Faleminderit
Lekë Mrijaj: Frano Alkaj – një shkëndijë e humanizmit dhe gjuhës klasike shqiptare
E diele, 02.11.2025, 06:56 PM
FRANO ALKAJ NJË SHKËNDIJË E HUMANIZMIT DHE GJUHËS KLASIKE SHQIPTARE
Shkruan:
Lekë Mrijaj
Ky
studim paraqitet si një këndvështrim me rastin e 120-vjetorit të ditëlindjes së
Frano Alkajt dhe synon të pasqyrojë figurën dhe kontributin e tij në fushën e
përkthimit klasik shqiptar, si një nga personalitetet më të rralla të kulturës
kombëtare shqiptare, i formuar në dritën e humanizmit françeskan dhe në
traditën e dijes perëndimore. Ai
përfaqëson brezin e artë të përkthyesve që sollën në shqip vlerat universale të
letërsisë antike.
Ndaj
edhe duke u mbështetur në referencat e studiuesve si Engjëll Sedaj, Qemal Guri,
At Zef Pllumi, Rudina Lazri, Kujtim Dashi, Ndue Hoti dhe burime arkivore,
trajtimi im i mëposhtëm synon të përshkruajë jetën, formimin, veprimtarinë
përkthimore dhe vlerën shkencore të veprës së tij, e cila aktualisht mbetet një
dritë e heshtur në historinë e kulturës shqiptare. Në panteonin e kulturës
shqiptare, kur dija dhe shpirti i kombit janë gërshetuar nëpër shekuj përmes
përkthimeve dhe përurimeve, një ndër figurat më të spikatura dhe të
anashkaluara mbetet Frano Alkaj, përkthyes i cili i dhuroi gjuhës shqipe zërin
e Homerit dhe frymën e Virgjilit, duke e ngritur atë në lartësinë e gjuhëve të
qytetëruara evropiane. Ai vërtetë është shembulli i rrallë i njeriut që jetoi
për dijen, për përulësinë dhe për dashurinë ndaj fjalës. Jeta e tij që nga
fëmijëria e vështirë e deri në përfundimin e qetë në mërgim, dëshmon për një
shpirt që e kërkoi dritën në çdo hap dhe e gjeti atë te libri, fjala dhe
përkthimi.
Frano
Alkaj lindi më 1 nëntor 1905, në Alkaj të Gurëzit, Kurbin, në një familje që
kishte rrënjë në Boga të Malësisë së Mbishkodrës, derë bajraktarësh e prijësish
fisnorë. Fati i tij njerëzor dhe shpirtëror do të merrte trajtë të veçantë që
në fëmijëri, kur mbeti jetim. I përkujdesur nga Dom Shtjefën Vjerdha, u dërgua
në jetimoren françeskane të Shkodrës, ku nisi formimin e tij të plotë njerëzor
e intelektual. Në Kolegjin Françeskan, ai u rrit në një atmosferë të thellë
kulturore, ku libri dhe feja për të ishin dy shtyllat e dijes. Mësuesit e tij
vunë re se kishte një kujtesë të rrallë, një ndjeshmëri të madhe për gjuhën dhe
një prirje të natyrshme për studimin e teksteve të lashta. Në moshë të re, ai
kishte përvetësuar latinishten dhe greqishten me një nivel që i habiste me
dijen e tij edhe profesorët. Pas përfundimit të gjimnazit françeskan më 1927,
ai fitoi bursë studimi dhe u dërgua në Holandë (1927–1930), i cili u njoh me
metodologjitë moderne të studimit të filologjisë klasike. Aty zhvilloi një
