E diele, 18.05.2025, 08:43 AM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri : Lëng lirik nga vëllimi Kaltrina (Bukuresht, 1994)?

E merkure, 11.02.2009, 07:46 PM


Baki Ymeri

KËNGË

Më thuaj moj vllahinkë,

Çfarë qumshti të ka dhënë nëna jote

Dhe në çfarë dhomash të ka ngujuar

Që po të vjen kaq era e bukur

Si një trup i përkundur

Me përkëdhelje të buta?

Prej nga e vjedh vallë

Shijen që po ta ndjej

Në gjirin e puthur me afshin

E resë së shpërthekuar

Në këmishën e saj të pambuktë?

Buzët tua janë dredhza?

Vaj, moj vllahinkë,

Në mesditë kur krisi vetëtima

Përmbi to shpërtheu erëtima!

PSALM

Kush je ti

Moj bukuri e hidhur?

Prej nga vjen

Dhe nga po ngutesh?

O, Zot!

Stërgjyshërit e mi,

Fqinjët e mi,

Miqte e mi,

Armiqte e mi

Dhe unë mes tyre

Gjith po rendim pas teje:

Të verbër e të cveshur,

Të shurdher e memecë,

Me mijëra vjet

Zvarrnisemi në gjunjë,

Përkulemi me evlavi,

Flijohemi për ty

Dhe ti gjith po na lind

Dhe trembesh prej nesh.

BESNIKËRI

Përse rritet vallë

Vala përmbi peshq?

Një besnikëri kalimtare

Gjithnjë vjen dhe ua mbulon

rrëshqitjen

Ndërmjet shpresës dhe frikës.

Në fund të fundit

Edhe peshaqit ankorojnë

Në njëfarë limani

Si cdo anije e vjetër

të cilën vendalinjtë

E shndërrojnë

Në drurë zjarri.

Përse rritet vallë

Vala përmbi peshq?

Kjo është pyetja.

Përgjigja -

Edhe ajo është

Vetëm një valë.

KALTRINA

Qe dymijë vjet se po vrapoj

Pas teje

Porsi një mesazher i flatërzuar.

Që nga Durrësi e deri në Odesë:

Rumunë, shqiptarë e arumunë

Më ftonin në qëndresë.

Një valë prej mali

Apo fisnikërimi

Më rrethonte me temjan

E vaj të shenjtë

Qe dymijë vjet -

Porsi një mësazher i flatërzuar

Drejt Kështjellës së Bukurisë vrapoj

Që të të gjej.

Tani është rradha jote

Të vraposh pas meje

Dhe s'do t'i gjesh flatrat e mia

Ngase aq shpirt kam vënë në to,

Saqë i rrëmbyer nga arti

Për të të përvetësuar,

As që e kam ditur

Se kam depërtuar në vetëdijen tënde

Edhe për dymije vjet.

MURMURIMË

Me shpirtin në buzë

Duhet të jetë qenja

Apo buzët të kërkojnë

Atë shpirt

Që ik prej tyre

Ose shpirti t'i gjejë

Ato buzë

Që do të thonë:

Mos u mërzit se

Ne murmurojmë për ty.

FRYTI I NDALUAR

Kush është ky engjëll

Që po pret në dritare

Dhe në fund të fundit

Prej nga vallë kjo pyetje

Përmbi turmën

E përgjigjeve të heshtura?

Derisa qytetet po treten

Nën plehëra,

Fryti i ndaluar lëkundet

Në degë, në Fushë të Mjellmave.

Kush është ky engjëll?

E pyeta hënën

Dhe ajo m'u përgjegj:

Më mirë është mos ta dish!

BUZË TË LULËZUARA

Lule e heshtur ti ishe -

Lulet vdesin nëse heshtin!

Filizi yt ç'prej moti e dinte

Se si buzët e mia

I pëshpërisnin puthjet

Derisa edhe ato zaliseshin

Kur ti lulëzoje.

Lule e heshtur ti ishe -

E ndjeja mungesën tënde

Madje edhe atëherë kur dashuria jote

Përsëri mbyllej në burbuqe

Dhe vinte ai çast

Prej te cilit trembeshim që të dy.

DUKE RENDUR PAS BUKURISË

Të pëlqen poezia?

Më pyete..

Vaj, çfarë përgjigjeje

Po defilon në bregun e mëngjër

Të lumit tënd të lazdëruar!

Si të mos më pëlqejë erëtima e hidhur

E këtij trëndafili të pamoralshëm?!

HUMNERA

Më kot po pij nga kupa jote -

Qeshjeqarja jote,

Hapat e tu,

Nuk janë vecse:

Parajsë e vdekur,

Ekstaz i pluhurosur.

Pasuri të vjedhura,

Zgërdheshje e lazdërim,

Frone të përmbysura -

Të gjitha janë kujtime.

Nga agonitë e shekullit

Vetëm zigzaqet

E Ballkanit

Na tregojnë

Se çfarë të vërtete

Përmban humnera.

HOMO BALCANICUS

E shkuara varroset për së gjalli.

Çdo gjë që mbetet

Si ushqim, është

Vetëm paturpësia.

O, trima,

Çfarë lufte

Po çoni ju

Kundër

Kafshatave!

Nga historia, ja,

Duke ulërirë, dëgjohet

Një qen.

Pronari i tij -

Megalomanus Balcanicus

E nxit

Duke ia treguar një asht.

(Bukuresht, 1993)

MEIN GOT!

O Zot,

Çfare burrash janë ata

Që gjejnë përkëdhelje më të shënjtë

Në vorbullën e gotës

Se sa mes buzëve të femrës!

O, shpirti im!

Loçka ime!

Engjëllushi im!

Jeta bëhet një stacion

Kur Venusi i Milosë

(Ajo pa krahë)

Nuk mund t'i mbajë

Valixhet.

O, Zot,

Çfarë burrash janë ata

Që pinë me burrat

Duke i kyçur gratë në avli!

NGJARJE NATORE

Nata me mjekrën e bardhë

Nuk po merr fund.

Asnjë pikë pije

Pas mezit të saj.

Peshku noton

Duke rrëshqitur

Prej ëndrrës në ëndërr.

Dinakëria krihet

Përballë pasqyrës,

Fjalët e çveshin kuptimin

Me vetëtimën e mallkimit

Përmbi ata

Që në vend të grave

Bien në gjumë me puthjen

E gotave të braktisura.

ELEGANCA

Nga ardhmëria

Vjen tjetra ardhmëri,

Tjetra e tjetra

Dhe e pret thela/thela

Këtë fustan të paluar -

E vë në tavën

E një reje të lazdëruar

Që na lag

Deri në lëkurë.

Eleganca i fshin sytë

Me një shami të artë -

Rrezet e saj madje

Janë mu kjo buzëqeshje

Që na largon

Nga e vërteta.

FLETËPAGESA

Shokët e mi

Kishin një sasi të madhe

Mungesash:

Mungesë uji,

Mungesë ajri,

Mungesë zjarri,

Mungesë buke,

Mungesë dashurie,

Mungesë jete...

Lista e çmimeve

Mund të mbajë edhe

Një turmë tjetër mungesash.

Por, ashtu siç po ngjet

Nëpër restorantet e shtrenjta,

Çdo gjë u pagua

Deri në qindarkën e fundit.

NEN HIJEN E NEONIT

Ç' janë këto turma vallë

Që shkojnë të kullosin

Nëpër ajër?

Janë re që shkojnë

Ta mjelin Kuçedrën,

Helm me qumësht të pinë,

Atje në luginë,

Nën hijen e ndotur

Nga mizat e neonit.

LOJËRA FJALËSH

Do të më kërkosh

Dhe do të të kërkoj.

Unë do të them:

Prore të kërkoj.

Ti do të thuash:

Je i kërkuar.

Unë po të pyes:

Ti po luan?

Ti po më pyet?

A s'e di ç' është loja?

Dallimi

Mes meje e teje

Është dallimi mes

Kuptimit të dashurisë

Dhe ndjenjës së ndjeshme

Të kërkimkuptimit.

MEDITIM

Kush pat thënë vallë

Se lutja s'është

Kënga e Shenjtë e Logosit,

Qetësi e muzgëtimit

Dhe e qartësisë mendore?

Kush pat thënë vallë

Se e shkuara është kufomë,

E tashmja gënjeshtër e madhe

Kurse ardhmëria fantazmë?

Kush pat thënë vallë

Se nuk ka kohë

Dhe se megjithatë

Ajo do të na gëlltisë.

Kush pat thënë vallë

Se forma është zbrazëti

Dhe zbrazëtia formë

Kurse ardhmëria më e mirë

Eshtë e tashmja?

Pranë Lules së Përgjakur

Unë rritem duke u zhurritur.

MENDIME

Çdo  gjë duket e magjepsur

Në këtë turn:

Dhoma të magjepsura,

Fjalë magjepsëse,

Vasha të magjepsura

Të cilat 

Ende nuk i njoh

Ma merr mendja se ato janë

Porsi lulet e magjepsura

Që i ka kafshuar dashuria

Apo shija e padurimit

Për t'u përkëdhelur.

Çdo gjë duket e magjepsur

Në këtë turn:

Madje edhe fontana e oborrit

Pëshpërit

Në vargje të dashurisë,

Ndërsa  unë,

Që nuk e dija aq mirë

Se prej nga mund të fillojë disfata,

Kisha  lakmi të mbetem.

RINIA

Rinia endet posht' e përpjetë -

E shtuna vjen me xhepat e zbrazët,

E diela vepron si t'i teket -

Mbetet hallemadhe dhe ofshan:

Ja se na vjen dita e hënë

Dhe fillon përsëri kalvari!

Vjedhësit ntrashen,

Engjëjt dergjen në melankoli -

Por lëre se arrij të bëhëm

Edhe unë njëhërë

Një borgjeze e vogël

Dhe as që duhet pritur shumë!

Mendjemadhe edhe kjo rini:

Që ngjitet si një therrë pas nesh!

NË PAZAR

Në mëngjez, pas rënies

Së diktaturës,

Si do miza përdhese

Njerëzit shkojnë në pazar.

Erdhi edhe engjëlli atje

Përmes valës së qetë lëvizësë.

Eja e na nxjerr prej këtu!

Bërtisnin pas tij

Homeri, Balzaku, Kadareja...

Të trembur nga buzëqeshja e Stalinit.

Nëpër libra, gërmadha sandalesh,

Çizmesh, teshash të përdorura,

Porcelanesh, hallkash dhe

Njëmijë sendesh të tjera

Depërtova përkundër tollovisë.

Atëherë engjëlli

Ma bëri me shenjë

Me flatrën e tij:

Merre një libër!

Dhe më pëshpëriti:

Vëre nën jastëk

Dhe ëndërroje!

ARS POETICA

E tejkaloj vetveten duke ecur.

Duke marrë frymë dëgjoj

Një tringëllimë yjesh

Që më rrah në tëmtha

Dhe zgjohem duke murmuruar:

Jemi vëllezër

Që nga kohët antike:

Përherë të mashtruar,

Të plaçkitur e të plagosur.

Nënat tona ditë për ditë

Përpilopjnë një fjalor trako-tragjik

Me barëra mjekuese

Derisa unë

Flas me vetveten

Për demokracinë e erërave,

Për prita armike

Dhe kështjella të fundosura.

PËR ENGJELLIN

Prej nga vjen ky engjëll

Që më troket në portë?

Dy flatra të mëdha

I mban në shpinë

Dhe më pyet

Nësë s'jam edhe unë engjëll!

I tregoj, i dëshpruar,

Se unë nuk kam flatra

Kurse ai, thuajse aq priti:

Mos ki frikë, më thot

Duke m'i vënë mbi supe

Dy flatrat e tij

Dhe duke më ftuar

Të shkojmë sëbashku

Nga drita në dritë.

LETËR

Nga Parajsa erdha ta shoh

Si e prisni driten

Në zemër të Arbërisë.

Fëshfërimë yjesh.

Muret e shtëpive të vjetra

Porsi në erdhe e mbajnë në vete

Frymëmarrjen. Qenje e gjallë,

Historia hyn dhe del nga dyert:

Bebzat i drejton drejt Kështjellës,

Ngazëllimin e mban mes oborresh,

Qetësi mbëlton mes shtatorresh,

Shtëpi lidh mes shtëpishë,

Mure lidh mes muresh,

Frymëmarrja juaj

E mban të pashuar dritën në vatër.

E gjallë, Historia rritet në çerdhe,

Ndërmjet mureve,

Ajo i shpërlan teshat,

Të bardha, teshat presin:

Çfarë hijeshie!

Teshat e bardha flasin mes veti,

Zjarri kënaqet në vatra,

Njerëzit dëgjojnë ç' thotë era në mbrëmje,

Muret dëgjojnë ç' thonë trëndafilat në mëngjez,

Pasqyrat dëgjojnë ç`ka thotë

Shëmbëlltyra juaj në mesditë.

Çfarë hijeshie: teshat e bardha

Rrjedhin përmes Mureshit të natës,

Shkojnë drejt Detit të Zi,

Qenje e gjallë, Historia

Ta pjek bukën në Vatër.

USHTRIME TË VETMISË

Jo për pasuri

Kemi pasur nevojë

As për fuqi

Por për një çik përkëdheljeje.

E kanë thënë edhe të tjerët këtë

Duke llogaritur se prej nga e deri ku

Mund të zhytesh në shkretëtirën

E ushtrimeve të vetmisë.

