E merkure, 29.10.2025, 03:35 PM (GMT)

Faleminderit

Gani Pllana: Kontributi i Prof. Ferdinand Lekës në Terminologjinë Shkencore-Teknike dhe Fjalorët Dygjuhësorë

E marte, 28.10.2025, 06:59 PM


KONTRIBUTI I VEÇANTË I PROFESOR FERDINAND LEKËS NË FUSHËN E  TERMIMNOLOGJISË SHKENCORE-TEKNIKE BASHKËKOHORE SHQIPE DHE NË HARTIMIN E FJALORËVE DYGJUHËSORË

Nga Gani S. Pllana

Gjuhëtari, terminologu, leksikografi dhe përkthyesi i mirënjohur profesor Ferdinand Leka, u lind në Shkodër më 18 prill 1930 në një familje arsimdashëse dhe atdhetare, kurse u nda nga jeta më 25 korrik 2022, në moshën 92 vjeçare. Në moshën 26 vjeçare filloi studimet në degën e gjuhës e të letërsisë ruse në Universitetin e Tiranës, ku u diplomua në vitin 1960. Në të njëjtin vit filloi punën në Sektorin e terminologjisë të IGJH, në Tiranë. Siç dihet, përpunimi dhe rregullimi i terminologjisë është gjithnjë një veprimtari shumë e vështirë, por në rastin e shqipes ajo gërshetohej me detyrën e mënjanimit të termave të huaj, duke i zëvendësuar me fjalë të gjuhës shqipe ose duke krijuar fjalë të reja nga brumi i shqipes.

Në veprimtarinë e kryer në fushën e terminologjisë shkencore-teknike bashkëkohore shqipe dhe në hartimin e fjalorëve dygjuhësorë si edhe në redaktimin e shumë fjalorëve gjuhë e huaj-shqip, ka merita të jashtëzakonshme terminologu, leksikografi, hartuesi i fjalorëve dhe redaktori i fjalorëve të shumtë profesor Ferdinand Leka, si edhe me publikime nga shumë fusha dije për terminologjinë shkencore-teknike bashkëkohore shqipe. Kontributi i tij është me vlera të shumë të larta, si hulumtues shkencor në sektorin e Terminologjisë në IGJL në Tiranë, si edhe për fjalorët shumëgjuhësh, për fjalorë të shumtë terminologjikë në fushat e mjekësisë, ekonomisë, së drejtës, arkitekturës, gjeologjisë, letërsisë etj. Këta fjalorë përmbanin dhjetëra mijëra terma dhe ishin mjete themelore për standardizimin dhe përforcimin e gjuhës shqipe.

Profesor Ferdinand Leka kontribuoi në hartimin e “Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe” (botuar në Tiranë, në vitin 1980), gjithashtu redaktoi dhe përgatiti për botim studime me ndikim në fushën e gjuhësisë dhe letërsisë, duke përkthyer në gjuhën shqipe edhe shumë vepra të rëndësishme të letërsisë europiane.

Ndryshe nga Shqipëria, në Kosovë terminologjia shqipe në tre përbërësit e saj: në teori, në leksikun special dhe në praktikën terminologjike, është zhvilluar dhe vijon të zhvillohet me përmasa të kufizuara dhe hera-herës me hope, duke ndërmarrë ndonjëherë edhe veprimtari shkencore me vlera përgjithësuese për terminologjinë në Kosovë, siç mund të përmendim konferencën, kushtuar terminologjisë, mbajtur shumë vite më parë; Konferenca shkencore “Gjendja e terminologjisë shqipe në Jugosllavi”(Prishtinë, 1988).

Në Kosovë puna me terminologji në kohët e fundit, ka ecur me ritme më të larta dhe është pasqyruar edhe në vepra terminologjike, në monografi të mbrojtura si disertacione, por edhe me vepra të botuara nga Sadete Pllana, Flutura Çitaku, Gani Pllana etj. Duhet theksuar se në tërësinë e vet puna me terminologjinë është ndërmarrë nga specialistë të fushave të ndryshme të dijes, si nga Pajazit Nushi, Nebi Caka, Esat Stavileci, Hajrullah Gorani, Latif Susuri, Sadete Pllana, Flutura Çitaku, Gani Pllana etj.

