Mendime
Gjon Frani Ivezaj: Bashkimi i Trojeve Shqiptare – Mos rrini në gjumë, Vllazën Shqiptarë!
E premte, 25.07.2025, 06:58 PM
Bashkimi i Trojeve Shqiptare – Mos rrini në gjumë, Vllazën Shqiptarë!
Nga
Prof. Gjon Frani Ivezaj
Prej
mijëvjeçarësh, shqiptari rron në trojet e veta të lashta. Kjo nuk është thjesht
një deklaratë politike, është një e vërtetë historike e përgjakun me dëshmi, me
dhimba, me heroizëm e me krenari.
Historia
nuk fillon as në 1913 e as në 1945, por nis në gurët e gdhendun të Dardanisë,
në kodrat e Tivarit, në gërmadhat e Butrintit e Apolonisë, ku kombi
shqiptar—atëherë i njohun si ilir, ishte themelet e qytetërimit europian. Atë
qytetërim që sot Evropa e shpall si veten, ia detyrojnë shumë këtij populli të
heshtun, të copëtuem, por kurrë të nëpërkëmbun.
Gjuha
shqipe, siç e vërteton shkenca gjuhësore e dokumentuar nga studiuesit europianë
si Johann Georg von Hahn, Gustav Meyer, Eqrem Çabej e Aleksandër Stipçeviq,
është vijimësi e gjuhës ilire. Ilirishtja e vjetër që kumbonte ndër amfiteatrot
e Lisit e Dyrrahut nuk u shua kurrë; u përcollë prej nji brezi në tjetrin, prej
lahutarëve të Dukagjinit e deri te burrat e urtë të Labërisë.
Shkrimi
i parë në tokat ilire nuk lindi në shek. V apo VI pas Krishtit si në shumicën e
vendeve sllave, por rreth shek. VII para Krishtit, me alfabetin iliro–epirot.
Prej këtij trualli rrjedh vet kultura e Evropës.
Homeri,
në Iliadë e në Odise, përshkruen fiset e fuqishme ilire, si peonët, taulantët,
dardanët, që luftojnë përkrah trojanëve. Herodoti i shek. V para Krishtit, flet
për fise që nuk u nënshtruen kurrë Persëve, e që janë në malet e larta të
Ballkanit ata janë ilirët tanë. Historiani grek Tukididi e më vonë Polibi, Livi
e Plini i Vjetër e konsiderojnë Ilirinë si një superfuqi të lashtësisë.
Ata
i përmendin mbretërit ilirë: Bardhyli, Grabosi, Genti, Teuta, që nuk iu
nënshtruen as Romës, përpara se të ndodhë invazioni ushtarak. Roma vetë ndërtoi
portet e saj mbi themelet e qyteteve ilire: Dyrrahium (Durrësin), Scodran
(Shkodrën), Ulcinium (Ulqinin), Lissus (Lezhën), Risinum (Risanin), Tivar,
Apoloni, e Butrint.
Kultura
ilire nuk asht vetëm në themele qytetesh por në besime, në arkitekturë, në art,
në muzikë, në zakone, në organizim shtetnor. Para se të ndërtohej Roma, ishin
mbretërit ilir që zhvillonin ligjin, sistemin fisnor, federatat dhe organizimin
juridik të shtetit.
Ky
asht dokumentum në arkeologji, në të gjetuna që ruhen në muzetë e Vjenës,
Berlinit, Beogradit, Zagrebit e Tiranës. Asht koha që shqiptarët mos të jetojnë
vetëm në muze e në nostalgji, por të kërkojnë atë që historia ua ka dhanë me të
drejtë hyjnore: bashkimin e natyrshëm të kombit në një shtet të vetëm.
Kombi
shqiptar u nda padrejtësisht në pesë shtete. Kjo nuk ndodhi për fajin tonë, por
për pasojën e pazareve të pista të Fuqive të Mëdha në Konferencën e Berlinit
(1878) e pastaj në Konferencën e Londrës (1913). Ato konferenca e lanë Kosovën
nën Serbi, Çamërinë nën Greqi, Malësinë e Madhe e Ulqinin nën Mal të Zi,
Preshevën e Bujanocin nën Serbi, dhe shqiptarët e Dibrës e Tetovës nën
Maqedoni.
Kjo
asht një copëtim i padrejtë që nuk njeh as histori as drejtësi. Asnjë komb
tjetër në Evropë nuk asht ndarë në pesë pjesë. Vetëm shqiptari. E kjo asht
padrejtësia më e madhe historike në Ballkan.
Sot,
bota po njeh të drejtën e kombeve për vetëvendosje. Ashtu siç u bashkua
Gjermania, siç u pavarësua Kroacia e Sllovenia, siç po kërkon Skocia e
Katalonja referendum për fatin e vet, pse shqiptari duhet me mbetë i heshtun?
A
nuk kemi ne të drejtë me jetue në një shtet të përbashkët, në një atdhe të
vetëm, me një flamur, me një gjuhë, me një kulturë të përbashkët?
Asht
koha që Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti,
Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, Kryeministri Edi Rama, Kryeministri
shqiptar i Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi, si dhe përfaqësuesit e
shqiptarëve në Mal të Zi, në Preshevë, në Çamëri, në Bulgari e gjetkë, të
bashkojnë forcat dhe të formojnë një delegacion gjithëkombëtar shqiptar, i cili
do të paraqitet para Bashkimit Evropian, OKB-së dhe Shteteve të Bashkuara të
Amerikës. Ky delegacion do të mbështetet në dokumente, arkiva, harta, libra të
autorëve të mëdhenj europianë si Wilkes, Hammond, Fallmerayer, Durant, Noel
Malcolm, dhe në vet dokumentet e Vatikanit, që dëshmojnë qartë se ne ishim e
jemi këtu, në trojet tona, para të gjithëve.
Nuk
jemi ne të ardhurit. Jemi ne themelet. Jemi gurët. Jemi zani i lashtësisë. Nuk
kërkojmë asgjë që s’na takon, kërkojmë vetëm bashkimin e gjymtyrëve të një
trupi të ndamë padrejtësisht. Kërkojmë që gjaku ynë të mos jetë më i përçarë,
që në vend të pesë shteteve të kenë një shtet të vetëm shqiptar, që të jetë
faktor paqeje e stabiliteti në Ballkan e Evropë.
Ky
shkrim asht një thirrje. Asht kushtrim. Asht kushtrimi i nji kombi që nuk don
më me flejtë në gjumë. Të gjithë historianët, akademikët, intelektualët, të
ngrihen. Të kërkojnë të drejtën në tryezën ndërkombëtare, jo me pushkë por me
argumente, jo me gjak por me dije.
Të
organizohet një Konferencë Ndërkombëtare për Bashkimin e Trojeve Shqiptare, me
përfaqësues nga Brukseli, Parisi, Berlini, Londra, Roma e Washingtoni, ku
shqiptarët paraqesin kërkesën e vet për bashkim kombëtar, ashtu siç e ka çdo
komb në Evropë.
Mos
rrini në gjumë o vllazën shqiptarë. Mos shitni trojet për karrige, për ofiqe,
për interesa personale. Të drejtat tona janë të shenjta. Janë për të cilat u
flijuan qindra mijëra martirë që nga Teuta e Genti e deri te Isa Boletini e
Adem Jashari.
E
sot ne kemi për detyrë me çue zani tonë, me guxim, me urtësi, me diplomaci, me
histori, me të drejtë. Sepse bota dëgjon ata që flasin. Nuk i dëgjon ata që
heshtin.
Kombi
shqiptar nuk mund të jetë më peng i pazareve të shekujve të kaluem. Ne nuk jemi
më të varfun në dije, nuk jemi më pa zë në diplomaci. Ne kemi bijtë tanë në
Amerikë, në Evropë, në çdo vend të botës. Le të ngrihet diaspora jonë.
Le
të organizohen demonstrata paqësore në Washington DC, në Bruksel, në Paris, në
Berlin, në Londër, në Romë, në Vjenë, në Gjenevë. Le të dëgjohet zani i kombit
të lashtë shqiptar si nji zani i fuqishëm në arenën ndërkombëtare.
Kjo
thirrje i drejtohet gjithë atyne që ndihen shqiptarë: kudo që janë në Kosovë,
në Shqipëri, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Preshevë, në Çamëri, në Ulqin, në
Tetovë, në Plavë, në Guci, në Hot, në Grudë, në Shkup, në Janinë, në Selanik,
në Diasporë. Bashkimi nuk vjen vetë. Ai kërkon vullnet, dije, guxim, urti dhe
përkushtim.
Dhe
kur kjo punë të përmbushet, historia do ta njohë këtë brez si brezin që nuk
pranoi me mbetë i ndamë. Do të njohë këta udhëheqës si bij të denjë të një
kombi të madh. Do të njohë këtë lëvizje si fillimin e drejtësisë historike në
Ballkan. E bota s’ka si me e mohue atë që asht e vërtetë
Shënim: Prof. Gjon Frani Ivezaj
Historian, Akademik i
Studimeve Ilire. Ai është pjesëtar i lëvizjeve kombëtare dhe studiues i
arkivave të Europës. Kjo thirrje i drejtohet të gjithë shqiptarëve të trojeve
dhe diasporës.