E shtune, 01.11.2025, 01:08 PM (GMT)

Editorial » Zejneli

Xhelal Zejneli: Romanet distopike

E premte, 31.10.2025, 06:57 PM


ROMANET DISTOPIKE

Nga Prof. Xhelal Zejneli

Ekzistojnë shumë lloje romanesh: autobiografike, biografike, fantastike dhe fantastiko-shkencore, aventureske, kriminalistike, erotike (dashurie), roman për fëmijë, historike, humoristike, publicistike, satirike etj.

*   *   *

Distopi (Dystopi: "vend i keq") është një botë apo shoqëri e imagjinuar në të cilën njerëzit jetojnë mjerueshëm, janë të dehumanizuar dhe të frikshëm.

Distopia (utopia negative) është ide shoqërore për të ardhmen e imagjinuar që e karakterizojnë elemente negative kundërutopike që përfshijnë çështje të ndryshme, prej atyre ekologjike deri në ato politike dhe shoqërore. Shoqëritë distopike të cilat më së shpeshti i nënkuptojnë shkrimtarët e fiksionit, arritën kulmin në një sërë nënzhanresh, kështu që termi shpesh përdoret për t’i aktualizuar çështjet që kanë të bëjnë me shoqërinë, mjedisin, politikën, religjionin, sociologjinë, me shpirtëroren apo me teknologjinë që mund të paraqiten në të ardhmen. Për këtë arsye ky term ka marrë formën e shumë supozimeve siç janë ndotja, varfëria, kolapsi i shoqërisë apo represioni politik dhe totalitarizmi. Pasqyrimet e famshme të shoqërive distopike përfshijnë romanet: “1984”Xhorxh Oruelit (George Orwell) për super shtetin totalitar; “Bota e re e guximshme” (Brave New World) i prozatorit dhe eseistit anglez Aldus Leonard Haksli (Aldous Leonard Huxley, 1894-1963) për shoqërinë njerëzore të formësuar në mënyrë eugjenike dhe “Fahrenheit 451” i prozatorit amerikan Rey Daglas Bredbëri (Ray Douglas Bradbury, 1920-) në të cilin shteti i djeg librat nga frika e paraqitjes së mendimit të pavarur. Romanin “Thembra e hekurt” (The Iron Heel, 1908) të shkrimtarit autodidakt amerikan Xhek London (emri i vërtetë John Griffith, 1876-1916) në të cilin autori me pesimizëm e parashikonte edhe diktaturën fashiste edhe atë komuniste, Erik Fromi* (Erich Seligmann Fromm, 1900-1980) e konsideronte si “distopi moderne më të hershme”.

Shënim: Erik Fromi ka qenë psikolog social gjermano-amerikan, psikanalist, sociolog, filozof humanist dhe socialdemokrat; hebre gjerman që iku nga regjimi nazist dhe u vendos në ShBA.

*   *   *

Disa dijetarë siç janë profesori emeritus i historisë në Universitetin e Londrës, i shkolluar në Kembrixh (Cambridge), Gregori Klejs (Gregory Claeys; Francë,1953- ) dhe akademiku amerikan, profesor emeritus i shkencave politike në Universitetin Missouri-St. Louis, i cili është marrë me studime utopike dhe me teori politike, Lajman Sargent (Lyman Tower Sargent; lindi në vitin 1940), midis sinonimeve tipike të distopive bëjnë dallime të caktuara. Për shembull, Klejsi (Claeys) dhe Sargenti distropitë letrare i përkufizojnë si shoqëri të imagjinuara si qenësisht më të këqija se shoqëria në të cilën autori shkruan. Disa prej tyre janë kundërutopi që i kritikojnë përpjekjet e zbatimit të koncepteve të ndryshme të utopisë. Në përpunimin më voluminoz të shprehjeve letrare dhe reale të konceptit, Distopia: Një histori natyrore (Dystopia: A Natural History), Klejs (Claeys) ofron qasjen historike këtyre përkufizimeve. Këtu tradita përcillet që prej reaksioneve të hershme ndaj Revolucionit Francez. Është theksuar karakteri i tij antikolektiv. Përcillen edhe shtojca të temave tëtjera – rreziqet nga shkenca dhe teknologjia, nga pabarazitë shoqërore, nga diktaturat e korporatave dhe nga lufta bërthamore. Këtu parapëlqehet edeh qasja psikologjike, me ç’rast parimi i frikës barazohet me format despotike të sundimit të bartura nga historia e mendimit politik, kurse psikologjia e grupit është aplikuar si mjet i kuptimit të marrëdhënieve midis utopisë dhe distopisë. Autori dhe studiuesi australian Endrju Norton Shvarcbard (Andrew Norton Shwartzbard, 7 korrik 1965- ) thotë se Ferri i poetit italian Dante (Dante Alighieri; Firence, 1265 – Ravenë, 1321), i shkruar shumë shekuj para ekzistimit të konceptit distopi, përfshin shumicën e karakteristikave   që ndërlidhen me këtë zhanër, pavarësisht nga fakti në është vendosur në kornizë religjioze dhe jo në të ardhmen e kësaj bote, siç janë rëndom distopitë moderne. Në të njëjtën frymë, Vicente Angeloti thotë se “fraza emblematike e Xhorxh Oruelit (George Orwell), çizme që shkel mbi fytyrën e njeriut – përgjithmonë e ka përshkruar me saktësi gjendjen e banorëve në ferrin e Dantes. Përkundër kësaj, mbishkrimi i njohur i Dantes ‘Harroni çdo shpresë ju që hyni këtu” do të ishte po aq i përshtatshëm edhe po të vihej në hyrje të Ministrisë së Dashurisë* të Oruelit (Orwell) dhe në Dhomën 101* famëkeqe të tij.

Shënim: Ministria e Dashurisë – hapësirë në romanin “1984” Oruelit (Orwell),

Dhoma 101 (Room 101) - hapësira fiktive ku zhvillohet një pjesë e veprimit të romanit “1984” të Oruelit. Dhomë e torturave në ndërtesën e Ministrisë së Dashurisë në Londër.

*   *   *

Vizionet e errëta të së ardhmes, tregimet nga bota pas apokalipsit – të gjitha këto janë distopi që i duam apo që do t’i duam në të ardhmen.

“1984” (1949), Xhorxh Oruel (George Orwell, emri i vërtetë Eric Blair, Motahari, Bengal, 1903 – Londër, 1950), prozator anglez.

Ndonëse dëshironte të kritikojë stalinizmin dhe diktaturat që ishin “aktive” në kohën e tij, Orueli na dha një roman distopik par exellence (në kuptimin e vërtetë të fjalës). Problemi nuk ka të bëjë me faktin se kemi përvetësuar disa nocione si Big Brother (Vëllai i Madh), por se në të vërtetë disi edhe jetojmë në vitin “tetëdhjetë e katër”: mediumet janë nën kontroll, nga mbikëqyrin kamerat edhe kur një gjë të tillë nuk e dëshirojmë, kështu që nuk është për t’u habitur se vitet e fundit ky është një prej romaneve më të shitur dhe më të lexuar.

“Bota e re e guximshme” (Brave New World, 1932) Aldus Leonard Haksli (Aldous Leonard Huxley, Godalmung, Surrey, 1894 – Los Angeles, 1963), prozator dhe eseist anglez. Autori jep pasqyrën tronditëse të botës nën trysninë e totalitarizmit shkencor. Është përrallë për rendin botëror në të ardhmen, kur në botë nuk do të sundojnë më luftërat dhe terrori për arsye se askush, përpos “të egërve” në rezervat nuk do të vuajë për liri. Pasqyra që na jep Haksli për të ardhmen na shkakton dridhma frike. Barnat që na trullosin janë normë, riprodhimi është i kontrolluar dhe i organizuar, njerëzve u shpëlahet truri që në lindje, kurse koncepti i familjes nuk ekziston. A ka qenë kjo botë e guximshme një shoqëri hedoniste apo askush më nuk mund të jetojë gjatë? Botë në të cilën nuk ka sëmundje është krijuar nëpërmjet fëmijëve gjenetikisht të modifikuar, e manipuluar në pikëpamje psikologjike, kurse në pikëpamje hierarkike bazohet në inteligjencë.

“Rruga” (The Road, 2006), Kormak Mekarti (Cormac McCarthy; lindi në Providence, Rhode Island, ShBA, 1933 – vdiq në Santa-Fe, New Mexico, 2023), shkrimtar amerikan. Në veprat e veta përfshin zhanre perëndimore, post-apokaliptike dhe gotike jugore. Vepra e lartpërmendur nuk është voluminoz. Është karakteristike për mënyrën e të shkruarit dhe për temën që trajton. Në ShBA-në post-apokaliptike, babai dhe biri ecin vetë nëpër një tokë të djegur saqë nuk mund ta njohin. Nga acari i madh pëlcasin edhe gurët. Dëbora e hirtë bie nëpër tërë tokën e shkretuar. Babi dhe i biri shkojnë në drejtim të bregut, duke shpresuar se do të takojnë dikë apo diç të mirë. Në rrugë e sipër hasin në anarki dhe mizori, të mbijetuar të lemerishëm dhe më pak të lemerishëm dhe nuk ndalen madje edhe kur u duket se gjetën një strehë. Është një libri për dashurinë e babait për të birin që do t’jua zbus shpirtin, edhe pse ata ndodhen në mes të një bote të mizore dhe të errët që mezi i ka shpëtuar apokalipsit. Por disa forca janë më të më të mëdha se jeta.

“Fahrenheit 451” (1953), Rey Daglas Bredbëri (Ray Douglas Bradbury, 1920-) prozator amerikan. Titulli i romanit ka të bëjë me temperaturën në të cilën digjet letra. Romani është një utopi negative e frikshme, mu si romani “1984” i Xhorxh Oruelit (George Orwell) në të cilin regjimi totalitar, për ta çrrënjosur atë që është e njerëzishme te shtetasit, tenton t’i djegë të gjithë librat. Personazh kryesor është Montagu. Ky ishte i ngarkuar për t’i djegur librat. Në fund, ai i bashkohet grupit të kryengritësve të cilët i mësojnë librat përmendësh me qëllim që t’i ruajnë për brezat e ardhshëm. Në vitin 1966, sipas këtij romani u xhirua edhe një film. Bredbëri (Bradbury) shkroi roman për makthin e çdo shkrimtari dhe të dashamirëve të librit: për shoqërinë që i digjte librat dhe në të cilën mendimet intelektuale janë të paligjshme. Bredbëri (Bradbury) na jep një botë që ka ardhur në fundin e vet. Romani “Fahrenheit 451” ka qenë i ndaluar. Kjo flet mjaft për vërtetësinë e tij. Librat janë ndaluar. S’i gjen dot kund. Të kesh libër është mëkat tejet i madh e që dënohet ashpër. Këtë e di edhe zjarrfikësi Gaj Montag (Guy Montag) i cili është pjesë e shoqërisë në të cilën mbizotëron televizori, i kontrolluar rreptë. Shpeshherë ai ndez zjarre, në vend që t’i shuajë ato. Ai është një zjarrfikës i mirë, i dëgjueshëm, nuk pyet përse duhet t’i djegë librat. Në fund të ditës, i kthehet gruas së vet Mildred e cila më tepër e do TV-familjen e saj sesa burrin. Jeta e tij është e zbrazët. Por, kur e njohu fqinjën e re Klarisën (Clarsse) e cila për të kaluarën dinte më shumë, por edhe për faktin sesi mendohet në mënyrë të lirë, jeta për Gajin (Guy) do të ndryshojë plotësisht.

“Makina e kohës” (The Time Machine, 1895); Herbert Xhorxh Uells (Herbert George Wells, 1866-1946) prozator anglez. Në këtë roman paraqet ngjarje të pabesueshme që bazohen në arritjet shkencore të paramenduara. Romani shënon fillimin e nënllojit letrar që u bë i njohur si fantastikë shkencore (science fiction). Uellsi përshkruan përjetimet e udhëtarit i cili me ndihmën e një makine të veçantë mund të kalojë nga e tashmja në të ardhmen apo në të kaluarën. Uellsi e çon heroin e vet në të ardhme, në një botë vendesh të errëta, distopike dhe dëshmon për  fundin e shoqërisë. Është edhe roman i fantastikës shkencore edhe roman distopik. E ka popullarizuar konceptin e udhëtimit nëpër kohë, duke e bërë shprehjen “lundrues nëpër kohë” të rëndomtë në fjalorin e sotëm. Këtij lloji i përket edhe romani “Lufta e botëve” (The War of the Worlds, 1898). Romani “Makina e kohës” përshkruan shoqërinë e tmerrshme të së ardhmes në të cilën klasa e shtypur shndërrohet në racë kanibalësh, kurse klasa e lartë e dikurshme bëhet mish për ushqim. Ky është i pari roman në histori që e ka popullarizuar konceptin e udhëtimit nëpër kohë me ndihmën e “makinës kohore” apo lundruesit nëpër kohë, ndaj ky roman konsiderohet si një prej veprave klasike të zhanrit të fantastikës shkencore. Sipas Shoqatës amerikane të zgjedhjes së shkrimtarit fantastik-shkencor, ky roman është përfshirë në regjistrin e veprave fantastike-shkencore më të mira të shkruara deri në vitin 1965.

