Kerko: a
Kristinë Oroshi: Gjama për Kapidan Mark Gjon Markun paraqitur në poemat e Ernest Koliqit dhe Gjon Melyshit
E shtune, 14.06.2025, 07:22 PM
Gjama për Kapidan Mark Gjon Markun paraqitur në poemat e Ernest Koliqit dhe Gjon Melyshit
Nga Msc. Kristinë Oroshi
Shpeshherë për heronjët e kombit shqiptarë përveç aspektit historik ku shkruhet dhe flitet përmes fakteve shkencore për rolin e tyre, një rol të veqantë në prezentimin e atdhetarisë dhe qendresës së tyre e luajnë edhe poemat që shkruhen nga shkrimtarët dhe bashkëluftëtarët e tyre të cilët paraqitën heroizmin në vetën e parë. Në këtë studim do të bëj një analizë për dy poema që ju janë kushtuar Kapidan Mark Gjon Markut. Njëra poemë është shkruar nga shkrimtari dhe studiuesi euroditë profesor Ernest Koliqi i cili në poemën kushtuar Kapidan Mark Gjon Markut me titull: Kanga e Kapidan Markut e përshkruan në mënyrë mjeshtërore përmes vargjeve ku çdo varg është një poemë në vetë dhe çdo strofë paraqet një histori që ka ditur ta paraqes dhe ti këndoj vetëm mendja e artë e profesor Ernest Koliqit. Në këtë poemë profesor Koliqi paraqet një histori dhe qëndresë te tanë të nacionalizmës shqiptare duke u fokusuar më së shumti në qendresën e Mirditës dhe mirditorëve të cilët nuk e qajnë Kapidan Mark Gjon Markun por atë e qanë Shqipnia për faktin se rënia heroike e Kapidan Mark Gjon Markut është një rënje e Shqipërisë e cila edhe sot e asaj dite nuk është duke e marrur vetën nga plagët dhe varrët që i ka lënë komunizmi. E kur luftëtari bije në luftë ipet edhe kumti i hidhur apo siç quhet ndryshe kumti i dheut për qëndresë dhe mbrojtjen e atdheut. Këtë kumtë të trishtushëm profesor Koliqi e paraqit me një mjeshtri shkrimi pa e lënë anash edhe gjamën që e shkruan edhe ai vetë si dhe dhimbjen ashtërorë e paraqet në dhimbjen mendore ku vargu ecën shumë rrëshqitshem duke e dhënë kumtin e dheut për ramjën e Kapidanit të Mirditës:
" Mbi djepa qi pertrijn nder mote fisin
nanat me lot nji emen përshperisin.
Vrik prej maleve derdhet kah jallija
nji kumt i zi dhe preket n'palc Shqipnija,
e veton qielli me ndeshtrasha t'zeza,
ngrehen n'prigjim dhe t'deknit nder vorreza
kah paq nuk po e kanë eshtnat n'nat' vorrit,
hapet prej Veleçikut n'cep t'Tomorrit,
kthen prej Tomorrit n'cep t'Veleçikut
ai kumt e loti rrjedh idhun çerpikut
tue pikllue njajzi dashamir e shemër:
Nanës Shqipni nji pikë i ra mu n'zemër!
Thot' kumti se rraz malit buz' nji prronit
dekun u rrzue Kapidan Marku i Gjonit.
Si u ngjau dikur fatosave t'Omerit
mbi mbejtin shfryen anmiqt pezmin e vnerit
neper qytet ku lshon hije Rozafati
n'pluhun t'udhve tu' e ngref' rreshqan për s'gjati.
Vrret e gazmohet turma me keçana
lum se po shfren per s'dekni n'Kapedana. "
Në këto vargje epike profesor Koliqi paraqet edhe shfryrjen e pezmit dhe vnerit që e bënë ideologjia pansllavisto-komuniste duke u hakmarrë në kufoma. Kjo nuk ka qenë asnjëherë traditë e shqiptarit për faktin se ngremja e kufomës nëpër rrugët e Shkodrës, paraqet një shemti dhe një kumt të zi se në Shqipëri po vjen një ideologji e zezë për ta vrarë Shqipërinë. Ky veprim është veprim që e bëjnë vetëm komunistët dhe idologjia pansllaviste e cila në pamundësi që ta nxënë të gjallë princin e Mirditës ajo hakmerrët për se vdekuri. Në traditën shqiptare asnjëherë nuk është masakruar kufoma por ajo është kthyer mbarë nga vrasësi.
Deri sa në pjesën e parë të poemes profesor Ernest Koliqi përshkruan veprimet e shëmtuara të komunistëve pansllavistë ai asnjëherë nuk ndalet pa e paraqitur edhe madhështinë e mirditorve në veçanti dhe të gjithë shqiptarëve në përgjithësi për gjamën dhe vajin që e bënte Mirdita për vrasjen e Kapidanit te tyre. E kush tjetër përveç Koliqit e paraqet në vargje këtë gjamë dhe vajit të mirditorëve ku shkruan:
"Por pa pritmas men brima edhe pran zhurma
e pihet shtang para kufomes turma
kah vizlon mbi ball t't'deknit nji dell drite,
shej jetik n'Kapidana prej Mirdite.
E i duket, prisi i rrzuem, çudis anmike
i madh si div plot hijeshi fisnike.
Vajton granija e po ban gjam burrnimi
po e ama zemrën ndryn n'nji dry heshtimi,
pik loti ajo nuk derdh qi mbet shkret votra
edhe vajin ndalon n'vllazën e n'motra:
- S'e qajm na Markun, le t'a qaj Shqipnija,
pse rrezja e fundme ai kje qi lshoi lirija
Kapidanat robnin veç druen per s'gjalli,
lumnojn kur desin t'lir me 'i plumb ke balli,
lumnojn kur fiken porsi yjt e dritës
n'lamin e nderit kah i prijn Mirditës,
nji grusht Mirdit' qi don t'i kndohet kanga
se zbret në vorr për mos m'u lidh' me pranga. "
Në këtë poemë veprimi i Nanës së Kapidan Markut pë të mos derdhur lot duke i thënë fjalët aq të mëdha që mund ti thonë vetëm nënat mirditore që kanë qenë krah i djathtë dhe përkrahëset më të mëdha të Derës Princore të Gjon Mark Gjonit kur ju drejtohet vajzave dhe grave të shtëpisë dhe të gjithë Mirditës se nuk e qajmë ne Markun le ta qanë Shqipnia. Kjo tregon se këtu nuk është vrarë vetëm Kapidan Mark Gjon Marku por është vrarë e tërë Shqipëria e cila edhe sot e asaj dite nuk është duke e gjetur rrugën e Shqiptarizmës. Këto fjalë të nënës së Kapidan Markut kanë të bëjnë edhe me amanetin që ju kanë lënë familjarëve Kapidan Mark Gjon Marku dhe Kapidan Llesh Gjon Marku që ju kanë thënë se mos te derdhin lot kur ta marrin lajmin për vrasjen e tyre. Këtë e dëshmon edhe motra e Kapidan Mark dhe Llesh Gjon Markut, Bardha Gjomarkaj të cilës kur ia kanë sjellur lajmin në burg pasiqë ishte e burgosur një polic komunistë i thot Bardhes.: "A e din moj se te kem vrarë vëllain? Princesha Bardha përgjigjet: jo nuk e di.E polici i thotë ta kemi vrarë dekun.Bardha ie pyet a dekun a gjallë?! Polici kërcen lart si a dekun a gjallë?! Princesha vazhdon:Te them a dekun a gjallë për faktin se ata vëllezërit e mij kur kanë dalë në mal na kanë thënë:" Nëse ndëgjoni se na kanë kapë gjallë mos hajdeni me na pa në burg se nuk e kemi kryer detyrën ndaj atdheut. Porë nëse kemi ra dekun mos derdhni lot për ne se e kemi kryer detyrën ndaj atdheut. " Meqense profesor Koliqi në këtë poemë paraqet një histori në vete ai nuk harron të dërgoj edhe porosinë përmes vargjeve të shkruara që i kishte lanë kapidan Marku për babain e ti Kapidan Gjon Marka Gjoni si dhe rikthimin e Mirditës dhe Shqipërisë në Demokraci ku shkruan:
" Bri votrave n'Mirditën thepa thepa
shka pershperisin nanat permbi djepa?
Fjalën e fundit qi me za t'thekun
la Kapidani para se me dekun:
- Ju shtegtar', kushdo qofshi, qi kerkoni
rrugat e botës, Plakut t'em m'i thoni,
per n'm'a takofshi kund nder dhena t'hueja:
Vul' gjaku u vuna porosive t'ueja:
dathë ase mbathë e ngran' pa ngranë un ngjitas
t'mirën e t'keqen dava me Mirditas,
vuejta me ta, dhe vdiqa kur erdh dita
e Derën e Kanunit s'ta korita.
Heshtet atdheu kaplue nën tmerr e droje.
Por nesër prap lahuta do t'tinglloje,
ke mrizet e lejthive hije - leta
prap do t'vijoj' bariu jonet e veta,
vashave t'ona do t'i hiqet futa,
lirisht kah qielli do t'naltohet luta:
- Lum për Ty, Zot i lum, qi na dhae jetën,
neper Ty mjerime e gzime vijnë e tretën:
ban Ti qi gjaku i derdhun, sot e prore
flamurin t'on' t'a kuqi n'ngjyr' gazmore
dhe neper troje t'lira t'ksaj Shqipnije
nji popull i vllaznuem t'i struket n'hije. "
Një poemë shumë domëthënëse që paraqet edhe shumë informacione për qëndresën e Kapidan Mark Gjon Markut me shokë është edhe bashkëluftëtari i Kapidan Markut, Gjon Melyshi ku e përshkruan me mjaftë mallë por edhe atdhedashuri duke u gëzuar se lumtë na që nuk na u vuan prangat por ndoqëm pa u ligshtue kapidanat. Kjo poemë përpjekje për liri të Shqipërisë hyn në njërën nder dy poemat më të përsosura që iu kanë kushtuar Kapidan Markut. Që në pjesën e parë të kësaj poeme që Gjon Mëlyshi është interesantë ndamja që bëhët me nanën e ti por edhe amaneti që i len nana se duhet t´iu bashkohesh dy kapidanave se ata i takojnë Derës se Gjomarkut që historikishtë e kanë udhëhequr Mirditën në luftërat heroike për mbrojtjen dhe ruajtjen e Shqipërisë:
"Kur bolsheviku, zaptoi Shqipnin
Me zuni Rreziku me lanë shtëpin.
Me zemër të plasun: u nisa, shkova;
Me lot për faqe nanën qafova.
Tuj më më ndjekë, e shkreta desht me m´ndalue,
Mbasi un shtekun, kishim fillue.
E pëveta me furi:shka don?
Me mallë si fëmij, këto fjalë thekson:
Ndoshta, na ma ,s´kemi m´u takue,
Por, amanet, gjallë mos m´u dorëzue.
Me të prij ty, kanë dy Kapidanat,
Qi ma të mirë nuk i banë nana.
Kah len dielli, e perendon hana.
Thotë edhe Kanuni,qi asht Traditë.
Ruejt e mbajtë, këtu në Mirditë.
E mbasi e dave ti me shkue,
Me Prijsat t´onë veç me u bashkue. "
Në pjesën e dytë të kësaj poeme luftetari i lirisë Gjon Melyshi shkruan edhe për takimin me Kapidan Mark Gjon Markun dhe gëzimin e ti se tash veç se është ushtar i Lirisë edhe pse kishin filluar persekutimet kundër familjes duke e quajtur reaksionar dhe terma të tjerë ideologjik.
" Mbasi në mal dola, porsi koçak,
Reaksionarë emnin, mora në Bajrak.
Prej asaj dite, veshem ore,
Porsi hyllë drite, ndër të gjith ne,
Dukej kush prite, Marku si rrfe.
Të lumt na që s´na u vunë prangat,
Por ndoqëm, pa u koritë, Kapidanat. "
Gjon Mlyshi paraqët edhe gëzimin se nuk ka ra në dorë te komunistëve por është duke luftuar krah për krahë me Kapidanat. Kjo që shkruan Melyshi ishte një përkrahje që Mirdita historikisht i kishte dhënë përkrahje Derës se Gjomarkut në bazë të Kanunit të Lekë Dukagjinit se Derës së Gjomarkut nuk i kanë borgj asgjë Mirdita përveç se një mashkull për shpi nëpër luftëra heroike atëherë kur ipet kushtrimi për lirin e Shqipnisë.
Në pjesën e tretë të kësaj poeme Melyshi na jep edhe të dhëna ineteresante për dakordimin e Komandantit të Përgjithshëm të forcave të armatosura shqiptare Kapidan Mark Gjon Markut dhe zotëri Hudsonit për sulmin e forcave nacionaliste në Tiranë dhe rreximin e bandave komuniste që e kishin okupuar me dhunë dhe gjak pushtetin në Tiranë dhe vazhdonin vrasjën, burgosjen dhe masakrimin e shqiptarëve atdhetarë. Ai nuk harron të përmend edhe përgaditjet që kishin bërë edhe atdhetarët e tjerë për t´iu bashkangjitur kapidan Mark Gjon Markut siç ishte Hamit Matjani dhe profesor Alush Leshanaku.
"Kështu kalojshin, dimën e verë,
Por, trimat s´drojshin me thanë nji herë.
Të gjithë tregojshin: Bes,Lavd e Nderë;
Në sulme kalojshin, jetën pa vlerë
Kur Marku na tha: shpresa, mëvaret vetëm te na,
E lidhun kje, Besa në veri gjithkahë,
Lajme dhe shkresa vishin,pa da.
S´kishte pengesa, Tiranës me i ra.
Edhe në Tiranë, prej Mister Hudsonit ,
Pelqimi iu dha Markut të Gjonit,
Mandej u dijte, se Elbasanin,
E mbate Alushi, me Hamid Matjanin. "
Edhe në pjesën e katërt Gjon Melyshi pershkruanë ne detaje se si do te fillonte plani për marrjen e Tiranës porë që fatkeqësia ndodhi kur ne një pritë dhe me tradheti vritet Komandanti i Përgjithshem i forcave të armatosura kombtare të cilën bashkluftetari i ti Gjon Melyshi e përshkruan më një dhimbje të madhe shpirtërore në pjesën e pestë te poemes ku shkruan:
"Por ofshë!Zoti se kish thanë,
Se në rrugë, tuj ra natën pa hanë
N´at t´zezë Bojtinë, na vranë Kapidan.
Eh, ajo orë ,e kjoft mallkue!
Qi si dha dorë,Markut me pshtue.
Qe pra, fati i Shqipnis,
Me mbetë prapë, ndër thoj të Rusis,
Por ,na të malit, qi pshtuem pa u vra,
Luftë komunizmit, i hapëm pa da.
E prap ndër ne , kish djelm si Zana,
Të lemë e të rritun, ndër Kapidana.
Ndër Kapidana prej Mirdite
Lleshi shkelzete ,porsi hyllë drite. "
Vrasjen e Komandantin Legjendar Kapidan Mark Gjon Markut ushtarët e Nacionalizmës shqiptare e perjetuan shumë ranë por ata gjetën shpëtimin tek luftëtari tjetër i Derës se Kapidanëve të Mirditës kapidan Llesh Gjon Marku i cili si një kreshnik i maleve të Oroshit u vu në krye të luftëtarve deri sa ra heroikisht dhe pa ju trembur syri fare.Në pjesën e shtatë të kësaj poeme të shkruar me mjaft dhimbje nga bashkëluftëtari i Kapidan Markut, Gjon Melyshi janë shumë domëthanse vargjet për rënien heroike të Kapidan Llesh Gjon Markut dhe mosdorzimi i ti ashtu siç ishte betuar në Kuvend se do të luftoj deri në pikën e fundit te gjakut.
Por, medet, o Zot Medet!
Lleshin shtrejt, e kanë zatet,
Shtrejt zatetë, nji ushtri e huej,
Dhe pa turp i thanë: ruej!
Nëse Ti,s´don me u damtuar,
Në kaq, komisari, tuj fole iu afrue,
Si hu gardhi, trupin lakue.
Por ,s´foli ma, me Kapidan.
Se pushka e muer, anë e mbanë.
Në pjesën e nëntë dhe te dhjetë të kësaj poeme Gjon Melyshi na jep qartë luftën shtatë orëshe të Kapidan Llesh Gjon Markut derisa bije heroikisht duke e paguar vetën shumë fish.
" Pushka krisi ,u dridh Mirdita,
Kush e nisi ?i pari komita?
Atëherë Lleshi, të madhe vikati,
Ushtoi mali, gjimoi shpati,
Mos kujtoni, or t´kuq tradhtarë,
Se më dorzoni, nder komisarë.
Njai Llesh Gjomarkaj, un jam,
Qi përmbi Atdhe , kurgja nuk kam.
Nuk njoh frigë, s´dij me u trishtue,
Ose me ikë, pa pasë luftue.
T´a dini veç, se un kur shti,
Plumbi s´shkon hup, por, mish perpi.
Sikur patë, vetë se komisari
Shembull m´at jetë, ai shkoi ma i pari.
Pra mendoni, kur ndrroni vend,
Se do t´pendohi, ju tham, pernji mend.
Plot shtat orë ,pushka ka ngiatë,
Dhe me të , në dore, shkoi Lleshi i ngratë.
Kuku qyqja, ç´ban tuj kja !
Sot Shqipnia, në zemër tha.
S´ka ma djelm ,ndër kto ana,
Me përngja ndër Kapidana .
Qi në Mirditë, si dy luana
Në ma të mirën ditë,u banë kurbana. "
Këto dy poema që ju kanë kushtuar kapidan Mark Gjon Markut nga dy bashkohanikët e ti dhe miqtë e idealit kombtarë profesor Ernest Koliqi dhe bashkluftetari Gjon Melyshi tregojnë shumë qartë se çfarë ishte përkushtimi dhe ideali i miqve te Kapidan Markut për ta vazhduar rrugën heroike te Kapidan Mark Gjon Markut.Këto dy poema janë poema te rralla që përveç anës letrare paraqitën edhe shumë informacione për luftën e nacionalizmës shqiptare.