Kulturë
Armela Hysi: Timo Flloko pranë bashkatdhetarëve në Athinë
E diele, 15.12.2024, 07:55 PM
Timo Flloko pranë bashkatdhetarëve në Athinë
Nga
Armela Hysi
Disa
aktivitete radhas me kurorëzimin e një mbrëmjeje poetike në një nga epiqendrat
e kulturës greke, siç janë ambientet me peshë të Fondacionit M. Kakkogiani dhe
veprimtarisë së përzgjedhur aktive që përfaqëson, kushtuar një nga Artistëve më
të dashur e të njohur të aktrimit shqiptar, Timo Flloko, nën shoqërinë e
tingujve elegantë e profesionistë muzikor dhe poezisë së tij botuar në tre
tituj poetik, patën fatin të ndiqnin shumë nga shqiptarët e Athinës këtë fillim
dhjetori.
E
ideuar ekskluzivisht nga Kryetarja e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në
Greqi, Liter-Art, Brikena Qama me një bashkëpunim model, siç ndodh shpesh të
arrihet nëpërmjet Ambasadës Shqiptare të Akredituar në Athinë, dhe vetë
prezencës nderuese të Ambasadores së Jashtëzakonshme e Fuqiplotë, zonja Luela
Hajdaraga, vizita e aktorit shqiptar me famë botërore qe një hallkë e
rëndësishme dhe e gëzuar për të vlerësuar e nderuar bashkatdhetarët tanë që
jetojnë dekada të tëra tashmë në qytetin Helen, artistin Timo Flloko.
Qe
gjithashtu një tribut por edhe njohje e brezave më të rinj me kontributin e tij
të shquar në kinematografinë shqiptare si një sinonim i padiskutueshëm i
suksesit dhe ëndrrës së këtij arti në vendin tonë, të mishërimit të sa e sa
karaktereve simbol, në historinë e artit dhe brumosjes artistike e kolektive,
në të njëjtën substancë thelbësore të botëkuptimit intim sipëror. Përherë duke
cilësuar veçantinë e gjenialitetit sublim të artistit Timo Flloko, magjisë që
shpalos në secilin karakter, për emocionet që fal, intelektin dhe botën e tij
shpirtërore, për të shijuar të gjithë xixëllimet bujare që survejon e synon, si
artist prestigjioz edhe nëpërmjet gjetjes së fjalës, dhe krijimit të një
fortese, aspak modeste, por me madhështinë dhe klasicizmin që i shkon për shtat
edhe në poezinë e tij, një emri të tillë.
Duhet
thënë se qe një spektakël i rrallë, përkushtuar Artistit Flloko, trajtuar si
një buqetë emblematike e përvojave të shumta të aktorit, mes miqsh dhe
artistësh, poetësh e shkrimtarësh dhe bashkatdhetarëve artdashës, apo miqve të
zemrës, si dhe mjaft shokëve të tij të fëmijërisë e bashkëqytetar të dashur, që
përveç se mbushën sallën, dhe madje ambiente të shumta të hollit të madh të
ndërtesës ku ndoqën aktivitetin me anë të monitorëve transmetues, pasi
pjesëmarrja qe tepër e lartë, përkujtuan vazhdimisht ngjarje e vende, ditë e
periudha ndjesore për të gjithë Shqipërinë duke e bërë tepër të ngrohtë e
transparent komunikimin me këtë idhull të artit shqiptar.
Ambasadorja
tepër e suksesshme dhe e shumëdashur në qarqet e diplomacisë së dy vendeve,
gjithashtu dhe të komunitetit të madh të emigrantëve shqiptar të Greqisë, znj.
Luela Hajdaraga, me të cilën dy ditë më parë u zhvillua edhe një takim i
ngrohtë në Ambasadë për të ftuarin e nderit, në fjalën e saj përshëndetëse
përmendi dashurinë dhe nderimin që ka populli ynë për aktorët e mëdhenj si Timo
Flloko. Iu referua paraqitjes së tij gjeniale në skenën dhe kinematografinë
shqiptare, si dhe vuri theksin për trajtën e tij të kompletuar si artist e poet
dhe gëzimin e tërë bashkatdhetarëve për këtë takim miqsh.
Teksa
poetja dhe shkrimtarja Armela Hysi, mëtoi në një analizë optimale mbi tre
librat poetik të autorit, botuar në dy dekadat e fundit, me timbër klasik dhe
veçori moderne e mjaft të pasura tematike e figurative të artistit Timo Flloko,
të hedh dritë mbi përgjithësitë artistike e stilistike të kësaj poezie të
pëlqyer nga publiku.
Vlerësim
e impenjim për spektaklin e organizuar me këtë rast pati veçanërisht prej
kolegëve të nderuar, disa prej zërave më të spikatura të skenës, aktrimit dhe
muzikës shqiptare të kultivuar, e evoluar në Athinë si një bashkë-ndijim sublim
tërë sharmë e talent dhe peshën e karierës së tyre profesionale në të dy
shtetet, teksa së bashku me kujtimet dhe dashurinë, dhanë për auditorin
interpretime emocionuese të mjaft poezive të Timo Fllokos, nën vështrimin
regjisorial të regjisores shqiptare të vlerësuar me çmime në Greqi,
njëkohësisht dhe letrares Alma Ibi Zekollari.
Kështu
së bashku me Kryetaren e Lidhjes, që udhëhoqi në mënyrë brilante tërë
aktivitetin, zonjën Qama, dhe bisedës së tyre intime e të ngrohtë, Timo Flloko
ndau skenën prestigjioze me aktorët e mirënjohur, siç është zonja e skenës
Gjenovefa Redhi, e cila i dha zë idilik poezisë së Fllokos “Hëna e një yll”,
dhe iu referua edukimit profesional që vënë re kolegët e saj grek në skenat më
në zë të teatrit profesional helen dhe se sa nderon edhe sot profesorët e saj,
e në veçanti vetë Timo Fllokon për mësimdhënien dhe plotësimin e saj
profesional, pikë që u ndal me mallëngjim edhe aktorja e re, e tepër e
talentuar Marsela Lena, teksa artisti Timo Flloko qe dhe profesori i saj për
mbrojtjen e diplomës.
Aktori
i shquar Nikolla Lambro me një karrierë të ndezur në të dy vendet fqinj, veç
interpretimit emocionues të poezisë së Fllokos “Sokaku i të marrëve” nuk mund
të mos sillte edhe kujtime të shumta për katër bashkëpunimet e ngushta me të –
veçanërisht për një nga rolet më të dashura për shqiptarët, atë të Kapedan
Çerçiz Topullit.
Edhe
aktori tepër i dashur me të gjitha rolet e tij të arrirë edhe në skenën
shqiptare të Athinës, edhe në tërë karrierën e tij artistike teatrale e
kinematografike, Karafil Shena veç kujtimeve e interpretimit
ndjenjë-përcjellës, e solli rasti të sensibilizonte në disa pika bazë, për
artin shqiptar dhe mëkëmbjen e tij produktive jashtë e brenda atdheut. Për t’u
veçuar qenë momentet e mrekullueshme të interpretimit plot emocion edhe të
aktoreve Irma Loka, gjithashtu nxënëse – më me fat se të tjerët, pasi e kisha
“kujdestar” për katër vjet,- siç u shpreh ajo me modesti dhe përmallje, dhe të
aktores së re e të suksesshme si dhe poetes, Katerina Haska që interpretoi në
mënyrë të veçantë poezinë “Mjellma” të Timo Fllokos, në gjuhën greke, përkthyer
nga letraret Jasmina Kotrri e Armela Hysi, nën përkujdesjen artistike të B.
Qamës e K. Haskës. E gjithë mbrëmja çdo çast i së cilës kaloi plot ngazëllim u
zbukurua nga trioja muzikore me muzikantët virtuozë dhe të sprovuar në skenë
Nasho Qirizidhi, në oboe, Sokrat Kana, në violonçel dhe Kristo Basko në piano,
që veç larmisë dhe emocioneve me muzikën e mirënjohur të Enio Morikones e Evanthia
Rebucikës shoqëruan plot ngjyra, në interpretimet e tyre të gjithë aktorët.
Përkujdesja
grafike profesionale prej piktorit Librand Dhrami dhe grafistit Ersi Rama,
krahas lançimit të një video-filmi me rolet më të spikatura të mbetura në
kujtesën e spektatorëve që solli përlotje në sallë, falë regjisë së Zekollarit,
krijuan nota edhe më të veçanta në spektakël si mbi të gjitha interpretimet e
rralla të vetë Timo Fllokos, që s’u prishi “qejfin” spektatorëve, madje as kur
ata të malluar i kërkuan të dëgjojnë interpretime emblemë të aktrimit të tij,
duke dëftuar edhe një herë madhështinë e tij skenike dhe se paraqitja ideale
përpara publikut është gatishmëria e pa-kufij profesionale dhe respekti për
publikun.
Duhet
thënë së fundi se Liter-Art, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptar në
Greqi dhe Komuniteti Shqiptar ku ajo përket, është rinovuar dhe e rilindur në
vitin e fundit, duke u rikonstruktuar me anëtarë të të gjitha moshave e arteve.
Nën qëllimet fisnike që përmbajnë në vetvete këto organizma të ruajtjes,
kultivimit dhe shtrirjes së të gjitha vlerave sociale, kulturore, patriotike,
tradicionale e familjare, të trashëguara e mbartur tek secili ne, edhe pas
emigrimit të gjatë dhe për shumë vendimtar, jashtë atdheut lindës - si
identiteti më i kompletuar dhe i shëndetshëm i çdo njeriu në këtë vazhdë jete,
këto lidhje janë lartuar e funksionuar kryekëput nën punën vullnetare e
vetëmohuese veçanërisht të kryesive përkatëse, e tërë anëtarëve të saj, (përpos
andrallave të jetës së secilit). Së bashku me bashkëpunimet e vazhdueshme dhe
mbështetjen optimale e prore të Ambasadës së Athinës dhe vetë Ambasadores
Hajdaraga, e stafit të saj, veçanërisht koordinatores për diasporën Joneda
Dodaj, përbëjnë një poliedri sublime për zhvillimin e jetës kulturore shqiptare
në Greqi e në marrëdhëniet vendimtare mes diasporës e tokës mëmë si dhe të dy
popujve.