Kerko: a
Mihal Gjergji: Kominterni shqiptar
E diele, 18.05.2025, 06:58 PM
KOMINTERNI
SHQIPTAR
Nga
Mihal Gjergji
Në
përfundim të luftës së dytë botërore, Uinston Çërçill u sygjeroi amerikanëve që
të sulmonin Rusinë, duke parandjerë rrezikun potencial që do të vinte nga
ideologjia komuniste. Amerikanët kundërshtuan. Ishte përsëri Uinston Çërçill i
cili më 19 shtator 1946 propozoi formimin e Shteteve të Bashkuara të Evropës,
si një front i bashkuar kundër Federatës Ruse. Kohë më vonë do të merrte jetë
propozimi i kryeministrit britanik. Aktualisht, Bashkimi Evropian (BE) bashkim
i 27-të vendeve anëtare, i krijuar me qëllim përforcimin e bashkëpunimit
politik, ekonomik dhe social, përjeton krizat më të thella; ekonomike, morale
dhe politike. Themeluar nga Traktati i Mastrihtit, në vitin 1993, BE-ja
pretendonte të ishte më shumë se një integrim ekonomik. Po cfarë ndodhi me
Rusinë? Ajo është përsëri aty, mes vendeve evropiane, me ideologjinë, forcën
ekonomike dhe rjetin e padukshëm të spiunazhit. D.m.th, BE-ja do të merrte
formën e një Kominterni të ri, në dukje me një ideologji ndryshe dhe me ëndrra
bashkuese rreth një tryeze. (Me siguri keni dëgjuar për Kominternin, i cili u
themelua në Moskë në muajin mars 1919 me qëllimin për të përkrahur qeverinë
sovjetike dhe për të favorizuar përhapjen e partive komuniste në të gjithë
botën, gjithashtu dhe revolucionin botëror. Sëmundja e Moskovit pushtoi dhe
Shqipërinë e drobitur nga luftrat e pandërprera dhe sundimi gjakatar i
pushtuesve të huaj). A do të kemi edhe ne një vend ku të ulemi krah të
mëdhenjve, atyre që marrin vendime në forumet drejtuese të BE-së? Le të
shpresojmë, por mos harroni rolin e Kishës Ortodokse dhe boshtin e së keqes për
vendin tonë; Paris-Beograd-Athinë. Kryqi i mallkimit vazhdon të tundet sipër
nesh prej 200 vjetësh. (Kishën shqiptare e penguan të përcillte fjalën e Zotit
në gjuhën tonë të bukur, besimtarët e saj i përndoqën dhe asimiluan aq sa
mundën). Dhe pikërisht në këto qendra (Paris, Beograd, Athinë) u trajnuan
mëkatarët që do të drejtonin Shqipërinë, qysh nga Enver Hoxha e duke vijuar me
ata që hodhën në humnerë mundin dhe djersën e këtij populli, shkatërruan uzina,
fabrika, institucione, ushtrinë me vlerat materiale të llogaritura në 100
miliard dollar dhe gjithcka tjetër. Po kështu edhe mëkatarët pasues që
denatyruan në shkallën e shfytyrimit të plotë njeriun shqiptar, tashmë me
psikikën dhe dukjen e skllavit (aq sa kishte mbetur nga sundimi i diktaturës së
proletariatit). E shanë, e pështynë, e tallën…Dhe të gjitha këto ndodhin para
syve dhe nën kujdesin e Evropës që e dëshirojmë aq shumë. Mirëpo armiku i
vjetër s’mund të bëhet mik i ri, kështu thotë populli. Ne jemi evropianë,
gjeografikisht dhe me kontributet tona historike të patjetërsueshme, para dhe
pas Skënderbeut. Drejtuesit e BE-së (ata që na coptuan me traktatet e tyre
famëkeqe) s’harrojnë ta vizitojnë Tiranën për të parë ecurinë e eksperimenteve
të tyre. Në këto rrethana shqiptarët morën rrugët e mërgimit, jo duke luftuar
me të keqen por duke ju larguar asaj. Dhe e dini si ndjehen? Si Alcesti te “Mizantropi” i Molierit:
“Ngado i tradhtuar,
padrejtësisht m’sulmojnë
Do zhdukem nga ky pus ku
veset triumfojnë
Dhe do kërkoj në botë
një vend, sado të mjerë
Ku, duke qënë i lirë, të
mund t’jetoj me nder”.
E
shikoni pra, si përsëritet historia! Sundimtarët e Shqipërisë mbledhin liderët
e shteteve evropiane në Tiranë, i presin me hosanara e dorën në zemër, u
përulen në gjunjë dhe u puthin duart, u shtrojnë trapezin sic e do zakoni dhe
mandej shpalosin idetë për ndryshimin e kontinentit të plakur, pa ndryshuar më
parë veten tonë dhe Gadishullin Ilirik ku bëjmë pjesë. A nuk meriton të quhet një komintern i ri me
emërin tonë? Kominterni bolshevik funksionoi deri në vitin 1943, d.m.th punoi
24 vite. Po të shikojmë BE-në nga brenda, krizat dhe korrupsionin, burokracitë
dhe trajtimet paternaliste sipas preferencave, me siguri që do të ketë të
njëjtin fat, do shkërrmoqet duke mbetur kështu një ëndërr e parealizuar në
mendjen e Çërçillit. Ndërsa ne do të jemi përsëri këtu, të varfër e të lënë
mënjanë dhe mbrapa botës, sepse gomarin e nxjerr i zoti nga balta, të tjerët
bëjnë sehir dhe shprehin keqardhje.
Tiranë, Maj 2025.