E enjte, 01.05.2025, 07:37 PM (GMT+1)

Kulturë

Zholi-Moikom Zeqo: Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që nuk boton gazeta dhe revista letrare serioze

E merkure, 11.02.2009, 08:20 PM


Sot ka manipulim, se sa shfaqje të së vërtetës

Nga Albert Zholi
 
somario
Njerëzit e vërtetë të kulturës çuditërisht kanë një status zero nga politika e ditës


Shkollimi universitar privat është kthyer në një biznes të frikshëm, duke krijuar njerëz me shkollim të rremë dhe jo të vërtetë

hyrje

Kam në duar i nderuar Moikom një librin tënd të ri me titull “Muzika e Universeve” e ku përfshihen 6 ese në formë palimpesti (ku librat, gjërat vendosen njëra mbi tjetrën) flitet për zanafillën e natyrës, artin, mistikën, palimpest pa numër, palimpesti kuptimit. Më tërhoqi që në fillim vëmendjen kjo frazë
“Të shkruash palimpeste është një realitet psikologjik, dinakëri diturake, këndellje e fshehtë, një heliogram shqisor. Informacioni mund të gjendet pafundësisht kudo, gjithkund, po ku mund ta gjejmë diturinë?Është klithma dritësuese e Harald Bloom-it. Le të bëjmë një debat...

Pyetja ime është, si është ky raport i informacionit i së rremes me diturinë?

Ka shumë teri të informacionit, madje artikulohen edhe me parametra, diagramë dhe parimet. Informacioni nuk ka limit, por substanca e tij kërkon një organizim. Çdo informacion të çon drejt një strukture. Por a ka lidhje kjo me të vërtetën? A është e vërtetë ajo që ne e quajmë si të vërtetë? A mund të gjykohet një njeri nga ajo që ai thotë për veten e tij. A mund të gjykohet një epokë nga ajo që ka shpallur epoka për vetveten? A ka një histori të së vërtetës, a po ka shumë histori për të? Karl Popper ka kushtuar një vëmendje të veçantë këtij subjekti. Ai mendon se më tepër në botë ka manipulim të së vërtetës, se sa shfaqje të së vërtetës. Ky manipulim nis që në mendimin mitologjik dhe është gjithmonë i dyzuar. Dukuritë natyrore shpirtëzojnë si zota, grishja seksuale paraqitet si element absolute i pjellorisë së jetës. Ne mund të gjykojmë për prehistorinë pikërisht nga mendimi
mitologjik, që përfaqëson një realitet të humbur përgjithmonë. Krijimi i pronës private krijoi konceptin e pushtetit. Kalohet kështu në fazën më të ndërlikuar të mitologjizmit. Çdo pushtet në vetvete është manipulues. Kjo ka të bëjë me atributet e një monopoli, që ndryshon në kohëra pa humbur statusin e monopolit. Kështu që të vërteta historike janë gjithmonë një sionkronizim i pushtetit, me mendjen dhe zhvillimin. Por nuk ka të vërteta absolute. Karakteri relativ lind pikëpamje të ndryshme si dhe herezitë. Popper thotë se herezitë janë absolutisht më të rëndësishme, sepse paralajmërojnë edhe nëpërmjet martirizimit të heretikëve epoka të reja. Por dija njerëzore ka një binjakëzim të çuditshëm: Të mendimit fetar dhe mendimit shkencor. Të dyja burojnë nga forca e intelektit, por kahjet e tyre janë të kundërta. Këtu qëndron dhe rrafshi më i madh, më paradoksal dhe më i ngatërruar i informacionit. Si një forcë e tretë, e konvertueshme gjithashtu e manipulueshme lind cikli i ideologjive. Ideologjitë janë më tepër fe laike, cikle doktrinorë që përgjithësisht nuk tregojnë të vërtetën reale, por një të vërtetë ideologjike, të imagjinuar dhe manipuluese shpesh në mënyrë tragjike. Rasti i ideologjisë të quajtur komuniste e vërteton fakti që utopi të tilla në formën e inxhinierive sociale dhe të rikonstruktimit të së ardhmes nuk përmbajnë të vërtetën reale dhe janë të destinuara të dështojnë. Por informacioni që rrethon njerëzimin është fatalisht ndikues dhe tek çdo njeri i vetëm. Kështu ne nuk jemi të mbrojtur. Popperi në studimin e tij të fundit të paravdekjes shkroi për instrumentin e TV-së, që në vetvete është një mrekulli teknologjike, por që është bërë mjeti më efikas dhe më i papërballueshëm i manipulimit njerëzor. Mendoj se ka të drejtë. Por jo në mënyrë
përfundimtare dhe fatale.

