Kulturë
Flet studenti i skulptorit Shaban Hadëri, piktori akademik Rakip Shabani
E merkure, 11.02.2009, 07:07 PM
Heqja e “5 heronjve të Vigut”, atentat ndaj artit dhe historisë
E krahasoj me veprën më të bukur të Rodenit që është vendosur në mes të Londrës
Nga Albert Zholi
Heqja e përmendores së “5 Heronjve të Vigut” nga qendra e qytetit të Shkodrës tashmë ka ngjallur një reagim të madh në shtresa të ndryshme të shoqërisë, por sidomos tek një pjesë e madhe e komunitetit të piktorëve dhe skulptorëve. Për të pasur një ide më të qartë rreth vlerave artistike dhe historike të kësaj vepre për “Telegraf”, ne zhvilluam një bisedë me piktorin e talentuar (i shpallur si piktor akademik nga Bashkia e Athinës) z. Rakip Shabani.
Z. Rakip ka mëse dy muaj që mediat ziejnë për heqjen e monumentit të “5 Heronjve të Vigut” nga qendra e qytetit të Shkodrës. Cili është opinioni juaj për këtë veprim?
Historia e kombeve nuk bëhet as nga kryeministrat, as nga ministrat as nga politikanët. Të gjithë janë të vdekshëm, janë kalimtarë, të përkohshëm. Ajo që mbetet është vepra e njeriut, ndjenja e njeriut, ku me ndjenjë dua të them art. Pra mbetet arti. Dhe vetëm nëpërmjet artit merret vesh apo studiohet historia e kombit apo e kombeve. Merret vesh historia e kombeve se si është zhvilluar në fakt. N.q.s nuk do të ekzistonin rrënojat e Babilonisë, ku janë fshehur thesare të artit, askush nuk do të merrte vesh se si ka ecur historia e njerëzimit në këtë periudhë. Po kështu nëpërmjet artit merret vesh historia e egjiptianëve, inkasve, astekëve, pra të gjitha veprat e artit që kanë lënë në kohë këto popuj tregojnë historinë e botës në tërësi dhe popujve në veçanti. Kështu që, askush nuk ka të drejtë (për të mos thënë injorant në art), që të marrë një vepër arti dhe ta prishë apo diskriminojë. Një veprim i tillë është sikur të diskriminosh autoportretin tënd. “5 Heronjtë e Vigut” janë 5 shqiptarë të bashkuar dhe t’i heqësh ata do të thotë që, këtë komb të mundohesh ta shpërbësh. Për mua, ky është motivi.
Pra çfarë ka në këtë mes, ku hidhet baltë mbi një vepër arti?
Për mendimin tim në këtë mes ka më shumë marrëdhënie interesash se sa politikë. Për mendimin tim kjo është fare e thjeshtë. Hiqet një vepër madhështore arti, një pjesë e historisë dhe do të vihet një shatërvan. Një shatërvan, që e ndërton me disa tuba dhe një idiot dhe zë vendin e një vepre aq të madhe arti. Jemi në prag të zgjedhjeve. Politikës i interesojnë para. Biznesmenët, kushdo të jenë tiranas apo shkodran një pjesë të kostos do tua kalojë atyre politikanëve që kërkojnë një 25 % të votave. Pra shatërvani ka një kosto dhe këtë kosto nuk do ta marrë të gjithë shatërvani, por politika. E them 25 % të votave sepse në Shqipëri aq njerëz shkojnë në votime 25 % e popullit, (ose më mirë le të themi e intelektualëve). Votojnë 25 për qind prandaj dhe qeveritë tona janë të tilla, të korruptuara, diskretituara, sepse e kanë mendjen vetëm si e si të pasurohen në mënyrë të
paskrupullt, të padrejtë. Por harrojnë se zoti është lart në qiell dhe i shikon dhe dita e gjykimit për ta do të jetë e madhe Një ditë ata do ti paguajnë. Po vrave, do vritesh. Po grabite, do të grabisin. Kështu që mirë është që me veprat e artit, me veprat e popullit të mos luaj asnjë pushtetar, asnjë qeveritar, për arsye se ato janë krenaria e vetvetes së tyre. Kur ata heqin një vepër arti, ata heqin veten e tyre, mohojnë historinë e tyre, Nga ana tjetër me sa di unë asnjë pushtetar nuk ka të drejtë të heqë një vepër. Është një ligj. Ky ligj është për të drejtën e autorit. Kush paska të drejtë të heqë një vepër arti pa lajmëruar apo marrë dhe një mendim të autorit? N.q.s do bëhej një referendum mes artistëve, apo në popull dhe të vendosej heqja e tij ndryshonte puna. Por në këtë rast….?!!
Po bota e qytetëruar si vepron ndaj veprave të artit?
Bota e qytetëruar (qesh). E thashë më lart. Në shumë sheshe të botës ka ende buste të Leninit, Stalinit, Marksit, Engelsit, Duçes, të Muhametit, të Krishtit, etj…Mor zotëri, çlidhje ka arti me politikën, apo me qeveritë. Arti është i pavarur, shërben historisë së një populli dhe jo konjukturave politike. Atëherë çfarë duhet të bëjmë neve? Të heqim “5 heronjtë e Vigut”. Përse? Nuk e kuptoj kujt i prishte punë ajo vepër gjigande në të gjitha këndvështrimet. Unë them se ajo është hequr për shumë arsye
E njihni profesor Shaban Hadërin?