“Ferma e kafshëve” (Animal Farm, 1945), Xhorxh Oruel (George Orwell, 1903-1950) prozator anglez. Edhe ky roman mund të përfshihet në disa kategori. Pra, jo vetëm në kategorinë e romaneve distopike. Por, Orueli (Orwell) është disi sinonim i për distopi, kurse ky roman është gur i çmueshëm i vërtetë. “Ferma e kafshëve” e paraqet shoqërinë e ardhshme të kafshëve shtëpiake të keqtrajtuara dhe të stërngarkuara si dhe synimin e tyre për krijimin e utopisë së drejtësisë, të barazisë dhe të përparimit. Tonet e totalitarizmit dalin nga kjo shoqëri idealiste, ndërsa udhëheqësit karizmatikë bëhen shtypës më mizorë. Kemi të bëjmë me një alegori e cila nëpërmjet fermës së kafshëve i pasqyron njerëzit.

“Rrëfimi i shërbëtores” (The Handmaid's Tale, 1985), Margaret Aetvud (Margaret Atwood; Otava, Ontario, Kanada, 1939 - ) prozatore, poete dhe kritike kanadeze. Me romanin e sipërthënë fitoi famë botërore. Me utopinë futuriste negative dhe me vizionin e errët i lë pas veprat e Hakslit (Huxley) dhe të Oruellit (Orwell). Me fundamentalizmin religjioz gjithnjë më të madh, romani i shkrimtares Margaret Aetvud (Margaret Atwood) mbase sot është shumë më bindës se dikur. Kuazi-të krishterët që e quanin veten Bij të Jakobit me puç, me vrasjen e presidentit amerikan dhe me shumicën e Kongresit, pas një lufte bërthamore vunë botën nën kontrollin e tyre. Tani demokracia nuk është veçse një ëndërr e largët, kurse në botë sundon diktatura ushtarake. Shoqërinë e riorganizojnë sipas interpretimit të tyre të Dhiatës së Vjetër dhe një modeli të ri, militant dhe hierarkik të fanatizmit shoqëror dhe religjioz. Ndryshimi më i madh është te liritë shoqërore, sidomos te gratë të cilat nuk kanë të drejtë të marrin rrogë, nuk lejohet të punojnë, shkurorëzimi është krim, kështu që martesat anulohen dhe fëmijët e lindur prej tyre merren. Dhe kjo nuk është e gjitha. Ka gjithnjë e më shumë gra që nuk lindin, d.m.th. që janë jopjellore, kurse ato që janë pjellore, qeveria i përndjek, i burgos dhe në fund i detyron të bëhen robëresha të anëtarëve me reputacion të kastës sunduese. Ato bëhen makina për lindje, e nëse nuk mund të lindin, jeta e tare nuk vlen fare. Heroina jonë tani është shërbëtore dhe robëreshë e Fredit. Është pa emër. Ajo është Offred, e Fredit dhe në takimet seksuale të kontrolluara që i mbikëqyr gruaja e tij dhe pronarja e saj, duhet të ngjizet dhe të lindë fëmijë.

“Dhuruesi” (The Giver, 2001), Luis En Louri (Lois Ann Lowry; Honolulu, Hawai, ShBA, 1937- ) shkrimtare amerikane. Në veprat për audiencën e re, trajton tema të vështira dhe komplekse si dhe tema distopike. Në botën që nuk di për probleme shoqërore, Jonasi 12-vjeçar është i bindur se jeton në një botë të shkëlqyer dhe ideale. Nuk ka konflikte, padrejtësi, varfëri dhe një tjetër më të mirë. Kjo është e mundur vetëm ngase njerëzit i kanë flakur kujtimet dhe sillen sipas rregullave të përcaktuar me përpikëri. Të gjithë janë të njëjtë, nuk ka dallime mbi bazë gjinie, shoqërore dhe natyrore. Plotësisht janë nën kontroll dhe nuk kanë fije individualiteti. Sapo Jonasit i japin detyra jetësore që t’i pranojë kujtimet, ai do t’i zbulojë sekretet e errëta të bashkësisë së tij. Njohja e së kaluarës do ta mësojë se utopia në të cilën jeton nuk është e përkryer siç ka menduar. Derisa njohuritë e tij thellohen gjatë takimit me mikun e çastit i cili kërkon ta quajë Dhurues, Jonasi planifikon të përgatisë të porsalindurin i cili së shpejti “do të lirohet”. Dhuruesi është i vetmi që ka kujtime sepse kujtesa është gjithçka: mençuri, dituri edhe ndjenja. Romani u ndalua për arsye i njoftonte lexuesit e rinj me gjërat që ndodhin, e për të cilat disa të moshuar nuk duan të flitet - vetëvrasjet, zgjimi i seksualitetit dhe humbja e virgjërisë.

Thertorja pesë ose kryqëzata e fëmijëve (Slaughterhouse-Five, or The Children's Crusade: A Duty-Dance with Death”, 1969), Kurt Vonegut (Kurt Vonnegut, i lindur si Kurt Vonnegut Jr.;1922-2007) prozator amerikan, i njohur për romanet e tij satirike dhe me humor të errët. Mori pjesë në Luftën e Dytë Botërore. Si rob lufte i Gjermanisë, ishte dëshmitar i bombardimit të Dresdenit nga aleatët. Kjo e shtyri ta shkruajë romanin antologjik kundër luftës “Thertorja-pesë” (Slaughterhouse-Five, 1969). Autori flet për një personazh i cili dallohet prej heronjve të rëndomtë. Ai është udhëtar kohe dhe është një tregimtar i pabesueshëm. Bili Pilgrim (Billy Pilgrim) refuzon të luftojë në Luftën e Dytë Botërore dhe beson se e kanë mbajtur në një kopsht zoologjik jashtëtokësor në planetin që quhet Tralfamadore. Jashtëtokësorët e asaj bote mund të shohin katër përmasa (dimensione), d.m.th. i shohin të gjitha pikat e kontinuumit hapësinor-kohor. Në vitin 1945 Bili (Billy) udhëton në kohë prej Luftës së Dytë Botërore deri në Nju-Jorkun e sotëm dhe përsëri kthehet në Dresden.

“Lojërat e urisë” (The Hunger Games, 2008), Suzan Kolins (Suzanne Collins, 1962-) autore dhe shkrimtare televizive amerikane, e veprave distopike për të rinjtë, e serisë fantazi për fëmijë “The Underland Chronicles”. E ardhmja në botën Panem është frymëzuar nga Roma antike ku janë zhvilluar lojëra barbare dhe brutale. Në lojërat e urisë nuk ka gladiatorë as bisha të egra, por ka të rinj: bota e ndarë në rrethe (distrikte) çdo vit ka Lojëra urie. Prej çdo rrethi zgjidhen nga dy të rinj, përkatësisht nga dy fëmijë që luftojnë për jetë a vdekje. und të mbijetojë vetëm një çift (dy vetë). Pastaj, nga rrethi 12 e zgjedhin Katnis Everdenin (Katniss Everdeen) dhe djalin e bukëpjekësit Pet Melark (Peet Mellark). Në të vërtetë, lotaria e zgjodhi motrën e saj më të vogël, por Katnisi e ofroi veten. Për mentor ua caktuan alkoolistin Hejmiç Aberneti (Haymitch Abernathy) i cili kishte fituar para 24 vjetësh. Këtu shihet jo vetëm bota distopike por edhe TV-zbavitja e sotme në formë të reality show. Trilogjia përbëhet nga “Duke u kapur në zjarr” (Catching Fire, 2009) dhe nga finalja e madhe Mockingjay (2010). Pas kësaj pason “Balada e zogjve këngëtarë dhe e gjarpërinjve” (The Ballad of Songbirds and Snakes) që i zbulon ditët e para të Panem-it.

“H për hakmarrje” (V for Vendetta, 1982) nga shkrimtari anglez, i njohur për vepra komike, Alan Mur (Alan Moore, 1953- ) dhe skenaristi e producent amerikan për televizion, Dejvid Lojd (David Lloyd, 1934-2009). Ky roman evokues i autorit të librit “Rojet” "Watchmen" përcjell ferrin revolucionar anonim, i cili, për ta zhdukur fashizmin, shfrytëzon anarkizmin. Ngjarja është vendosur në Anglinë totalitare të së ardhmes.

“Fëmijët e njerëzimit” (The Children of Men, 1992), Fillis Doroti Xhejmz (Phyllis Dorothy James, 1920-2014), prozatore angleze. Ka shkruar romane kriminalistike në traditën e shkollës detektive angleze. Kanë kaluar disa dekada nga lindja e fëmijës së fundit. Gjinia njerëzore ndodhet buzë shfarosjes. Romani flet për vdekshmërinë, për tiraninë dhe - në kundërshti me pritjen- për shpresën.

“Në Paqësor në vitin 2255”, (1923-1924), Milan Shuflaj (Milan Šufflay; lindi në Lepogllavë më 8 nëntor 1879. – vdiq në Zagreb më 19 shkurt 1931.) historian, politikan, përkthyes dhe shkrimtar kroat. Fliste dhe shkruante frëngjisht, gjermanisht, italisht, anglisht, të gjitha gjuhët sllave, latinisht, greqishten e lashtë, greqishten e mesme, e mësoi edhe greqishten e re, shqipen, hebraishten dhe sanskritin (indishten e vjetër). Është një prej themeluesve të albanologjisë. Është autor romanesh distopik. Në vitet 1923-1924, me pseudonimin “Eamon O’Leigh”  botoi romanin “Në Paqësor në vitin 2255” që konsiderohet si i pari roman fantastik-shkencor. Në këtë vepër e parashikoi shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore, rritjen e temperaturës në tokë, ngritjen e feminizmit, rritjen e përdorimit të drogës dhe të stimuluesve të ndryshëm, kalimin në vegjetarianizëm, bioinxhinieringun etj. Ai vëren disharmoninë midis kulturës së bardhë dhe natyrës së bardhë, parashikon muzgun e qytetërimit perëndimor që zhytet në materializëm dhe egoizëm, kurse qendra e qytetërimit zhvendoset në zonën e Paqësorit, me pikën qendrore në Kinë. Utopia kohore në të cilën ndërton një shoqëri imagjinare, një botë të re logjike me rend të imagjinuar te Shuflai është një bashkësi më e dëshiruar e cila do t’i kapërcejë aventurat historike dhe devijimet që i ka sjellë zhvillimi. Shoqëria e re bazohet në parimet lindore, në forcën shpirtërore në të cilën nuk ka hendek midis dijes dhe fesë. Shoqëria e re bazohet në parimet lindore, në forcën shpirtërore në të cilën nuk ka ndarje midis dijes dhe religjionit. Shoqëria elite Budarha praktikon jogën, hipnozën dhe autosugjestionin, urtinë e Konfuçit, Kabalën dhe Upanishadetin. Kina, përkatësisht Kitai është vend i harmonisë, bazë është shtëpia, ushqimi është bimor, qytetet janë kopshte të mëdha si poliset e dikurshme dhe ato ekzistojnë vetë. Industria e Perëndimit është pluhur dhe hi, nuk ka lidhje sociale, qytetet janë zhytur në kaos dhe ka njerëz që janë shkatërruar nga çmenduria, nga krimi dhe nga vetëvrasja. Muzg i vërtetë i qytetërimit. Shuflai e shkroi romanin në gjermanisht. Më vonë vetë ai e përktheu në kroatisht. Për herë të parë romani u botua si libër në vitin 1998. Deri atëherë ishte botuar në vazhdime në revistë. Për këtë vepër, Shuflai u quajt themelues i romanit shkencor-fantastik. Në të vërtetë, romani është gërshetim midis distopisë dhe krijimit shkencor-fantastik. Romani ka një numër të madh personazhesh, fabul të gjerë me elemente të trilerit, thurje dashurie dhe intriga, si dhe pjesë banale. Është interesante pasqyra e tij e të ardhmes. Më 18 shkurt 1931, në hollin e hyrjes së shtëpisë Shuflain e pritën disa pjesëtarë të “Jugosllavisë së Re” dhe ia thyen kafkën me çekiç. E lanë të përgjakur, hynë me forcë në banesën e tij dhe morën dorëshkrimin e vëllimit III të përgatitur të “Codex albanicus”. Vdiq më 19 shkurt nga pasojat e plagosjes, në moshën 52-vjeçare.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx