Kulturë
Xhelku Maksuti: Simbolistika e një ndjeshmërie të rrallë njerëzore
E merkure, 11.02.2009, 08:01 PM
Kosova poetike në veri të Danubit
Xhelku Maksuti
Simbolistika e një ndjeshmërie të rrallë njerëzore
(Përkitazi me librin e Ibrahim Kadriut, N-a r?mas timp pentru s?rb?tori/ S’mbet kohë për kremte)
Nga Prof.dr. Xhelku Maksuti (Bukuresht)
Nga historia dimë se në Fushën kosovare të Mjellmave, e përgjakur në qershor të vitit 1389, turqit i gjunjëzuan armatat e krishtera të serbëve, shqiptarëve, boshnjakëve, të cilave iu bashkangjitën edhe rumunët, dhe po atje, në vitin 1448 do të munden edhe trupat e luftëtarëve të udhëhequr nga Janku Hunedoara, vojvoda i Transilvanisë që u bë regjent i Hungarisë, i cili u përpoq ta rikonstituojë alenacën antiturke në hapsirat danubiano/ballkanike për dëbimin e turqve nga Europa. Zotërimi i Perandorisë Osmane në këtë pjesë të botës, me krejt qëndresën dhe trimërinë e disa prijsve rumunë e shqiptarë, si Gjergj Kastrioti, Vlad Cepeshi, Shtefani i Madh i Moldovës, Mihai Viteazul, do t’i përfitojë për më shumë shekuj edhe trojet tona. Në këtë kontekst historik, poezia e dhembjes së Ibrahim Kadriut, shkrimtar shqiptar kosovar, mund ta bëjë ta kuptojë më mirë, edhe lexuesin rumun..
Për dramën e Kosovës është shkruar shumë viteve të fundit, sidomos në ato të mbarimit të mileniumit të II-të, kur Millosheviqi i vërshoi egërsirat në Kosovë, jo vetëm me frymën e armiqësimit, por edhe me atë të përgjakjes ushtarake. Dhembja kosovare përpëlitet edhe në vargjet e Ibrahim Kadriut, në një simbolistikë prej një ndjeshmërie të rrallë njerëzore të vuajtjes, vëllimi duke qenë i titulluar N’a ramas timp pentru sarbatori / S’mbet kohë për kremte. Libri e pa dritën e botimit në Bukuresht, në gjuhën rumune, në përkthim të poetit të talentuar Baki Ymeri, me një pasthënie të shënuar nga Marius Qelaru, i cili vë re një lirizëm të thellë, në tonalitete shpeshherë të rënda, në një botë të prekur nga paqartësitë ekzistenciale.
![]() |
Ibrahim Kadriu |
Titujt e poezive jepen në të dy gjuhët. Pas Ekzilit të shpirtit të Sali Bashotës që e pa dritën e botimit në variantën bilingve (shqip/rumanisht), vepra e Ibrahim Kadriut është e para që del në dritë me përkrahjen e Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë (Bukuresht, 2005), dhe atë në vigjilje të kremtimit të jubileut të 410 vjetorit të konstituimit të komunitetit shqiptar në veri të Danubit, dhe 15 vjetorit të themelimit të Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë (24 maj 1990). E pajisur me biobibliografinë e autorit dhe një parathënie sugjestive që mban titullin Vlera magjike të një mrekullie historike (një sintezë e shkurtë e relacioneve historike/kulturore rumuno/shqiptare), e cila jepet edhe në versionin shqiptar, këtë vëllim të bukur e karakterizojnë ciklet C?l?torie obosit? (Udhëtim i lodhur), Surâsul noptii (Buzëqeshja e natës), Cortina ridicat? (Kortinë e ngritur), si dhe pasthënia e eseistit të shquar moldovar, Marius Qelaru: Fe?ele albe ale vie?ii negre (Faqet e bardha të jetës së zezë). Lexuesit rumun i buzëqesh fati që të shijojë kohëve të fundit edhe vargjet e Ali Podrimjes, Sabri Hamitit, Flora Brovinës, Ibrahim Berishës, Miradije Ramiqit, Jeton Kelmendit, Ilire Zajmit, Basri Çapriqit, Brahim Avdylit, Jusuf Zenunajt, Rizah Sheqirit, Fatmir F. Salihut, Sarë Gjergjit, Arif Molliqit, Halil Haxhosajt, Demë Topallit, si dhe të poetëve të tjerë, të përfshirë në vëllime mono/bilingve, apo në kuadrin e disa antologjive me vlera të mirëfillta letrare. (Bukuresht, 2009)