pasion të veçantë për përkthimin, duke e parë atë si një mënyrë të lartë të
komunikimit kulturor ndërmjet kombeve. Më pas, në Universitetin e Bukureshtit
(1930–1934), vijoi studimet për Letërsi Klasike dhe Gjuhë
Komparative-(Krahasuese), ku edhe u njoh me rrethet letrare shqiptare të
mërgatës dhe me poetin Asdreni, që e quajti “djalosh me shpirt të dritës”. Në
këtë mjedis intelektual, Alkaj do të zhvillonte për herë të parë mendimin e tij
për përkthimin si akt krijues, jo si riprodhim mekanik të fjalës. Ai besonte se
përkthyesi duhet të kuptojë shpirtin e tekstit dhe ta ringjallë atë në gjuhën
amtare me ritëm e ngjyrë të re. I pajisur me dije të thellë në nëntë gjuhë botërore,
helenisht, latinisht, greqisht, italisht, gjermanisht, holandisht, rumanisht,
spanjisht dhe shqip, Frano Alkaj u kthye në Shqipëri në vitin 1934 dhe nisi
veprimtarinë e tij si mësues i letërsisë greko-romake në Gjimnazin e Shkodrës,
Gjirokastrës, Korçës dhe Tiranës. Ishte ndër të paktët pedagogë që e lidhte
mësimin me shpirtin e leximit dhe të mendimit. Orët e tij mësimore ishin
përvoja frymëzimi. Nxënësit e tij, ndër ta At Zef Pllumi, e kujtojnë si njeriun
që “i mësonte të rinjtë të dëgjonin zërin e fjalës”, një mësues që fliste për
Homerin jo si për autor, por si për burim drite. Ai shpjegonte me thellësi
etiken e virtytit, ndershmërinë e luftëtarit, dashurinë ndaj atdheut, duke e
lidhur gjithnjë letërsinë me përvojën njerëzore. Në të njëjtën kohë, Frano
Alkaj ishte pjesë e revistës “Hylli i Dritës” (1940–1944), organi më
prestigjioz i mendimit letrar dhe filozofik shqiptar. Nën kujdesin e
françeskanëve dhe në frymën e At Gjergj Fishtës, revista u bë një qendër e
përkthimeve klasike dhe e debatit shkencor. Aty Frano Alkaj botoi shumë artikuj
e reflektime, si dhe përkthime të rralla nga greqishtja dhe latinishtja.
Paralelisht ai u bë anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare, nën drejtimin e
Ernest Koliqit, ku u angazhua në përgatitjen e fjalorëve dhe në punën për
sistematizimin e terminologjisë klasike në gjuhën shqipe. Në sferën e
përkthimit, Frano Alkaj spikat për mjeshtërinë e tij të jashtëzakonshme. Ai
ishte ndër të parët që solli në shqip pjesë nga veprat madhore të letërsisë
botërore: “Vrasja e Hektorit” (libri XXII i Iliadës, botuar në Shkodër më 1938)
dhe “Varrimi i Hektorit” (libri XXIV, botuar më 1941), si dhe libra nga
“Eneida” e Virgjilit, të mbetura në dorëshkrim: “Rrënimi i Trojës” (1937,
Rimini), “Vetëvrasja e Dodonës” (1938, Bukuresht), dhe “Zbritja e Eneut në
Butrint”. Pra, përmes këtyre përkthimeve të tija, ai i dhuroi shqipes
solemnitetin e vargut homerik dhe muzikalitetin e gjuhës latine, duke e
vendosur gjuhën tonë në nivelin e gjuhëve evropiane në përballjen me tekstet
klasike.
Në
analizën e Engjëll Sedajt veq tjerash i gjejmë përkthimet e Alkajt të cilat
janë dëshmi e një përpjekjeje të pastër për ta lartësuar gjuhën shqipe në
dinjitetin e gjuhëve klasike, duke ruajtur frymën origjinale të autorëve
antikë. Ndërsa Qemal Guri shkruan: “Në tekstet e tij, shqipja përthith ritmin e
Homerit, ngrohtësinë e fjalës dhe qartësinë e mendimit, duke krijuar një
ekuilibër të rrallë mes saktësisë filologjike dhe ndjesisë poetike". Pas
vitit 1944, me ndryshimet politike në vend figura e Frano Alkajt do të
përballej me përndjekje dhe heshtje nga komunizmi enverist. Në vitin 1948, pa
dashjen e tij, ai u detyrua të largohej nga Shqipëria për shkak të lidhjeve me
klerin françeskan dhe intelektualët e diasporës. U vendos në Buenos Aires të
Argjentinës, ku jetoi për shumë vite me mikun e tij të afërt Filip Llupi, dhe
më pas në Boston (SHBA), ku kaloi pjesën e fundit të jetës deri në vdekjen e
tij më 1992, në moshën 87-vjeçare. Në Buenos Aires të Argjentinës, ai mbeti i
përkushtuar ndaj përkthimit dhe studimit, duke jetuar në heshtje e dinjitet, si
një dijetar që nuk kërkoi famë, por vlerë. Ndërkohë në Shqipëri gjatë kohës së
monizmit, ai u shpall “autor i ndaluar” më 1958. Dorëshkrimet e tij u ndaluan,
një pjesë u zhdukën dhe u humbën, dhe për një kohë të gjatë emri i tij u fshi
nga kujtesa kulturore. Vetëm pas rënies së regjimit totalitar komunist,
studiues si Rudina Lazri, Kujtim Dashi, Fenik Ferra dhe Ndue Hoti e ringjallën
figurën e tij, duke e vendosur në vendin që i takon përkrah përkthyesve të
mëdhenj shqiptarë: Fan Noli, Henrik Lacaj, Pashko Gjeçi, At Gjon Shllaku dhe
Lasgush Poradeci.
Frano
Alkaj përfaqëson tipin e intelektualit të formuar që i shërben kombit pa
zhurmë, që punon me përkushtim e ndershmëri. Përmes përkthimeve të tij, ai
dëshmoi se gjuha shqipe ka fuqinë të bartë mendimin filozofik dhe artin e
lashtësisë. Me frymën e humanizmit françeskan, ai i dha përkthimit klasik
shqiptar jo vetëm saktësi shkencore, por edhe dimension të thellë shpirtëror.
Ai është përkthyesi që nuk kërkoi lavdi, por dritë, nuk kërkoi emër, por
kuptim, nuk kërkoi lavdërim, por përjetësi përmes fjalës. Në përkthimet e tij
ndihen muzika e vargut të Homerit, pesha e mendimit të Virgjilit dhe ndriçimi i
shpirtit shqiptar. Kjo e bën veprën e tij pjesë të pandashme të trashëgimisë
sonë kulturore. Në një kohë kur gjuha jonë po kërkonte formën e saj letrare,
Frano Alkaj i dha asaj strukturën e një gjuhe të pjekur, të përkryer dhe të
denjë për t’u quajtur gjuhë e kulturës evropiane.
Krejt
në fund të këtij këndvështrimi tim, jap një përmbledhje konkrete duke thënë se
studimi i veprës së Frano Alkajt dëshmon se ai vërtet përfaqëson një nga majat
e përkthimit klasik në Shqipëri. Ai ishte ndër të parët që solli në gjuhën
shqipe, strukturën, ritmin dhe frymën e letërsisë antike. Veprat e tij shërbyen
si gurthemel për përkthimet e mëvonshme të Nolit, Gjeçit dhe Lacajt. Metoda e
tij mbështetej mbi tri shtylla: besnikëria filologjike, përshtatja estetike dhe
qartësia gjuhësore. Përmes tyre ai arriti të krijojë një model të përkthimit shkencor,
të pasur me vlera artistike dhe leksikore. Ndaj, figura e tij e heshtur dhe
modeste është shembull i përjetshëm i intelektualit që vepron në shërbim të
kulturës, pa kompromis me lartësinë morale. Frano Alkaj ishte dhe mbetet një
shkëndijë drite e humanizmit dhe e gjuhës klasike shqiptare, një gurthemel i
kulturës sonë letrare dhe akademike, që do të ndriçojë brez pas brezi si dëshmi
e përjetshme e dijes dhe dashurisë për fjalën.










