Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Romanet distopike
E premte, 31.10.2025, 06:57 PM
ROMANET DISTOPIKE
Nga
Prof. Xhelal Zejneli
Ekzistojnë shumë
lloje romanesh: autobiografike, biografike, fantastike dhe
fantastiko-shkencore, aventureske, kriminalistike, erotike (dashurie), roman
për fëmijë, historike, humoristike, publicistike, satirike etj.
* * *
Distopi (Dystopi: "vend i keq") është një botë apo
shoqëri e imagjinuar në të cilën njerëzit jetojnë mjerueshëm, janë të
dehumanizuar dhe të frikshëm.
Distopia (utopia negative) është
ide shoqërore për të ardhmen e imagjinuar që e karakterizojnë elemente negative
kundërutopike që përfshijnë çështje të ndryshme, prej atyre ekologjike deri në
ato politike dhe shoqërore. Shoqëritë distopike të cilat më së shpeshti i
nënkuptojnë shkrimtarët e fiksionit, arritën kulmin në një sërë nënzhanresh,
kështu që termi shpesh përdoret për t’i aktualizuar çështjet që kanë të bëjnë
me shoqërinë, mjedisin, politikën, religjionin, sociologjinë, me shpirtëroren
apo me teknologjinë që mund të paraqiten në të ardhmen. Për këtë arsye ky term
ka marrë formën e shumë supozimeve siç janë ndotja, varfëria, kolapsi i
shoqërisë apo represioni politik dhe totalitarizmi. Pasqyrimet e famshme të
shoqërive distopike përfshijnë romanet: “1984”
të Xhorxh Oruelit (George Orwell) për super shtetin
totalitar; “Bota e re e guximshme” (Brave New World) i prozatorit dhe
eseistit anglez Aldus Leonard Haksli (Aldous Leonard Huxley, 1894-1963)
për shoqërinë njerëzore të formësuar në mënyrë eugjenike dhe “Fahrenheit 451” i prozatorit amerikan Rey
Daglas Bredbëri (Ray Douglas Bradbury, 1920-) në të cilin shteti i djeg
librat nga frika e paraqitjes së
mendimit të pavarur. Romanin “Thembra
e hekurt” (The Iron Heel, 1908)
të shkrimtarit autodidakt amerikan Xhek
London (emri i vërtetë John Griffith, 1876-1916) në të cilin autori me
pesimizëm e parashikonte edhe diktaturën fashiste edhe atë komuniste, Erik
Fromi* (Erich Seligmann Fromm, 1900-1980) e konsideronte si “distopi moderne më të hershme”.
Shënim: Erik Fromi ka qenë psikolog social gjermano-amerikan, psikanalist, sociolog,
filozof humanist dhe socialdemokrat; hebre gjerman që iku nga regjimi
nazist dhe u vendos në ShBA.
*
* *
Disa dijetarë siç janë profesori emeritus i historisë në Universitetin e Londrës, i shkolluar në Kembrixh (Cambridge), Gregori Klejs (Gregory Claeys;
Francë,1953- ) dhe akademiku amerikan, profesor
emeritus i shkencave politike në Universitetin Missouri-St. Louis, i cili është
marrë me studime utopike dhe me teori politike, Lajman Sargent (Lyman Tower Sargent; lindi në vitin 1940), midis
sinonimeve tipike të distopive bëjnë dallime të caktuara. Për shembull, Klejsi
(Claeys) dhe Sargenti distropitë letrare i përkufizojnë si shoqëri të
imagjinuara si qenësisht më të këqija se shoqëria në të cilën autori shkruan.
Disa prej tyre janë kundërutopi që i
kritikojnë përpjekjet e zbatimit të koncepteve të ndryshme të utopisë. Në
përpunimin më voluminoz të shprehjeve letrare dhe reale të konceptit, Distopia: Një histori natyrore (Dystopia: A Natural History), Klejs
(Claeys) ofron qasjen historike këtyre përkufizimeve. Këtu tradita përcillet që
prej reaksioneve të hershme ndaj Revolucionit Francez. Është theksuar karakteri
i tij antikolektiv. Përcillen edhe shtojca të temave tëtjera – rreziqet nga
shkenca dhe teknologjia, nga pabarazitë shoqërore, nga diktaturat e korporatave
dhe nga lufta bërthamore. Këtu parapëlqehet edeh qasja psikologjike, me ç’rast
parimi i frikës barazohet me format despotike të sundimit të bartura nga
historia e mendimit politik, kurse psikologjia e grupit është aplikuar si mjet
i kuptimit të marrëdhënieve midis utopisë
dhe distopisë. Autori dhe studiuesi
australian Endrju Norton Shvarcbard (Andrew
Norton Shwartzbard, 7 korrik 1965- ) thotë se Ferri i poetit italian Dante
(Dante Alighieri; Firence, 1265 – Ravenë, 1321), i shkruar shumë shekuj
para ekzistimit të konceptit distopi,
përfshin shumicën e karakteristikave që
ndërlidhen me këtë zhanër, pavarësisht nga fakti në është vendosur në kornizë
religjioze dhe jo në të ardhmen e kësaj bote, siç janë rëndom distopitë moderne.
Në të njëjtën frymë, Vicente Angeloti thotë
se “fraza emblematike e Xhorxh Oruelit
(George Orwell), çizme që shkel mbi fytyrën e njeriut – përgjithmonë e ka
përshkruar me saktësi gjendjen e banorëve në ferrin e Dantes. Përkundër kësaj,
mbishkrimi i njohur i Dantes ‘Harroni çdo
shpresë ju që hyni këtu” do të
ishte po aq i përshtatshëm edhe po të vihej në hyrje të Ministrisë së Dashurisë* të Oruelit (Orwell) dhe në Dhomën 101*
famëkeqe të tij.
Shënim: Ministria e Dashurisë – hapësirë në
romanin “1984” të
Oruelit (Orwell),
Dhoma 101 (Room 101) - hapësira fiktive ku zhvillohet
një pjesë e veprimit të romanit “1984” të Oruelit. Dhomë e torturave në
ndërtesën e Ministrisë së Dashurisë në Londër.
* * *
Vizionet e
errëta të së ardhmes, tregimet nga bota pas apokalipsit – të gjitha këto janë distopi që i duam apo që do t’i duam në
të ardhmen.
“1984” (1949), Xhorxh Oruel (George Orwell, emri i
vërtetë Eric Blair, Motahari, Bengal, 1903 – Londër, 1950), prozator anglez.
Ndonëse
dëshironte të kritikojë stalinizmin dhe diktaturat që ishin “aktive” në kohën e
tij, Orueli na dha një roman distopik par
exellence (në kuptimin e vërtetë të fjalës). Problemi nuk ka të bëjë me
faktin se kemi përvetësuar disa nocione si Big Brother (Vëllai i Madh), por se
në të vërtetë disi edhe jetojmë në vitin “tetëdhjetë
e katër”: mediumet janë nën kontroll, nga mbikëqyrin kamerat edhe kur një
gjë të tillë nuk e dëshirojmë, kështu që nuk është për t’u habitur se vitet e
fundit ky është një prej romaneve më të shitur dhe më të lexuar.
“Bota e re e guximshme” (Brave New World, 1932) Aldus
Leonard Haksli (Aldous Leonard Huxley, Godalmung, Surrey, 1894 – Los
Angeles, 1963), prozator dhe eseist anglez. Autori jep pasqyrën
tronditëse të botës nën trysninë e totalitarizmit shkencor. Është përrallë për
rendin botëror në të ardhmen, kur në botë nuk do të sundojnë më luftërat dhe
terrori për arsye se askush, përpos “të egërve” në rezervat nuk do të vuajë për
liri. Pasqyra që na jep Haksli për të ardhmen na shkakton dridhma frike. Barnat
që na trullosin janë normë, riprodhimi është i kontrolluar dhe i organizuar,
njerëzve u shpëlahet truri që në lindje, kurse koncepti i familjes nuk
ekziston. A ka qenë kjo botë e guximshme një shoqëri hedoniste apo askush më
nuk mund të jetojë gjatë? Botë në të cilën nuk ka sëmundje është krijuar
nëpërmjet fëmijëve gjenetikisht të modifikuar, e manipuluar në pikëpamje
psikologjike, kurse në pikëpamje hierarkike bazohet në inteligjencë.
“Rruga” (The Road, 2006), Kormak Mekarti (Cormac
McCarthy; lindi në Providence, Rhode Island, ShBA, 1933 –
vdiq në Santa-Fe, New Mexico, 2023), shkrimtar amerikan. Në veprat e
veta përfshin zhanre perëndimore, post-apokaliptike dhe gotike jugore. Vepra e
lartpërmendur nuk është voluminoz. Është karakteristike për mënyrën e të
shkruarit dhe për temën që trajton. Në ShBA-në post-apokaliptike, babai dhe
biri ecin vetë nëpër një tokë të djegur saqë nuk mund ta njohin. Nga acari i
madh pëlcasin edhe gurët. Dëbora e hirtë bie nëpër tërë tokën e shkretuar. Babi
dhe i biri shkojnë në drejtim të bregut, duke shpresuar se do të takojnë dikë
apo diç të mirë. Në rrugë e sipër hasin në anarki dhe mizori, të mbijetuar të
lemerishëm dhe më pak të lemerishëm dhe nuk ndalen madje edhe kur u duket se
gjetën një strehë. Është një libri për dashurinë e babait për të birin që do t’jua
zbus shpirtin, edhe pse ata ndodhen në mes të një bote të mizore dhe të errët
që mezi i ka shpëtuar apokalipsit. Por disa forca janë më të më të mëdha se
jeta.
“Fahrenheit 451”
(1953), Rey Daglas Bredbëri
(Ray Douglas Bradbury, 1920-) prozator amerikan. Titulli i romanit ka të bëjë
me temperaturën në të cilën digjet letra. Romani është një utopi negative e
frikshme, mu si romani “1984” i Xhorxh
Oruelit (George Orwell) në të cilin regjimi totalitar, për ta çrrënjosur
atë që është e njerëzishme te shtetasit, tenton t’i djegë të gjithë librat.
Personazh kryesor është Montagu. Ky ishte i ngarkuar për t’i djegur librat. Në
fund, ai i bashkohet grupit të kryengritësve të cilët i mësojnë librat
përmendësh me qëllim që t’i ruajnë për brezat e ardhshëm. Në vitin 1966, sipas
këtij romani u xhirua edhe një film. Bredbëri (Bradbury)
shkroi roman për makthin e çdo shkrimtari dhe të dashamirëve të librit: për
shoqërinë që i digjte librat dhe në të cilën mendimet intelektuale janë të
paligjshme. Bredbëri (Bradbury)
na jep një botë që ka ardhur në fundin e vet. Romani “Fahrenheit 451” ka qenë i ndaluar. Kjo flet mjaft për vërtetësinë
e tij. Librat janë ndaluar. S’i gjen dot kund. Të kesh libër është mëkat tejet
i madh e që dënohet ashpër. Këtë e di edhe zjarrfikësi Gaj Montag (Guy Montag)
i cili është pjesë e shoqërisë në të cilën mbizotëron televizori, i kontrolluar
rreptë. Shpeshherë ai ndez zjarre, në vend që t’i shuajë ato. Ai është një
zjarrfikës i mirë, i dëgjueshëm, nuk pyet përse duhet t’i djegë librat. Në fund
të ditës, i kthehet gruas së vet Mildred e cila më tepër e do TV-familjen e saj
sesa burrin. Jeta e tij është e zbrazët. Por, kur e njohu fqinjën e re Klarisën
(Clarsse) e cila për të kaluarën dinte më shumë, por edhe për faktin sesi
mendohet në mënyrë të lirë, jeta për Gajin (Guy) do të ndryshojë plotësisht.
“Makina e kohës” (The Time Machine, 1895); Herbert Xhorxh Uells (Herbert
George Wells, 1866-1946) prozator anglez. Në këtë roman paraqet ngjarje të
pabesueshme që bazohen në arritjet shkencore të paramenduara. Romani shënon
fillimin e nënllojit letrar që u bë i njohur si fantastikë shkencore (science fiction). Uellsi përshkruan
përjetimet e udhëtarit i cili me ndihmën e një makine të veçantë mund të kalojë
nga e tashmja në të ardhmen apo në të kaluarën. Uellsi e çon heroin e vet në të
ardhme, në një botë vendesh të errëta, distopike dhe dëshmon për fundin e shoqërisë. Është edhe roman i fantastikës shkencore edhe roman distopik. E ka popullarizuar konceptin e
udhëtimit nëpër kohë, duke e bërë shprehjen “lundrues
nëpër kohë” të rëndomtë në fjalorin e sotëm. Këtij lloji i përket edhe
romani “Lufta e botëve” (The War of the
Worlds, 1898). Romani “Makina e kohës” përshkruan shoqërinë e
tmerrshme të së ardhmes në të cilën klasa e shtypur shndërrohet në racë
kanibalësh, kurse klasa e lartë e dikurshme bëhet mish për ushqim. Ky është i
pari roman në histori që e ka popullarizuar konceptin e udhëtimit nëpër kohë me
ndihmën e “makinës kohore” apo lundruesit nëpër kohë, ndaj ky roman
konsiderohet si një prej veprave klasike të
zhanrit të fantastikës shkencore. Sipas Shoqatës amerikane të zgjedhjes
së shkrimtarit fantastik-shkencor, ky roman është përfshirë në regjistrin e
veprave fantastike-shkencore më të mira të shkruara deri në vitin 1965.
“Ferma e kafshëve” (Animal Farm, 1945), Xhorxh Oruel (George Orwell,
1903-1950) prozator anglez. Edhe ky roman mund të përfshihet në disa kategori.
Pra, jo vetëm në kategorinë e romaneve distopike. Por, Orueli (Orwell) është
disi sinonim i për distopi, kurse ky roman është gur i çmueshëm i vërtetë. “Ferma e kafshëve” e paraqet shoqërinë e
ardhshme të kafshëve shtëpiake të keqtrajtuara dhe të stërngarkuara si dhe
synimin e tyre për krijimin e utopisë së drejtësisë, të barazisë dhe të
përparimit. Tonet e totalitarizmit dalin nga kjo shoqëri
idealiste, ndërsa udhëheqësit karizmatikë bëhen shtypës më mizorë. Kemi të
bëjmë me një alegori e cila nëpërmjet
fermës së kafshëve i pasqyron njerëzit.
“Rrëfimi i shërbëtores” (The
Handmaid's Tale, 1985), Margaret Aetvud (Margaret Atwood; Otava, Ontario, Kanada,
1939 - ) prozatore, poete dhe kritike kanadeze. Me romanin e sipërthënë fitoi
famë botërore. Me utopinë futuriste negative dhe me vizionin e errët i lë pas
veprat e Hakslit (Huxley) dhe të Oruellit (Orwell). Me
fundamentalizmin religjioz gjithnjë më të madh, romani i shkrimtares Margaret
Aetvud (Margaret Atwood) mbase sot është shumë më bindës se dikur. Kuazi-të
krishterët që e quanin veten Bij të Jakobit me puç, me vrasjen e presidentit
amerikan dhe me shumicën e Kongresit, pas një lufte bërthamore vunë botën nën
kontrollin e tyre. Tani demokracia nuk është veçse një ëndërr e largët, kurse
në botë sundon diktatura ushtarake. Shoqërinë e riorganizojnë sipas
interpretimit të tyre të Dhiatës së Vjetër dhe një modeli
të ri, militant dhe hierarkik të fanatizmit shoqëror dhe religjioz. Ndryshimi më i madh është te liritë
shoqërore, sidomos te gratë të cilat nuk kanë të drejtë të marrin rrogë, nuk
lejohet të punojnë, shkurorëzimi është krim, kështu që martesat anulohen dhe
fëmijët e lindur prej tyre merren. Dhe kjo nuk është e gjitha. Ka gjithnjë e më
shumë gra që nuk lindin, d.m.th. që janë jopjellore, kurse ato që janë
pjellore, qeveria i përndjek, i burgos dhe në fund i detyron të bëhen robëresha
të anëtarëve me reputacion të kastës sunduese. Ato bëhen makina për lindje, e
nëse nuk mund të lindin, jeta e tare nuk vlen fare. Heroina jonë tani
është shërbëtore dhe robëreshë e Fredit. Është pa emër. Ajo është Offred, e
Fredit dhe në takimet seksuale të kontrolluara që i mbikëqyr gruaja e tij dhe
pronarja e saj, duhet të ngjizet dhe të lindë fëmijë.
“Dhuruesi” (The Giver, 2001), Luis En Louri (Lois
Ann Lowry; Honolulu, Hawai, ShBA, 1937- ) shkrimtare amerikane. Në veprat për audiencën
e re, trajton tema të vështira dhe komplekse si dhe tema distopike. Në botën që
nuk di për probleme shoqërore, Jonasi 12-vjeçar është i bindur se jeton në një
botë të shkëlqyer dhe ideale. Nuk ka konflikte, padrejtësi, varfëri dhe një
tjetër më të mirë. Kjo është e mundur vetëm ngase njerëzit i kanë flakur
kujtimet dhe sillen sipas rregullave të përcaktuar me përpikëri. Të gjithë janë
të njëjtë, nuk ka dallime mbi bazë gjinie, shoqërore dhe natyrore. Plotësisht
janë nën kontroll dhe nuk kanë fije individualiteti. Sapo Jonasit i japin
detyra jetësore që t’i pranojë kujtimet, ai do t’i zbulojë sekretet e errëta të
bashkësisë së tij. Njohja e së kaluarës do ta mësojë se utopia në të cilën
jeton nuk është e përkryer siç ka menduar. Derisa njohuritë e tij thellohen
gjatë takimit me mikun e çastit i cili kërkon ta quajë Dhurues, Jonasi
planifikon të përgatisë të porsalindurin i cili së shpejti “do të lirohet”.
Dhuruesi është i vetmi që ka kujtime sepse kujtesa është gjithçka: mençuri,
dituri edhe ndjenja. Romani u ndalua
për arsye i njoftonte lexuesit e rinj me gjërat që ndodhin, e për të cilat disa
të moshuar nuk duan të flitet - vetëvrasjet, zgjimi i seksualitetit dhe humbja
e virgjërisë.
“Thertorja pesë ose kryqëzata e fëmijëve” (Slaughterhouse-Five, or The Children's Crusade: A Duty-Dance with Death”, 1969), Kurt Vonegut (Kurt Vonnegut, i lindur si Kurt Vonnegut Jr.;1922-2007) prozator amerikan, i njohur për romanet e tij
satirike dhe me humor të errët. Mori pjesë në Luftën e Dytë Botërore. Si rob
lufte i Gjermanisë, ishte dëshmitar i bombardimit të Dresdenit nga aleatët. Kjo
e shtyri ta shkruajë romanin antologjik kundër luftës “Thertorja-pesë” (Slaughterhouse-Five, 1969).
Autori flet për një personazh i cili dallohet prej heronjve
të rëndomtë. Ai është udhëtar kohe dhe është një tregimtar i pabesueshëm. Bili
Pilgrim (Billy Pilgrim) refuzon të luftojë në Luftën e Dytë Botërore dhe beson
se e kanë mbajtur në një kopsht zoologjik jashtëtokësor në planetin që quhet
Tralfamadore. Jashtëtokësorët e asaj bote mund të shohin katër përmasa
(dimensione), d.m.th. i shohin të gjitha pikat e kontinuumit hapësinor-kohor.
Në vitin 1945 Bili (Billy) udhëton në kohë prej Luftës së Dytë Botërore deri në
Nju-Jorkun e sotëm dhe përsëri kthehet në Dresden.
“Lojërat
e urisë” (The Hunger Games, 2008), Suzan Kolins (Suzanne Collins, 1962-) autore dhe shkrimtare televizive amerikane, e
veprave distopike për të rinjtë, e serisë fantazi për fëmijë “The Underland Chronicles”. E ardhmja në
botën Panem është frymëzuar nga Roma antike ku janë zhvilluar lojëra barbare
dhe brutale. Në lojërat e urisë nuk ka gladiatorë as bisha të egra, por ka të
rinj: bota e ndarë në rrethe (distrikte) çdo vit ka Lojëra urie. Prej çdo
rrethi zgjidhen nga dy të rinj, përkatësisht nga dy fëmijë që luftojnë për jetë
a vdekje. und të mbijetojë vetëm një çift (dy vetë). Pastaj, nga rrethi 12 e
zgjedhin Katnis Everdenin (Katniss Everdeen) dhe djalin e bukëpjekësit Pet
Melark (Peet Mellark). Në të vërtetë, lotaria e zgjodhi motrën e saj më të
vogël, por Katnisi e ofroi veten. Për mentor ua caktuan alkoolistin Hejmiç
Aberneti (Haymitch Abernathy) i cili kishte fituar para 24
vjetësh. Këtu shihet jo vetëm bota distopike por edhe TV-zbavitja e sotme në
formë të reality show. Trilogjia
përbëhet nga “Duke u kapur në zjarr” (Catching
Fire, 2009) dhe nga finalja e
madhe Mockingjay (2010). Pas kësaj
pason “Balada e zogjve këngëtarë dhe e gjarpërinjve”
(The Ballad of Songbirds and Snakes) që
i zbulon ditët e para të Panem-it.
“H për hakmarrje” (V for Vendetta, 1982) nga shkrimtari anglez, i njohur për vepra
komike, Alan Mur (Alan Moore,
1953- ) dhe
skenaristi e producent amerikan për televizion, Dejvid Lojd (David Lloyd,
1934-2009). Ky roman evokues i autorit të librit “Rojet” "Watchmen" përcjell
ferrin revolucionar anonim, i cili, për ta zhdukur fashizmin, shfrytëzon anarkizmin. Ngjarja është vendosur në
Anglinë totalitare të së ardhmes.
“Fëmijët e njerëzimit” (The Children of Men, 1992),
Fillis Doroti Xhejmz (Phyllis Dorothy
James, 1920-2014), prozatore angleze. Ka shkruar romane kriminalistike në
traditën e shkollës detektive angleze. Kanë kaluar disa dekada nga lindja e
fëmijës së fundit. Gjinia njerëzore ndodhet buzë shfarosjes. Romani flet për
vdekshmërinë, për tiraninë dhe - në kundërshti me pritjen- për shpresën.
“Në Paqësor në vitin 2255”, (1923-1924), Milan Shuflaj (Milan Šufflay; lindi në Lepogllavë më 8 nëntor 1879. – vdiq në Zagreb
më 19 shkurt 1931.) historian, politikan, përkthyes dhe shkrimtar kroat. Fliste
dhe shkruante frëngjisht, gjermanisht, italisht, anglisht, të gjitha gjuhët
sllave, latinisht, greqishten e lashtë, greqishten e mesme, e mësoi edhe
greqishten e re, shqipen, hebraishten dhe sanskritin (indishten e vjetër). Është
një prej themeluesve të albanologjisë. Është autor romanesh distopik. Në
vitet 1923-1924, me pseudonimin “Eamon
O’Leigh” botoi romanin “Në
Paqësor në vitin 2255” që
konsiderohet si i pari roman fantastik-shkencor.
Në këtë vepër e parashikoi shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore, rritjen e
temperaturës në tokë, ngritjen e feminizmit, rritjen e përdorimit të drogës dhe
të stimuluesve të ndryshëm, kalimin në vegjetarianizëm, bioinxhinieringun etj.
Ai vëren disharmoninë midis kulturës së bardhë dhe natyrës së bardhë, parashikon
muzgun e qytetërimit perëndimor që zhytet në materializëm dhe egoizëm, kurse
qendra e qytetërimit zhvendoset në zonën e Paqësorit, me pikën qendrore në
Kinë. Utopia kohore në të cilën ndërton një shoqëri
imagjinare, një botë të re logjike me rend të imagjinuar te Shuflai është një
bashkësi më e dëshiruar e cila do t’i kapërcejë aventurat historike dhe
devijimet që i ka sjellë zhvillimi. Shoqëria e re bazohet në parimet lindore,
në forcën shpirtërore në të cilën nuk ka hendek midis dijes dhe fesë. Shoqëria
e re bazohet në parimet lindore, në forcën shpirtërore në të cilën nuk ka
ndarje midis dijes dhe religjionit. Shoqëria elite Budarha praktikon jogën,
hipnozën dhe autosugjestionin, urtinë e Konfuçit, Kabalën dhe Upanishadetin.
Kina, përkatësisht Kitai është vend i harmonisë, bazë është shtëpia, ushqimi
është bimor, qytetet janë kopshte të mëdha si poliset e dikurshme dhe ato ekzistojnë
vetë. Industria e Perëndimit është pluhur dhe hi, nuk ka lidhje sociale,
qytetet janë zhytur në kaos dhe ka njerëz që janë shkatërruar nga çmenduria,
nga krimi dhe nga vetëvrasja. Muzg i vërtetë i qytetërimit. Shuflai e shkroi
romanin në gjermanisht. Më vonë vetë ai e përktheu në kroatisht. Për herë të
parë romani u botua si libër në vitin 1998. Deri atëherë ishte botuar në
vazhdime në revistë. Për këtë vepër, Shuflai u quajt themelues i romanit
shkencor-fantastik. Në të vërtetë, romani është gërshetim midis distopisë dhe
krijimit shkencor-fantastik. Romani ka një numër të madh personazhesh, fabul të
gjerë me elemente të trilerit, thurje dashurie dhe intriga, si dhe pjesë
banale. Është interesante pasqyra e tij e të ardhmes. Më 18 shkurt 1931, në
hollin e hyrjes së shtëpisë Shuflain e pritën disa pjesëtarë të “Jugosllavisë
së Re” dhe ia thyen kafkën me çekiç. E lanë të përgjakur, hynë me forcë në
banesën e tij dhe morën dorëshkrimin e vëllimit III të përgatitur të “Codex
albanicus”. Vdiq më 19 shkurt nga pasojat e plagosjes, në moshën
52-vjeçare.









