Kerko: a
Visar Zhiti: Gjërat e përkohshme dhe kujtesa e ajrit
E diele, 27.07.2025, 06:55 PM
GJËRAT E PËRKOHSHME
&
KUJTESA
E AJRIT
-
për Bujarin -
Nga
Visar Zhiti
Po
flasim për Bujarin, poetin e njohur herët, me miq aq sa dhe poezia e tij, me
shqetëmet njerëzore, të kuptueshme, me urimet për shendet e të mira plot…
Kam
një jetë që e njoh, që në rininë e parë në Lushnjën tonë, në të mirë dhe në të
keq, nga afër dhe larg, me të qeshura dhe heshtja, bisedat me të gjithmonë janë
të veçanta, me mençuri dhe humor, filozofi e tallje, të bukura, mbi të gjitha
na bashkon poezia që ashtu si të qenit mik apo dashuria, bën që njerëzit të
njihen më mirë, ashtu si poeti edhe lexuesi, po edhe kritiku…
Librin
e fundit Bujari e nxori në kohën e ndryshimeve të mëdha, në vitin 1990, kur ai dhe
printe, “Gjërat e përkohshme” e titulloi, ndryshe nga rutina e botimeve të
tjera, - e përkohshme është dhe diktatura, - sikur donte të thoshte dhe
natyrisht që vazhdon të shkruajë, unë do të isha i vetmi që botova një ese të
vogël për atë libër të veçantë, e botova ku na takonte, në shtypin opozitar, në
“RD” e atëhershme ku dhe punonim, “Që diktatorët të mos vdesin të fundit” - e
titullova, ishte kohë ndryshimesh, - thashë, - protestash dhe britmash, dhune
dhe mposhtje të frikës dhe poezinë po e doja më shumë, edhe pse dukej sikur
s’ishte dhe aq koha e saj. Po kur ishte, kur mua më dënuan me 10 vjet burg për
poezitë e mia?
Unë
librin tim të parë do ta nxirrja 3 vjet më pas, s’kishte letër, kohë krize,
pranga kishte… dhe do ta titulloja “Kujtesa e ajrit”. Recensionet i shkruajtën
me dashuri poetët Bujar Xhaferri dhe Rudolf Marku, botuesi shkrimtari Zija Çela
vuri nga një citat të tyre në kopertinën e pasme.
Për
kopertinën e librit tim mora një pikturë të Maestro Ibrahim Kodrës, ishim bërë
miq në Milano, kurse kopertinën e librit të Bujarit e punoi një mik i tij
atëhere, piktori dhe pedagogu Edi Rama, kryeministri i tanishëm.
KRYEMINISTRIT
do
të doja t’i thosha fare thjeshtë, por s’e di se sa arrijnë fjalët e mia aq
larg, që Shqipëri është dhe një njeri i vetëm dhe nuk bëhet vetëm me shëmbje të
asaj që mund të jetë pa leje a e vjetër, por me ç’leje është varfëria e
njerëzve, pasiguria, ikja, mosshëndeti, braktisja, etj, etj? Kujdes dhe për
mikun Bujar Xhaferri, edhe ai është Shqipëri dhe “Gjërat e përkohshme” janë
vërtet , por është dhe “Kujtesa e ajrit” ashtu si kujtesa e kujtdo, e kohës dhe
e ndërgjegjes njerëzore…
Sidoqoftë
librat tanë janë poezi dashurie. Ja, njëra, e Bujarit, e shkruar nën diktaturë,
por mbetet poezi universale:
E VETMJA PËRSËRITJE,
QË S'ËSHTË MONOTONE
-
nga Bujar Xhaferri -
Gjithmonë
kam përsëritur dashurinë
për ty;
çdo
vit, çdo stinë, çdo minutë,
çdo
sekondë.
Ka
shkuar kaq kohë dhe ti megjithatë
Ende
s'e ke humbur delikatesën
e duarve,
As
ngjyrën e gojës,
as
kthjelltësinë e syve,
As
hirin e shtatit, as dritën
nëpër flokë.
Çdo
ditë kam përsëritur dashurinë
për ty,
Refrenin
më të lashtë e më njerëzor në botë,
Simfoninë
më të gjatë, më të gëzuar
e
më të trishtë,
(Të
pakufizuar kurrë në kohë
muzikore,)
Unike
si dielli në sistemin tonë,
Origjinale
si ëndrra,
E
pafund si hapësira,
E
pezmatuar si plaga,
Euforike
si drita.
Çdo
ditë kam përsëritur dashurinë
për ty,
Me
sigurinë që përsëriten vetë javët dhe ditët.
Dhe
s'kam besuar në zemra të lehta, çamarroke,
Që
gjurmojnë të hutuara dashuri
të
reja
Çdo
ditë kam përsëritur dashurinë
për ty,
Të
vetmen përsëritje që s'është monotone.
Dhe
unë kam shkruar nën diktaturë
një
poezi për nënën e mirë të Bujarit, që më priste në shtëpinë e saj me aq
përdëllim, kur kisha dalë nga burgu dhe shumë dyer më ishin mbyllur…ashtu siç
më kishte pritur dhe nëna-ikonë e Rudolfit para se të bija në burg dhe lotët e
saj, - ka qarë shumë, do të më thoshte Rudolfi, - do t’i ndjeja brenda telave
me gjemba si një shi timin. Por ata lotë s’do kenë qenë vetëm për mua…
NËNA
E POETIT
-
nga Visar Zhiti -
Kur
troket në derën e saj,
kushdo
që të jesh,
i tëri i dielltë
apo rrebesh qofsh,
hije nate,
ëngjëll
apo ushtar,
grua rruge, jetim,
pyll lëvizës
apo lumi Stiks,
Ajo
asnjëherë s’pyet:
“Kush
është?”
Se
si è hap derën
çiltërsisht,
menjëherë,
sa
të duket se s’ka ekzistuar
ajo
derë.
(Nga
libri “Kujtesa e ajrit”, Tiranë, 1993)
* * *
Lutem
për një kohë me përsëritje të dashurisë, me zemër nënash, me bekimet e tyre dhe
dritën e shpirtit të tyre. Na jepni nëna të mira që të bëhemi fëmijë të mirë, -
thoshin latinët. Dhe Shenjtja Nënë Tereza do të thoshte: “Mësomë të dua!”.
Sidomos
ne, bijve të saj…