Në Shqipëri, përkundrazi, puna në fushën e terminologjisë, në teori e në praktikën e saj, ka qenë dhe vijon të jetë, me përjashtim të kohëve të fundit, më e gjerë dhe më e thellë dhe është kryer pothuajse nga gjuhëtarët-terminologë. Megjithatë, krahas kësaj, ajo është shoqëruar e përplotësuar, ndonëse në rrugë jo të drejtpërdrejtë, edhe nga gjuhëtarë të shquar, duke filluar qysh nga Aleksandër Xhuvani, Selman Riza, Androkli Kostallari e më tej nga Lirak Dodbiba, Ferdinand Leka, Agron Duro, Hëna Pasho, Emil Lafe, Jani Thomai , Vladimir Dervishi, Vilma Proko, Arian Shumeli e ndonjë tjetër. Duhet nënvizuar se puna me terminologjinë në fillesat e saj, që nis e organizuar pas vitit 1945, është kryer në suazën e studimit të leksikut tërësor të gjuhës, pa e veçuar terminologjinë se leksik të mëvetësuar, si sistem në vetvete e për vetvete. Kjo situate ka ardhur duke u ndryshuar rrënjësisht, sidomos, qysh pas themelimit të Sektorit të terminologjisë në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë (në vitin 1955), ku terminologjia u bë objekt i drejtpërdrejt në teori, e praktikë nga gjuhëtarët-terminologë, duke filluar nga Lirak Dodbiba, si përgjegjës i parë i këtij sektori, Ferdinand Lekën, Sofika Morckën, Hëna Pashon, Veli Bicin e një varg terminologësh të tjerë, si: Agron Duro, Vladimir Dervishi, Vilma Proko, Eda Shehu, Arian Shumeli, Julija Kume etj. Me gjithë rezultatet e mëdha, të arritura nga puna e këtij sektori, jo vetëm në hartimin e shumë fjalorëve terminologjikë të serisë (rreth 33), por edhe në studimin teorik (monografitë e botuara), do të ritheksonim, me këtë rast, se krahas veprave të gjuhëtarëve, të gjuhëtarëve-terminologë, puna terminologjike është ndjekur edhe nga gjuhëtarë-terminologë, sidomos nga gjuhëtarë të njohur, të cilët kanë bërë objekt të veprave të tyre edhe probleme të terminologjisë, kryesisht të leksikut të saj, duke e vështruar gjithnjë në përqasje me leksikun e përgjithshëm, nga janë nxjerrë një varg përfundimesh me vlerë në anët e përbashkëta të leksikut terminologjik me atë të përgjithshëm, rastet e kalimeve njëra tek tjetra dhe rastet e funksionimit të termave, si njësi të mëvetësuara me veçoritë karakteristike të tyre.

Në të gjithë këtë veprimtari në fushën e terminologjisë, ndërmjet autorëve gjuhëtarë të njohur, meriton të vlerësohet në mënyrë të veçantë kontributi i sjellë nga profesor Ferdinand Leka, i cili, ndonëse është marrë me hartimin e fjalorëve dygjuhësh dhe redaktor i shumë fjalorëve tjerë, ka trajtuar një varg problemesh themelore të leksikut terminologjikë, kryesisht duke i vështruar ato në suazën e problematikës së leksikut tërësor, të gjuhës, si edhe si leksik special i veçantë.

Fillimet e studimeve dhe veprimtarive shkencore të profesor Ferdinand Lekës

Shkodrani i rritur, Ferdinand Leka, në moshën 26 vjeçare, me një përvojë të jetës, filloi studimet në degën e gjuhës dhe letërsisë ruse (në Institutin e Lartë Pedagogjik në Tiranë) si i pasionuar i gjuhëve të huaja, si:greqishtja e vjetër, latinishtja, italishtja, frëngjishtja  e krahas këtyre gjuhëve edhe anglishtja.

Terminologjia është një veprimtari e vështirë dhe shumë komplekse, andaj të punësuarit në sektorin e terminologjisë kishin njohuri nga disa gjuhë të huaja dhe për mënjanimin e termave të huaj, duke i zëvendësuar me fjalë të zakonshme të ngritura në terma, gjithashtu duke krijuar fjalë dhe terma nga gurra shqipe. Profesor Ferdinand Leka ka pasur fatin e madh se ka bashkëpunuar me profesorë të shquar, si: Aleksandër Xhuvani, Eqrem Çabej, Androkli Kostallari, Selman Riza, Mahir Domi, Pashko Geci e Lirak Dodbiba. Më vonë, pas profesor Ferdinand Lekës u punësuan në sektorin e terminologjisë edhe Sofika Morska, Hëna Pasho, Veli Bici, e më vonë Agron Duro, Vladimir Dervishi etj.

Kontributi i profesor Ferdinand Lekës në fushën e terminologjisë tekniko-shkencore

Në hartimin e serinë së 33 fjalorëve (trigjuhësh; shqip-frëngjisht-rusisht) nga punonjësit e IHGJ dhe të sektorit të terminologjisë, një veprimtari shumë e vlershme për kohën, në bazë të teorisë dhe praktikës europiane, ndihmesë e madhe për studentë dhe specialistë të fushave të ndryshme, paraqet kontribut të jashtëzakonshëm veprimtaria shkencore e profesor Ferdinand Lekës. Puna me fjalorët e terminologjisë tekniko-shkencore paraqet një kontribut me vlera të veçanta, çka theksohet në konferencën Studime mbi leksikun dhe mbi formimin e gjuhës shqipe II (Tiranë, 1972). Në Fjalorë janë paraqitur kriteret  për hartimin e fjalorëve terminologjikë në bazë të bashkëpunimit të specialistëve dhe gjuhëtarëve. Termat e paraqitur janë rezultat i punës së komisioneve duke zbatuar parime të përpikta shkencore, ku ndër parimet dhe kriteret janë:

a) Shfrytëzimi i mundësive të mëdha të gjuhës shqipe për të krijuar fjalë-terma;

b) Shfrytëzimi i mënyrave më prodhuese për formimin e fjalëve shqipe;

c) Shqipërimi i termave shkencorë jondërkombëtarë, duke quajtur ndërkombëtarë termat    që i kanë të përbashkët jo vetëm dy ose më shumë gjuhë neolatine, por edhe gjuhët e tjera;

d) Të rivlerësohen disa terma të krijuar në kohën e Rilindjes dhe të braktisur më vonë;

e) Të merren në konsideratë përhapja e termave dhe përdorimi i tyre, sipas kohës, në shkolla dhe në degë të ndryshme të prodhimit.

Trajtimi i problemeve të terminologjisë nga profesor Ferdinand Leka

Profesor Ferdinand Leka ka qenë një nga figurat kryesore në zhvillimin dhe njësimin e terminologjisë shqipe, duke lënë një trashëgimi të pasur në leksikografi e terminografi, sidomos në terminologjinë teknike dhe shkencore. Veprimtaria e tij për dekada të tëra në këtë fushë ka ndikuar drejtpërdrejt në pasurimin, sistemimin dhe zbatimin e terminologjisë në gjuhë, në hartimin e fjalorëve terminologjikë etj.

Kontribut të çmuar profesor Leka ka dhënë edhe në grupin e hartuesve të “Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe” për shkronjat N, S (Tiranë, 1980).

Vështrim të veçantë, për një periudhë të gjatë kohore, profesor Leka i ka kushtuar zhvillimit të terminologjisë tekniko-shkencore pas vitit 1960.

Për të nxjerrë në pah në mënyrë më të sintetizuar këndvështrimin e profesor Ferdinand Lekës në trajtimin e problemeve të terminologjisë, si leksik i mëvetësuar special, si edhe në përqasje me leksikun tërësor të gjuhës dhe me atë të përgjithshëm, po i paraqesim qasjet e këtij konceptimi të klasifikuara në tre grupe kryesore.

Qasjet e mëposhtme bazohen në disa nga veprat themelore të autorit dhe nga punimet e tij, në të cilat preken dhe trajtohen edhe problemet përkatëse të terminologjisë shqipe dhe që jepen si vijon:

1) Vepra studimore “Shkrime gjuhësore, letrare, sociale”:

Vlera monografike, që në fushën e terminologjisë tekniko-shkencore përbën veprën më të rëndësishme të autorit, shquhet për trajtimin e gjërë e të thellë të problemeve të marrëdhënieve midis fjalës dhe termit, zhvillimit dhe pasurimit të terminologjisë pas vitit 1945, huazimet dhe ndërkombëtarizmat në terminologjinë tonë tekniko-shkencore, studimet mbi leksikun dhe formimin e fjalëve në gjuhën shqipe.

Vështruar nga ky vlerësim vepra e mësipërme ka shërbyer si model edhe për trajtimin më të thellë të problemeve të terminologjisë tekniko-shkencore, për studimin e të cilave janë mbështetur studiues të ndryshëm dhe autorë monografishë, si edhe për punime të veçanta shkencore në lëmin e terminologjisë si në anën praktike, ashtu edhe teorike. Vend të veçantë i kushton autori bashkëpunimit në mes gjuhëtarëve dhe specialistëve, çka pasqyrohet edhe në kujdesin për zgjedhjen e përshtatshme të termave shpeshherë, që varet edhe nga shpjegimi i drejtë i tyre. Në mënyrë të veçantë nënvizohet ideja, se fjalët nga gjuha e përgjithshme, duke hyrë brenda një terminologjie, si fjalë speciale e duke kaluar nga një rreth më i ngushtë në një rreth më të gjerë kanë pësuar zhvillim të mëtejshëm dhe përvetësohen nga gjuha e përgjithshme.Një varg çështjesh lidhen me huazimet e fjalëve të zakonshme dhe të termave, ku fjalët e një gjuhe teknike të huaj kalojnë edhe në gjuhën e përgjithshme.

2) Vlerë të veçantë ka vepra me karakter metodiko-shkencor dhe pratik: “Udhëzues për përpunimin e terminologjisë tekniko-shkencore”, për hartimin e terminologjive të fushave të dijes, duke dhënë parimet dhe kriteret shkencore për krijimin e termave, pasqyrimin e tyre në fjalorët përkatës terminologjikë të terminologut të shquar austriak profesor Eugen Wüster (Vysterit).

3) Kontribut të çmuar i profesor Ferdinand Lekës në studime të mirëfillta shkencore në fushën e leksikografisë dhe terminografisë shqipe, çka pasqyrohet në veprën: “Vëzhgime gjuhësore dhe leksikografike mbi termat në Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe 1980”, në të cilën zgjidhen shumë probleme të leksikut terminologjik në FGJSSH (1980), duke shfrytëzuar edhe pjesë tjera të Fjalorit, kryesisht duke u fokusuar në probleme të terminologjisë dhe pasqyrimin e termave në Fjalor në bazë të kritereve shkencore të kohës.

4) Qasje për problemet e trajtuara, prej profesor Ferdinand Lekës, për terminologjinë tekniko-shkencore:

a) Huazime dhe ndërkombëtarizma në terminologjinë tonë tekniko-shkencore (Leka, 2007:97-120). Këtu mund të veçohet mendimi se shumica e huazimeve të reja kanë hyrë nëpërmjet leksikut special, siç ka ndodhur edhe për gjuhë të tjera botërore. Termat ndërkombëtarizma zënë një vend të veçantë në gjuhën shqipe, termat me shtrirje në disa gjuhë, si: seminar, simbol, simpozium, skemë, stil, nerv etj.

b) Termat e huazuar nga italishtja sipas autorit përbëjnë numrin më të madh të huazimeve në krahasim me gjuhët e tjera, si: saldo, salmon, spinë etj. Një pjesë e huazuar nga italishtja janë ndërkombëtarizma, si: senat, senator, simulant etj.

c) Huazimet nga turqishtja takohen në masë shumë të kufizuar, më shumë në fushën e feve, në gjuhën e administratës, të zejeve tradicionale, të botanikës, si: vilajet; namaz; sahat, çekiç, makara, kaush; salep etj., të cilat zënë vend shumë më të vogël në krahasim me huazimet nga gjuhët e tjera ose me ndërkombëtarizma.

d) Huazimet nga anglishtja, sot kanë një ndikim të madh, sidomos në fusha speciale të shkencës dhe të teknikës, andaj edhe gjuha shqipe i përvetëson me mjeshtëri këta ndërkombëtarizma

e) Terminologjia tekniko-shkencore dhe gjuha e sotme letrare shqipe:

Me zhvillimin e shkencës dhe teknikës së një vendi zhvillohet edhe terminologjia, si mjet i shprehjes dhe i pasqyrimit të nocioneve shkencore dhe teknike. Fjalori i gjuhës pasurohet kryesisht me termat e krijuar sipas nevojës, në bazë të pajisjeve të reja për nevoja të shoqërisë njerëzore, për shumë fusha të dijet. Duhet theksuar se ndryshimet dhe zhvillimet në terminologjinë tekniko-shkencore përcaktohen nga proceset që zhvillohen në vetë gjuhën letrare të përgjithshme mbi bazën e së cilës formohet gjuha e shkencës, e cila përsoset duke iu përgjigjur kërkesave të kohës dhe të shoqërisë. Ka shumë raste kur njerëzit e praktikës ndreqin krijimet e specialistëve. Profesor Leka sjell në vëmendje disa detyra me rëndësi për zhvillimin dhe përsosjen e sistemeve terminologjike, si:

·    Njësimi i mëtejshëm i terminologjisë së çdo fushe dije, duke shmangur sa më shumë dysorët e panevojshëm,

·    Të shfrytëzohen të gjitha mjetet fjalëformuese nga gjuha letrare standarde për shqipërimin e termave ma prejardhje të huaj,

·    Kujdes për fjalët e prejardhura ose kalket gjatë krijimit të termave të rinj,

·    Të vazhdohet puna me baza të sigurta shkencore për rregullimin e terminologjisë dhe gjatë hartimit të fjalorëve terminologjikë,

·    Në tekste shkencore profesionale, në dokumentacion shkencor të bëhet standardizimi i terminologjisë, për çdo fushë dije.

f) “Fjalor i termave të gjuhësisë”:

Fjalori i profesor Lekës, një vepër me shumë vlera është paraparë si një tekst ndihmës për lëndën e letërsisë në nivele të ndryshme të shkollave, për shumë ndjekës të arsimit universitar, si një mjet konsultimi për të njohur më mirë përmbjatjen e termave nga studiuesit.

Për hartimin e fjalorit autori ka shfrytëzuar përvojën e gjuhëtarëve vendorë dhe të huaj. Element shumë i rëndësishëm në këtë fjalor është treguesi i termave anglisht-shqip, frëngjisht-shqip dhe italisht-shqip, që paraqet një ndihmë shumë të rëndësishme për lexuesin, gjatë shfrytëzimit të literaturës në ato gjuhë.

g) Gjergj Fishta promotor i bashkimit kombëtar dhe i afrimit në mes popujve të Ballkanit: Profesor Leka si bashkëvendës i Gjergj Fishtës ishte brumosur me idetë dhe veprimtarinë e të Madhit Fishta qysh në rininë e hershme nga familja atdhetare, ku në këtë punim modest i rivlerëson dhe i aktualizon veprat madhështore të Fishtës.

h) Qëndrimi i shqiptarit ndaj fesë së vet dhe feve tjera, është një ndër temat më të vështira dhe shumë delikate të profesor Ferdinad Lekës, duke u nisur nga rrethanat shoqërore dhe historike ndër shekuj, të ligjeve të pamëshirshme nëpër kohëra, me theks të veçantë gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX-të. Profesor Leka ka vënë në pah përpjekjet propagandistike për 45 vjet rresht (1945-1990), duke e paraqitur shqiptarin si ateist dhe duke i mohuar besimin dhe fenë, jo vetëm si trashëgimi sociale-kulturore e si tërësi ritesh të caktuara. Cilësimet i pafe apo pa din e pa iman ishin ndër karakterizmat më negative që i bëheshin popullit shqiptar jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende tjera me popullsi shqiptare autoktone. Profesor Leka thekson se gjykatat shqiptare deri në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore betoheshin mbi kuran e mbi ungjill, çfarë ishte vendimtare në marrjen e një vendimi. Profesor Leka vë në pah edhe angazhimin e bektashive Rilindësve Sami e Naim Frashri e shumë të tjerëve për kontributin e tyre në fushën e arsimit në gjuhën shqipe. Mohimi i fesë për shqiptarin gjatë sundimit të komunizmit në Shqipëri e vende tjera me popullsi shqiptare, ishte më tepër nga trysnia dhe dhuna sesa nga bindjet vetjake, duke theksuar se “shqiptari që respekton fenë e vet, di të respektojë thellë edhe fenë e tjetrit e këtë e dëshmon e gjithë historia jonë”(Leka, 2007:474).

5) Veprimtria në fushën e leksikografisë dhe terminografisë: Fjalorë të hartuar nga profesor Ferdinand Leka dhe Zef Simoni:

Profesor Ferdinand Leka ka qenë autor, bashkautor dhe redaktor për dhjetëra fjalorë terminologjikë për fusha të ndryshme, si: mjekësi, ekonomi, arkitekturë, letërsi, gjeologji dhe e drejtë.

a) Fjalorë të përgjithshëm dygjuhësh

Në vazhdim po përmendim disa fjalorë të hartuar nga profesor Leka në bashkëpunim edhe me poliglotin e shquar Zef Simonin, si:

·       Fjalor italisht-shqip = Dizionario italiano-albanese / Ferdinand Leka; Zef Simoni, botuar në Tiranë; Lece, 1995.

·       Fjalor italisht-shqip = Dizionario italiano-albanese / Ferdinand Leka; Zef Simoni, botuar në Tiranë, 1995, 995 f.; 23 cm.

·       Fjalor shqip-italisht = Dizionario albanese-italiano / Zef Simoni; Ferdinand Leka, botuar në Tiranë, 1996, 707 f.; 23 cm.

·       Fjalor praktik italisht shqip: rreth 30.000 fjalë = Dizionario pratico italiano albanese : 30.000 voci circa / Ferdinand Leka; Zef Simoni, botuar në Tiranë, 2002, 680 f.; 20 cm.

·       Fjalor italisht-shqip : rreth 40.000 fjalë / Ferdinand Leka ; Zef Simoni, botuar në Tiranë, 2002, 784 f.; 24 cm.

·       Fjalor shqip-italisht: rreth 40.000 fjalë / Ferdinand Leka ; Zef Simoni, botuar në Tiranë, 2003, 880 f.; 24 cm.

·       Fjalor italisht-shqip: rreth 50.000 fjalë = Dizionario italiano-albanese : contenente circa 50 000 voci / Ferdinand Leka; Zef Simoni, botuar në Tiranë, 2007, 1214 f.; 24 cm.

·       Fjalor i termave të letërsisë, Infbotues, Tiranë, 2013.

·       Ushtrime përgatitore për një italishte me themel / Ferdinand Leka, botuar në Tiranë, 2009, 125 f.; 24 cm.

b) Bashkautor e redaktor i fjalorëve dhe veprave të ndryshme:

·       Fjalor i termave të ekonomisë politike (bashkautor): shqip-frëngjisht-rusisht, Tiranë, 1983, 173 f.

·       Fjalor i termave të obstetrikës dhe gjinekologjisë (bashkautor): shqip-latinisht-anglisht-frëngjisht-rusisht, Tiranë, 1987, 443 f.

·       Fjalor i termave të gjuhësisë: shqip-rusisht-frëngjisht-anglisht-gjermanisht-italisht, ASHSH, Tiranë, 1975, 587 f.

·       Fjalor i termave të gjeologjisë: shqip-anglisht-frëngjisht-italisht-rusisht, Tiranë, 1988, 1404 f.; 20 cm.

·       Fjalor i termave të stomatologjisë: shqip-anglisht-frëngjisht-italisht-rusisht, Tiranë, 2003, 752 f.; 21 cm

·       Fjalor frazeologjik italisht-shqip : me shpjegime të zanafillës së tyre = Dizionario dei modi di dire italiano-albanese : con le spiegazioni della loro origine  (autorë: Naim Balla & Eshref Ymeri), Tiranë, 1997, 297 f. ; 20 cm.

·       Fjalor arbërisht-shqip : rreth 8600 fjalë e shënime gramatikore / Kolë Kamsi, Shkodër, 2000, 377 f.; 23 cm.

·       Fonetika / Kristaq Cipo, Tiranë, 2003, 87 f.; 20 cm.

·       Të kapërcehet pragu i shpresës / PP Ioannes Paulus II ; intervistoi Vittorio Messori, New York, 1998, 282 f.

·       Ndërgjegjja në "shpirt" (La coscienza “nello spirito”): për një kuptim të krishterë të ndërgjegjes / Basilio Petra, Tiranë, 2006, 123 f.; 20 cm.

·       Krishtërimi dhe kriza e kulturave / Joseph A. Ratzinger, Tiranë, 2007, 85 f.; 20 cm.

·       Kisha e Etërve: hyrje e shkurtër në Ortodoksi / Basillio Petra, Tiranë, 2007, 161 f.; m21 cm.

·       Fundi i kohës moderne: Pushteti / Romano Guardini, Tiranë, 2007, 222 f.; 20 cm.

c) Vepra të përkthyera nga origjinali i gjuhëve frënge, italiane, ruse e gjermane:

·       Histori e Kishës: zhvillimi i jetës së Kishës nga rrëshajat deri në ditët tona (Storia della Chiesa)/ Michel Lemonnier; përkth. Ferdinand Leka, Lezhë, Tiranë, 2008, 365f.; 21 cm.

·       Një mjeshtëri për të jetuar (Un art de vivre) / André Maurois; shqip. Ferdinand Leka, Tiranë, 2009, 150 f. ; 20 cm.

·       Jezusi i Nazaretit (Jesus von Nazareth): von der Taufe im Jordan bis zur Verklärung) / Joseph A. Ratzinger; përkth. Ferdinand Leka, Tiranë, 2009, 370 f.; 21 cm.

·       Për të kuptuar muzikën e sotme (Pour comprendre les musiques d'aujourd'hui) / Henry Barraud ; përkth. ngaorigj. Ferdinand Leka, Tiranë, 2014, 190 f.; 24 cm.

·       Botëkuptimi i Dostojevskit (Titulli i origjinalit: Mirosozercanie Dostoevskogo) / Nikolaj A. Berdjaev ; përkth. Ferdinand Leka; përkth. Arian Shkurti, Tiranë, 2006, 251 f.; 20 cm.

·       Architetto: novela / Fahri Balliu, Tiranë, 2002, 106 f.; 20 cm.

·       Çështje besimi: një afirmim skeptik i krishterimit / Peter L. Berger, Tiranë, 2007, 336 f.; 20 cm.

·       Sëmundja si metaforë dhe SIDA dhe metaforat e saj / Susan Sontag, Tiranë, 1998, 213f.; 20 cm.

·       Triumfi dhe tragjizmi i Erazmit të Roterdamit / Stefan Zweig, Tiranë, 2002, 174 f.; 21 cm.

·       Lavdërimi i çmendurisë / Desiderius Erasmus (përkthim nga origjinali latinisht) ese mbi veprën e Roland H. Baiton, Tiranë, 2004, 205 f.; 20 cm.

·       Martirët: 10300 ditë e netë në burgjet komuniste = I martiri: 10300 giorni e notti nelle prigioni comuniste/ Pjetër Arbnori, Tiranë, 2004, 258 f.; 20 cm.

·       Lirika të zgjedhura nga Canzoniere / Francesco Petrarca, Tiranë, 2004, 155 f.; 20 cm.

·       Zoti dhe shkenca(Dieu et la science) / Jean Guitton, Tiranë, 2007, 151 f.; 20 cm.

·       Në zanafillë të pretendimit të krishterë / Luigi Giussani, Lezhë, Tiranë, 2008, m145 f.; 20 cm.

·       Zanafilla dhe kuptimi i komunizmit rus / Nikolaj Berdâev, Tiranë, 2008, 292 f. 21 cm.

·       Një mjeshtëri për të jetuar (Un art de vivre)  / André Maurois, Tiranë, 2009, 150 f.; 20 cm.

Përfundim

Së fundi, në mënyrë të sintetizuar, mund të theksojmë se kontributet e profesor Lekës në gjuhësi përbëjnë një spektër të gjerë fushash, kryesisht nga leksikografia, terminologjia dhe terminografia. Në mënyrë të veçantë, si bashkëthemelues i Sektorit të Terminologjisë me Lirak Dodbibën në IGJL (1955), me veprën e tij ka hedhur bazat e teorisë dhe të praktikës së terminologjisë, në të cilat janë mbështetur parimet dhe kriteret për hartimin e fjalorëve të shumtë (34) të serisë terminologjike në IGJL dhe jashtë tij.

Kontributet e profesor Lekës kanë kapërcyer përtej fushave të leksikografisë dhe të terminologjisë, në hartimin e fjalorëve dygjuhësh, ndër të cilët Fjalori italisht – shqip konsiderohet më cilësori në këtë fushë, në përkthimin me mjeshtëri të shumë veprave shkencore. Si poliglot, njohës i shumë gjuhëve të huaja, si greqishte, latinishte, rusishte, anglishte, italishte, frengjishte, gjermanishte etj., mund të radhitet në këtë fushë me gjuhëtarë të mëdhenj si Eqrem Çabej, Selman Riza, Shaban Demiraj etj.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Llesh Ndoj: Pesha e madhe e atdhedashurisë së një Kampioni Bote Gjekë Gjonaj: Rruga e jetës, arsimimi dhe aktivitetet e Drita Ivanajt - Ujkaj (2) Arben Bitri: Tragjedi në New-York Albert Zholi: Dr. Diamant Lulaj – Kardiologu shqiptar që lartëson emrin e vendit në arenën ndërkombëtare Ilir Çumani: Nënë Tereza – kjo humaniste e ndërgjegjes njerëzore Gjekë Gjonaj: Rruga e jetës, arsimimi dhe aktivitetet e Drita Ivanajt - Ujkaj (1) Kristinë Oroshi: Liza Llesh Moli – Heroina që mbrojti pragun e shtëpisë Hysen Ibrahimi: Faruk Spahija – Kontributi dhe Sakrifica në Shërbim të Lirisë së Kosovës Hysen Ibrahimi: Kontributi i Gani Azemit në promovimin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës Ramiz Selimi: Smajl Maliqi, veprimtar dhe humanist i palodhur! Lekë Mrijaj: Homazh në nëntëvjetorin e kalimit në amshim të don Gjergj Gjergji-Gashi Gjon Keka: Gjergj Kastrioti (Skënderbeu) shembull për imitim Klajd Kapinova: Besa, guximi, mikpritja dhe bujaria shqiptare e familjes me tradita të Ded Kol Mirit Dedvukaj (1953-2025) Jusuf Buxhovi: Vrasja e kolonel Ahmet Krasniqit – komplot kundër rezistencës institucionale Gjekë Gjonaj: Veprimtaria shkencore e Dr. Martin M. Bojaj Asllan Dibrani-Luani: Profesor Blerim Latifi – Intelektual evropian dhe luftëtar i lirisë Sevdail Hyseni: Nazim Hajdini – Nga fronti i luftës te misioni qytetar për të ardhmen Dorian Koçi: Gjeologu shkencëtar polak Stanislaw Zuber dhe kujtesa jonë kolektive Gjon Keka: Rrënjët e Skënderbeut nuk mund t'ia shkul asnjë fanatizëm i verbër fetar Hysen Ibrahimi: Dhjetë vjet pa akademik Mark Krasniqin

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx