Mendime
Llesh Ndoj: Syni i keq mos ju paftë!
E enjte, 24.07.2025, 06:42 PM
SYNI I KEQ, MOS JU PAFTË!
-
Në vend të një vëzhgimi -
Nga
Llesh NDOJ
Si
një 25-vjeçar me 40 vite përvojë jete, e me plot 20 vite shkollë të
dokumentuar, përveçse në regjistrat e shtetit, në kujtesën e gjallë të
bashkënxënësve, bashkëstudentëve, mësuesve e pedagogëve të shumtë që më kanë
dhënë mësim, nuk mund të qëndroj indiferent ndaj ngjarjeve e fenomeneve
shoqërore, ekonomike e shtetbërëse, në këtë vend ku më kanë lindur pa kërkesën
time, por ku kam zgjedhur të jetoj, kurrë pa e shtruar çeshtjen me mundësi
alternative. Shumë veta, gjykuar nga sensi im kritik dhe me fokus qeveritë, të
djeshme dhe të sotme, dhe qeverisjen si domosdoshmëri e rregullator i gjithë
jetës në vend, më kanë gjykuar si një “anti”. Nuk më vjen aspak keq për këtë,
për faktin se qeveritarët tanë të vetmen gjë që e njohin dhe e bëjnë mirë,
është vetëlavdërimi, megallomania e propoganda, si dje në kohën e Enverit, (nuk
them dot dritë pastë, se ai pati plot dritë në jetë, ndërkohë që ne na izoloi
në errësirë totale!). Nuk më vjen keq në se më etiketojnë “anti”, edhe sepse
jam mjaftueshëm i ditur për të kuptuar se kritika, oponenca e opozita, janë
garancitë e vetme për një qeverisje të shëndetshme, ndërsa duartrokitjet pa
vend, lëvdatat pa doganë, a thua se po bëjnë ndonjë heroizëm, e po na falin nga
xhepat e tyre edhe atëhere kur e bëjnë detyrën e tyre në parametra të
pranueshëm, janë premisa për një qeverisje autoritare e me prirje diktatoriale.
Kam
qenë dhe jam kundër punës me aksion në ato që mund të quhen pa frikë e jo
thjesht si metaforë, “Ditët e Ramës”, analoge me “Ditët e Enverit” këtu e rreth
40 vite më parë, kam qenë e jam kundër punëve që bëhen me protagonizma
individuale, si aksioni i ndërprerjes së lidhjeve të paligjshme të energjisë
elektrike në vitet 2013 - 2017, ndërkohë që fenomeni vjedhje ndoshta në zona të
ndryshme vazhdon edhe sot, apo aksionit që të burgoste edhe për hapjen e një
një dritareje në shtëpinë tënde, ndërkohë që legalizimet e paligjshme vazhdojnë
edhe sot kur kanë kaluar plot 25 vite nga koha e miratimit të ligjit përkatës.
Kam qenë dhe jam kundër aksionit në zonat turistike në kulmin e sezonit dhe
ndonjë aksioni tjetër, të nisur apo të shpallur, jo se përkrah paligjshmërinë,
por se shteti ligjorë, duhet të jetë përditshmëria, ndërsa aksioni i përdorshëm
vetëm përjashtimisht për raste emergjente, që s’vijnë me shtrirje kohore si
këto të sipërpërmendurat, por ndodhin papritmas e kryesisht nga natyra e
faktorët madhorë, si zjarre, tërmete, përmbytje, luftëra e të tjera si këto.
Duke qenë kundër aksionit një apo disa ditorë, qoftë ai edhe periodik, sipas
teorisë maoiste “duhet turbulluar që të kjartësohet”, jam kurdoherë pro ligjit edhe
kur ai më ndëshkon mua, mjafton që ai të jetë “qorr” e të mos më shohë me sytë
e atij që vjen pas tij për t’a zbatuar në mënyrë selektive me moton: Bjeri
kundërshtarit e mbyll sytë ndaj përkrahësit! Për shtetin s’duhet të ekzistoje
koncepti “i joni” dhe “jo i joni”! Të qeverisurit janë e duhen trajtuar nga
shteti siç trajtohen pjestarët e një familjeje nga kryefamiljari i mirë dhe i
përgjegjshëm.
Le
të kthehemi tek titulli i përzgjedhur për këtë vëzhgim rastësor nga ana ime.
Jan
bërë pa asnjë dyshim edhe punë të mira. Shqipëria ka ndryshuar shumë edhe në
drejtim të prezencës së autoritetit shtetëror, autoritet që po tenton të
shtrihet në të gjithë teritorin. Çdo e keqe e ka një të mirë. Edhe shkundja “7
– ballëshe” e Ramës e këtyre ditëve e ka një të mirë, përveç shëmtisë “Theth”.
Nuk shkova për të vëzhguar e për të shkruar, por për kënaqësinë time, por po i
paraqes përciptasi tri episode, në tri pika të ndryshme plazhi në Shëngjin, në
harkun e tri ditëve të njëpasnjëshme. Për etikë nuk do të them emrat e
bizneseve, pasi nuk kam qëllim t’u bëj reklamë atyre:
-
Dita e parë tek Rana e Hedhur. Në mes të një ambienti të sistemuar mirë e
bukur, tërësisht privat, ndodhej një zonë publike ku mund të pushoje pa asnjë
pagesë, e në se dëshiroje shërbim me shezllongje e çadër, mund t’a merrje atë
me një çmim të arësyeshëm edhe pse ishte ditë me njëfarë ngarkese me pushues.
Parkimi absolutisht falas. Veç tij, zona plazhi publik kishte edhe në pjesët e
tjera, gjë që më erdhi si një reflektim pozitiv apo ndërgjegjësim, qoftë edhe
përmes forcës së ligjit, i operatorëve turistik atje.
-
Dita e dytë në Kune. Një zonë e sistemuar bukur e në harmoni të plotë me
natyrën atje, nën pronësi apo administrim privat, të shërbente si s’ka më mirë.
Shezllonë e çadër me 400 lek, dhe parkim mjeti në hije e të sigurtë, me 100
lekë. Më pëlqeu mbi të gjitha fakti se punonjësi aty lëshoi në vend, sapo i
bëra pagesën, kuponin tatimorë për gjithë shërbimin. Nuk m’u dhimbs aspak leku
kur e mora kuponin tatimorë në dorë. E bukura dhe si qershia mbi tortë, më
erdhi kur diku nga fundi i kohës së planifikuar për plazh nga ana ime, mësova
se pronari i tij ishte eksponent i lartë i partisë në pushtetin lokal. -
Hallall, - thashë me vete, - edhe në se në zotërimin apo posedimin e atij vendi
ka ndonjë privilegj të vogël!
-
Dita e tretë në Shëngjin, zona e qendrës. Plazhe publike mjaftueshëm dhe
pastërti e pranueshme edhe aty, shumë më tepër shërbim të arësyeshëm në
parkingje, deri diku edhe me rregulla sa i takon pagesës, një frenim çmimesh për
çadra e shezllonë, më shumë me bileta se sa “merre po deshe”, e mbi të gjitha
jo mendjemadhësi e arrogancë nga pronarët, apo përdoruesit e atyre pronave dhe
dhënësit e shërbimit.
Janë
këta vetëm filiza të rinj në shkretëtirën e paligjshmërisë, por që duhen
përkrahur pa rezerva.
Edhe
shërbimi policorë në rrugët që lidhen me plazhin, ishte mjaft i pranishëm dhe
korrekt. Por këtë shije të këtij shërbimi t’a prish qyteti i Lezhës. Parkime
për tre e për katër. Ndalime kudo dhe në vende pa shenja parkimi. Parkime në
vijat e bardha dhe në trotuare, por edhe aty ku marrin udhë pak ramba
invalidësh. Fol po deshe! Të vjen trimi tek xhami e të thotë: - Ça kërkon? Mos
i bjer borisë! Ma do qefi mos me t’a lëshue udhën! Këmbë polici bashkiak, apo
rrugor nuk gjendet për t’i dhënë udhë një qarkullimi normal në rrugët e
qytetit, jo vetëm sot, por prej shumë kohësh. Edhe kur janë, bëjnë “sfilatë
mode”, herë në këmbë, të kapërdisur rëndë me armë e jelekë, e herë me makina ku
një sirenë më shumë shurdhon kalimtarët se sa ve në lëvizje mjetet e parkuara
kryq e tërthorë.
Përtej
këtyre rasteve mund të rreshtoja shumë, fatkeqësisht më shumë negative se sa
pozitive, por dua të theksoj se edhe ne si qytetarë, gjendemi përgjegjës para
situatave të tilla, qoftë si shkelës të ligjit, por edhe si njerëz të heshtur,
që nuk e ngremë zërin ndaj shkeljeve e shkelësve. Shtetbërja kërkon, pa asnjë
dyshim, pjesmarrjen e kontributin e secilit prej nesh. Në se atë e lemë vetëm
në dorë të pushtetarëve, minimumi ata bëhen autoritarë, në mos diktatorë të
maskuar me maska demokratike. Duhet t’a ngremë zërin për ç’na takon, pa
trokitur horllëku në shtet e shteti horr në dyert tona. Duhet t’a kërkojmë
kuponin tatimor, siç e kërkojmë kusurin 5 apo 10 lekësh nga dyqani i bukës. Në
atë kupon të marrë në dorë gjenden 1 apo 2 lekë që duhet të na rikthehen ne,
përmes shtetit, nga shuma që paguam. Duhet t’i themi policit “të lumtë!”, kur
zbaton ligjin e “plaç” kur e mbyll syrin. E vërteta e vetme që vjen si shpresë
se trupi qeveritar është akoma i gjallë, është fakti se ai reagon ndaj
denoncimeve këmbëngulëse tonat, në të shumtën e rasteve.
Në
biznes është e njohur sentenca: Një klient i kënaqur u tregon, maksimumi dy -
tre vetave të familjes, kurse një klient i pakënaqur ia shpall pakënaqësinë e
tij gjithë botës. Unë po zgjedh të reagoj pozitivisht për sa shpalosa në
shembujt e sipërpërmendur, duke shpresuar, që nga filiza të vetmuar e delikate,
ata të bëhen pyje me lisa të fuqishëm e të gjelbëruar, bashkë me urimin tim me
gjithë forcën e shpirtit: - Syni i keq mos ju paftë!
Lezhë, më 14 korrik 2025