Faleminderit
Gjekë Gjonaj: Rruga e jetës, arsimimi dhe aktivitetet e Drita Ivanajt - Ujkaj (2)
E premte, 24.10.2025, 06:57 PM
Rruga e jetës, arsimimi dhe aktivitetet e Drita Ivanajt - Ujkaj (1933-2025) nga Bëkajt e Trieshit - Malësi (2)
Jeta
në Itali dhe Amerikë e ndau nga vendlindja
Nga Gjekë Gjonaj
Që nga dita kur u
mbajt simpoziumi kulturor-shkencor
kushtuar Prof.dr. Mirash Ivanajt në Tiranë në vitin 2003, interesi im për ta
njohur këtë grua që e donte vërtet Shqipërinë dhe shqiptarët u rrit.
Korrespondenca jonë me Dritën, meqenëse ajo nuk e fliste mirë shqipen, sepse
jetonte jashtë Shqipërisë që në moshë të re, vazhdoi nëpërmjet e-mail-it
të profesoreshës së gjuhës dhe letërsisë
shqipe dhe publicistes së njohur nga Shkodra që jeton në Tiranë,
znj. Pertefe Leka, nënkryetare e Fondacionit "Martin dhe Mirash Ivanaj"
Ivanaj, në Tiranë.
Në takimin tim të dytë me
Drita Ivanajn, në shkollën e mesme Tuz më 14 nëntor 2004, ku u mbajt një
simpozium me temë: "Vëllezërit Ivanaj, figura të shquara të kombit dhe
kulturës shqiptare", ku ishte e pranishme edhe znj. Pertefe Leka, mora
informacione nga artikuj të shkruar në shtypin e asaj kohe, që kishin të bënin
me rrugën jetësre dhe aktivitetet e Drita Ivanajt.
Këto shënime u shtuan herë
pas here gjatë kërkimeve të mia falë znj. Leka, e cila edhe sot, në moshën 82-
vjeçare, më dërgon artikuj për Dritën dhe vëllezërit Ivanaj, të cilët i mbushën
faqet e disa gazetave të kohës pas viteve ’90 dhe mediave të tjera shqipe në
Shqipëri dhe jashtë saj. Ky kontribut i madh i saj është treguesi më i mirë i
shpirtit dhe karakterit fisnik të kësaj intelektualeje nga Shkodra, që gëzon
autoritet dhe respekt të jashtëzakonshëm në Shqipëri dhe në vendet e tjera ku
ka shqiptarë.
Për ata që nuk e njohin, kush është Drita Ivanaj?
Ajo është vajza e Martin
Ivanajt, juristit dhe avokati që punoi në Shkodër dhe Korçë, dhe më pas shkoi
në Tiranë, ku u bë gjyqtar i Gjykatës së Lartë, dhe më vonë anëtar i Këshillit
të Shtetit Shqiptar. Nëna e saj, Giuseppina Pogliotti, ishte italiane nga
Napoli, dhe u takua me bashkëshortin e saj të ardhshëm, Martinin, ndërsa
studionte në Romë. Babai i saj u premtoi vjehrrit dhe vjehrrës së saj se vajza
e tyre do të kthehej për t'i vizituar pas dasmës, pasi ata duhej të jetonin në
Shqipëri.Nëna e saj gjithashtu fitoi shtetësinë shqiptare përmes martesës.
Drita Ivanaj lindi në
Tiranë në vitin 1933 në një familje me
tradita të thella atdhetarie dhe
përkushtimi ndaj dijes. Të
gjithë familja u vendosën në Tiranë, ku
vëllezërit Ivanaj ndërtuan rezidencën e tyre. Kjo vilë dykatëshe ishte banesa e saj gjatë viteve të fëmijësrisë. Drita
kujton se Tirana kishte vetëm 30000
banorë në ato vite, ndërsa në zonën e Tiranës së Re, ku ajo jetonte atëherë.
kishte vetëm tri vila. Ajo u rrit në këtë rezidencë, në këtë truall të
veçantë të cilit i jepte bukurinë kopshti i këtij kompleksi.
Largimi pa dëshirë nga Shqipëria për në Itali dhe më pas në Amerikë
Më 7 prill 1939 , në moshën
5 -vjeçare, Drita la pa dëshirë shtëpinë
e saj në Tiranë dhe së bashku me nënën e saj shkuan në Itali, ku jetuan për 12
vjet. Atë ditë, kur fashistët pushtuan Shqipërinë, ato (nënë e bijë) u ndanë përgjithmonë nga burri dhe babai i
tyre. Drita dhe nëna e saj nuk i panë më kurrë vëllezërit Ivanaj. Babai i saj
Martini vdiq 14 muaj më vonë në një spital të Stambollit nga një infeksion në
veshka, ndërsa xhaxhai i saj u kthye në Shqipëri gjashtë vjet më vonë, në fund
të Luftës së Dytë Botërore.
Drita jetoi në Itali me nënën e saj, siç theksuam, për
12 vjet, ku u rrit dhe përfundoi studimet bazë, pastaj në fillim të viteve ‘50
emigroi në Nju-Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Nju – Jork, ku i vazhdoi
studimet.
Edhe pse jetoi me babanë
dhe xhaxhain e saj vetëm për pesë vjet të jetës së saj, ajo trashëgoi
intelektin, forcën, vullnetin dhe përkushtimin e tyre. Martini dhe Mirashi ishin
më të vegjlit nga tetë fëmijët në familje.
Arsimimi dhe karriera e saj në mërgim
Fillimisht ajo përfundoi
studimet në Itali, duke marrë një diplomë universitare. Në vitin 1951, ajo dhe
nëna e saj emigruan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe u vendosën në Manhatan.
Drita mbeti vetëm kur nëna e saj vdiq tetë vjet më vonë. Falë shumë përvojave
që kapërceu, Drita arriti të jetonte jetën e saj dhe drejtoi me sukses dy
fondacione arsimore dhe kulturore.
Drita gjithashtu mori një
diplomë universitare në Nju - Jork. Ajo ndoqi Institutin e Shkencave të
Sistemeve IBM dhe kurse të tjera, dhe diplomoi
për menaxhim biznesi, sisteme
informacioni, operacione kompjuterike dhe planifikim taktik dhe strategjik.
Karriera e saj e parë ishte
në menaxhimin e biznesit. Ajo drejtoi zyrën përfaqësuese amerikane të
konglomeratit italian FIAT për 15 vjet, shumë kohë para se kompania të fillonte
importimin e makinave në atë kontinent. Ajo menaxhoi administrimin e kontratave
të mëdha për të siguruar materiale të specializuara të prodhuara në SHBA, të cilat kishin nevojë për të prodhuar pajisje në Itali,
që i shërbenin vendeve të tjera evropiane, madje edhe ndërtimin e një fabrike
të re automobilash në Rusi. Gjatë 15 viteve të saj në këtë biznes, Drita
gjithashtu, për të shtuar njohurit e saj,
ndoqi edhe kurse mbrëmjeje në disa
lëndë, duke u përqendruar përfundimisht në industrinë e kompjuterave në
atë kohë në zhvillim.
Edhe pse kishte një punë të
mirë në menaxhim, ajo kërkonte një ndryshim karriere. Ajo mori një punë në
përpunimin e të dhënave në Universitetin e Kolumbisë, ku vazhdoi pjesën tjetër
të karrierës së saj në sistemet e informacionit deri në daljen në pension. Kolumbi, ajo merrej me telekomunikacionin,
kishte qasje në pajisjet operative, komunikonte me komunitetin akademik dhe
merrej me administrimin dhe mbështetjen në mënyra të ndryshme. Ajo gjithashtu
menaxhoi rinovimin e qendrës kryesore kompjuterike të universitetit (një
strukturë prej 70 milionë dollarësh në atë kohë), ofroi ndihmë teknike dhe konsultim menaxhimi për studentët,
kolegët dhe anëtarët e departamentit, dhe udhëheqi një riorganizim të
përpunimit të të dhënave në universitet që përfshinte më shumë se 120 individë.
Ajo përpiloi manuale procedurale për stafin administrativ dhe prezantoi
sigurinë kompjuterike në kampus në vitin 1985, për të cilën gjithashtu shkroi
një buletin dhe kreu trajnime speciale. (vazhdon)