Engjëlli që përkujdeset për ne

Është e vetmja krijesë e ëmbël

Që na zbut

Duke na treguar gjëra

Që nuk i kemi

Dhe duke na e fshehur

Atë që s' do ta kemi

Asnjëherë.

PARAJSË

Nga pasuritë e kahershme

Pas tremijë vitesh

Të kanë mbettur

Vetëm arti i dashurisë

Dhe poetika e shpirtit.

Nga manifakturat e ditëve

Tani edhe syri dhe goja

Janë vetëm një fragment yti

I degdisur

Në një kthinë muzeu.

FRIKA

Në moshën pesëmbëdhjetë vjecare

I vjedh mollat e para -

Duke i fshehur në gji.

E vërejnë këtë gjë fqinjët.

Në moshën shtatëmbëdhjetë vjecarë

E shoh edhe unë

Se i mban të fshehura në gji

Shikimet e fqinjëvë.

Në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare

Shkon në treg:

Nuk shet atje asgjë

Por kthehesh e pasur në shtëpi.

Pasuria jote

Na e kall datën.

DELTË

Eja të pimë sëbashku

Nga lumturia

E këtij lumi të mundur

Që vjen nga zemra

E pyllit më të zi.

Do të vdesim që të dy

Në një delttë me yje

E cila bashkë me ne

Do të derdhet në zbrazëtirë.

Shtati yt pranë meje

Me tri krahë do të notojë

Drejt krahut të katër të padukshëm

Do të na shtrëngojë në krahëror

Si do fëmijë të lazdëruar.

NDJESHMËRI

Kam nevojë

Për disa mijëra vjet

Për t'u revoltuar.

Erdha

Si një dritë e mesditës

Për rreth teje.

Ti ishe

Aq e etshme

Për dashuri saqë

Ma dhurove

Dinakërinë

Që të të harroj.

Gjarpër, gjarpër, gjarpër,

Prej nga,

Prej nga e more

Atë forcë të ftohtë

Që të më shndërrosh

Në gurë të djegur të hënës?

O  ZOT!

Kush është ai që la

Kaq vdektarë

Pa frikën e Zotit?

Ti po ngopesh me ëndje

Kurse ata s'kanë veçse

Të zvarrnisen rrugëve,

Vdekjeve,

Shtigjeve, tempujve...

Ti po ngopesh mashtrime!

Çfarë trishtimi më të madh

Po doni prej meje

O ju të pavdekshëm!

POEMË DASHURIE

Nuk e di se c'mund të them

Për ty!

Thuhet se je

Ajo që ështtë mirë të jesh.

Mund të mendoj

Se është mirë të jesh

Ajo që do të thuhej se je -

O vetmi e imja,

O vetmi madhështore

Që përgjon në shkretëtirë!

Ti i ke të gjitha ato

Që i duhen një luaneshe

Që ka dalur në gjah

Derisa nata e gjakut

E mugullon drurin.

PËRRALLË

Të bukur janë sytë që s'harrohen.

E bukur është përralla e thesit të kripëqs.

Të bukura janë edhe lajmet që s'dëgjohen.

Të shëmtuara ndërkaq janë

Kur të gjitha këto i dashuron me dëshpërim,

Me dëshpërim që fund nuk kanë,

Kur çdo gjë bëhet barrë e padurim,

Kur e urren, vaj, edhe atë që duhet ta duash,

Kur cdo send i mirë të duket egërsirë,

Kur vdes cdo gjë e gjallë në ty

Dhe kur bukuria bëhet

Një përrallë për të fjetur fëmijë.

KËNGË NAIVE

Kur përmbi shtatin tënd

Të etshëm si një plazh

I zhuritur prej thatësisë 

Vihet pengu i madh: Vitet

Shtëpia dhe krejt pasuritë,

Si mund të arrij deri te ti

Brishtësi me frytet e shenjta

Që i fsheh në gji?

FUSHA E MJELLMAVE

Në mëngjez

Vjen një mjellmë e krekosur te dritaret

Dhe troket me këmbën e saj të verdhë

E me flatrën e saj të zezë

Dhe më thot:

Po vij nga veriu i ngrirë,

Vij mbi një fron që flatron,

Vij te tti dhe trokas:

Dil njëhërë përjashta,

Dil përjashta dhe vdis,

Dil përjashta e këndo,

Dil e mallko,

Bën diçka

Dhe dëbomë

Prej nga kam ardhur!

Dil dhe plas, të them

Se përndryshe do të mbetem

Një mjellmë e krekosur!

MBARIM SHEKULLI

Hapi shkatërrimtar i ligësisë

Po shkon drejt dimërimit.

Dita e dembelit fillon në mesditë.

Përtacia sorrollatet

Prej pijetores në pijetore,

Ballkani i zbraz xhepat

E mbushura me gënjeshtra.

I përqeshuri zgërdheshet.

Ç'është poezia?

Pyesin kusarët

Duke e kurdisur

Mbarimin e shekullit.

(1993)

LULJA E UJËRAVE

Rrënjë të shkëputura, rrëshqet

Syri i frikës,

Lëviz me pafajshmëri

Të lëkundur

Lulja e ujërave

Me kapelë të blertë.

Kasapi I Ballkanit vjell vrerë.

Gjarpëri i gishtit të tij

E shkarravit historinë.

Brushtulla mih themelet,

Dinakëria e skërmit dashurinë.

.........................................................

Mendimi zbret në antikë

Për ta mënjanuar ndryshkun e mjegullës.

Urës askush nuk mund t'ia shkulë rrënjët.

SHQIPONJA

Tani e shtatë vjet më parë

Nëna e Kaltrinës më pa në ëndërr

Gjoja se isha një shqiponjë e bardhë.

Një mëngjez më zgjoi

Dhe më tha:

A s'po lodhesh

Që po flatron kaq shumë?

Çlodhu një çik të lutem

Mbi ndonjë kreshtë malore,

Në ndonjë lëndinë të lulëzuar!

Unë qesha:

Kënaqësi e madhe është të fluturosh,

As që e ndjen lodhjen,

Por ja se si

Vjen çasti më në fund

Kur ëndërra e saj mund të plotsohet:

Fluturoj nga njëra anë në tjetrën

Dhe askund nuk shoh

Ndonjë kreshtë malore,

Askund

Ndonjë lëndinë të lulëzuar.

BILBILI

Jam i lodhur ngase ekzistoj

Dhe kjo është e tëra.

Shtëpia është për toke,

Enët janë të zbrazëta,

Era vlon në to,

Njerëzit vdesin

Prej gjithë kësaj jete,

Kafshët po shtangen

Nga të ftohtit

Dhe çdo gjë kthehet

Nga e prapa,

Dhe vetëm hijen time

E përkëdhel

Një rreze

Më e madhe se dielli.

KURIOZITET

Kurioziteti qarkullon

Nëpër doganat e qarkut.

Kufinjtë e tij

Shtrihen deri atje

Ku dëgjohet

Zhurma e portës.

Tejmatanë saj

Mbetet vetëm

Cingërrima e ziles

Që të shndërron

Në një dridhje të bronztë.

PROBLEME TË NDËRGJEGJES

Asgjë nuk na ndihmon

Në shqyrtimin e problemeve

Të ndërgjegjes

Porsi ndërgjegja.

Brutaliteti i burrit,

Besnikëria e gruas,

Lazdërrimi i lahurisë...

Janë gjithfarë problemesh

Që na bëjnë telashe.

Vaj, në çka do të mbështetet

Nesër/pasnesër,

Ndërgjegja e sëmurë

E atyre

Që janë dehur me dritë?

NË SFERËN E HIJEVE TË NDRITURA

U ndryshk edhe gjethi i frymëmarrjes,

Edhe sfera e hijeve të ndritura.

Ja se si po lëkunden yjet

Në drurin qiellor!

Buzët e mia vënë peçeta

Përmbi gjinjtë tu.

Ato kanë shijen  e rrushit të pjekur

Në një shpat hyjnor.

Një fëshfërimë gjethesh

Rrëshqet bashkë me ne

Në ekstazin e hatashëm

Të planetit

Që shikon kah qielli.

BUKURIA

Dhe ja se si më në fund

Erdhi koha

Të vdesim së bashku.

Një muzë këndon

Përmes damarëve të shekullit

Apo i pret ato me tehun

E një shpate orientale.

Ndërmjet jetës që kalon

Dhe asaj me dridhje mitare,

Dritës - i përkujtohet edhe asaj

Se po rend.

Dhe ja se si më në fund

Erdhi koha

Të vdesim

Nga Bukuria

Që na dhemb.

LOJA E JETËS

Përherë flasim për jetë

Duke udhëtuar

Drejtt Kepit të Shpresës së Mirë.

Vendi pranë meje

Të përket

Njashtu siç diellit

I përket vërtitja

Prej buzëqeshjes se Lindjes

Drejt gjurit të Perëndimit.

Nëse ekziston në botë

Dicka më madhështore se dielli

Atëherë është vetëm arti

Për ta nisur ditë për ditë

Jëtën, që nga fillimi.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx