E hene, 03.11.2025, 01:31 PM (GMT)

Faleminderit

Lekë Mrijaj: Frano Alkaj – një shkëndijë e humanizmit dhe gjuhës klasike shqiptare

E diele, 02.11.2025, 06:56 PM


FRANO ALKAJ NJË SHKËNDIJË E HUMANIZMIT DHE GJUHËS KLASIKE SHQIPTARE

Shkruan: Lekë Mrijaj

Ky studim paraqitet si një këndvështrim me rastin e 120-vjetorit të ditëlindjes së Frano Alkajt dhe synon të pasqyrojë figurën dhe kontributin e tij në fushën e përkthimit klasik shqiptar, si një nga personalitetet më të rralla të kulturës kombëtare shqiptare, i formuar në dritën e humanizmit françeskan dhe në traditën e dijes  perëndimore. Ai përfaqëson brezin e artë të përkthyesve që sollën në shqip vlerat universale të letërsisë antike.

Ndaj edhe duke u mbështetur në referencat e studiuesve si Engjëll Sedaj, Qemal Guri, At Zef Pllumi, Rudina Lazri, Kujtim Dashi, Ndue Hoti dhe burime arkivore, trajtimi im i mëposhtëm synon të përshkruajë jetën, formimin, veprimtarinë përkthimore dhe vlerën shkencore të veprës së tij, e cila aktualisht mbetet një dritë e heshtur në historinë e kulturës shqiptare. Në panteonin e kulturës shqiptare, kur dija dhe shpirti i kombit janë gërshetuar nëpër shekuj përmes përkthimeve dhe përurimeve, një ndër figurat më të spikatura dhe të anashkaluara mbetet Frano Alkaj, përkthyes i cili i dhuroi gjuhës shqipe zërin e Homerit dhe frymën e Virgjilit, duke e ngritur atë në lartësinë e gjuhëve të qytetëruara evropiane. Ai vërtetë është shembulli i rrallë i njeriut që jetoi për dijen, për përulësinë dhe për dashurinë ndaj fjalës. Jeta e tij që nga fëmijëria e vështirë e deri në përfundimin e qetë në mërgim, dëshmon për një shpirt që e kërkoi dritën në çdo hap dhe e gjeti atë te libri, fjala dhe përkthimi.

Frano Alkaj lindi më 1 nëntor 1905, në Alkaj të Gurëzit, Kurbin, në një familje që kishte rrënjë në Boga të Malësisë së Mbishkodrës, derë bajraktarësh e prijësish fisnorë. Fati i tij njerëzor dhe shpirtëror do të merrte trajtë të veçantë që në fëmijëri, kur mbeti jetim. I përkujdesur nga Dom Shtjefën Vjerdha, u dërgua në jetimoren françeskane të Shkodrës, ku nisi formimin e tij të plotë njerëzor e intelektual. Në Kolegjin Françeskan, ai u rrit në një atmosferë të thellë kulturore, ku libri dhe feja për të ishin dy shtyllat e dijes. Mësuesit e tij vunë re se kishte një kujtesë të rrallë, një ndjeshmëri të madhe për gjuhën dhe një prirje të natyrshme për studimin e teksteve të lashta. Në moshë të re, ai kishte përvetësuar latinishten dhe greqishten me një nivel që i habiste me dijen e tij edhe profesorët. Pas përfundimit të gjimnazit françeskan më 1927, ai fitoi bursë studimi dhe u dërgua në Holandë (1927–1930), i cili u njoh me metodologjitë moderne të studimit të filologjisë klasike. Aty zhvilloi një pasion të veçantë për përkthimin, duke e parë atë si një mënyrë të lartë të komunikimit kulturor ndërmjet kombeve. Më pas, në Universitetin e Bukureshtit (1930–1934), vijoi studimet për Letërsi Klasike dhe Gjuhë Komparative-(Krahasuese), ku edhe u njoh me rrethet letrare shqiptare të mërgatës dhe me poetin Asdreni, që e quajti “djalosh me shpirt të dritës”. Në këtë mjedis intelektual, Alkaj do të zhvillonte për herë të parë mendimin e tij për përkthimin si akt krijues, jo si riprodhim mekanik të fjalës. Ai besonte se përkthyesi duhet të kuptojë shpirtin e tekstit dhe ta ringjallë atë në gjuhën amtare me ritëm e ngjyrë të re. I pajisur me dije të thellë në nëntë gjuhë botërore, helenisht, latinisht, greqisht, italisht, gjermanisht, holandisht, rumanisht, spanjisht dhe shqip, Frano Alkaj u kthye në Shqipëri në vitin 1934 dhe nisi veprimtarinë e tij si mësues i letërsisë greko-romake në Gjimnazin e Shkodrës, Gjirokastrës, Korçës dhe Tiranës. Ishte ndër të paktët pedagogë që e lidhte mësimin me shpirtin e leximit dhe të mendimit. Orët e tij mësimore ishin përvoja frymëzimi. Nxënësit e tij, ndër ta At Zef Pllumi, e kujtojnë si njeriun që “i mësonte të rinjtë të dëgjonin zërin e fjalës”, një mësues që fliste për Homerin jo si për autor, por si për burim drite. Ai shpjegonte me thellësi etiken e virtytit, ndershmërinë e luftëtarit, dashurinë ndaj atdheut, duke e lidhur gjithnjë letërsinë me përvojën njerëzore. Në të njëjtën kohë, Frano Alkaj ishte pjesë e revistës “Hylli i Dritës” (1940–1944), organi më prestigjioz i mendimit letrar dhe filozofik shqiptar. Nën kujdesin e françeskanëve dhe në frymën e At Gjergj Fishtës, revista u bë një qendër e përkthimeve klasike dhe e debatit shkencor. Aty Frano Alkaj botoi shumë artikuj e reflektime, si dhe përkthime të rralla nga greqishtja dhe latinishtja. Paralelisht ai u bë anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare, nën drejtimin e Ernest Koliqit, ku u angazhua në përgatitjen e fjalorëve dhe në punën për sistematizimin e terminologjisë klasike në gjuhën shqipe. Në sferën e përkthimit, Frano Alkaj spikat për mjeshtërinë e tij të jashtëzakonshme. Ai ishte ndër të parët që solli në shqip pjesë nga veprat madhore të letërsisë botërore: “Vrasja e Hektorit” (libri XXII i Iliadës, botuar në Shkodër më 1938) dhe “Varrimi i Hektorit” (libri XXIV, botuar më 1941), si dhe libra nga “Eneida” e Virgjilit, të mbetura në dorëshkrim: “Rrënimi i Trojës” (1937, Rimini), “Vetëvrasja e Dodonës” (1938, Bukuresht), dhe “Zbritja e Eneut në Butrint”. Pra, përmes këtyre përkthimeve të tija, ai i dhuroi shqipes solemnitetin e vargut homerik dhe muzikalitetin e gjuhës latine, duke e vendosur gjuhën tonë në nivelin e gjuhëve evropiane në përballjen me tekstet klasike.

Në analizën e Engjëll Sedajt veq tjerash i gjejmë përkthimet e Alkajt të cilat janë dëshmi e një përpjekjeje të pastër për ta lartësuar gjuhën shqipe në dinjitetin e gjuhëve klasike, duke ruajtur frymën origjinale të autorëve antikë. Ndërsa Qemal Guri shkruan: “Në tekstet e tij, shqipja përthith ritmin e Homerit, ngrohtësinë e fjalës dhe qartësinë e mendimit, duke krijuar një ekuilibër të rrallë mes saktësisë filologjike dhe ndjesisë poetike". Pas vitit 1944, me ndryshimet politike në vend figura e Frano Alkajt do të përballej me përndjekje dhe heshtje nga komunizmi enverist. Në vitin 1948, pa dashjen e tij, ai u detyrua të largohej nga Shqipëria për shkak të lidhjeve me klerin françeskan dhe intelektualët e diasporës. U vendos në Buenos Aires të Argjentinës, ku jetoi për shumë vite me mikun e tij të afërt Filip Llupi, dhe më pas në Boston (SHBA), ku kaloi pjesën e fundit të jetës deri në vdekjen e tij më 1992, në moshën 87-vjeçare. Në Buenos Aires të Argjentinës, ai mbeti i përkushtuar ndaj përkthimit dhe studimit, duke jetuar në heshtje e dinjitet, si një dijetar që nuk kërkoi famë, por vlerë. Ndërkohë në Shqipëri gjatë kohës së monizmit, ai u shpall “autor i ndaluar” më 1958. Dorëshkrimet e tij u ndaluan, një pjesë u zhdukën dhe u humbën, dhe për një kohë të gjatë emri i tij u fshi nga kujtesa kulturore. Vetëm pas rënies së regjimit totalitar komunist, studiues si Rudina Lazri, Kujtim Dashi, Fenik Ferra dhe Ndue Hoti e ringjallën figurën e tij, duke e vendosur në vendin që i takon përkrah përkthyesve të mëdhenj shqiptarë: Fan Noli, Henrik Lacaj, Pashko Gjeçi, At Gjon Shllaku dhe Lasgush Poradeci.

Frano Alkaj përfaqëson tipin e intelektualit të formuar që i shërben kombit pa zhurmë, që punon me përkushtim e ndershmëri. Përmes përkthimeve të tij, ai dëshmoi se gjuha shqipe ka fuqinë të bartë mendimin filozofik dhe artin e lashtësisë. Me frymën e humanizmit françeskan, ai i dha përkthimit klasik shqiptar jo vetëm saktësi shkencore, por edhe dimension të thellë shpirtëror. Ai është përkthyesi që nuk kërkoi lavdi, por dritë, nuk kërkoi emër, por kuptim, nuk kërkoi lavdërim, por përjetësi përmes fjalës. Në përkthimet e tij ndihen muzika e vargut të Homerit, pesha e mendimit të Virgjilit dhe ndriçimi i shpirtit shqiptar. Kjo e bën veprën e tij pjesë të pandashme të trashëgimisë sonë kulturore. Në një kohë kur gjuha jonë po kërkonte formën e saj letrare, Frano Alkaj i dha asaj strukturën e një gjuhe të pjekur, të përkryer dhe të denjë për t’u quajtur gjuhë e kulturës evropiane.

Krejt në fund të këtij këndvështrimi tim, jap një përmbledhje konkrete duke thënë se studimi i veprës së Frano Alkajt dëshmon se ai vërtet përfaqëson një nga majat e përkthimit klasik në Shqipëri. Ai ishte ndër të parët që solli në gjuhën shqipe, strukturën, ritmin dhe frymën e letërsisë antike. Veprat e tij shërbyen si gurthemel për përkthimet e mëvonshme të Nolit, Gjeçit dhe Lacajt. Metoda e tij mbështetej mbi tri shtylla: besnikëria filologjike, përshtatja estetike dhe qartësia gjuhësore. Përmes tyre ai arriti të krijojë një model të përkthimit shkencor, të pasur me vlera artistike dhe leksikore. Ndaj, figura e tij e heshtur dhe modeste është shembull i përjetshëm i intelektualit që vepron në shërbim të kulturës, pa kompromis me lartësinë morale. Frano Alkaj ishte dhe mbetet një shkëndijë drite e humanizmit dhe e gjuhës klasike shqiptare, një gurthemel i kulturës sonë letrare dhe akademike, që do të ndriçojë brez pas brezi si dëshmi e përjetshme e dijes dhe dashurisë për fjalën.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Llesh Ndoj: Atë Gjergji nuk ka çmim! Gani Pllana: Kontributi i Prof. Ferdinand Lekës në Terminologjinë Shkencore-Teknike dhe Fjalorët Dygjuhësorë Llesh Ndoj: Pesha e madhe e atdhedashurisë së një Kampioni Bote Gjekë Gjonaj: Rruga e jetës, arsimimi dhe aktivitetet e Drita Ivanajt - Ujkaj (2) Arben Bitri: Tragjedi në New-York Albert Zholi: Dr. Diamant Lulaj – Kardiologu shqiptar që lartëson emrin e vendit në arenën ndërkombëtare Ilir Çumani: Nënë Tereza – kjo humaniste e ndërgjegjes njerëzore Gjekë Gjonaj: Rruga e jetës, arsimimi dhe aktivitetet e Drita Ivanajt - Ujkaj (1) Kristinë Oroshi: Liza Llesh Moli – Heroina që mbrojti pragun e shtëpisë Hysen Ibrahimi: Faruk Spahija – Kontributi dhe Sakrifica në Shërbim të Lirisë së Kosovës Hysen Ibrahimi: Kontributi i Gani Azemit në promovimin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës Ramiz Selimi: Smajl Maliqi, veprimtar dhe humanist i palodhur! Lekë Mrijaj: Homazh në nëntëvjetorin e kalimit në amshim të don Gjergj Gjergji-Gashi Gjon Keka: Gjergj Kastrioti (Skënderbeu) shembull për imitim Klajd Kapinova: Besa, guximi, mikpritja dhe bujaria shqiptare e familjes me tradita të Ded Kol Mirit Dedvukaj (1953-2025) Jusuf Buxhovi: Vrasja e kolonel Ahmet Krasniqit – komplot kundër rezistencës institucionale Gjekë Gjonaj: Veprimtaria shkencore e Dr. Martin M. Bojaj Asllan Dibrani-Luani: Profesor Blerim Latifi – Intelektual evropian dhe luftëtar i lirisë Sevdail Hyseni: Nazim Hajdini – Nga fronti i luftës te misioni qytetar për të ardhmen Dorian Koçi: Gjeologu shkencëtar polak Stanislaw Zuber dhe kujtesa jonë kolektive

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx