E diele, 01.06.2025, 06:01 AM (GMT+1)

Mendime

Llesh Ndoj: Ça dukesh apo…?

E hene, 26.05.2025, 06:25 PM


Ça dukesh apo…?

-përtej kuptimit të shprehjes-

Nga Llesh Ndoj

Më bie telefoni dhe nga krahu tjetër tingëlloi në aparatin tim një zë i panjohur:

-Ça dukesh?, më thotë sapo ia hapa telefonin.

-Ku je ti?, i them pa mëdyshje? Dhe vazhdova: ça dukem mund ta dishë ti ose të tjerët, kur më shohin. Unë thjesht mund të të them se si ndjehem…

Këtë shprehje pyetëse e kam provuar ta dëgjoj shumë shpesh kohëve të tashme edhe në takime të çastit e ndërpersonale, kryesisht në zhargonin e rinisë, por edhe ndër të moshuar. Një plak vërtetë në moshë, ulur në një stol në shetitoren bregdrinase, njejtë po e pyeste të njohurin e vet “fshehur” nuk di se ku pas aparatit të celularit dhe, pyetjen “ça dukesh?” e pasoi me pyetjen vijuese: “a je ma mirë”, e cila më dha, jo vetëm të kuptoi se bashkëbiseduesi i tij kishte patur probleme shëndetësore, por edhe përmasën apo qëllimin e vërtetë të asaj çfarë fshihet pas pyetjes “ça dukesh?”. Jo se nuk e dija edhe më parë, por ky bashkëbisedim i një të moshuari më yshti të hedh këta rreshta në letër. Personi në fjalë, nga mosha dhe paraqitja, i përkiste “epokës” kur burrat përshëndeteshin: “A je, si je burrë?” e tjetri të përgjigjej: “Të paçim, a je si je?”! Ça dukesh?, në thelb u përket të tjerëve, jo individit për vetveten, “si ndjehem?” kjo është ajo që mundem t’i përgjigjem unë. Njejtë si në kontrastin apo diferencën mes fasadës së jashtme të banesës ku jetojmë e komoditetit të saj të brendshëm. Fasadën e rregullojmë “për duk”, kryesisht për të tjerët, brendinë për ndjesinë e komoditetin personal e familjarë. Me pá veten se “si dukemi” do të duhet me “dalë jashtë vetes” ose me nejt para pasqyrës gjithë kohën. Apo, më troç, me jetue për të tjerët…

Përtej lojës së fjalëve, të cilat do të kishin pak rëndësi në se nuk do të ishin katapultuar edhe në politikë, edhe në politikat shtetërore qeverisëse, qendrore apo lokale qoftë, kemi të bëjmë me një mendësi tipike shqiptare që, në një mënyrë a në një tjetër, pengon zhvillimin tonë me ritmet e botës, ndaj ky fenomen meriton vëmendje. Tregojnë se një burrë dikur në malësitë tona, vishej e mbathej për bukuri dhe gjithnjë dilte nëpër shokë e miq, ku paraqitja e tij ishte “me të marr në qafë!”. Ai mbante armë në krah e në brez dhe kishte siguruar, me borxh sigurisht, edhe një koleksion armësh në shtëpi. Familja e tij jetonte në kufijt e skamjes… Një ditë, si me fjalë, e mësynë në derë një tubë burrash nga ata që zotëria jo vetëm ua kishte ngrënë bukën disa herë, por edhe ua kishte ça daullen e veshit me të bëmat (t’pa bërat) e tij.

-A don miq, o i Zoti i shpisë?, thirri me të madhe njëri prej mysafirëve që u printe tubës së burrave, si më i moshuari prej tyre që ishte.

-Hajde bujrum! Shtëpia e Zotit dhe e mikut, ua ktheu ai, pa lujt nga ana e oxhakut, ku ishte rehatuar ndoshta qëkur ishte ngrit prej shtratit.

Gruaja e shkretë, e vuajtun nga kjo “dukja” e burrit, ua hapi derën e, si me përvujtëri, u prini burrave për brenda, ndonëse ndjehej e trembur. Miqtë e pa ftuar nuk u zhgënjyen as kësaj here nga “dukja”: I zoti shpisë vesh si për krushkamadh, qestekun e sahatit prej sermi varur nga kopsat e xhepi i xhamadanit, e me kësulën e bardhë në krye, rrinte këmbëkryq mbi një lëkurë të vjetër delje, ndërsa armët e shumta stolisnin kërrabën, varur në odë. I priti miqtë e pa ftuar dhe i ftoi të ulen. Ndërruan dy-tri fjalët e para përshëndetëse me secilin prej tyre dhe:

-Oj nuse!, i thirri plakës, pa lujt nga vendi. Kafet moj, ça pret?

Plaka e shkretë i sajoi si mundi ato kafe, gjysma kafe e gjysma elb, dhe nisi të mendonte me vete:

-E shkreta unë! Si do t’ja bëj nëse ata rrinë për drekë! As bukë nuk kishte, se ara s’prodhonte gja e “trembur” nën krismat e armëve të të shoqit!

Miqtë as që u shkonte ndërmend me kërkue izën për me dal. Duhej vërtetue ose jo lidhja mes dukjes e brendisë me patjetër!

-Nuse!, thirri pas pak i zoti shpisë, pa ndryshuar terezinë fare. Na shtro sofrën e na ban gati bukën për këta miq të nderuar! U ngrit e zonja shtëpisë, ma shumë hije se fizik, mori atë sofër të lame, si drita, e ua vuni përpara, pak bukë që kishte mbet në magje për fëmijët dhe, pa u menduar dy herë, rroku në krah një duzinë nga armët e varura në krrabë të të shoqit e i hodhi me kujdes në sofër:

-Mirë se u ka pr? Zoti, tha gjysëm e fikur. Me ça ka shpia ime brenda, mos më kurseni!

***

Përtej kësaj të vërtete apo edhe sajese në qoftë, a nuk ndodhte gjithnjë kështu në familjet tona në të shkuarën e afërt? Edhe më fukaraja në fshatin në të thellë malorë, e kishte një dhomë pritjeje për miq, me komoditete të pranueshme për kohën, dukshëm shumë më lart se niveli i jetesës së familjes, por pak ose aspak prej tyre kishin dhoma gjumi, qoftë edhe për çiftet e reja e të sapomartuara! Therej edhe dhia e vetme e qumështit për fëmijët, me prit bujarisht një mik, ndërsa fëmijët mbeteshin edhe pa lëngun që, nga hollimi me ujë, thuajse e kishte humbur edhe ngjyrën karakteristike të bardhë të qumështit e nënprodukteve të tij. “Cirilang”, i thonin në zhargonin popullorë.

A nuk veproi kështu edhe regjimi i Enverit që, përtej disa arritjeve të pamohueshme, gjënë më të shtrenjtë që i shiste shqiptarëve e krejt botës kishte propagandën! Si jetonin shqiptarët, pak rëndësi kishte, mjaftonte fasada. Natyrisht udhëheqja ndjehej edhe e lumtur, veç dukut. Arritje të mëdha, por pak bukë në sofër, hiç komoditet në familje e… Asnjë fjalë! Ishim “të lumtur” edhe në burg e i këndonim partisë nëpër skena, se kështu donte partia!

Po sot? Njejtë vazhdojmë: e shesim shtrenjtë tangërllëkun tonë! Shqipëria e sotme, në “dukjen” ballë botës ka bërë hapa gjigand, të ngjashme me “fanarin ndriçues” të Hoxhës, por kjo dukje është larg brendisë, asaj se si ndhehen shqiptarët ekonomikisht e për nga komoditeti material e shpirtëror i jetesës. Pensione më pak se minimale, punë të paguara keq, biznese që zhvillohen me vështirësi, arsim e shëndetësi jo në parametra bashkëkohorë, arrogancë pushtetare në çdo nivel, vijnë përkundër shfaqjes madhështore me të cilën Rama - Kryeministër, priti samitin politik të Evropës në Tiranë. Jo se bëri keq me këtë, por se fokusi i qeverisjes, sidomos në këtë mandatin e tij të katërt, duhet futur dukshëm në brendinë e cilësisë së jetesës së shqiptarëve, duke synuar që “sofra” e tyre të ketë më shumë mirëqënie se “armë”… Shikoni qendrat e qyteteve, po të doni! Vërtetë ka arritje të mrekullueshme, ka rrugë të gjëra, ndriçim, vijëzime në rrugë e shumëçka tjetër, por vetëm pak metra më përtej, aty ku mjafton njé pallat mos me e pá syni i lirë e ku nuk shkon dot makina e kryetarit, ka një “botë tjetër”: as rrugë, as trotuare, as ndriçim, as kurrë fshesë pastrimi, as… Po! Ka gjelbërim, por nga Zoti, jo shërbimet e bashkisë!

Shihni edhe skenën postzgjedhore po të doni: të dy palët, në thelb janë të kënaqura, por e fshehin atë ndjesi për ne, duke shpalosur para nesh e para botës një shfaqje, një duk që ta pështiros! Pozita, e përmbajtur në vetvete, vazhdon të mendojë se shqiptarët janë “të dashuruar” me të e kjo u mjafton me këndue kangën e fitores “si gjeli maje plehut”, që himnizon disa suksese të arritura prej tyre, përballë halleve të shqiptarëve e skandaleve të panunërta qeveritare. Po opozita? Në thelb, e kënaqur me “konsolidimin” e vetvetes si “grumbulli i plehut” ku mbretëron lirshëm gjeli Berisha i Tretë, i duhet të krijojë fasadën apo dukun e viktimës nga vjedhja e zgjedhjeve, e njëkohësisht të trimit të çartun që do t’i zhbëj ato! Sa shumë vlen “sofra” e tyre me këto “armë”, veç ata e dinë, por mua më shqetëson fakti se, kur ne shqiptarët do të nisim të pyesim veten: si ndjehemi, jo si na shohin të tjerët?!

***

-Si ke qenë?!, më pyet një dashamirës një ditë në telefon.

-Kur kam qenë njëzet e pesë vjeç, s’ka ma mirë, i them. Ndjehesha se mund të përmbys edhe malet me një grusht…

-Si je?, e ndryshoi pyetjen aty për aty ai.

-Të paça, a je si je?, e përmbylla këtë fillimbisedë të gjatë unë, për të vazhduar pastaj shkurt mbi shëndetin, punët, hallet e gëzimet e ditës!

Lezhë, më 26 maj 2025



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Kalosh Çeliku: Babën ua dimë, jo dhe nënën Skender Jashari: Postimet, shpërndarjet, komentet që inkurajojnë-nxisin a glorifikojnë terrorizmin Luan-Asllan Dibrani: Nga Zëri i Kombit te Zëdhënësi i Kalifatit Idriz Zeqiraj: Votimi i fshehtë është shenjtëria e demokracisë Rexhep Shahu: Përdhunimi i zgjedhjeve Fritz Radovani: Turpi edhe perseritet! Nikoleta Kovaçi: Në Spaç, në vendbanimin e harruar të shpirtrave të Lirisë! Kalosh Çeliku: Dashuria platonike e partive politike shqiptare Reagim Publik nga Rrjeti i Prindërve Edukues të Kosovës, Lidhur me rastin e refuzimit të regjistrimit të një fëmije me Sindromën Down Gjon Keka: Kosova don me hy në librin e Guinness për cirkun e seancave të përsëritura të Kuvendit Nikoleta Kovaçi: Regjimi stallor që prodhoi turpin elektoral! Federata e Arbërisë: Thirrje për Bashkimin e Trojeve Shqiptare në një Shtet të Vetëm Klajd Kapinova: 1 milion skllëver shqiptarë që vuajnë nga forma e varfërisë së rëndë, votojnë për mafien politike dhe shkaktarët e barktharjes së tyre Klajd Kapinova: Imzot James Martin, është një Jezuit Amerikan i cili fatkeqsisht Themeloi Ministrinë e Shtrirjes së Plotë të LGBTQ+ në kishat katolike Federata e Arbërisë: Dënojmë aktin vandal ndaj figurës së Komandant Ridvan Qazimit – Lleshi dhe theksojmë diskriminimin ndaj shqiptarëve në Serbi dhe Sanxhak Fahri Xharra: Avala e Beogradit një kodër skordiske Mihal Gjergji: Kominterni shqiptar Idriz Zeqiraj: Zbatharakët dhe brekëgrisurit e djeshëm, u bënë milionerët e sotëm! Nue Oroshi: Humbja e idealizmit Sonila Meço: Kur drejtësia është lavjerrës, zgjedhjet janë hipnozë

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx