Mendime
Reagim Publik nga Rrjeti i Prindërve Edukues të Kosovës, Lidhur me rastin e refuzimit të regjistrimit të një fëmije me Sindromën Down
E enjte, 22.05.2025, 06:55 PM
Reagim Publik nga Rrjeti i Prindërve Edukues të Kosovës
Lidhur me rastin e refuzimit të
regjistrimit të një fëmije me Sindromën Down nga British School of Kosova
Sot, të rënduar por me vendosmërinë e një komuniteti që
lufton për të drejtat e të gjithë fëmijëve pa dallim, ne, Rrjeti i Prindërve Edukues të
Kosovës, reagojmë fuqishëm ndaj lajmit se shkolla private British School of Kosova ka
refuzuar regjistrimin e një fëmije vetëm për shkakun se fëmija është me
Sindromën Down.
Kjo qasje diskriminuese dhe përjashtuese është e
papranueshme në një shoqëri që synon të ndërtojë vlera demokratike,
gjithëpërfshirëse dhe të barabarta për të gjithë qytetarët e saj, veçanërisht
për më të vegjlit e saj – fëmijët.
Refuzimi i vajzës së vogël, Nisa, për të ndjekur mësimet
në një institucion arsimor nuk është vetëm një padrejtësi ndaj një fëmije dhe
një familjeje – është një dështim institucional dhe moral që i bën dëm të
gjithë shoqërisë.
I bëjmë thirrje publike:
British
School of Kosova që të rishqyrtojë menjëherë vendimin e saj, të kërkojë falje
publike dhe të ndërmarrë hapa konkretë drejt krijimit të një mjedisi
gjithëpërfshirës;
Të gjitha
institucionet shkollore, publike e private, që të rikonfirmojnë
angazhimin e tyre për përfshirjen e fëmijëve me aftësi të ndryshme, duke mos
lejuar që paragjykimet dhe praktikat diskriminuese të bëhen normë;
Institucioneve
shtetërore dhe veçanërisht Ministrisë së Arsimit, që të marrin këtë rast me prioritet absolut,
të hetojnë situatën dhe të sigurojnë që të gjitha shkollat në vend të jenë të
obliguara të respektojnë ligjet për të drejtat e fëmijëve dhe përfshirjen e
tyre në arsim.
Ne nuk do të ndalemi derisa çdo fëmijë në Kosovë,
pavarësisht prejardhjes, gjendjes shëndetësore apo aftësive të tij, të ketë të
drejtën dhe mundësinë e barabartë për edukim, zhvillim dhe jetë me dinjitet.
Fëmijët si Nisa nuk kërkojnë
mëshirë – ata meritojnë mundësi. Dhe kjo është përgjegjësi e të gjithëve neve.
Me solidaritet dhe vendosmëri,
Rrjeti
i Prindërve Edukues të Kosovës
Ju bashkëngjisim reagimin e prindit dhe kontaktin e tij:
Prindi: Burim Sopa |
https://www.facebook.com/burim.sopa.39/posts/24090701060527422
Kontakti i Rrjetit të Prindërve
Edukues të Kosovës
Adresa:
Rr. Shaip Spahia, Prishtinë
Tel: 044253153