harrue… Një za naltohët nga qielli
tue u bashkue me cicërimat e zogjëve ndër selvia, drejt gjethëve të çinarëve që
duertrokasin fitorën me hymnin “Ave Maria” … prej Gjok qorrit (Vata), të cilit
sot i ka ardhë drita…
Asht ora 11.45’… Vetëm në Rrëmaji bie ora e Lirisë…
Rrahin kumbonët… Edhe ajo ka dalë prej dheut… asht
Ringjallë. Largohën pak rê që kishin zanë shkëlqimin e diellit e bashkë me
rrezët e tija lind njëditë e re. Para një Elteri të thjeshtë druni përkulet
para Kryqit për të cilin asht salvue Ai bashkë me gjithë Popullin e Shkodrës,
asht Don Simoni. Mbas 1-2 minutash heshtje ushton një za sipër rrasës vorrit 24
e sa vjeçar, vue në 1967, asht zani që shembë bashkë me “Revolucionin Kultural”
edhe zanin e qyqës së Partisë, që vajton “bilbilin”e sajë… Asht zani i një Don
Simoni që ndihët i vetëm në truellin e Arbërit, asht një gjamë mbi të pafetë që
shkrep si rrëfeja e zharitë monumentët e bronxit mjedis të Shkodrës e Tiranës,
asht dora në ballë që thotë: “Në emën të Atit…” e, Mesha fillon… Mbas pak
çastesh i drejtohët popullit me fjalën e tij të paharrueshme e historike:
“Vllazën e
Motra!
Le ti kujtojmë për
një minut në heshtje të gjithë këta të vdekun, që kemi ndër këto vorreza, dhe
të gjithë ata vëllazën e motrat tona, që kanë ra për një Shqipni Europiane,
gjatë këtyne 46 vjetëve të shkueme…”
Mesha vazhdon… derisa ndigjohën fjalët: “Shkoni në
Paqë, Mesha mbaroi!”Duartrokitje, thirrje “Rrnoftë Don Simoni!”, kangë e
brohoritje për FITOREN! Gëzim
e hare në atë vend ku dikur vetëm lotohej…
Si një kor i vetëm Populli
këndon kangën: “KRISHTI MBRET!”
MESHA E PARË, asht fitore e Lirisë së Fesë mbi Ferrin komunist!
MESHA E PARË, asht fitore e Lirisë, mbi robninë 50 vjeçare!
MESHA E PARË, asht fillimi i Lirisë dhe i Demokracisë në Shqipni!
PA FE NUK KA ATDHE, PA ATDHE NUK KA LIRI,
PA LIRI NUK KA DEMOKRACI !..
RRNOFTË SHQIPNIA E GJERGJ KASTRIOTIT E NANË TEREZES !
Melbourne, 3 Nandor 2025.