E kam pasur pedagogun tim. Është një nga pedagogët që rrallë mund t’i vijnë Shqipërisë. I ditur, punëtor, i dashur, njeri fisnik. Unë kam mbaruar për skulpturë dhe mësimdhënien e tij e kam parasysh dhe sot. Profesor Shabani në këtë rast ka bërë një vepër tejet dinjitoze. Madhështore do të thosha.
Përse?
Përse? Ajo nuk mbetet brenda kornizave të “5 Heronjve të Vigut”. Ajo është një vepër e rrallë, mund të them unikale e kombit tonë, e bashkimit tonë. Aq më tepër një vepër arti të hiqet në kohën kur në pushtet janë kryesisht veriorët dhe veriorët të heqin veten e tyre, nuk mund të konceptohet as arsyeja, as motivi!!! D.m.th është mediokritet pa emër !!!
Të veçantat e kësaj vepre në këndvështrimin e piktorit
Në periudhën e socializmit kushtet për t’u realizuar vepra të tilla ishin jashtëzakonisht të vështira. Megjithatë ajo vepër nga ana artistike është mjeshtërisht e arrirë, pra është e përsosur. Hadëri për të realizuar këtë vepër ka sakrifikuar shëndetin e tij. Nga kjo punë e madhe, nga ky impenjim, nga kjo vepër që donte kohë sigurisht do lësh shumë nga shëndeti tënd, nga përkushtimi yt. Për të bërë këtë vepër arti të bukur me mish e me shpirt, do kohë, do fuqi të madhe, impenjim maksimal dhe në vend të marrësh lavdërime vjen një ditë që njerëz antikulturë, antikombëtar, të çojnë në stres, në përhumbje, në depresion. Pra e hedhin veprën si një mbeturinë pa pikën e përgjegjësisë. Ajo mbi të gjitha është një vepër e derdhur në “Bronx”, ku të gjithë heronjtë janë të lidhur me njeri tjetrin, mbrojnë njeri tjetrin, (siç e kemi ne zakon) në të njëjtën kohë është e vetmja
vepër monumentale ( e theksoj e vetmja), katërdimensionale që shihet në mënyrë rrethore. Pra është e vetmja vepër që shihen vetëm portret dhe jo shpina. Të gjithë janë me fytyrë nga vizitorët. Shikon pjesën e parme të çdo njeriu, ku ata janë të lidhur në mënyrën më harmonike, më të bukur, Kjo vepër për mendimin tim, e krahasoj me veprën më të bukur të Rodenit që është vendosur në mes të Londrës, që është simbol i qëndresës popullore, i unitetit popullor. Edhe “5 Heronjtë e Vigut”, nuk luftuan për para, për shatërvane, për pallate që t’i shesin sa t’u dojë qejfi politikanëve.
Realiteti shqiptar
Këtu ndërtohen pallate pa kufi dhe s’të kërkon njeri llogari, mund të blesh 5 “Benz”-a të fundit dhe s’të thotë njeri plaç, porse mund të heqin një vepër arti që bota e çmon dhe prapë s’të thotë njëri plaç. Mund të më thuash, i nderuar, se në ç’vend tjetër të botës ndodhin këto. Janë ndërtuar shatërvane në Romë, Venecia, Athinë, Londër, Pragë, por të gjitha anës monumenteve, t’i lezetojnë ato. Ne heqim historinë, artin, për dy pika ujë. Çuditë shqiptare nuk kanë të sosur. Qeveria ka detyrë të zvogëlojë varfërinë, problemet sociale, të na japë ujë drita. Por tek ne merret me veprat e artit të na zhvendosë vëmendjen nga hallet tona. Një shtet është i zhvilluar, arrin kulmin e zhvillimit, mirëqenies, qetësisë, kur arti ka arrirë pikat kulmore dhe nuk sulmohet nga politika. Pa kulm arti nuk ka politikë sociale. Kur politika impenjohet për artin problemet sociale janë të
zvogëluara. Qeveritarët në vend të merren me restaurimin e kalasë së Shkodrës hedhin në erë veprat e artit. Sa për kuriozitet, Kalaja e Trojës është si sipërfaqe sa një e treta e Kalasë së Shkodrës dhe çfarë nuk bëhet për mirëmbajtjen e saj. Ne në vend ta rregullojmë po e prishim dhe atë. Nuk ka qytet në botë që të ketë tre lumenj si Shkodra, që ka liqen, dhe det afër, mal dhe fushë. Në vend të zhvillojmë turizmin në Shkodër ne heqim monumentet. Prandaj dhe Shkodra është qyteti më i varfër. Prite një ditë kur të shkulin dhe Isa Buletinin. Për këtë çështje artistët e veriut dhe jugut duhet të thonë mendimin e tyre sepse jemi vëllezër.