A mund të më thuash diçka më konkrete për këtë dukuri kontradiktore në lidhje me realitetin shqiptar?

Moikom Zeqo
Moikom Zeqo
Natyrisht nuk është e lehtë, por mund të them disa ide. Informacioni është shumëfishuar pambarimisht në Shqipëri. Nga një enklavë e mbyllur Shqipëria është bërë një vend i hapur. Nga terapia e shtrënguar ideologjike që kontrollonte informacionin, tashmë përjeton një anarki të informacionit. Në vetvete kjo gjë është më e mirë se sa mungesa e informacionit. Por informacioni që zotëron Shqipërinë është kryesisht informacioni mediatik. Kemi një politikokraci të informacionit, por mungon informacioni, real i jetës. Koncetrimi i informacionit tek pushtetarët ka marrë karakter grotesk, ne nuk dimë pothuajse asgjë për njerëzit e thjeshtë, madje dhe informacioni jashtë Tiranës në skajet e largëta të Shqipërisë është diçka e mbyllur dhe anonime. Nga ana tjetër informacioni kulturor është gjithashtu kaotik. Ka informacion kulturor si dhe prurje të mëdha që lidhen me kulturën, por nuk është ndikues, nuk është i përvetësueshëm, qëllimor. Konkretisht mund të them se në fushën e letërsisë informacioni kulturor ende ka mangësi, d.m.th, botohen disa vepra të shkrimtarëve novelistë, por njohja në koncept e letërsive të mëdha të Evropës dhe të botës është ende shumë larg. Nga ana tjetër krijimi i një numri të madh të Universiteteve private në vend që ta institucionalizojë informacionin e vërtetë e ka banalizuar dhe mund të them që shkollimi universitar privat është kthyer në një biznes të frikshëm, duke krijuar njerëz me shkollim të rremë dhe jo të vërtetë. Aq më tepër që dijet e tyre të dyshimta nuk kanë as të drejtën e ballafaqimit me realitetin në një praktikë pune. Ka dhe shqetësime të tjera që lidhen me informacionin.

Për shembull?

Më bën përshtypje që dikur lexoheshin më shumë gazetat dhe librat e botuara në Kosovë si dhe ato të Shqipërisë në mënyrë të ndërsjelltë. Tashmë ky informacion është shtangur, madje duket sikur ka një lloj izolimi në një gjendje të ftohtë, kur nuk duhej të ishte kështu. Nuk ekziston asnjë institucion mbarëkombëtar letrar. Mënyrat organizuese të njerëzve të kulturës gjithashtu nuk ekzistojnë. Shqipëri është i vetmi vend në Evropë që nuk boton gazeta dhe revista letrare serioze. Kjo është diçka e trishtueshme dhe kundërthënëse. Indiferenca e shoqërisë dhe e shtetit në këtë aspekt është e pajustifikuar. Shtëpitë botuese nuk janë institucione serioze, asnjë shkrimtar nuk shpërblehet sipas kontratës dhe të ketë mundësi të jetojë me punën e tij, përkundrazi shtëpitë botuese janë kthyer në markete, ku shkrimtari e paguan librin nga xhepi i vetë, pra nuk e shet këtë vepër tek botuesi,
por çuditërisht e blen tek botuesi, kështu botuesi në mënyrë të dyfishtë merr hakun e shkrimtarit, duke e shkatërruar ekonomikisht shkrimtarin. Një shtet, ku funksionojnë shtëpi të tilla tregtare botuese tregon se ka një mangësi kolosale në vlerësimin real të kulturës.

Po ç’mund të bëjë shoqëria dhe shteti, a nuk kemi thënë se tashmë ekziston vetëm iniciativa e lirë?


Iniciativa e lirë në fushën ekonomike është një koncept jo gjithmonë rregullues. Krizat e ekonomisë e shprehin këtë gjë. Po në fushën e artit dhe të kulturës e drejta e autorit është fiktive, nuk funksionon, kështu koncepti tregtar i shtëpive botuese është një formë e dëmshme e manipulimit. Në aspektin juridik kjo gjë mund të rregullohet, në aspektin praktik mendoj se do jetë një proces i gjatë.

Po informacioni i Shqipërisë në botë është ashtu siç duhet të jetë dhe pse nuk është ashtu siç dihet të jetë?


Natyrisht imazhi i Shqipërisë është i dyfishtë: Është imazhi që kemi ne për vetveten si dhe imazhi i të tjerëve për Shqipërinë. Për fat të keq nuk kemi një përputhje të plotë. Ne nuk kemi libra për të treguar një histori të vërtetë të Shqipërisë. Veprimtaria akademike shkencore është e mbyllur brenda kuadrit kombëtar. Ne nuk kemi asnjë shkencëtar të madh shqiptar të ndërkombëtarizuar. Asnjë akademik shqiptar nuk ka ndonjë libër të tij shkencor për Shqipërinë të përkthyer në gjuhët e huaja evropiane dhe botërore. Më thoni ndonjë emër nëse unë po shprehem në mënyrë të nxituar apo të gabuar. Akademitë shkencore të Serbisë dhe të Greqisë botojnë me dhjetar libra studimorë, që botohen në gjuhë të huaja dhe katalogohen në qendrat universitare dhe metropolet e shkencës. Vetëm nga ne shqiptarët nuk ka vepra të tilla. Para ca kohësh akademia serbe e shkencave botoi një libër me titull Ilirët paraardhësit e rremë të shqiptarëve, libër manipulues, egërsisht shovinist si dhe anti shkencor. Po cili historian shqiptar bëri një kundërpërgjigje? Po Akademia jonë e shkencave si reagoi? A mund të lejojmë ne që informacioni i manipuluar për Shqipërinë të monopolizohet nga të huajt? Mendoj që mangësitë tona në informacionin shkencor janë të mëdha. Disa arritje të rëndësishme të arkeologjisë, të ikonografisë, të antropologjisë jo vetëm nuk janë vazhduar më tutje, por mungon dhe një motivim i gjallë inkadeshent i zhvillimit të tyre të ri shkencor. Mungon shtypi shkencor profesional, ose është mjaft i mangët. Nisma për një konferencë albnanologjike që u bë kohët e fundit është gjithsesi e dobishme, por ende e pamjaftueshme. 
 
Dilema e dallimit të informacionit të rremë nga dituria e vërtetë


Kjo gjë i nderuar Albert është në proces i shumëfishtë, në fakt një proces jetësor i pambarueshëm. Problemi i këtij dallimi duhet të jetë substance e shoqërisë. Nëse në mediat elektronike dhe në shtyp është krijuar kulti i VIP-ave, ose i politikokracisë, atëherë ky informacion grotesk dhe krejt marketilist vepron si një drogë me njerëzit që duan një informacion të vërtetë. Dikur fëmijët edukoheshin nga libra të tillë si pinoku, Liza në botën e çudirave etj…Kurse sot edukohen nga emrat e VIP-ave që përdhunojnë fantazinë dhe fëmijërinë e tyre. Kjo krijon jo vetëm një problem shoqëror, por edhe psikologjik. Duhet të ketë një organizmin institucional të vetë shoqërisë për informacionin e vërtetë edukues, krijues, etik dhe sidomos shkencor. 
 
Problematikat ku shpesh njerëzit e kulturës nuk janë protagonist

Janë pak njerëz të kulturës që janë protagonist, më tepër ka personazhe mediatik, por mungojnë personalitetet. Personazhet mediatik janë të parapëlqyer nga interesat e klaneve. Njerëzit e vërtetë të kulturës çuditërisht kanë një status zero nga politika e ditës. Kjo bën që koncepti i shoqërisë civile dhe i opinionit publik në Shqipëri të jetë diçka teje e brishtë dhe ndikimi i tyre në strukturat administrative të mos përfillet. Nga ana tjetër shoh që edhe në partitë më të mëdha politike ka më tepër personazhe mediatik se sa personalitete, madje për mendimin tim ka një deintelektualizim edhe tek partitë e mëdha si dhe një kultizim të militantëve sipas konceptit klanor. Gjithashtu procesi i emancipimit edhe në këtë rrafsh është i vonuar.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx