Mendime
Intervista e Adriatik Kelmendit me Hashim Thaçin
E premte, 25.07.2025, 06:56 PM
Bisedë përmes hekurash
Fati që po përjetoj tejkalon veten time - është
i pandarë me rrugën për liri dhe pavarësi të popullit të Kosovës
“Ky
është çmimi i përballjes së mëhershme me tiraninë. Unë sot jam i privuar
përkohësisht, por populli im është i lirë përjetësisht.”
Intervistë e Adriatik Kelmendit me Hashim Thaçin
Adriatik Kelmendi: Pak kohë më
parë ju humbët babain. Sa ju ka pikëlluar vdekja e tij?
Hashim Thaçi: Zhvillimet rreth pyetjes suaj kanë një parahistori,
në korrik të vitit 2023 me lejen e DHSK-së në vendlindje vizitova prindërit i
gjeta në gjendje jo të mirë shëndetësore u preka shumë. Kuptova se pleqëria dhe
mërzia kishin bërë punën e vet në shëndetin e tyre fizik, por jo moral. Në këto
rrethana të rënda, edhe pse fjalëpakë, tek ata përsëri gjeta humorin e lehtë dhe
të këndshëm. Gjithherë jam munduar të mos i shqetësoj, por e di se janë
mërzitur shpesh nga shqetësimi për mua. Ata nuk kishin frikë, por si çdo prind
për djalin apo vajzën gjithmonë ka drojën, kam parasysh edhe rrethanat e
rrezikshme që kemi kaluar si popull.
Në pak
orë qëndrimi më ringjiznin vlerat e tyre shpirtërore, solidaritetin dhe
humanizmin, dinjitetin, shijen për gjëra të mira. Ata kanë sakrifikuar shumë
duke rritur tetë fëmijë në rrethana dhe hapësirë jo të lehtë sociale dhe
gjeografike, por duke i dhënë kuptim jetës përmes punës, një vullnet i
pathyeshëm për t’i edukuar fëmijët. Shembull i mirë për mjedisin shoqëror të
asaj kohe.
Prindërit
më mishëruan ABC-në e dashurisë për truallin ku kam lindur, familjen, fqinjin,
ATDHEUN dhe LIRINË. Lidhjen e ngushtë me prindërit e kam ruajtur të pacenueshme
në çdo kohë dhe rrethanë të jetës, si fëmijë, nxënës, student, djalë i
diasporës, luftëtar lirie apo edhe si politikan dhe tash si i privuar nga
liria. Jam munduar të mos i lëndoj, por edhe nëse e kam bërë ndonjëherë, jam
penduar shpejt, kjo ka ndodhur kur isha fëmijë.
Por sa
më shumë ecën koha po kuptoj, se sa pak kohë i kushtojmë prindërve, kur zhytemi
në vorbullën gëlltitëse të zhvillimeve ditore, ndonjëherë edhe të padobishme.
Tani
mendoj për kohën më shumë që ata do të donin të kalojnë me fëmijët që i lindën
dhe i rritën, e tash edhe mbesave e nipërve. Prindërve ua kam borxh jetën. Ju
përulem për të gjitha, më dhanë besim për jetën dhe MUNDESINË për të ecur pa u
ndalur. I dhanë kuptim dhe karakter jetës sime etike dhe profesionale. Më
jepnin buzëqeshjen e tyre të bukur, që mua më lumturonte dhe energjizonte. Por
babai dinte edhe të zemërohej, ruaj në kujtesë ndëshkimin e tij kur vonohesha
duke tejzgjatur lojën e futbollit me shokët e shkollës deri në errësirë duke u
kthyer i përbaltur në shtëpi. Ndëshkimi ishte të qëndroja për një kohë në
oborr. Kjo masë vazhdonte, derisa ndërhynte nëna e cila me urtësinë e saj e
binde babain të hiqte dorë nga ndëshkimi.
Prindërit
më kanë rritur sigurinë në gjërat që kam bërë gjatë jetës.
Ruaj të
freskëta me dhimbje dhe forcë gjestet e nënës dhe babait, duart e ngrohta të
tyre, përqafimin e përmallshëm. Gjatë kësaj vizite vërejta më shumë rrudha në
ballin e tyre, por kujtesë dhe kthjelltësi mendore të mirë. Kur u përshëndetem
dinjitetshëm më thanë rruga e mbarë dhe mirë u pafshim, me zemër të lënduar, pa
lot në sy, por thellë-mendueshëm. Sido që të jetë shpirti dhe zemragur e tyre e
di.
Po atë
mbrëmje u ktheva në Hagë.
Një
kohë kur isha nxënës kisha kuptuar pse babai me gjithë ofertën nga disa të
afërm dhe miq kishte sfiduar mundësinë në vitet tetëdhjeta për të mërguar si
gastarbajter në Gjermani apo Austri, me arsyetimin se “ishte i vetëm në shtëpi,
duhej të punonte tokën të mos mbesë djerrinë dhe të qëndronte afër fëmijëve”.
Kam bindjen arsye e vetme ishte prindërit nuk mund të rrinin pa njëri-tjetrin,
ndërsa bashkimi familjar në perëndim atë kohë pothuajse ishte tabu për
punëtorët jashtë vendi, kam parasysh edhe moshën e thyer të gjyshit dhe gjyshes
për të cilët edhe realisht duhej të kujdesej.
Babai më thoshte: “Je hy në
punë të rënda… sa për Serbinë mos u mërzit, veç me shokë mos u korit”
Gjatë
vitit 2024 edhe pse në gjendje aspak të mirë shëndetësore prindërit me vizituan
për herë të dytë në hapësirat e qendrës së paraburgimit. Ishte rrethanë
mallëngjyese. Kaluan tri orë sikur të ishin tre minuta. Mbetëm të etur për të
vazhduar muhabetet. Edhe pse të lodhur nga mosha për të pritur mysafirë,
tregonin falënderim, mirënjohje për solidaritetin e shumë njerëzve me vizitat e
tyre në Burojë. Që të relaksoja më shumë ndejën, ju kujtoja kujdesin që
tregonin për mua kur isha nxënës dhe udhëtoja me autobus çdo dite nga Buroja në
Skenderaj, më jepnin para çdo ditë për burek, çaj dhe blerjen gazetës
“Rilindja”; unë më tepër lexoja faqet sportive, rubrikën e kulturës dhe ndonjë
fejton historik qe ia vlente. Me prisnin në mbrëmje për darkë. Kujdeseshin në
imtësi për higjienën dhe veshmbathjen. Më kursenin nga punët e shtëpisë.
la
freskova babait kujtesën për një bisedë që kishim zhvilluar në një nga
pranverat e fillim viteve nëntëdhjeta, tanimë student gjatë një fundjave në
kopshtin e shtëpisë, duke i ndihmuar në mirëmbajtjen e oborrit – kositjen barit
në një moment pushimi nën hijen e një qershie kur ishim vetëm për vetëm më tha:
“E di dhe po e shoh se je hy në punë të rënda“, vazhdoi “diçka dua të të them,
sa për Serbinë mos u mërzit, veç me shokë mos u korit”.
Ai i
njihte, i priste ne shtëpi i respektonte i donte shumë, me shumicën prej tyre
ishte bërë edhe bashkëluftëtar (në kohën kur pasuli hahej me nga një kokërr).
Pas luftës ata që kishin ra në altarin e lirisë i kujtonte dhe evokonte
kujtimet për të bërat e tyre heroike në bashkëbisedime me njerëzit, ndërsa me
ata që mbetën gjallë ruajti gjithmonë respektin për sakrificën dhe raportin
njerëzor shumë te afërt personal deri në çastet e fundit të jetës. Ndihem
çdoherë i nderuar nga ai raport i veçantë i babait me shokët e mi. Në Burojë ai
i kishte pritur dhe përcjellur shume prej tyre në kohëra dhe rrethana të
paharruara. I kishte kaluar i pacenueshëm edhe bastisjet në fshat dhe
arrestimin që ia kishin bërë në vitet 1993 dhe 1997.
Këshillat
e tij më kanë përcjellur gjithmonë, më janë përputhur jo rrallë me realitetin e
përvojës sime jetësore. Prindërit nuk e kanë pëlqyer jetën e të rënit në sy apo
të veçuar, megjithëse pa dëshirën e tyre dhe pahetueshëm kjo ndodhi. Nuk ishin
nga ata që pëlqenin politikën, por e përcillnin. Gjatë kësaj vizite i pyeta sa
për të provokuar bisedën se pse nuk vinin në më shumë ngjarje publike dhe
politike, baba me tha, “t’i duhet te jesh vetja jote”. Njëherë më kishte
vizituar në zyrën e punës në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës.
“Po me dhimesh se ke me hjek
shumë, ishalla ke edhe njerëz të mirë rreth vetes”
E
kujtoj bisedën me prindër pas zgjedhjeve lokale në nëntor 2000 kur të dytë si
duke plotësuar njëri-tjetrin sikur donin të më ngushëllonin për humbjen më
thanë: “Nuk është fundi i botës, jeta është e gjatë, i ri je, ruaje shëndetin,
veç rri drejt zoti te ndihmoftë”.
Babai
qeshte me zë kur i përmendja bisedën në mëngjesin e parë të pasfitores
zgjedhore parlamentare dhe lokale të nëntorit 2007, kur i emocionuar dhe i
gëzuar, por shume seriozisht me tha, “po me dhimesh se ke me hjek shumë,
ishalla ke edhe njerëz të mirë rreth vetes, edhe kalon mirë me qita që kane
ardhë prej botës këtu”.
Me
babain kisha thyer konfidencialitetin e mos bërjes publike të ditës së
shpalljes së pavarësisë së Kosovës, vetëm tri apo katër dite përpara të dielës
së 17 shkurtit të v. 2008. Gjatë bisedës telefonike të rregullt ditore të
mëngjesit më pyeti “kur po kryhet qikjo puna e madhe?”, i thashë “me kismet të
dielën pasdite”. Nuk kisha bërë asgjë të gabuar. Ai ishte bashkëluftëtari im
nga orët e para, e dija se nuk do fliste me askënd.
Prindërit
ishin të parët që më uruan në telefon pak çaste pas shpalljes se pavarësisë:
“Përhajr dhe e gëzofshim”.
Gjatë
fushatës për mandatin e tretë, 2014, prindërit, Lumja dhe Endriti do të
bëheshin pjesë aktive dhe e rëndësishme e pjesëmarrjes në fushatë. Ata do të
merrnin pjesë në tubime, do të flisnin në media. Ishte hera e parë që në Kosovë
prindërit e ndonjë lideri shfaqeshin në publik me mesazhe mbështetëse për birin
e tyre. Fjalët që kishin zgjedhur dhe mënyra si ishin prezantuar kishte fituar një
pëlqyeshmëri të respektuar në opinionin publik. Kishin folur për karakterin tim
që buronte nga ADN-ja e tyre. Prindër të thjeshtë dhe origjinalë. Fitorja ishte
spektakulare e gjashta më radhë. Shpesh u thosha “këtë fitore iu dedikoj juve”.
Do të
jetë e paharrueshme mbresa dhe emocionet që shihja në shpirtin dhe fytyrën e
tyre në rastin e inaugurimit tim si President në sheshin “Nena Tereza”, në
prill 2016; e lexoja dhe ndieja krenarinë e tyre për birin e tyre.
Të kemi
parasysh, nuk është e lehtë të jesh prind, bashkëshort apo fëmijë i politikanit
në hapësirat tona. Përpos fjalëve dhe ditëve të mira, duhet te durosh gjëra dhe
ditë të paimagjinueshme negative – atakuese kundër suksesit. Nuk kishte ndodhur
më parë që prindërit e një djali a vajze në vendin tonë merrnin pjesë në
ceremoninë më të lartë shtetërore. Pikërisht në sheshin simbol të protestave
antijugosllave, tani simbol i paqes në Kosovën – shtet.
Ndihesha
shumë krenar me ta dhe me prezencën e tyre. Ata dinjitetshëm pranuan me
shtrëngim duarsh urimet e diplomatëve dhe pjesëmarrëseve vendorë në përmbyllje
të ceremonisë. Morën pjesë edhe në drekën e shtruar enkas për mysafirë nga
presidenca. Duke u ndarë në fund të kësaj vizite si me një zë më thanë “Po
jetojmë duke të pritur”, e dija se kjo rrethanë ishte bërë barrë e rënde për
moshën e tyre…
Mungesa
ime i kishte goditur shumë.
Nga kjo
vizitë e kuptova se tani e tutje çdo takim ose bisedë telefonike mund të jetë e
fundit, tutje tregova edhe më shumë i kujdesshëm për orarin që duhej thirrur
dhe shfrytëzimin maksimal të kohës për të biseduar sa ma shpesh me ta.
Në
bashkëbisedim me prindër shpirti dhe mendja me fluturonin gjithmonë drejt
vendlindjes, lojërave rinore, fushave, kodrinave qe lidhen me kuptimin e
fëmijërisë sime. Edhe pse shpesh në distancë me njëri-tjetrin, gjithmonë
marrëzisht kam qene me ta dhe i tyre.
“Po kthehesha më i thinjur, por
kisha ndjesinë se Kosova disi ishte e lodhur dhe e molisur”
Adriatik Kelmendi: Megjithatë,
ju e vizituat babain në spital dhe biseduat me të vetëm disa ditë para vdekjes.
Çka biseduat bashkërisht, dhe si u ndjetë të flasnit me babain në rrethana të
tilla, duke e ditur se mund edhe mos ta takoni më kurrë?
Hashim Thaçi: Në ditët e para të janarit të këtij viti, nga
familjarët u informova se gjendja e babait ishte përkeqësuar. Bisedat
telefonike apo ato përmes videolidhjes u rralluan nga pamundësia e tij për t’u
përgjigjur. Edhe kur flisja shkurt nuk ishte më zëri i tij edhe në pamje kishte
filluar të ndryshonte, por përpiqej të mos jepej. E kuptoja, nuk doja të
besoja. Ishte nisur në rrugëtimin e botës së përtejme.
Po
bëheshin tre muaj që babai ishte sëmurë rëndë.
Paneli
i gjyqtarëve pas një kohe aprovoi lejen për një vizitë disa orëshe në Kosovë.
I
shoqëruar nga oficerët e DHSK-së dërgohem në Kosovë.
Në
Prishtinë po kthehesha pas katër vite e gjysmë. Duke zbritur nga drejtimi i
Vetrenikut, afrohem afër hapësirës ku valvitet flamuri kombëtar, nga shirat dhe
ndotjet dukej i qullosur, i fjetur, mezi rrinte i varur në shtyllë metalike.
Shqiponja e ndarë në pjesë që vështirë ishte të ringjiteshin. Trafiku si
gjithmonë i ngarkuar, lëvizjet e njerëzve shumë dinamike, kafet-baret plotë e
për plot gjallëri. Tanimë ishte mesditë, koha me diell, ishte bërë publik lajmi
për rikthimin tim, disa qytetarë me familjarë të tyre kishin dalë në ballkonet
e banesave regjistronin me telefonat e tyre lëvizjen e eskortës që më barte.
Ishim jo larg njëri-tjetrit, unë i shihja ata nuk mund të shihnin, na ndante
xhami i errësuar i makinës. Mendoj se kishim të njëjtin sentiment.
Kaloj
përreth hapësirës ku me herët ishte vendosur vërja e shtatores së A. Demaçit,
nuk kishte risi, nuk u befasova, e kuptoja arsyen e paarsyeshme të mos verjes
ende, thashë me vete. “LIRIA E KOSOVËS ËSHTË MONUMENT I ADEM DEMAÇIT”. Prandaj,
nuk ka bust, lapidar apo shtatore që e zëvendëson lirinë e një populli.
Kështu
e përjetova hyrjen në Prishtinë. Po kthehesha më i thinjur, por kisha ndjesinë
se Kosova disi ishte e lodhur dhe e molisur. Edhe pse nuk jam nga ata që nga
mosprezenca në mjedis, të ndikohem që gjerat t’i shoh bardhezi. Përkundrazi!
Kam besim te pathyeshëm në ecjen e Kosovës.
Kisha
lodhje dërmuese dhe ndjenja të përziera, isha mes botës reale e dija se babai
po na linte dhe botës imagjinare asesi nuk doja të pajtohesha.
I
shoqëruar nga e autoritet e sigurisë së DHSK-së, shpejt ngjitem shkalleve në
katin e dytë të Klinikës. Nëpër korridor dhe shkallet lidhëse të kateve kishte
njerëz që kishin qëlluar spontanisht, sigurisht për t’i vizituar të afërmit e
tyre dhe mjek e mjeke me të cilët në distancë pa ndërruar fjalë u përshëndetëm
ngrohtësisht.
Nxitimthi
do të gjendem në dhomën ku ishte vendosur babai, ishte duke më pritur me
padurim, ashtu i shtrirë përqafohemi gjatë me aq fuqi që i kishte mbetur, dukej
i buzëqeshur, i emocionuar, thellësisht i prekur shpirtërisht. Unë u ndjeva i
pafuqishëm dhe i mundur fizikisht dhe emocionalisht. Pandehja se do të qëndroja
i fortë, por jo nuk mund t’i ndalja lotët. Që të dukesha më i freskët shpejt
shkova në banjo ku fshiva lotët duke pastruar fytyrën. Zoti më dha forcë për të
përballuar ato momente. Në dhomë ishin edhe nëna dhe Lumja. Nëna ulur në
karrigen me rrota dhe ngjitur me shtratin me babain shtrirë. U ula buzë
shtratit.
Disa herë me pyeti, “A je kthy
me shokët?”, duhej t’i thoja, “Po”. U gëzua si fëmija.
Babai
dukej i rrënuar fizikisht, por nuk vërejta sfilitje shpirtërore, aftësia në të
folur i ishte dobësuar shumë, pozitiv në ato pak gjëra që flisnim, i kishte
ndodhur një përmirësim pothuajse imagjinar para largimit nga bota tokësore e
cila tanimë ishte çështje jo ditësh por orësh. Me ne qëndroi mjeku, Kastrioti,
gjatë gjithë kohës. I lutem Zotit dhe përulem me respekt për mjeket dhe gjithë
stafin ndihmës që e mbajtën gjallë derisa u takuam.
Me
përjashtim gjatë fëmijërisë sime të hershme dhe atë pa të keq nuk e kisha
gënjyer, atë ditë u detyrova nga dashuria, që kur të largohesha të mos ndihej i
braktisur, vdekja sikur nuk bënte pjesë në planet e tij mendore dhe të
ndërgjegjes, edhe në ato orë ndjeva veç dashuri aspak dëshpërim. Disa herë me
pyeti, “A je kthy me shokët?”, duhej t’i thoja, “Po”. U gëzua si fëmija. Derisa
Lumja e ushqente me supë, dëshironte të fliste e të fliste me mua me gjithë
fuqinë e mbetur. “Shumë mirë që qenkan lëshu krejt shokët”, e përsëriti disa
herë atë ditë.
Ishte i
përmbushur.
Kur
erdhi koha për tu përshëndetur e që të largohesha me lehtë i thashë “Po shkoj
ne Burojë të pres atje për çaj”, mu përgjigj, “shumë mirë, shko se edhe unë vij
me kismet shpejt, nuk kam çka me nejt këtu”. Me çdo kusht dëshironte të kthehej
në shtëpi. U përqafuam dhe u përshëndetem si babai me djalin, kur dola tek dera
u ndala edhe një herë e shikova drejt në sy, derisa i kishin shtrënguar duart e
njëri-tjetrit me nënën, sikur të ishin adoleshentë të dashuruar. Shikimi i tij
pushtoi gjithë qenien time. Ajo buzëqeshje do të më percjell përjetësisht, e dija
se ishte vështrimi i fundit, ishte shikimi LAMTUMIRËS. Ndjeva dhimbjen e thellë
të zemrës dhe nyejve të gjymtyrëve te trupit.
“Sot i them, Babë edhe për këtë
mungesë të paarsyeshme (në varrim), jam plotësisht i pafajshëm”
Adriatik Kelmendi: Ju nuk ishit
të pranishëm në funeralin e babait, sepse nuk u lejuat. Si e komantoni këtë
rrethanë?
Hashim Thaçi: Pas pak kohe, babai u nda nga jeta në paqe, i
rrethuar me dashuri nga familja bërthamë, nën kujdesin dhe mbikëqyrjen e
mjekëve. Ai shkoi me brengën time. Homazhet lamtumirëse dhe akademinë
përkujtimore e përcolla në TV nga vetmia e qelisë. Flamuri kombëtar dhe
shtetëror i shkonin për hijeshi mbi arkivol. Falënderime dhe respekt për të
gjithë ata dhjetëra e mijëra njerëz që ndan dhimbjen dhe solidaritetin me
familjen.
Unë nuk
arrita ta prisja babën as të gjallë as të vdekur në vendlindje, as një grusht
DHE nuk arrita ta hedhja gjatë ceremonisë së varrimit. Rendi e donte të isha i
pari ta prisja në Burojë siç i kisha premtuar; shkova i fundit.
Sot i
them, Babë edhe për këtë mungesë të paarsyeshme, jam plotësisht i pafajshëm.
Kështu
iku BABA – njeriu më i dashur, i adhuruari, frymëzuesi dhe mbrojtësi im.
Ngushëllimi i nënës: “Lum baba
yt për vete, e lum ti për babën”
Adriatik Kelmendi: Dhjetëra
mijëra qytetarë prej gjithë Kosovës dhe më gjerë morën pjesë në ceremoninë e
varrimit dhe tutje edhe në ngushëllime. Si e vlerësoni?
Hashim Thaçi: Pas tri dite, me lejen e DHSK-së, e vizitova
vendlindjen. Në varrezat e reja të fshatit ishte shtuar një varr i ri. Qëndrova
në nderim 9 minuta në rrethana të pazakonta e të paimagjinueshme. Një minutë
nderim për çdo dekadë të jetës së tij. Pjesëmarrja e madhe e qytetareve në
ceremoninë mortore kishte bërë që toka dukej e rrahur, por e qulltë.
Lulenderimet dhe mbishkrimet në kurora mbi varr ende ishin të freskëta, lexoj
nderime nga Prishtina, Tirana, Shkupi, Ulqini, Presheva, diaspora etj. Dielli
shkëlqente atë ditë prag-pranverore. Ajri, pemët dhe toka kishin marrë arome
shiu. Pas pak në shtëpi, në Burojë, takoj nënën. Jo e lehtë – qëndronte e fortë
dhe e qetë. Ngushëlluam njëri-tjetrin, fjalët që atë ditë më përsëriste ishin:
“Lum baba yt për vete, e lum ti për babën”. Drekuam së bashku. Shumicën e kohës
e kaluam ulur në kopshtin e oborrit, e ndjeja thellësisht dashurinë e saj dhe
ngrohtësinë e shkëlqimit të rrezeve të diellit.
Atë
ditë disi ndihesha me faj, sepse shpesh kam qenë burim i shqetësimeve për ta,
para, gjatë dhe pasluftës.
Gjatë
fluturimit, duke u kthyer në Hagë, isha zhytur në mendime të pafundme për
babain.
Nuk është
fshehtësi, vdekja e tij më ka ndryshuar shumë – është zbrazëti që nuk po e
mbushë assesi. Po jetoj me ndjesinë dhe pikëllimin, koha nuk po e zbut, po e
ruan dhimbjen. Mendoj për ditët e mëhershme kur ishte gjallë, ndiej një
ringjallje të tij në jetën time. Ai la je dritë e cila nuk do të fiket kurrë në
familjen tonë.
Por sot
ky është fatalitet, jo fat im në këtë fazë të jetës. Jam i vetëdijshëm se
mërzia dhe burgu nuk shkojnë bashkë. Nuk harroj që nëse jo trupin, kudo dhe në
çdo rrethanë mendjen e kam të lirë për të menduar, por të kufizuar për t’u
shprehur.
“(Këtu) askush nuk hap tema të
politikës ditore, edhe nëse ndodh rastësisht askush nuk bëhet pjesë”
Adriatik Kelmendi: Po
bëhen 5 vjet që nga koha kur jeni duke u mbajtur në burg në Hagë. Si e keni
përballuar deri më tash?
Hashim Thaçi: Nuk është enigmë, fati që po përjetoj tejkalon veten
time. Është i pandarë me rrugën e kaluar për liri dhe pavarësi të popullit të
Kosovës. Interesant përsëri nga Kosova po nxirren shembuj brengosës. Të jam
mirënjohës, Adriatik, që më gjete edhe në këto vrima të thella të pasmureve dhe
hekurave të lartë të Hagës.
Si e
kalojmë kohën? Komentojmë ndonjë libër apo artikull së lexuari së fundmi.
Ndonjë dokumentar apo film që është shfaqur rishtazi. Megjithëse edhe këtu
prirjet dhe shijet e njerëzve janë të ndryshme. Është interesant, askush nuk
hap tema të politikës ditore, edhe nëse ndodh rastësisht askush nuk bëhet pjesë
– me abstenim mbyllet shpejt. Këtu ke kohë për të menduar dhe diskutuar për
gjithçka që do.
Të mos
keqkuptohem, ky ambient ngjan edhe si shtëpi pleqsh ku jo rrallë luhet letra,
shah, lexon apo shfleton çdo gazetë që të bie në dorë, merresh me zgjidhje
fjalëkryqesh, zhvillohen biseda familjare dhe rreth aktualitetit, dhe ku jo
rrallë bëhet edhe muhabet koti, je i privuar nga aktiviteti për jetë normale,
komunikim e lëre më pjesëmarrje në botën e jashtme. Përpiqem të kaloj një
rrethanë më ndryshe seç fola më lartë. Të jem sa më pozitiv me veten dhe të
tjerët – mendoj sa më shumë për gjëra të bukura. Këtu është e vështirë të bësh
gjëra të dëshirueshme dhe ndërtuese. Jeta e vërtetë është jashtë kësaj kornize
hapësinore.
“Në kuzhinë nuk kam qenë për
t’u lavdëruar, tash jam përmirësuar kogja… Mediat lokale, i përcjell pak, ose
fare”
Adriatik Kelmendi: Çfarë
ju ka munguar apo jeni privuar, përveç lirisë, gjatë kësaj kohe që jeni në
burg?
Hashim Thaçi: Jetën e re e kaloj në kornizat e rrethanave të reja
jo vetëm fizike, por edhe leximit, mendimeve dhe meditimit, që kapërcejnë muret
e qendrës së paraburgimit, që fillon nga vendlindja si fillim i botës dhe
atdheut tim. Kultivoj përvojën e të menduarit dhe vështrimit për botën dhe
shoqëritë përmes leximit të librave të zgjedhur dhe përfaqësues. Mendja më
ngulitet, bëj shëtitje dhe stërvitje të muskujve të trurit nëpër histori të
popujve dhe civilizimeve për të pikasur mbijetesën dhe formësimin e shqiptarëve
me ndjenjën dhe përcaktimin perëndimor. Aty e gjej edhe fatin dhe rolin
historik, të sotmen dhe të ardhmen edhe të shtetit të Kosovës.
Gjatë
ditës bëj telefonata familjare, në kohën e lejuar nga DHSK-ja pres në vizita
familjarë dhe miq, paradite ose në mbrëmje bëj palestër; në kuzhinë nuk kam
qenë për t’u lavdëruar, tash jam përmirësuar kogja. Kur e kam të nevojshme për
lëndën e akuzës, bëj konsultime me ekipin mbrojtës, marr pjesë rregullisht në
seancat gjyqësore, të cilat më janë bërë art i ri i formësuar në jetën time.
Pastrimin dhe hekurosjen e teshave e bëj pa përtesë. Dhomën e qëndrimit në
paraburgim mundohem ta mbaj sa më të pastër. Kujdesem edhe për pastërtinë e
shtrojës dhe mbulojës. Në muret e dhomës mbaj një foto të përbashkët të rrethit
të ngushtë dhe të gjerë familjar, të cilët më vështrojnë dhe i shikoj gjatë
gjithë kohës, kështu komunikojmë mes vete; ata janë frymëmarrja, energjia dhe
drita ime edhe në momente më të liga që mund të kaloj këtu, mes katër mureve
betoni të ngushta, të ftohta, të errëta dhe derës së hekurt të qelisë.
Në
televizor përcjell futboll, tenis dhe gjatë dimrit garat e skijimit, përsëri
lexoj apo shkruaj diçka, dëgjoj muzikë të zhanreve të ndryshme, popullore,
klasike, folklor, jazz etj. Lexoj rregullisht gazetën “Politico” të sjellur nga
DHSK dhe më herët ditoren “The New York Times”, të parapaguar nga ana ime. Në
mbrëmje ndodh që shikoj ndonjë film apo dokumentar. Por, mundohem t`i ik sa ma
shumë shprehisë për t’u ulur përpara televizorit, e cila mund të sjellë dembeli
dhe ngulfatje mendore.
Mediat
lokale, i përcjell pak, ose fare. Përpiqem të qëndroj sa më larg jehonës apo
ndikimeve të zhurmave të grumbullit të njerëzve tanë. Çdo zhvillim i mirë për
Kosovën më gëzon, sikurse çdo gjë jo e mbarë më bënë të ndihem jo rehatshëm, ma
ndan zemrën në dysh, edhe pse arrij të rezistoj e të mbahem në këmbë, por janë
plagë që nuk shërohen e mbyllen lehtë.
“Mendjen, shpirtin dhe trupin
nuk ua dorëzoj rrethanave izoluese”
Orarin
e shëtitjes në ajër të pastër nuk e humb kurrë, qoftë moti me vapë, shi, erë
apo borë, megjithëse këtu borë bjen shumë rrallë dhe shkrihet shpejt. Shiu
është i rrëmbyeshëm i përcjellur me erë të fortë e ndonjëherë edhe i acartë,
por nuk më ndalon në ecje. Tani më janë stërvitur veshët me zhurmën e erës, e
cila përsëritet… përsëritet e përsëritet, në çdo stinë. Vapa nganjëherë ndodh
të jetë përcëlluese dhe lagështia ngulfatëse. Në këto hapësira nuk e ndiej
ngrohtësinë e rrezeve të diellit. Gjumin e bëjë rehatshëm. Në ushqim nuk jam
ndonjë nazeli i madh, rrallë përdor ushqimin e ofruar nga burgu, porosisim
sipas dëshirës nga mundësia e ofruar njëherë për gjithë javën. Duhan nuk kam
përdorur, tash e refuzoj edhe më tepër. Përdor çajra të ndryshme. Ndërsa frutat
dhe perimet janë të pazëvendësueshme edhe këtu.
Kur
është koha e mirë, luaj tenis; më herët si nxënës dhe student kam luajtur
pingpong, tenis po luaj për herë të parë këtu, jam i mirë dhe kogja preciz në
sulm, por jo edhe aq në kthimin e topit. Ky sport më vë në lëvizje gjithë
muskujt e trupit, aq e domosdoshme për rrethanat e pasivitetit. Edhe “loja me
flutura” më inspiron. Për futboll apo basketboll jemi të hendikepuar nuk mund
t`i bëjmë dy ekipe për lojë. Nganjëherë bëjë lojën solo në basketboll me
gjuajtje në kosh… ende mbahem mirë me shënimin e tresheve… Mendjen, shpirtin
dhe trupin nuk ua dorëzoj rrethanave izoluese; ruaj gjallërinë, fuqinë fizike
dhe freskinë mendore, që në asnjë rrethanë të mos më pllakos molisja apo larg
çoftë të shterrem. Një nga synimet apo rreziqet në të tilla procese është
shtrydhja, shterimi, dorëzimi deri te kalimi gradual në fazën e sublimes. Çdo
aktivitet që e bëj edhe këtu përpiqem ta përjetoj.
* * *
Festat
kombëtare 28 Nëntori apo 17 Shkurti, apo ditët fetare dhe atë të ndërrimit të
moteve e vetorganizojmë sipas rrethanave në mënyrë modeste. Natën e Vitit të Ri
u befasova me shumë fishekzjarre në qytetin e Hagës, sesa në Prishtinë. Nuk jam
ithtar i organizimit të ndejave të gjera apo të zhurmshme, por më mungojnë
urimet fizike dhe përqafimet familjare. Për 21 vitet (1999-2020) që i jetova
dhe gëzova lirinë e Kosovës, gati të gjitha eventet familjare apo festat
kombëtare i kam kaluar në vendlindje, përpos gruas dhe djalit, gjithmonë kam
pasur dëshirë të jem afër dhe ngre dolli edhe me prindër dhe me familjarë të
tjerë.
Është
jo e lehtë të jesh larg familjes dhe njerëzve që i do dhe të duan. Larg nga
vendi ku ke lindur dhe rritur. Ndihem i bekuar nga fati historik që linda dhe u
rrita në Kosovë (Drenicë), vend të cilin e dua shumë. Por ky fakt gjeografik
nuk i jepte jetës sime kuptimin e plotë përtej kësaj hapësire prej më të
izoluarve dhe të pazhvilluara në Ish-Jugosllavi. Vetëm kah mesi i viteve të
thjeshta kur vizitova vëllezërit në Vjenë dhe motrën në Paris, u bëra i
vetëdijshëm se e ndjeja veten evropian. E edhe Kosova mund të bëhej evropiane.
Por, fillimisht duhej të fitonim lirinë.
Lumja
dhe Endriti më vizitojnë çdo muaj, dy apo tre ditë radhazi. Ky është çmimi që
po paguan familja ime dhe të burgosurve tjerë – udhëtim 4.000 km ardhje-kthim
për një vizitë. Vizita të rregullta kam edhe nga rrethi i gjerë familjar; më
vjen keq që nuk kam mundësi t`i takoj të gjithë, për shkak të kufizimeve
procedurale. I falënderoj shqiptarët jashtë vendi për interesimin, mbështetjen
dhe vizitat që më kanë bërë. Vetëm ata që kanë qenë në burgje e dinë, e për
këtë fakt kosovarët mbajnë rekord evropian për numër të banorëve në Evropë në
vitet 1945-1990. Se nuk ka asgjë më frymëzuese për një të burgosur sesa kur për
kauzën e drejt për të cilën mbahesh brenda krijohet konsensus qytetar jashtë.
Këshilla refren (e miqve
ndërkombëtarë) ishte: “Mendo, beso, shiko kah e ardhmja”
U jam
mirënjohës edhe miqve ndërkombëtarë që kanë ardhur nga kryeqendra të ndryshme
evropiane apo SHBA-ja… këshilla refren i të gjithëve ishte: “Mendo, beso, shiko
kah e ardhmja”. Ata e kanë ruajtur besimin për Kosovën dhe mua, kjo më bën të
ndihem mirë.
Tash së
fundi, një miku im diplomat ndërkombëtar, pas vizitës së tij më kishte dërguar
edhe dy libra të shkëlqyer “HOMELANDS” nga autori Timothy Garton Ash, një
rrëfim personal unik evropian para dhe pas rënies së perdes së hekurt, si dhe
librin “LUKA – a Novel”, shkruar nga diplomati dhe shkrimtari britanez lan
Bancroft, njohës dhe përjetues i jashtëzakonshëm i ngjarjeve të
ish-Jugosllavisë, në veçanti të Kosovës. Edhe pse ngjarjet e rrëfyera dhe
karakteret janë fiktive në librin e Bancroft, kanë shumë ngjashmëri me atë çka
ka ndodhur në Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë apo në Kosovë, si në luftë dhe
paqe, dhe domosdoshmërinë për drejtësinë, paqen dhe pajtimin mes popujve. Duke
ruajtur gjithmonë shpresën si dritë në fund të tunelit. Edhe përkundër
abuzimeve, dhunës gjatë dekadave ai sjell mesazhin “Po dashurisë -Jo urrejtjes”
mes njerëzve me përkatësi të ndryshme etnike, fetare dhe sociale.
Miqtë
ndërkombëtarë gjejnë forma të ndryshme publike, private apo edhe përmes
vizitave për të më uruar përvjetorët e pavarësisë së Kosovës.
Jam
prekur dhe emocionuar shumë prej përmbajtjes së letrave apo kartolinave që kam
pranuar nga nxënës, studentë nga Kosova, Shqipëria dhe qytetarë nga diaspora,
në rastin e përvjetorëve të Pavarësisë së Kosovës. Unë ju them – JU DUA SHUMË,
JETONI LIRINË, ruajeni dhe afirmojeni me integritet dhe dinjitet shtetin.
Ndërsa unë këtu ku jam përpiqem ta jetoj realitetin, e jo iluzionin që mund të
ma gërryen shpirtin në vetminë e qelisë. Gjithmonë e ruaj vetëdijen e fillimit
të ri, e assesi atë të fundësisë.
“Jam i vetëdijshëm, jeta nuk
rikthehet. Por, shpirtin mund të ma merr veç ai që ma ka dhënë”
Ky
është çmimi i përballjes së mëhershme me tiraninë. Unë sot jam i privuar
përkohësisht, por populli im është i lirë përjetësisht.
E
sotmja dhe e nesërmja assesi nuk do t`i i kundërvihen të djeshmes sime.
Si i
burgosur, njeriu është si peshku pa ujë, qelia është acar i jetës, e bën të
veten. Burgu kjo jetë e re në botën e re jo të këndshme, e çuditshme dhe e
huaj. Në këto rrethana izolimi, errësire dhe vetmie gjërat ngatërrohen me
brishtësi e pasion. Ende po arrij të maksimalizoj shpresën dhe angazhimin dhe
minimizoj tendencën e mërzisë dhe kotësisë.
Mund të
tingëlloj naiv apo absurd, por kurrë ritmi i jetës sime nuk ka lëvizur më
shpejt sesa periudha që kam kaluar këtu, por për fat të keq janë vite
“qetësisht” dhe “butësisht” të humbura. Është kohë e humbur jetësore prej më të
mirave dhe më efektive që mund ketë qenia njerëzore vite pa mision të zgjedhur
nga ana ime. Jam i vetëdijshëm, jeta nuk rikthehet. Por, shpirtin mund të ma
merr veç ai që ma ka dhënë.
Adriatik Kelmendi: Si e
keni menaxhuar shëndetin tuaj mental dhe emocional gjatë këtyre viteve në Hagë,
larg nga vendi?
Hashim Thaçi: Në burg cikli i ditëve është i vrullshëm, jeta e
shpejt si vetëtima. Vend paradoksesh. Koha vjen dhe ikën pahetueshëm. Por ngjan
që ndonjë ditë thuajse kurrë nuk përfundon.
Dita e
sotme ngjan me të djeshmen dhe të nesërmen, apo siç e ka theksuar N. Mandela,
në burg “Java i ngjan javës, muaji-muajit, viti-vitit”. Të njëjtit njerëz,
ambient, atmosferë dhe protokoll.
Ndryshojnë
vetëm dita nga nata, stinët dhe moti. Librat apo lajmet e ndryshme që lexon apo
dëgjon.
Të
djeshmen e kaluar këtu nuk e mendoj, nuk më duhet as e nesërmja. Është e
përjetuar koha disi e zhvesh njeriun, por jam në paqe me ndërgjegjen time dhe
në raport me të tjerët.
Këtu
nganjëherë ndodhë mbivendosje kohe dhe gjërash, por ruaj një rend objektivash
në mendjen time.
Duhet
kuptuar, impulsi i brendshëm dhe jashtëm i të burgosurit çdoherë ka etje lirie.
Disponimi në burg është ujë i paktë. Të mungon thithja e ajrit të lirisë.
Votimi për Gjykatën Speciale? “Kam
sfiduar veten për interesa shtetërore… Procesi i themelimit të kësaj gjykate
nuk ishte disponim apo vullnet individi, por përgjegjësi ose jopërgjegjësi
shtetërore dhe kombëtare”
Adriatik Kelmendi: Nëse do të
ktheheshit prapa dhe do të ishit në dijeni se do të akuzoheshit nga Gjykata
Speciale, a do t’i kërkonit sërish Parlamentit të Kosovës themelimin e Gjykatës
Speciale të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare, para së gjithash nga SHBA-ja?
Hashim Thaçi: Dua ta depersonalizoj këtë çështje. Procesi i themelimit
të kësaj gjykate nuk ishte disponim apo vullnet individi, por përgjegjësi ose
jopërgjegjësi shtetërore dhe kombëtare përballë vetes tonë dhe partnerëve
ndërkombëtarë. Ka dallim epokal të rrethanave ndërkombëtare të vitit 2015 dhe
zhvillimeve botërore sot më 2025, duke përfshirë edhe qëndrimin e SHBA-ve,
BE-së dhe OKB-së në raport edhe me Kosovën.
Kosova
ishte përballë dy sfidave: të themelojë këtë gjykatë vet në koordinim me
SHBA-të dhe Bashkimin Evropian, ose Kosovës do t`i imponohej një gjykatë e njëjtë,
por e themeluar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, me rol aktiv të Rusisë dhe
Kinës, por që do të përkrahej edhe nga SHBA dhe BE.
Kosova
bëri zgjedhjen e parë që ishte shumë sfiduese, por më e përgjegjshme. Me
garancë nga partnerët amerikanë dhe evropianë se do të punohet me
legjislacionin kosovar, pra jo vetëm të merret parasysh, por, nënvizoj,
detyrimisht të respektohet.
Sikur
të ndodhte e kundërta, Kosova do të akuzohej nga shumëkush se pse ju dha kjo
mundësi Rusisë e Kinës. Gjithashtu një gjykatë e tillë do të ishte në kuadër të
Rezolutës 1244, kjo do të shënonte kthim prapa për Kosovën. U përballëm me
situatë: “Hip se të vrava, zbrit se të vrava”. Pse u gjendëm në këtë gjendje,
sot unë nuk mund të flas. Por, me asnjë çmim nuk do të mund të tolerohej që një
vendim i tillë të sfidohej nga Parlamenti i Kosovës, e të vulosej nga Këshilli
i Sigurimit institucion ndërkombëtar aktualisht i disfavorshëm për Kosovën.
Nga
dita e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës ne kemi kërkuar këmbëngulësisht
largimin e UNMIK-ut, në veçanti nga koha e përmbylljes së suksesshme të
procesit të mbikëqyrjes së pavarësisë në vitin 2012.
Ju me
të drejtë pyesni sikur të mund të kthenim kohën prapa, a do të vepronit në të
njëjtën mënyrë? Të jem i kristal i qartë, në raportin e senatorit zviceran D.
Marti përmendesha disa herë, si qindra të tjerë, edhe unë mund të futesha nën
hetim. Por e kam ditur se nga raporti nuk do të akuzohej askush, sepse akuzat
ishin të pabaza, siç edhe u vërtetua me vonë. Por me kalimin e kohës, gjërat morën
drejtim dhe trajtim tjetër, ndodhi ajo që ndodhi.
Si
shumë të tjerë, kam sfiduar veten për interesa shtetërore. Qëndroj vertikal
përballë çdo lajthitje të kujtdoqoftë. Sikur të bëja gjënë e kundërt, sot do të
akuzohesha po prej të njëjtëve njerëz, se pse nuk u themelua gjykata nga
institucionet e Kosovës bashkë me perëndimoret. Nuk kam asnjë dilemë. (Ka edhe
shumë gjëra tjera të cilat, nuk mund dhe nuk dua t’i komentoj).
Nëse ndokush e kupton
realizimin e vullnetit të Popullit për Liri, Pavarësi, para pak vitesh edhe
themelimin e Ushtrisë së Kosovës, njohja nga 119 shtete dhe integrimi në
organizatat ndërkombëtare si dëgjueshmëri apo servilizëm timin në raport me
SHBA-të dhe Perëndimin – ndihem shumë i nderuar
Adriatik Kelmendi:
Kundërshtarët tuaj politikë ju kanë akuzuar nganjëherë si një lider që i ka
pranuar gjithmonë kërkesat amerikane. Kryeministri Kurti shpesh ka marrë
pozicion kundërshtimi ndaj kërkesave amerikane, mirëpo nuk po përballet me
ndëshkim personal, megjithëse Kosova po paguan çmimin e sanksioneve nga
Bashkimi Evropian. Si do ta komentonit këtë situatë?
Hashim Thaçi: Raporti im me SHBA-të dhe Perëndimin ka qenë
reciprok dhe jo i njëanshëm. E gjithë bota e di se SHBA-të fillimisht kanë
dëgjuar me respekt e më vonë edhe kanë përkrahur kërkesat e popullit të Kosovës
për LIRI DHE PAVARËSI; këto çështje gjithmonë kanë qëndruar mbi çdo prioritet
tjetër, rreth tri dekada të bashkëpunimit tim me SHBA.
Kërkesat
e SHBA-ve drejtuara lidershipit dhe popullit kosovar kanë qenë në të mirë të
vendit tonë – të sinqerta dhe parimore, që lidheshin me interesat e të dy
vendeve, për rend kushtetues dhe ligjor, harmoni etnike, fetare dhe qytetare,
prosperitet ekonomik, shoqëri multietnike dhe integrimi i tyre në shoqëri dhe
institucione, forcimin e shoqërisë civile, media të lira, luftë kundër
terrorizimit dhe radiklizmave tjerë. Nëse ndokush e kupton realizimin e
vullnetit të Popullit për Liri, Pavarësi, para pak vitesh edhe themelimin e
Ushtrisë së Kosovës, njohja nga 119 shtete dhe integrimi në organizatat
ndërkombëtare si dëgjueshmëri apo servilizëm timin në raport me SHBA dhe
Perëndimin – lëre që nuk ndihem i akuzuar por ndihem shumë i nderuar.
Nuk jam
bukëshkalë!
Sa i
përket pjesës së dytë të pyetjes suaj, në rrethanat që jam nuk dua të bëhem
pjesë e debateve të politikës ditore. Këto që them sot janë vetëm opinione të
lira personale të një qytetari, me ekspertizë në politikën e brendshme dhe në
rrafshin ndërkombëtar. Nuk jam akter e as nuk pretendoj të paraqesë faktorin.
“Ndihem i abuzuar nga ata që në
emër të diçkaje fiktive pa të drejtë më shkëputën nga familja, me përjashtuan
nga puna, m’i morën vitet më të bukura të jetës”
Adriatik Kelmendi: A ndjeheni
të tradhëtuar apo të mashtruar nga Perëndimi, nga SHBA-ja?
Hashim Thaçi: Jo nuk ndihem as i tradhtuar, as i mashtruar. Ndihem
i abuzuar nga ata që në emër të diçkaje fiktive pa të drejtë më shkëputën nga
familja, me përjashtuan nga puna, m’i morën vitet më të bukura të jetës.
Perëndimi dhe SHBA-të nuk servuan rrëfimin e lëndës. Kam punuar me disa
administrata amerikane, efektivisht në raporte të shkëlqyera. Nga Presidentet
Klinton mandati i dytë 1996-20, Bush i Riu 2000-2008, Obama dhe Biden
2008-2016, Trump 2016-2020, në ngjarje dhe kohë të ndryshme në SHBA kam folur
për Kosovën edhe me Presidentin Bush i Vjetër dhe XH. Karter.
Kam
punuar me shtatë presidentë të SHBA-ve, pesë prej tyre në detyrë dhe me tetë
sekretarë shteti, duke filluar nga M. Olbrajt deri tek M. Rubio, më herët si
senator. Me secilin prej tyre kam eksperiencë të veçantë. Ata iu përkasin
taborreve politike të ndryshme, por për Kosovën kishin të njëjtin qëndrim. Një
pozicion i tillë bipartizan nuk ndodh shpesh në DC.
Kjo ka
ndodhur në dekadat e fundit vetëm me Izraelin dhe Kosovën. Se si do të jetë
mëtutje – varet nga Kosova.
“Pa rolin lider të SHBA-së
Kosova mund të ishte ende provincë e Serbisë”
Sa i
përket bashkëpunimit me Bashkimin Evropian dhe vendet tjera perëndimore – kam
qenë interlokutori prej kryesorëve. Bashkëpunimin e vlerësoj cilësor. Kemi
pasur edhe gjëra qe nuk jemi pajtuar, për çka jam deklaruar edhe publikisht.
Jam i sigurt SHBA dhe Perëndimi e duan Kosovën më të përparuar. Asnjë
intervenim ndërkombëtar nuk është treguar me i suksesshëm sesa në Kosovë. Është
fakt i pamohueshëm, ishte punë e përbashkët e SHBA-ve, NATO-s, BE-së dhe
OKB-së. Por, pa rolin lider të SHBA-së Kosova mund të ishte ende provincë e
Serbisë.
“Po, kam bërë plot gabime, por
nuk kam gënjyer dhe mashtruar”
Adriatik Kelmendi: Nëse
kthehemi në retrospektivë, a ka ndonjë vendim politik apo personal që do ta
merrnit ndryshe, nga pozicioni ku jeni sot?
Hashim Thaçi: Janë dekada të angazhimit politik. Nga distanca
kohore është lehtë të flasësh për këtë fenomen që përcjell çdo lider. Në
rrugëtimin e zbatimit të vizionit për liri e shtetbërje në parim dhe strategji
nuk do të ndryshoja diçka me peshë, në planin taktik, periudhat kohore të
vendimeve dhe akterët – do të ndryshoja në raste të caktuara. Kam reflektuar
për qëndrime të cilat sot nuk do t`i merrja, por gjithmonë duhet marrë parasysh
kohën dhe rrethanat. Nuk kam bërë dy herë të njëjtin gabim. Kam mësuar dhe jam
përmirësuar prej gabimeve. Gabimi është njerëzor, nuk paraqet faj.
Kam
identifikuar raste që nuk do duhej të isha pjesë e debateve joproduktive dhe të
zhurmshme. E di se opinionet apo vendimet e mia jo rrallë kanë ngjallur debat
PËR dhe KUNDËR, iu kanë munguar abstenimet, por e tillë është politika. Unë
flisja atë që e mendoja dhe besoja, ndoshta nganjëherë para kohës së duhur e
ndonjëherë pas, në raste të caktuara edhe nuk jam kuptuar drejt, apo ndonjë
projekt e kam prezantuar në rrugën jo më të qëlluar. Por kjo ju ndodh gjithë
liderëve.
Po, kam
bërë plot gabime, por nuk kam gënjyer dhe mashtruar. Nuk kam synuar të bëjë
idealin, besoj kam bërë realistin. Kam ecur paralel me parimoren dhe
pragmatiken, jam munduar të tregohem sa më pak egocentrik.
Dua të
nënvizoj: precizitet kohor dhe ndërlidhje faktorësh të brendshëm dhe të
jashtëm, në favor të shqiptarëve ka ndodhur vetëm në vitin 1998-99 dhe 2008.
Përderisa
isha figurë publike, më shumë do të indinjohesha sikur të injorohesha;
përderisa ngjall debat, idetë janë me peshë, vlerë dhe shëndet për demokracinë.
“Për mua ka qenë me rëndësi
bërja e shtetit…” Debatet për cështjet estetike apo te dizajnit më bëjnë të
qesh…
Rivalitetin
politik gjithmonë e kam çmuar, ishte kënaqësi kur punoja me rivalët për çështje
të përbashkëta nacionale. Kosova në këtë drejtim për kohë të gjatë ka qenë
shembull për rajon dhe më gjerë.
Opinionet
se a duhej shpallur Pavarësia me 17 shkurt, apo në ndonjë datë tjetër? A duhej
që deklarata e Pavarësisë ta kishte këtë përmbajtje, apo tjetër? A duhej të
kishte flamuri shtetëror këtë pamje, apo tjetër? Ta kemi këtë himn shtetëror,
apo tjetër? A duhet përfaqësueset tona sportive të bartin fanellat me këtë, apo
atë pamje?
Këta
zëra me frekuenca të shkurtra dhe të gjata do të vazhdojnë edhe kohë. Më bëjnë
të qesh, por i pëlqej. Ky debat për çështje estetike apo dizajni, është
atraktiv, por më tepër janë shfaqje egosh… por nuk do të bëhem pjesë.
Kosova
vetëm në drejtimin që ka ecur është pranuar dhe njohur nga bota, në të
kundërtën do të kishim shumë pikëpyetje për të djeshmen, e më shumë për të
sotmen dhe nesërmen tonë. Pa u futur në ujë, nuk mësohet noti.
Për mua
ka qenë me rëndësi bërja e shtetit. Por kjo më nxit të krahasoj opinionet e
shfaqura tash e mbi 100 vite, se a duhej Pavarësia e Shqipërisë të shpallet me
28, apo 26 nëntor? Pse nuk u shpall në Shkodër, Durrës, por u zgjodh qyteti i
Vlorës? A e qëndisi flamurin kombëtar Marigona, apo e nxori nga sënduku ndonjë
çifligar? Pse u shpall pavarësia para se të mbërrinte Isa Boletini me
luftëtaret e tij nga Kosova, apo a është gjunjëzuar ai para flamurit, e ka
puthur apo s’e ka puthur flamurin? Pse pavarësinë e shpalli Ismail Qemali e jo
X, Y, ose shkojnë edhe më larg duke akuzuar themeluesit e shtetit se pse mbeten
dy të tretat e tokave shqiptare jashtë hartës zyrtare të Shqipërisë londineze
etj, etj.
Nuk
është çudi, që aty këtu dëgjojmë apo lexojmë edhe ligjërime, “Sikur të mos
ndodhnin kryengritjet e Skënderbeut, shqiptarët do të kalonin më lehtë…
historinë e dekadave dhe shekujve vijues”, sa çel e mbyll sytë injorohet nga
injoranca apo dashakeqësia e vërteta monumentale se Epoka e Skënderbeut e vulosi
identitetin evropian shqiptar, që veç tash pas pesë shek. mezi po e
zyrtarizojmë me letra si shtete.
Jam i
vetëdijshëm ky nuk është debati im, as koha dhe as vendi për të folur.
“Në raport me ndërkombëtarët
nuk do të ndryshoja asgjë… por di të them edhe ‘Po’, ose ‘Jo’, të pakthyeshme.
Në disa raste kam paguar çmim personal dhe politik”
Në
raport me ndërkombëtarët nuk do të ndryshoja asgjë, shtetbërja e Kosovës dhe
integrimi në strukturat euroatlantike ka qenë, është dhe do të mbetet i
pandashëm. Kam kërkuar gjithmonë rrugë bashkëpunimi. Për gjërat që nuk jam
pajtuar – i kam thënë në shumicën e rasteve në takime të mbyllura. Ata që më
njohin më nga afër e dinë se unë jam bashkëbisedues shumë i lehtë dhe
fleksibil, por di të them edhe “Po”, ose “Jo”, të pakthyeshme. Në disa raste
kam paguar çmim personal dhe politik. Shumica e politikanëve të Kosovës dhe
akterët ndërkombëtarë e kanë përjetuar këtë fakt.
Për
disa gjëra për të cilat do të flisja me ëndje, për t’u përgjigjur më
drejtpërdrejt pyetjes sate, mendoj se duhet të kalojë ende kohë. Por rrethanat
prej vendit ku unë flas nuk do të kuptohesha drejt. E di se do të nxiste debat
shumëdrejtimesh, unë jam i izoluar do të ishte shqyrtim i njëanshëm i
çështjeve. Disa gjëra edhe nuk dua t`i komentoj.
“Jam këtu jo për atë se kam
bërë ndonjë plan të gabuar, por për atë se kush kam qenë, kë dhe si e
përfaqësoja dhe ndoshta edhe kush jam…”
Adriatik Kelmendi: Gjatë
karrierës suaj politike, keni qenë figura qendrore e negociatave për Pavarësinë
e Kosovës. A mendoni se sakrifica juaj, duke përfshirë burgosjen, është
çmimi që do duhej të paguani për atë që ka arritur Kosova deri tash?
Hashim Thaçi: Në Hagë nuk jam heroi e as martiri. Sfida ime është
ballafaqim për historinë e drejtësisë së lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës. Nëse
veç ishte paracaktuar që Kosova të paguante çmim, atëherë le të mbetem unë
kurbani. Por një gjë e di dhe nuk ka njeri në këtë botë që me bind për të
kundërtën – Liria e Kosovës ka ndihmuar në demokratizimin më të shpejtë edhe të
të gjithë rajonit, zgjerimin dhe forcimin e vlerave civile. Madje ka ndikuar
edhe në largimin më të shpejtë të Millosheviqit nga pushteti dhe fillimin e
tranzicionit demokratik edhe në vetë Serbi.
Por,
edhe nga këtu e shoh dhe e kuptoj shtegun e popullit, shtetit të Kosovës dhe
jetës sime.
Jam
edhe më i bindur në drejtësinë e këtij përcaktimi, të cilin duhet çdo ditë ta
mbushim me përmbajtje të vlerave civile. Jam këtu jo për atë se kam bërë ndonjë
plan të gabuar, por për atë se kush kam qenë, kë dhe si e përfaqësoja dhe
ndoshta edhe kush jam, apo edhe se kam ndryshuar shumë në taktikë, por kam
mbetur po ai që kam qenë në strategji për të mirën e shtetit dhe qytetarit.
Dikush tha: “Ke bërë hapa më të shpejtë seç duhej bërë”. Narrativat historike
dhe agjendat politike në sistemet demokratike nuk marrin përgjigje përmes
burgjeve. Edhe në këtë situatë dhe çdoherë unë do i besoj drejtësisë. Nga dita
e parë, nuk e kaloj kohën duke e menduar veten nxitimthi, por me durim.
“Edhe në këtë gjykatë duhet t`u
jepet përparësi fakteve dhe të vërtetës mbi indinjatën apo misionin e çfarëdo
natyre qoftë”
Adriatik Kelmendi: Procesit
gjyqësor ngadalë po i afrohet fundit; a shpresoni ende se gjykata dhe ky panel
do të nxjerrë vendim bazuar në fakte dhe e jo të dirigjuar me direktiva
politike?
Hashim Thaçi: Tani që procesi gjyqësor është në fazë të
rëndësishme kohore dhe substanciale, shpresoj të jetë i drejtë, transparent, jo
i mbyllur, jo keqinterpretues dhe i çliruar nga çdo paragjykim dhe i gabimeve
potenciale. Qytetarët e Kosovës presin dhe duan detyrimisht që Dhomat e
Specializuara të respektojnë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës në vendimmarrjen
e tyre.
Të
respektohen të drejtat e njeriut dhe të drejtat civile. Qytetarëve në Kosovë,
por dhe opinionit ndërkombëtar, mediave të lira, shoqërisë civile, organizatave
të të drejtave të njeriut duhet t’iu krijohet mundësia ta shohin këtë proces
gjyqësor për t`i besuar të vërtetës dhe vetëm të vërtetës të bazuar në fakte
dhe jo në keqkonceptime. Edhe në këtë gjykatë duhet t`u jepet përparësi fakteve
dhe të vërtetës mbi indinjatën apo misionin e çfarëdo natyre qoftë.
“Hendikepi
i kësaj gjykate është mungesa e një mekanizmi kujdestarie legjislativ, që me
përpikëri do të zhvendosnin barometrin në favor të fakteve reale e jo
pretenduese apo imagjinare”
Adriatik Kelmendi: Si e shihni
rolin e Gjykatës Speciale në të ardhmen e Kosovës? A mendoni se do të ndikojë
në besimin qytetar ndaj drejtësisë ndërkombëtare?
Hashim Thaçi: Hendikepi i kësaj gjykate është mungesa e një
mekanizmi kujdestarie legjislativ, që me përpikëri do të zhvendosnin barometrin
në favor të fakteve reale e jo pretenduese apo imagjinare. Faktet duhet të
vlerësohen sipas bindjes juridike dhe jo të interpretohen sipas dëshirës apo
përcaktimit paraprak.
Çdo
vendimmarrje në emër të drejtësisë me besim, bindje apo legjitimitet të
lëkundur apo të humbur qytetar, në çdo vend dhe shoqëri demokratike, gjithmonë
është dhe mbetet i diskutueshëm dhe i kompromitueshëm.
Mbetet
i gjykueshëm dhe shembull për studiuesit në historinë e drejtësisë, se çka nuk
duhej të ndodhte dhe model se çka nuk duhet të lejohet të ndodhë në të ardhmen
në një shtet dhe shoqëri me standarde demokratike.
Mbi
Kushtetutën dhe ligjet nuk duhet qëndrojë askush. Mbi këtë parim është edhe vet
themeli i krijimit të Bashkimit Evropian, besoj do të respektohet edhe nga
DHSK-ja, pra duke njohur dhe respektuar ligjin e nxjerrë nga Kuvendi i
Republikës së Kosovës dhe ndryshimet kushtetuese v.2015 në mënyrë origjinale e
jo në mënyrë të dëshirueshme.
“Ndërkombëtarët
do duhej të ndreqnin gabimet që ndodhën në këtë proces gjatë viteve të fundit…
Dialogu mes Kosovës e Serbisë lejuan që të shndërrohet në kauza elektorale në
vendet përkatëse…”
Adriatik Kelmendi: Këtu në
Kosovë kanë ndodhur shumë zhvillime politike, por pak progres. Shtetndërtimi
thuajse është paralizuar. A keni pasur mundësi t`i përcjellni këto zhvillime?
Nëse po, cili është opinioni juaj?
Hashim Thaçi: Sot kam një raport pothuajse platonik me Kosovën,
Shqipërinë dhe më gjerë. Kjo më determinon edhe mungesën e informimit të
shpejtë, të saktë dhe të plotë.
Gjendjen
atje e vlerësoj, si një qytetar i saj peng, jashtë vendi. Kryesisht i informuar
nga mediumet ndërkombëtare. Jetoj në një heshtje të zhurmshme, ku çdo fjalë apo
fjali që e dëgjoj apo e lexoj për Kosovën në këtë vetmi më krijon zhurmë, që e
gëlltit me frymëmarrje të thellë.
Në tri
vitet e fundit bota ka ndryshuar dramatikisht, nuk është më ajo që e kemi
jetuar për gati një shek. Kosova do duhej të nxitohet në rikonsolidimin e
brendshëm dhe afirmimin ndërkombëtar, e kundërta, mund të ndodhin deformime
demokratike dhe ngërç ekonomik.
Se si
do të gjejë veten Kosova në këto ndryshime mbetet të shihet. Uashingtoni dhe
Brukseli nëse vazhdojnë të punojnë së bashku në raport me Kosovën në katër
vitet e ardhshme, duket se mund të jenë më të padurueshme me zyrtarët në
Prishtinë. Do të jetë e drejtë apo jo kjo qasje është e diskutueshme – për fat
të keq çmimin mund ta paguajnë qytetarët e saj.
Nëse
Uashingtoni vazhdon qëndrimin vetëm në mbështetje të Bashkimit Evropian me rol
udhëheqës, kjo do të nënkuptonte që vitet e ardhshme do të kalojnë duke u marrë
me sanimin e pasojave të pesë viteve të kaluara – vështirë për të bërë diçka
për të ardhmen. Është fare e lehtë edhe mundësia e injorimit apo marrjes sa për
sy e faqe me Kosovën një lloj menaxhimi të situatës apo krizave lokale. Kjo
mund të jetë edhe më me pasoja, vendi mund të kalojë në një fazë të
padëshirueshme, të ziej në vorbullën e ujit që nuk lëvizë. Humbja e kohës është
çmim i madh për Kosovën.
Marrëveshja
finale Kosovë-Serbi është e domosdoshme. Ndërkombëtarët do duhej të ndreqnin
gabimet që ndodhën në këtë proces gjatë viteve të fundit. Ata, me ose
pavetëdije, dialogu mes Kosovës e Serbisë lejuan që të shndërrohet në kauza
elektorale në vendet përkatëse, kjo jo që nuk solli përmirësim mes këtyre dy
shteteve dhe popujve, por futi përçarje edhe në politikën dhe brenda shoqërive
të të dy vendeve. Ky proces mund të ketë sukses veç kur do të ketë agjendë dhe
merr kuptim të qartë perëndimor.
Deri
para pak vitesh relacionet Kosovë me bashkësinë ndërkombëtare kishin një
kthjelltësi monumentale. Sot sikur po ndodhë një zvetënim moral dhe politik.
Marrëveshja
e Uashingtonit të zbatohet; roli i SHBA-së i pazëvendësueshëm… BE-ja “sikur po
e inkurajon Serbinë të sillet jo mirë me Kosovën”
Marrëveshja
e Uashingtonit mes Kosovës dhe Serbisë e shtatorit 2020, do duhej rikthyer për
zbatim. Është marrëveshje e mirë ekonomike për të dyja vendet, zbatimi saj
herët a vonë do të dërgonte pashmangshëm në njohjen reciproke. Dialogu mes
shteteve dhe popujve zhvillohet për të ulur armiqësitë dhe tensionet; në vitet
e fundit ndodhi e kundërta. Do të ishte me interes që shqiptaret dhe serbët të
keqen mes tyre ta lënë pas.
Roli udhëheqës
i Uashingtonit në dialogun Kosovë-Serbi është i pazëvendësueshëm.
Bashkimi
Evropian është ende jounik për njohjen e shtetit të Kosovës, duket i përgjumur
dhe i vonuar për integrimin e Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Shqipërisë
dhe Malit të Zi. Mosgatishmëria e njohjes së Kosovës nga pesë vendet e
Bashkimit Evropian, sikur po e inkurajon Serbinë të sillet jo mirë me Kosovën.
Tash
duhet punuar shumë për ta merituar anëtarësimin në NATO. Por është jologjike të
pretendosh anëtarësim në NATO, me sanksione në fuqi nga Bashkimi Evropian dhe
me rezerva të thella nga SHBA-të, sikur aktualisht paraqitet rasti i Kosovës.
Për Kosovën çdo aleancë rajonale në rrafshin e sigurisë dhe mbrojtjes, derisa
është nën ombrellën e NATO-s, është më tepër se e mirëseardhur. Mosanëtarësimi
i Kosovës në Këshillin e Evropës është pasqyra më e kthjelltë – paraqet alarm
se ku gjindet Kosova së trajtuari, edhe pse shumica e vendeve anëtare të KE-së
e kanë njohur pavarësinë. Për Kosovën ishte rrethanë e favorshme – shto këtu
edhe mungesën aktuale të Rusisë dhe disa vendeve jodashamirëse të Kosovës në
KE.
Nuk
është vërejtur këmbëngulje apo entuziazëm as nga institucionet kosovare në
fazën finale, atëherë kur u duk se do të anëtarësohemi, se çka ndodhi dhe pse
arsyen e dinë më mirë ata që udhëhoqën këtë proces. Mund të marr parasysh se
çka ka ndodhur dhe pse ka ndodhur, por jam i kufizuar të komentoj më shumë në
këtë shënim.
Banjska? “Si ndodhi të shfaqen
mbi 80 njerëz të uniformuar dhe të armatosur me dhjetëra kilometra në brendësi
të territorit të Kosovës? Si ndodhi tolerimi i largimit të tyre qetësisht në
pikë të ditës sikur të ishin ‘krushq të lirisë’ e jo atakues të lirisë dhe
shtetit?”
Duhet
reflektuar pse edhe pas sulmit në Banjskë, Kosova u qortua nga ndërkombëtarët
në rrafshin diplomatik dhe medial. Kritikat dhe presioni ndaj Beogradit ishte
tepër elegantë. Edhe pas shpërthimit në kanalin e Ibër-Lepenc, përsëri fare
lehtësisht në mediat ndërkombëtare dhe qendrat vendosëse ngritën dilemën a
ishte akt sabotazhi nga Serbia, apo veprim elektoral lokal. Askush nuk mund t`i
fuste në lajthitje mekanizmat ndërkombëtarë. Ata e kontrollojnë edhe tokën edhe
qiellin e Kosovës. Kosova duhet të bashkëpunojë dhe jo ta befasojë NATO-n dhe
SHBA-të. Nuk është e rastësishme që këto ngjarje ndodhën pikërisht kur Kosova
ishte në nivelin më të ulët të bashkëpunimit me Perëndimin. Do duhej të ngritet
çështja për debat publik, analizë dhe përgjegjësi shtetërore. Pse pikërisht
tani u guxua të ndodhin gjëra të tilla? Për 24 vite Kosova nuk ishte ballafaquar
me fenomene të tilla.
Kosova
kishte në dorë edhe shkopin edhe karotën, si ndodhi të shfaqen mbi 80 njerëz të
uniformuar dhe të armatosur me dhjetëra kilometra në brendësi të territorit të
Kosovës? Si ndodhi tolerimi i largimit të tyre qetësisht në pikë të ditës sikur
të ishin “krushq të lirisë” e jo atakues të lirisë dhe shtetit? Si erdhi deri
te kjo ngjarje, vetëm drejtësia në bazë të një hetimi të thellë dhe të gjerë
bashkërisht me ndërkombëtarët në një proces transparent mund ta zbardhë të vërtetën.
Kosovës e vërteta i duhet më shumë në raport me ndërkombëtarët, sesa për ta
kënaqur opinionin publik lokal.
“Është
shqetësuese, vetëm dy njohje dhe asnjë anëtarësim i Kosovës në organizatat
ndërkombëtare në gati pesë vitet e fundit… (Zyrtarët e Trump) nuk
veprojnë pa i vënë dikush në lëvizje… duhet koordinim Prishtinë-Tiranë”
Adriatik Kelmendi: Nga distanca
që keni, si do t’i vlerësonit marrëdhëniet e Kosovës me bashkësinë
ndërkombëtare, para së gjithash me SHBA-në dhe BE-në?
Hashim Thaçi: Është shqetësuese, vetëm dy njohje dhe asnjë
anëtarësim i Kosovës në organizatat ndërkombëtare në gati pesë vitet e fundit.
Koha e administratës së presidentit Biden shënon kohë dhe mundësi të humbur për
Kosovën.
Rikthimi
i Presidentit Trump paraqet mundësi të re të artë për Kosovën dhe gjithë
Ballkanin Perëndimor. Trump është i përcaktuar qartë për paqe dhe bashkëpunim
mes popujve.
Të
rikujtojmë, njohja e parafundit Kosovës i erdhi nga Izraeli, me punën dhe
angazhimin e drejtpërdrejt të Presidentit Trump dhe Ambasadorit Grenell.
Presidenti
Trump e njeh Kosovën, në takimet gjatë mandatit të parë presidencial më ka
thënë “Kosova është një vend i mrekullueshëm me popull të shkëlqyer”. Edhe
mesazhi i fundit drejtuar popullit të Kosovës me 17 shkurt të këtij viti nga
Trump ishte shumë inkurajues. Disa prej zyrtarëve të lartë aktualë në
Uashington janë të involvuar për kohë të gjatë me çështjen e Kosovës dhe
shqiptarëve në përgjithësi. Ata nuk veprojnë pa i vënë dikush në lëvizje. Në
këtë drejtim do të ishte me interes të ndodhte një koordinim mes Prishtinës dhe
Tiranës. Shqipëria po tregohet më efektive.
Sot,
bota e trajton Serbinë ndryshe nga koha e konflikteve të ish-Jugosllavisë.
Uashingtoni, Brukseli dhe vendet tjera nuk e shohin Beogradin me optikën apo
disponimin e Prishtinës dhe e kundërta. Perëndimi sot e shikon Serbinë në
nuanca më të theksuara mundësie, përqendrimi dhe investimi ekonomik e ka më pak
simpati për të kaluarën viktimizuese të Kosovës. Është më mirë një Serbi në
Evropë dhe NATO, por jo pa e njohur Kosovën, kjo do të nënkuptonte më pak
ndikim të Rusisë dhe Kinës në Ballkan. I kemi përjetuar baticat dhe zbaticat e
sjelljes së Serbisë në raport me shqiptarët në tërësi apo edhe fqinjët e tyre
kroatë, boshnjakë, malazez apo edhe me komunitetet etnike brenda Serbisë.
Mungesa
e Rusisë rreth katër vite në tavolinat e qendrave vendimmarrëse botërore, ishte
mundësi e pashfrytëzuar nga Kosova. Fatkeqësisht, ora për Kosovën në këtë pikë
dita-ditës po ikën. Më herët në çdo rast që është kërkuar nga pala kosovare
prezenca e drejtpërdrejt e SHBA-ve në tavolinën e negociatave në Bruksel,
Serbia kërkonte këmbëngulësish si balancë prezencën e Rusisë. Kjo ishte e
papranueshme për ne dhe partnerët tanë.
Kjo
ndodhi, qëkur nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së viti 2011, Bashkimi
Evropian u ngarkua me rolin e lehtësuesit të negociatave, (si produkt
Marrëveshja 2013-2015 në Bruksel, si dhe së fundi deklarata apo marrëveshja
shtesë e Ohrit).
Ndërkohë
bota është polarizuar si kurrë më parë. Duke shpresuar se Trump i ndihmuar edhe
nga evropianët do arrijë paqen mes Rusisë dhe Ukrainës, Lindjen e Mesme dhe
vëjë në binarë edhe Iranin.
Rusia
kurrë nuk ka qenë inkurajuese për marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi e as
për integrimin e serbëve në institucionet kosovare. Por, për fat të mirë
integrimi ndodhi me sukses të vlerësuar për një dekadë të plotë 2013-2022.
Nga
shkurti 2022, SHBA-të, Bashkimi Evropian dhe NATO dhe aleatët e tyre nuk e
kishin nëpër këmbë Rusinë. E dinin çka mendon dhe si vepron për Kosovën.
Perëndimi nuk lejonin të bien në lajthitje nga Putin. Por, bota sot nuk është
as për së afërmi e bashkuar për Kosovën, sikurse që ishte deri para pak vitesh.
Kjo është një e vërtetë e hidhur.
Të
kërkohet njohja e Kosovës nga Ukraina dhe Siria
Është
tragjike ajo që po vazhdon të ndodhë në Ukrainë. Solidariteti i kosovarëve me
kauzën ukrainase është i drejtë. Por, Kosova është rast unikat në historinë
diplomatike, humanitare dhe ushtarake botërore. Zyrtarët e Kosovës duhet të
kërkojnë nga Zelenski njohjen e Kosovës, e di se nuk është e lehtë tani për
tani… do të ishte e shëndetshme për zyrtarët ukraianas që të mësohen me të
drejtën kosovare. E pse jo edhe nga autoritet e reja të Sirisë. Një kohë diku
kah vera e vitit 2008, Asadi kishte deklaruar nuk mund ta njohin Kosovën sepse
hidhërohet Rusia. Tani gjërat kanë ndryshuar krejtësisht; kemi autoritete të
reja në Damask, Rusia nuk ka çka hidhërohet, sepse Asad është larguar edhe vetë
nga Siria, influenca e Iranit e rrëzuar. SHBA-të, BE-ja, Turqia dhe Izraeli do
ta mirëprisnin një vendimi pozitiv për Kosovën. Lehtësimi i takimit nga
president Erdogan në Antalya në muajin prill mes presidentëve të Kosovës dhe
Sirisë ishte veprim shumë i qëlluar.
Për një
dekadë të tërë ishte temë tabu edhe njohja nga Izraeli; bile isha këshilluar
edhe nga dy administrata amerikane Obama-Biden një dhe dy që të mos i
“ngushtoja” zyrtarët e Tel-Avivit për çështjen e njohjes së Kosovës, me
arsyetimin “e kanë barrë Palestinën”. Nga ana tjetër autoritet palestineze vend
e pa vend çdo rast që u jepej deklaroheshin agresivisht kundër pavarësisë së
Kosovës. Ishte krijuar rrethanë paradoksale.
Trump
ishte ai që theu këtë tabu. Por nga ai moment çështja e njohjeve të reja ngriu.
Duhet
qartësuar as në rrafshin faktik e as në atë gjeostrategjik, Kosova nuk është
Ukrainë as Serbia nuk trajtohet nga bota si Rusi. Të krahasosh Kosovën me
Ukrainën është qesharake, ndërkohë që Serbia është vendi nga rajoni që më së
shumti e furnizoi me logjistikë luftarake Ukrainën. Kjo çështje për Serbinë nuk
ishte vetëm komerciale, por ishte strategjike me dijeninë – lejen perëndimore,
prandaj nuk është edhe befasi tolerimi i mosvënies së sanksioneve nga Serbia
kundër Rusisë.
Nga
konflikti Rusi – Ukrainë, Rusia u sanksionua nga Perëndimi.
Nga
ngërçi në dialogun e Brukselit, masa ndëshkuese u nxorën kundër Kosovës e jo
Serbisë.
Ne
retrospektivë, Rambuje 1999 dhe Vjenë 2005-08, ndodhi e kundërta.
Kujto
këtu edhe opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, në korrik 2010.
Kosova
u tregua e përgjegjshme, ishte në anën e drejtë të historisë, u vlerësua dhe
trajtua meritueshëm nga Perëndimi.
Unë
besoj, mirënjohja e popullit të Kosovës për Perëndimin është e rrënjosur thellë
dhe e përjetshme, mosmirënjohja do të ishte e meta më e madhe morale me pasoja
për shtetin.
“Nuk
do të çuditesha… që Brukseli për Serbinë, ta përvijojë në mënyrë elegante
standardin apo kushtin për njohjen e Kosovës si parakusht për anëtarësimin në
Bashkim Evropian”
Bashkimi
Evropian do të jetë i hapur për palët, vetëm me sjellje dhe veprime evropiane e
jo pickuese ballkanase. Kjo do të ishte rruga normale. Por, nuk do të çuditesha
dhe befasohesha me trendin e zhvillimeve aktuale, që Brukseli për Serbinë, ta
përvijojë në mënyrë elegante standardin apo kushtin për njohjen e Kosovës si
parakusht për anëtarësimin në Bashkim Evropian. Brukseli do duhej gjejë rrugën
më të shpejtë dhe efikase të evropianizimit të gjithë Evropës.
Znj.
Kallas i kupton këto gjëra shumë mirë, varet sa do të ketë përkrahje nga
shtetet anëtare të BE-së si përcaktuese të orientimit dhe dinamikës së
politikave zgjeruese të BE-së.
Duket
qartë që edhe ndryshimet presidenciale në SHBA e gjetën Serbinë më të
përgatitur sesa Kosovën.
Dikush
në Prishtinë do duhej të mendojë racionalisht dhe strategjikisht për këtë.
Janë të
pajustifikueshme të ndodhin sanksionet e Brukselit, kjo ka sjellë një ambient
të gjithanshëm negativ në raport me Kosovën.
“Është
jetik për shtetin e Kosovës rikthimi i serbëve në institucionet lokale, qeveri,
parlament, polici, sistemin e drejtësisë, shëndetësi, arsim etj.”
Është
jetik për shtetin e Kosovës rikthimi i serbëve në institucionet lokale, qeveri,
parlament, polici, sistemin e drejtësisë, shëndetësi, arsim etj. Vetëm
integrimi i tyre nënkupton sukses për Kosovën, gjithçka tjetër do të ishte
dështim i brendshëm me pasoja për integrimet euroatlantike.
Zëvendësimi
i integrimit me çfarëdo mekanizmi autonom nuk do të jetë as më shumë e as më
pak sesa një “Republika Serbska”. Rintegrimi i serbëve është edhe obligim
kushtetues, ligjor dhe qytetar. Tash po afrohen zgjedhjet lokale institucionet
e Kosovës shpresoj të bëjnë çmos për një dialog me komunitetin e serbëve për
inkurajimin e tyre për pjesëmarrje në zgjedhje. Ata duhet të udhëhiqen nga
njerëzit e tyre të zgjedhur në mënyrë demokratike.
Kur
ende duket se janë në veprim të përbashkët përfaqësuesit e SHBA-së, BE-së,
Anglisë, Francës, Italisë dhe Gjermanisë do duhej të ndodhte progresi.
Një
angazhim kaq dinamik i faktorëve ndërkombëtar ndodhë rrallë për ndonjë vend apo
rajon. Është mundësi unike, ndoshta në të ardhmen edhe mund të lëkundet.
“Politika
kosovare nuk duhet të jetë përpëlitëse. Shteti ynë nuk duhet të lejojë të
vetëzhvlerësohet… Me ide të vjetra nuk mund të ndërtohen rrethana të reja”
Vetmia
eventuale për një shtet apo shoqëri qoftë edhe e përkohshme përcillet me
pasoja, është e rrezikshme.
Politika
kosovare nuk duhet të jetë përpëlitëse. Shteti ynë nuk duhet të lejojë të
vetëzhvlerësohet.
Duhet
të vazhdojnë rrugëtimin e tri dekadave të fundit atë të rikthimit dhe
ringritjes së identitetit tonë me qytetërimin perëndimor. Edhe mund të ketë
mbetur ende erë, mjegull dhe myk i mentalitetit jozhvillimor apo paragjykimit
në raport me Perëndimin, megjithatë gjërat do duhej të kthjellen më shpejt. Me
ide të vjetra nuk mund të ndërtohen rrethana të reja.
Jam fundamentalisht
optimist për të sotmen dhe të ardhmen. Shpresa më ka përjellur gjithë fazat e
jetës sime, nuk më ka braktisur as sot, në veçanti për një të burgosur nuk
venitet kurrë. E keqja e përjetuar deri në fund të shek. të kaluar për
qytetarët e Kosovës do të mbetet në kujtesë historike.
Jam i
bindur, kohët e mira për Kosovën janë para.
“Transformuam shprehinë e
heshtjes, ankesës, dëshpërimit, vajtimit në masë të theksuar edhe dorëzimit
përballë gjendjes së keqe, me ngritje të zërit, optimizmit, dinjitetit dhe
veprimit me besim në fitore”
Adriatik Kelmendi: A mendoni se
gjeneratat e reja sot e kuptojnë plotësisht rolin tuaj dhe bashkëluftëtarëve
tuaj për vendin? Apo a mos po tentohet të rishkruhet në mungesë tuajën
edhe historia e Kosovës?
Hashim Thaçi: Si student kam përfaqësuar vizionin se pa LIRI nuk
mund të ndërtonim DEMOKRACI. Nuk mund të flitej për paqe pa liri. Pa liri nuk
kishte vlerë asgjë. Jeta po humbiste çdo kuptim. Të pretendosh të sillesh i
lirë ku mungon paqja ishte vetëmashtrim, madje edhe djallëzi.
Kam
qenë përcaktuar për fitore dhe paqe, jo të pajtohem me diskriminimin në paqe të
rrejshme në dëm të fitores së vërtetë. Jam treguar jokonformist. Njerëzit nuk
kishin frikë, por po adaptoheshin me status-quo të shpresës së rrejshme, sikur
gjërat do të vetërregulloheshin. Për veten time mendoja se e dija kah po shkoja
dhe kisha qëllim. Me bindje politike jam formuar përtej ndikimit të ambientit
që na rrethonte. Rezistenca jonë e ka formësuar rrethin shoqëror dhe ka lidhur
faktorët përcaktues me kauzën tonë.
Kam
qenë në kërkim të rrugëve për ndryshimin dhe krijimin e faktorëve dhe
rrethanave të reja – më të favorshme për vendin. Ishte rruga me e vështirë dhe
rrezikshme që njeriu kosovar mund ta zgjidhte. Na mungonin mjetet por idenë e
kishim të mirë, qëllimin e qartë, vendosmërinë e palëkundur. Mënyra e zbatimit
të qëllimit tonë u tregua impresionuese dhe bashkuese për gjithë kombin si
asnjëherë më parë. Qëllimi ynë aq sa ishte i drejtë ishte edhe civil dhe human.
Gjatë rrugëtimit kishim plot arsye të ndiheshim hezitues, të lëkundur e në
momente të caktuara edhe të dëshpëruar; ishte rrugë me plotë gjemba e pengesa
të njohura e të panjohura. Sfida më madhe ishte thyerja e tabusë, se a mund të
realizonim lirinë e plotë, shumica dërmuese njerëzve e dëshironin dhe punonin,
por nuk arritën ta bindin veten se mund të bëheshim të pavarur pas rreth gati
një shekulli robëri dhe dhune. Në momentin që arritëm të fitonim betejën me
vetën tonë, triumfi ishte i paevitueshëm dhe i sigurt. Kështu ndodhi kthesa më
e madhe politike në historinë tonë. Ideja e lirisë u shndërrua në mision
qytetar.
Deri në
vitet e rezistencës aktive posedonim si popull trashëgimi të përpjekjeve,
sakrificave dhe viktimizimi, por jo trashëgimi fituesi, tani duhej të fitonim.
Qëllimi i lirisë ishte i madh dhe i drejtë. Atë që imagjinonim besonim se mund
ta realizonim. Ideja e lirisë së Kosovës kishte tejkaluar kufijtë mentalë
lokalë, gjeografikë dhe politikë të Kosovës. Ide që për herë të parë dëgjohej
me simpati dhe interes edhe nga ndërkombëtarët. Transformuam shprehinë e
heshtjes, ankesës, dëshpërimit, vajtimit në masë të theksuar edhe dorëzimit
përballë gjendjes së keqe, me ngritje të zërit, optimizmit, dinjitetit dhe
veprimit me besim në fitore.
Suksesi
i Kosovës është i pakthyeshëm dhe i papërsëritshëm.
“Duhet ndarë mandatet
qeveritare të kujtdo qoftë nga historia e lirisë së Kosovës… Historia e lirisë
së Kosovës në rrafshin e brendshëm ka vetëm një pronar – ai është populli e jo
individi si i veçuar”
Tregimet
e historisë së Kosovës nuk ka nevojë të magjepsin, mitizohen, të ngjyrosen apo
edhe fshihen; e kanë të vërtetën dhe realitetin, kujtimet reale dhe drejtësinë.
Kujtimet krenare të popullit tonë, nuk mund t`i ndryshojnë pavarësisht nga
pretendimet për zbehjen, ndryshimin apo edhe mallkimin të nxitura nga kushdo,
as nga sajesat në sallat gjyqësore. Dija e shoqërisë për realitetin e së
kaluarës mund të keqpërdoret me keqinformime, keqinterpretime, por nuk mund të
mundet nga injoranca, naiviteti apo çfarëdo tendence tjetër.
Rrëfimet
historike nuk duhet të ekzagjerohen apo minimizohen sot, e të bëhen të dëmshme
për shoqërinë nesër. Ky proces do të përcillet nga një transformim normal
historik dhe qytetar. Vlerat sociale si të çdo populli gjatë fazave të ndryshme
ndryshojnë dhe evoluojnë. Është një realitet me kompleksitetet e veta rreth të
vërtetës dhe fakteve, pastaj duhet marre parasysh emocionet, vuajtjet, mëritë,
dëshirat dhe kënaqësia e njerëzve të gjeneratave të ndryshme. Ne nuk paraqesim
përjashtim, këto fenomene i kanë përcjellur edhe kombet me traditë në dije dhe
të emancipuar në rrafshin kulturor, social apo edhe politik. Por, e vërteta
është dhe mbetet më e fuqishme se mashtrimi.
Jemi
vendi dhe shoqëria me historikun universitar më deficitar në Evropë – rreth
vetëm 55 vjet, rreth tri dekada liri dhe historik shtetëror 17-vjeçar. Edhe
historia shqiptare është përcjellur dhe në përmasa të caktuar edhe ndërtuar,
për çka edhe kemi pasur nevojë nga mite, gojëdhëna apo folklor. Por, sot për
gjithçka ekzistojnë faktet, akterët dhe realitetet e jetuara e pothuajse edhe
të shkruara.
Duhet
ndarë mandatet qeveritare të kujtdo qoftë nga historia e lirisë së Kosovës.
Njerëzit e çmuar e bëjnë historinë, ata me pikëpyetje përpiqen ta menaxhojnë
apo kontrollojnë, por këto përpjekje konsumohen shpejt. I tretën koha. Historia
e lirisë së Kosovës në rrafshin e brendshëm ka vetëm një pronar – ai është
populli e jo individi si i veçuar.
Për
veten time, nuk kam qenë vetëm ëndërrimtar i ëndrrave, por kam qenë edhe njeri
i punës për realizimin e qëllimit. Jam krenar me të kaluarën, por jo
nostalgjik, jetoj për të ardhmen.
“Duhet
pasur kujdes, mjafton që individë të një brezi ta gangrenizojnë shtetin dhe
shoqërinë me pasoja dekadash për shërim civil dhe shtetëror. Nuk duhet lejuar
që për agjenda afatshkurtra të cenohet qëllimi gjeopolitik afatgjatë”
Edhe
para vitit 1999 nuk është ndalur asnjëherë rezistenca, por kurrë në histori nuk
kemi vendosur për veten tonë. Qershori i vitit 1999 shënon për Kosovën vitin
zero. Viti i lirisë, drejtësisë dhe demokracisë, i hapur për botën e lirë dhe i
mundësive të papërjetuara në tokën e Kosovës. Kosova u ndërtua si shtet nga
themeli për fat të mirë me ekspertizën më të avancuar perëndimore.
Të vëjë
në lëvizje në mbështetje të lirisë së një populli rreth 2 milionë qytetarësh
(shumica të përkatësisë së besimit islam) SHBA-të, NATO-në, BE dhe vendet tjera
demokratike, fillimisht dukej mision i pamundur. Ishte angazhim kolosal
shumëdimensional – mrekullia ndodhi.
Prandaj
duhet pasur kujdes, mjafton që individë të një brezi ta gangrenizojnë shtetin
dhe shoqërinë me pasoja dekadash për shërim civil dhe shtetëror. Nuk duhet
lejuar që për agjenda afatshkurtra të cenohet qëllimi gjeopolitik afatgjatë.
Shtetin duhet ta forcojmë për të drejtën dhe të mirën tonë, e jo në urrejtje
ndaj askujt.
Lirinë
e fituar dhe shtetin e ndërtuar duhet trajtuar shumë seriozisht.
Kujtojmë,
tragjeditë më të mëdha shqiptare ndodhën në periudhën e katrahurave të
luftërave botërore, luftërave ballkanike ,në gjysmën e parë të shek. të kaluar
dhe gjysmën e dytë të ndarjes së botës në bipolaritet, ku për fatin tragjik,
edhe pse në shtete të ndryshme, hapësira ku jetojnë shqiptarët dhunshëm u vunë
nën ndikimin e të keqes komuniste. Krizat botërore e as rajonale nuk kanë qenë
dhe nuk do të jenë në favor të shqiptarëve.
Kosova
fitoi kur bota kishte arritur maksimumin paqësor të shek. 20.
A do t’i rikthehet politikës?
“Shërbimi publik është jeta ime”
Adriatik Kelmendi: A ju mungon
sot ajo që ju do të dëshironi të bënit, duke përfshirë edhe involvimin aktiv në
politikë?
Hashim Thaçi: Nuk më mungon aktiviteti politik, ndoshta as unë
politikës. Megjithëse politika si zanat është shumë e mirë. Edhe pse sot paguaj
çmim politik, mua më pëlqen dhe e dua. Politika në njëfarë mënyre është edhe
obligim qytetar, përderisa merr pjesë në votime apo edhe duke mos marrë pjesë
fare në votim, deshe apo nuk deshe, njerëzit e politikes janë ata që marrin
vendime për individin, kolektivitetin dhe vendin. Edhe nëse nuk merresh me
politikë, politika ndikon në jetën e secilit. Të rinjtë dhe jo vetëm, duhet të
merren e jo të jenë spektatorë apo komentatorë për fenomenet shoqërore vetëm
përmes aktivizimit mund t`i ndryshojnë dhe udhëheqin gjërat që duan. Duke u
bazuar edhe në përvojën personale, vlerësoj dhe çmoj shumë qytetarin kosovar
për kodet etike dhe mençurinë politike – di kur të besojë dhe përkrahë një
projekt politik, por edhe di kur të abstenojë, apo edhe ndëshkojë me votën e
tyre. Qytetarin kosovar nuk mund ta mashtron askush, e ka shumë të kultivuar
sensin politik. E ka mësuar më shumë nga zori, sesa nga amfiteatrot
universitare.
Unë për
veten time, përmes politikes dhe diplomacisë kam bërë gjërat më të mira për
vendin. Politika kosovare në tri dekada, nga fillimi i viteve 1990-a, ishte në
anën e së mirës, tolerancës, dialogut, paqes dhe zhvillimit. Është i vulosur
fakti historik se Liria dhe shteti i Kosovës mbi të gjitha janë fitore politike
dhe diplomatike, por ky sukses nuk do të arrihej kurrë pa aktivizimin e forcës
fizike qytetare në terren. Do të trajtoheshim nga ndërkombëtarët vetëm në nivel
të shqetësimit ndërkombëtar për shkeljen e të drejtave dhe lirive njerëzore.
Kjo e dhënë nuk e shqetësonte fare S. Millosheviqin.
Prandaj,
rezistenca nuk ishte ndjenjë e shpërthimit emocional, apo e ndonjë pretendimi
aventure heroike – LIRIA dhe PAVARËSIA ekskluzivisht ishin nevojë ekzistenciale
dhe qëllim politik me standarde demokratike e formësuar qartësisht.
“Detyrat para Atdheut nuk
kryhen deri në frymën e fundit të jetës”
Adriatik Kelmendi: Kur ju do ta
rifitoni lirinë, krahas ribashkimit familjar, çka do donit të bënit?
Hashim Thaçi: Rikthimi në familje është i pasfidueshëm. Sa i
përket gjërave tjera do bëje angazhim që buron nga pasioni im. Do bëj atë që më
do zemra. Jeta politike nuk paraqet preokupim dhe nuk më mungon. Jam i
tejpërmbushur; kam qenë lider studentor, luftëtar lirie, shef opozite për vite,
disa herë kryeministër, zv.kryeministër, ministër i jashtëm dhe President.
Detyrat para Atdheut nuk kryhen deri në frymën e fundit të jetës. U përkulem
gjithmonë qytetarëve të Kosovës për besimin që më dhanë për mbi dy dekada. Nuk
paraqes garuesin e as rrezikun politik për askënd. Por, shërbimi publik është
jeta ime.
Adriatik Kelmendi: Si e shihni
perspektivën personale dhe politike pas këtij procesi gjyqësor, pavarësisht nga
vendimi?
Hashim Thaçi: E ritheksoj, perspektivën personale e kam të lidhur
krejtësisht me familjen. Sa i përket relacionit me politikën, mund të them me siguri
të plotë – nuk do të pretendoj të rikthehem shtigjeve dhe rrugëve që i kam
kaluar. Kam në mendje ide në perspektive, por asnjëra nga ato nuk lidhen me
politikën. Çdoherë do të jem në përkrahje të njerëzve dhe projekteve të mira.
Nuk kornizohem politikisht. Gjithmonë e shfaq respektin maksimal për
bashkudhëtarët me të cilët kaluam ballafaqime e shënuam suksese për të cilat
ndihem shumë i nderuar. Do bëjë gjëra që i mungojnë dhe i duhen Kosovës.
“Deri para pak kohësh, ishim
shtet dhe popull në ngritje, duke u respektuar nga të gjithë. Sot duhet patur
kujdes të mos i ngatërrojmë punët vetvetes”
Adriatik Kelmendi: Cili do të
ishte sot porosia kryesore juaja për qytetarët e Kosovës?
Hashim
Thaçi: Mesazh nga qelia, nuk e di a do të ketë kuptim, se di sa do të jetë i
qëlluar apo edhe a do ta dëgjojë apo lexojë kush? Por meqë keni kërkuar, do
shfaq në forme mendimi.
Edhe
sot përcjell dashuri për bashkëkombësit kudo që jetojnë. Respekt për partnerët
ndërkombëtar, me të cilët bashkërisht siguruam dinjitetshëm ekzistencën,
mbijetuam dhe arritëm qëllimin e ndërtimit të shtetit të Kosovës.
Deri
para pak kohësh, ishim shtet dhe popull në ngritje, duke u respektuar nga të
gjithë. Sot duhet patur kujdes të mos i ngatërrojmë punët vetvetes – mendimi im
është të rritet uniteti shtetformues dhe qytetar dhe me shumë besim në
rrugëtimin dhe vlerat euroatlantike.
Në Kosovë “të ketë më shumë
dashuri për shtetin dhe popullin”, në Shqipëri “Edi po e bën historinë
evropiane të shqiptarëve”
Adriatik Kelmendi: Çfarë
mesazhi do t’u dërgonit liderëve aktualë të Kosovës, për shtyrjen përpara të
vizionit tuaj për shtetin?
Hashim Thaçi: Ripërsëris shpreh vetëm opinion, të ketë më shumë
dashuri për shtetin dhe popullin, më shume dialog, tolerancë, bashkëpunim,
respekt për njeri tjetrin. Dallimet politike do duhej t`i shndërrojnë në motiv
për punë më cilësore, shteti mund të ndërtohet fuqishëm edhe ndërkundërshti,
por këto kundërshti të kuptohen dhe respektohen si garë për punë më të mirë, e
jo për të penguar njëri-tjetrin, duke e paguar çmimin Kosova. Liderët janë të
përkohshëm. Kosova është e përjetshme.
Shqipëria!
Pas tri dekadash me ngritjet dhe rëniet e veta, Shqipëria po e përmbyll në
mënyrë mbresëlënëse tranzicionin demokratik.
Sot,
Shqipëria është një vend i respektuar dhe i besueshëm nga bashkësia
ndërkombëtare. Është nder kur shihje Shqipërinë të udhëhiqte takimet e
Këshillit të Sigurimit, me agjendë të koordinuar me SHBA-të dhe fuqitë tjera
perëndimore. Shqipëria e zhveshi para botës agresionin rus në Ukrainë.
Shqipëria
e mbështeti, mbrojti dhe afirmoi fuqishëm dhe dinjitetshëm shtetin e Kosovës.
Shteti
i Kosovës duhet t`i kontribuojë fuqizimit të Shqipërisë, e jo ngatërrimit të
saj në rrugën evropiane. Shqipëria të mos kuptohet dhe trajtohet me mentalitet
të lagjes së një cepi kombëtar, por në rrafshin gjeopolitik, ashtu siç edhe
është shtet i respektuar anëtar i NATO-së.
Sot,
roli i Shqipërisë në rajon është lider në iniciativa për paqe dhe zhvillim.
Shqipëria
me gjithë vështirësitë ka rienergjizuar konsolidimin e institucioneve demokratike,
po i fuqizon reformat në politikë, drejtësi dhe ekonomi. Me këtë ecje është në
rrugë të sigurt dhe të shpejt për anëtarësim në Bashkim Evropian.
I
mbetet vetëm standardizimi evropian.
Shih
vonesat që po i ndodhin Serbisë, Mali të Zi, Bosnjës dhe Hercegovinës,
Maqedonisë… të gjithë ishin para Shqipërisë, ndërruan pozicionet. Shqipëria po
udhëheq bindshëm rrugëtimin evropian nga vendet e rajonit.
Pas
anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, zotimi i Kryeministrit Rama për të
organizuar Samitin e NATO-s në Tiranë në 2027 është impresiv dhe historik, jo
vetëm për Shqipërinë, por për gjithë Ballkanin Perëndimor.
Shqipëria
në vetëm pak vite më parë nga një shtet i përçmuar dhe i tallur nga shumë anë,
sot është shndërruar adresë – shembull i mirë i ndërtimit të historisë
euroatlantike.
Vrullshëm
Shqipëria po bëhet atraktive. Është fantastike, të lexoj artikuj apo shoh
dokumentarë në mediumet më prestigjioze të botës për impresionin e turizmit
historik-kulturor, bregdetar, malor, me plot bukuri dhe mundësi të reja.
Të
gjithë këta faktorë dhe të tjerë e kanë bërë Shqipërinë më të qasshme, më
komode e më konkurruese.
Pengesa
e vetme për vonesat eventuale për një të ardhme të shkëlqyer për Shqipërinë dhe
Kosovën mund të jenë vetëm shqiptaret.
Shqipëria
sot, është në drejtimin e duhur, e destinuar të ketë të ardhme të sigurt
perëndimore.
Edi
Rama po dëshmon vizion të shëndetshëm e modern me plot optimizëm dhe besim.
Edi po
e transformon dhe emancipon Shqipërinë dhe shqiptarët.
Edi po
e bën historinë evropiane të shqiptarëve.
Marrë nga Klan Kosova: