Kulturë
Suadela Balliu: “Lufta e Pengjeve”, një libër monumental mbi njeriun dhe qëndresën
E marte, 17.12.2024, 07:52 PM
“Lufta e Pengjeve”, një libër monumental mbi njeriun dhe qëndresën
(Me
rastin e botimit te romanit në gjuhen franceze, Paris 2024)
Nga
Suadela Balliu
Nuk
mjafton që luftën dhe historinë ta shkruajmë nga njëri kah: qoftë ky fituesi a
humbësi, pushtuesi a viktima, apo nga kahu ynë, sepse peshorja do ta humbte
ekuilibrin. Gani Mehmetaj nuk është shkrimtar i anshëm, as mban qëndrime, as
dikton. Ai përshkruan. Përshkruan me sytë dhe zërin e kujt nuk kemi dashur ta
dëgjojmë.
Ndonjëherë
mjafton një libër i vetëm të të mësojë shumë
mbi historinë. Sepse atë nuk ta mëson përmes ngjarjeve e datave, por
përmes njerëzve dhe dramave.
Me
mjeshtëri autori rikrijon një Jugosllavi të tijën, përmes tetë ushtarëve në një
kazermë në alpet sllovene. Jo më kot
janë prej kombësive të ndryshme, jo më
kot janë njerëz të thjeshtë, arketipa që mbartin cilësimet kulturore të çdo kombi, besimet, besëtytnitë, keqkuptimet,
urrejtjet për tjetrin. Jo më kot në
Slloveni dhe jo më kot në kazermën prapa
diellit, në nisjen e shpërbërjes së
ish-Jugosllavisë. Përmes këtyre
tetë ushtarëve të thjeshtë shkrimtari nis dhe zhvarros plagët e
fshehura, që kurrë nuk zunë kore.
“Lufta
e Pengjeve” është një libër monumental. Është sagë e një lufte të
gjatë e të përgjakshme, e shtrirë përtej kohës kur Jugosllavia nis të
shpërbëhet. Përmes narracionit të pasur, skalitjes së personazheve, mbushjes me
material burimor historik dhe pasurim me këngë, gojëdhëna e bëma nga folklori i
secilës etni, autori e vë theksin tek artificialiteti i atij bashkimi federativ
mbi terrene të rrëshqitshme, i destinuar që në nisje të dështojë. Është një
sagë që na bën të mendojmë më gjatë rreth njeriut, etnisë, kombit, kulturës,
miteve, urrejtjes. “Lufta e Pengjeve” është një libër për Njeriun dhe
Qëndresën.
Ilirian
Nikaj, njëri prej të tetëve, shqiptari-ushtar i federatës jugosllave - që në
heshtje bluan të kaluarën, persekutimet e popullit të tij, vrasjen e të atit
dhe tmerrit të vetëdijshëm se e kanë dërguar si qengji në thertore -, jeton për
të rrëfyer. Në penën e Gani Mehmetaj, ai që mbart jo rastësisht emrin e trojeve
para dyndjeve sllave e para se gadishulli të quhej Ballkan, nuk është hero e as
antihero. Është dëshmitar. Është qëndrestar, i cili mbledh, jeton e përjeton.
Lufton dhe na e sjell historinë – atë të shkruar me jetë njerëzish e gjak të
pafajshëm, me tmerre e mizori lufte – përmes narracionit të shkëlqyer të Gani
Mehmetajt.
Nuk
mjafton që luftën dhe historinë ta shkruajmë nga njëri kah: qoftë ky fituesi a
humbësi, pushtuesi a viktima, apo nga kahu ynë, sepse peshorja do ta humbte
ekuilibrin.
Sot
Kosova, megjithë plagët e pambyllura të së kaluarës, me alarmet që shpesh
ndizen si kërcënim në veri, me problematikat e shtetndërtimit, ka të tjera
sfida për ta nxjerrë veten nga dramat e Ballkanit drejt mundësive perëndimore.
Gani
Mehmetaj nuk është shkrimtar i anshëm, as mban qëndrime, as dikton. Ai
përshkruan. Përshkruan me sytë dhe zërin e kujt nuk kemi dashur ta dëgjojmë,
ngaqë a priori e kemi konsideruar armik. A ishin armiq mes veti ata tetë
ushtarë të trandur nga e pakuptimta që i rrethon dhe fantazmat e së kaluarës që
i kishin pozicionuar dhe në një shaka zotash mizorë i kishin vënë bashkë apo
ishin thjesht pengje? Pengje të moskuptimeve, pengje të politikave, pushteteve
e ca utopive që asnjë – sado ishin
indoktrinuar dhe u ishte propaganduar – nuk e kishte rrokur e as përqafuar.
Me
këtë roman, por edhe me “Zogjtë e
Qyqes” me të cilin u shpall fitues i
Çmimit Kadare, Gani Mehmetaj na ofron
frëngjinë e tjetrit, të shohim nga ajo dritare. Nuk propagandon as kërkon ta
bindë lexuesin mbi qasjen e tij. Edhe nëse kush e jetoi dhe e përjetoi atë
tmerr e ka të vështirë t’i vendosë syzet e tjetrit, edhe nëse e ka të vështirë
të bjerë dakord apo të falë, e sigurt që ky roman trazon dhe sjell katharsis.
Përmes
kësaj letërsie, si hapësirë jo shumë e eksploruar në letrat shqipe, Gani
Mehmetaj përpiqet ta edukojë lexuesin për reflektim më të thellë.
Me
gjuhën pamore e goditëse të Mehmetajt –
i njohur për dimensionin e tij si kineast – ky roman premton në të ardhmen një
vepër kinematografike, pasi i ka kaluar të gjitha fazat e metamorfozës nga
skenar , në dramë, e pastaj në roman.
Si
një vepër që na mëson ta shohim me sy ndryshe historinë, libri merr vlerë për
lexuesin përtej Prishtinës e përtej Tiranës. Pas botimit në gjuhën frënge,
italiane e kroate të “Zogjtë e Qyqes”, edhe “Lufta e Pengjeve” po ndjek të
njëjtin fat e pret të botohet së shpejti në Francë e Kroaci.
Me
25 libra letrarë, eseistikë dhe publicistikë, Gani Mehmetaj është një penë
prolifike e letërsisë shqipe. Një vit pas “Lufta e Pengjeve”, i vjen lexuesit
me një tjetër roman. “Muri i heshtjes” –
një rrëfenjë me nota të realizmit magjik, ku shpalosen dallimet dhe larmitë e
bashkësive të ndryshme etnike, fetare e kulturore, të cilët bashkëjetojnë në
terrene aspak idilike e shumë të rrëshqitshme të historisë mbushur me luftëra,
gjak e kufoma. Përmes familjeve shqiptare, serbe e boshnjake, por edhe me
personazhe nga pakica të tjera si ato rome, autori përpiqet të zbardhë krimet
nga koha e Luftës së Dytë Botërore, duke gërshetuar në një trill letrar por me
pasuri burimore e historike një rrëfenjë për luftën dhe dashurinë.
Ndonëse
në mjedisin letrar të Shqipërisë, Gani Mehmetajn e kemi njohur për fat të keq
vonë, ai ka zënë një vend të rëndësishëm në letërsinë shqipe të shek.XXI me
ndjeshmërinë, pjekurinë, me qasjen e paanshme, por gjithmonë të tablove
besnike, të temave që ziejnë në Ballkanin ende peng i dhimbjeve të së shkuarës.