E enjte, 01.05.2025, 09:09 PM (GMT+1)

Kulturë

Demir Krasniqi: Mori Dudë, e mjera Dudi

E diele, 08.02.2009, 07:44 PM


Nga folklori ynë tradicional:

 

MORI DUDË, E MJERA DUDI

 

Nga Demir KRASNIQI

 

            Njëra ndër këngët tona më të vjetra të dashurisë, në thesarin e folklorit tonë tradicional muzikor, pa dyshim se është edhe kënga “Mori Dudë, e mjera Dudi”.

            Ndonëse, është vështirë të konfirmohet koha e saktë e krijimit të kësaj kënge, si që nuk i dihet as autori e as lokacioni se në cilin vend ka lind dhe është krijuar kjo këngë, një gjë është e sigurt, se kjo këngë është krijuar e kënduar gjatë sundimit të Perandorisë Osmane, mbi trojet etnike shqiptare dhe në Ballkan.

            Edhe më saktësisht, në bazë të analizave të tekstit të kësaj kënge, lehtë mund të konkludojmë se kjo këngë i takon kohës së nizamëve , kur djelmëria shqiptare mobilizohej me dhunë dhe dërgohej për t’ i shërbyer ushtrisë osmane nëpër shkretëtirat e Lindjes së Afërme, sidomos në Jemen, ku shërbenin nga 12 vjet ushtri! Mobilizimet e tilla, kanë bërë që shumë prej djemve të mobilizuar , të vdesin gjatë rrugës, nga uria, nga vapa e madhe e sidomos nëpër luftëra të ndryshme.

            Një element i tillë, trajtohet edhe në këngën e Dudisë, këngë kjo që nga shumëkush trajtohet si një këngë e thjeshtë e dashurisë, por kjo nuk është e tëra .

            Kënga e Dudisë, është një baladë dashurie, e cila në veti ngërthen një histori të tërë gërshetimesh shumëdimensionale që lidhen me dashurinë, familjen, ushtrinë, kurbetin, varfërinë, por mbi të gjitha trajton besnikërinë .

            Me rastin e mobilizimit të dhunshëm të meshkujve shqiptarë, nga ana e pushtetarëve osmanlinj , kur këtij mobilizimi nuk mund t’i shpëtonte askush, madje kishte raste kur mobilizoheshin edhe nga dy meshkuj prej një familje, thirrja për mobilizim do t’i  shkojë edhe burrit të Dudisë, i cili ishte i vetmi mashkull në shtëpi dhe i vetmi mbajtës i familjes. Burri i Dudisë, me gjasë, shumë herët kishte ngelur pa prindër dhe ishte rritë jetim . Ky motiv edhe e kishte shty që të martohej shumë herët me Dudinë, të cilën e kishte dashur aq shumë, me të cilën  kishte lindur fëmijë dhe kishte krijuar familje.

            Marrjen e thirrjes për mobilizim nga ana e pashait turk,  burri i  Dudisë e kishte përjetuar shumë rëndë dhe nuk dinte se si të gjejë forcë, për t’ia komunikuar këtë lajm të zi, bashkëshortes së tij ! Por , megjithatë, ai vendosë që këtë lajm t’ ia komunikojë , ashtu siç e përshkruan edhe teksti i kësaj kënge:

 

Mori Dudë, e mjera Dudi-e,

Na ka ardhë ni haber i zi-e,

Po na thirrë, o, pasha n’ ushtri-e,

Tim për tim, o, ka nja për shpi-e,

Dikun nja e dikun dy –e !

Unë po shkoj, ty po t’ la në shpi-e,

Me mi rujtë, Dudë, moj qita thmi-e !

 

 

            Komunikimi i këtij lajmi për mobilizimin e burrit në ushtrinë osmane, për Dudinë ishte i pa pritur dhe i pa përballueshëm !

            Dudia, duke e ditur se nuk do të mund ta përballonte, as ta paramendonte jetën pa të vetmin mashkull të shtëpisë – pra burrin e saj, ajo e përjetoi shumë rëndë këtë lajm dhe nuk gjeti tjetër rrugëdalje, pos që të shkojë edhe ajo në ushtri bashkë me burrin e saj :

 

-Kur m’ i  the , njeri, o, k’to fjal-e ,

Zemra n’ bark, oh, bre sod mu kall-e!

Zemra n’ bark, oh, bre sod mu gri-e,                                 

Besa njeri , do t’ vi me ty-e !

 

            Burri i saj, i tronditur thellë në shpirt, për vuajtjet dhe dhembjet e pashërueshme të bashkëshortes së tij, edhe pse e kupton thellësisht brengën e saj dhe dëshirën për të shkuar së bashku në ushtri, nga se dashuria e saj ishte më e madhe se të gjitha vuajtjet dhe brengat, kurse ndarja do të ishte një ferr i pa parë, mundohet që ta bind gruan e tij, për të qëndruar në shtëpi dhe për t’ u kujdesur për fëmijët e tyre të përbashkët.

            Për ta bindur gruan e tij, që të qëndrojë në shtëpi, ai përveç motivacionit të vetmisë familjare, do ta përdorë edhe motivacionin e varfërisë së skajshme familjare, duke i sugjeruar bashkëshortes së tij, se është e varfër dhe nuk ka veshmbathje të duhur për të shkuar në një vend të huaj e të pa njohur ! Këtu, trajtohet edhe fenomeni social, ku populli thotë se njeriu i varfër pa veshmbathje të duhur, edhe nëse është i mençur dhe i dijshëm, nuk do të jetë i nderuar nga masa e aq më tepër nga të huajt !

Prandaj, burri i Dudisë do të shprehet kështu në vargjet vijuese të kësaj kënge:

 

-Rri ,  moj , Dudë, ruj-o qita thmi-e,

Jam i vetëm e s’ kam kan n’ shpi-e !

Nuk ki tesha për jabanxhi-e,

Njeri i deshën, nuk ka sajgi-e !

 

            Pas këtyre fjalëve, Dudia do të bindet që të rrijë në shtëpi dhe t’ i ruaj e rrisë fëmijët e saj, duke shpresuar se nuk do të rrinte për një kohë aq të gjatë burri i saj në ushtri dhe se shumë shpejt do t’ i kthehej në shtëpi!

            Mirëpo, osmanlinjtë nuk e kishin as mëshirën më të vogël ndaj ushtarëve të tyre shqiptarë dhe ata i mbanin edhe nga 12 vite shërbim! Kështu që, kaluan shtatë vite dhe burri i Dudisë, nuk u kthye do në shtëpi! Gjatë këtyre shtatë viteve, Dudija nuk kishte marrë as një letër nga burri i saj dhe as që e dinte se në cilin vend është duke shërbyer në ushtri?!

Menxi Duda, o nejti në shpi-e ,

Shtatë vjet burri nejti n’ ushtri-e !

 

            Pas kalimit të shtatë viteve në pritje të kthimit të burrit nga ushtria, Dudia  fillon të ndiej me të madhe mungesën e burrit të saj, mallin, dashurinë, por mbi të gjitha e ndiente shumë rëndë mungesën e prindërit të fëmijëve:

 

-Kur i shihsha shoqet me djal-e,

Mentë prej kreje dojshin me m’ dal-e !

Kur i shihsha shoqet me burr-e,

Zemra mu digjke , si drutë n’ furr-e !

Kur shkova , oh, n’ t’ shkretin qiler-e,

Mushë bërllog , besa, deri n’ der-e,

Qe shtatë vjet, ujë n’ ta s’ kam derdh-e!...

 

            Ditët dhe vitet kalonin në pritje të kotë të kthimit të burrit nga ushtria ! Malli dhe nostalgjia sa vinin e rriteshin si vala e detit mbi trupin, zemrën dhe shpirtin e bashkëshortes besnike, e cila ishte bërë viktimë e fëmijëve, familjes , shtëpisë dhe nderit ndaj burrit të saj.

            Një ditë, kur malli shpërthen fuqishëm si vullkani në shpirtin e Dudisë, ajo e merr rrugën dhe del për të kërkuar informata rreth burrit të vet. Të parët që i takon në rrugë, ishin qiraxhinjtë , të cilët atë botë transportonin mallra tregtare prej një vendi në një vend, qoftë me anë të kuajve, apo me qerre të qeve !

 

U nisë Duda , në rrugë asht dal-e,

Qiraxhitë, o, poj sheh tuj ardh-e !

-Qiraxhi, kah jeni tuj ardh-e ,

Burrin tem , a ma keni pa-e?

Qiraxhi, o, ju shkoni e vini –

Burrin tem najkun a s’ ma shihni?

 

            Qiraxhinjtë , iu përgjigjen se burrin e saj e kishin parë në Demir Kapi, por përgjigja e tyre ishte shumë e rrëqethshme, nga se në veti shprehë një nostalgji të jashtëzakonshme të burrit të Dudisë, i cili nga malli e dashuria e zjarrtë ndaj bashkëshortes së vet, e kishte blerë një çifteli dhe e kishte pagëzuar me emrin “Dudi”!

            Sa herë që e merrte çiftelinë në prehër, i dukej se është duke biseduar me Dudinë , dhe duke biseduar e kënduar përmes telave të çiftelisë, e shuante mallin që e digjte për bashkëshorten e vet – Dudinë.  Zaten , lidhur me këtë edhe një proverb popullor thotë:”Vaji i burrit është kënga”!

            Qiraxhinjtë, duke ia dhënë përgjigjen Dudisë, kishin vërejtur në sytë e saj: mallin , nostalgjinë dhe varfërinë e saj ! Andaj,  edhe ata mundohen që sado pak ta ngushëllojnë, duke i thënë se burri i yt nuk të ka harruar, por të ka ble edhe rroba të reja (shall e dimi), të cilat do t’ i sjell si dhuratë kur të kthehet në shtëpi ! Me këtë, ata kanë dashur që t’ i japin shpresa se burri i saj do të kthehet shumë shpejt në shtëpi !

 

-Burri yt, asht n’ Demir Kapi-e,

E ka ble, o, ni çiteli-e,

Ja ka ngjitë, oh, emnin “Dudi-e”,

Soll me hjekë, oh, mallin për ty –e !

Ty t’ ka ble, oh, shallë e dimi-e,

Me ti pru, oh, kur t’ vijnë në shpi-e!

 

            Dudia, e gëzuar paksa nga këto përgjigje dhe e trimëruar se burrin e paska të gjallë, përmes qiraxhinjve i çon një porosi  burrit të saj, përmes së cilës mundohet që ta përdorë fjalorin e frikësimit ndaj burrit të saj, me qëllim që ta detyrojë atë për t’u kthyer në shtëpi sa më shpejt!

            Përmes porosisë kërcënuese ndaj burrit të saj, Dudia nuk e le pa e përmendë mallin e tepruara nga vetmia shumëvjeçare, nga i cili më as rrobat nuk mund t’ i  veshë dhe se njeriu i vetmuar, askund nuk ka respekt e nderime!

            Tonet kërcënuese se gjoja, do t’ ia braktisë fëmijët, shtëpinë dhe do të martohet në komshi, nuk kanë të bëjnë me realitetin, por ajo në këtë rast i zgjedh pikat më kritike të cilat prekin drejtpërsëdrejti në dinjitetin familjarë e moral, për t’i bindur burri i saj eprorët e tij ushtarak, që ta lirojnë sa më shpejt nga ushtria, nga se po i rrezikohet familja, fëmijët, shtëpia dhe bashkëshortësia !

 

-Thujë qyqanit , hajde në shpi-e,

S’ mun po i bajë, o teshat pa ty-e,

Njeri i vetun, o, s’ ka sajgi-e !

Pasha nanën, o, t’i lash thmin-e,

Pasha babën, ta dogja shpin-e,

Pasha  atë vëlla,  ta martoj kojshin-e !...

 

            Me të marrë porosinë nga gruaja e vet, Dudia, burri demoralizohet aq shumë , sa detyrohet që t’ ia këputë telat çiftelisë dhe ta thyej atë ! Me atë rast, shokët e vet –ushtarë dhe oficerët ushtarak e kuptojnë se ai ka rënë nën një depresion të thellë psikologjik dhe e lirojnë nga ushtria, për t’ iu kthyer familjes , fëmijëve, bashkëshortes dhe shtëpisë !

 

Kur i shkuen fjal’t  e Dudis-e,

I kputi telat e çiftelis-e !

Copë me copë e ka coptue,

Ka marrë rrugën, o, asht tfillue !

N’ skej t’ katundit kur asht afrue ,

Ni kangë t’ vogël  ka nisë me  knue !

 

            Burri që po kthehej nga ushtria në shtëpi, pas shtatë vitesh, ishte i vetëdijshëm se po të shkonte në shtëpi befasisht, atëherë do të mund të ndodhte ndonjë e pa pritur nga gëzimi i madh dhe befasia që do t’ i ndodhte Dudisë dhe fëmijëve të tij !

            Për ta paralajmëruar Dudinë, se po i kthehet burri, ai vendosi që në skaj të katundit të tij, ta këndonte një këngë, me të cilën do ta sinjalizonte bashkëshorten e tij, se po i vjen burri dhe ky lloj paralajmërimi nuk do të shkaktonte befasia me pasoja të mundshme !

E ka ni Duda – ish kanë tuj gatue ,

Sitën n’ tokë e kish pas gjue ,

Dymdhetë copash ish kanë coptue ,

Ka dalë Duda, në derë me ngue !

 

            Duke e dëgjuar këngën dhe zërin e burrit të saj, Dudia aq shumë u befasua dhe aq shumë u përmallua, se që nuk iu besonte veshëve të saj, se kjo këngë dhe ky zë mund të jenë të burrit të saj !

Kënga dhe zëri i burrit të saj, u zhduken shumë shpejt në largësi të fshatit! Në atë rast , Dudia e humbur tërësisht nga malli e nostalgjia, i duket se e penguan pemët që ishin të mbjella para derës së shtëpisë , për ta dëgjuar zërin dhe këngën e burrit të saj! Në atë moment, ajo ia fillon që t’ i mallkojë ato pemë, që të thahen përgjithmonë, nga se ato ishin shkaktare që e penguan për ta dëgjuar burrin e saj duke kënduar?!

 

Para dere ni  pemë ish qillue ,

S’e  ka lanë o qatë kangë me ngue !

-Oj ti pemë , o , qi je n’ këtë der-e,

Raftë ni brymë, o, në pranver-e,

T’ tana u thafshit o përniher-e !

Qysh s’ ëm lat o kangën me ngue ,

Se mu dokt burri jem tuj knue ?!

 

            Më në fund, burri erdhi në shtëpinë e vet, pas shtatë vitesh shërbimi në ushtrinë osmane, me ç’ rast gëzimi i bashkëshortes – Dudisë me fëmijët e tyre, ishte aq i madh sa nuk mund as të përshkruhej !

 

Kur i erdh, oh, burri tu shpija ,

U gzu Duda, e u gzuen thmija !

 

            Pra, kënga e Dudisë, nuk është një këngë e thjeshtë dashurie, por është një këngë që iu këndon vuajtjeve të mëdha te të gjitha nënave, grave, motrave, vëllezërve dhe fëmijëve gjatë sundimit osman mbi tokat shqiptare!

            Në anën tjetër, në këtë këngë trajtohen shumë elemente e virtyte fisnike të traditës së popullit shqiptar, ndër të cilat po i përmendim: dashuria e pastër si loti i syrit, varfëria e madhe, bujaria, besnikëria, vuajtjet e popullit nga kurbeti dhe shërbimet nëpër ushtritë e huaja okupatore, ruajtja e nderit dhe moralit me çdo kusht, si dhe ruajtja e familjes e fëmijëve për të mos mbetur jetimë të pa shtëpi dhe të pa prindër !

                                                           



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx