E premte, 02.05.2025, 09:54 PM (GMT+1)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Përpiqu dhe prit

E diele, 15.12.2024, 07:50 PM


Përpiqu dhe prit

Nga Blerim Rrecaj

Hyri në dhomë. U ul në njëtën karrige të tavolinës së kuzhinës. Shikoi disi në mënyrë të papërcaktueshme. Sikur priste dikë a diçka. Derisa kroi sytë rreth qerpikëve, dhe shkundi nga xhemperi ndonjë kokrrizë të rënë në madhësi si të ishin kokrtiza sheqeri, pësjpëriti fjalët se çfarë po bënte. Ndoshta më mirë të rrinte edhe ca kohë kështu. Të priste të shkruante diç për...pritjet. Dhe në mend i erdhën fjalët pyetje, pite, pritje, pastaj. Po mendonte herë-herë nën ritmin e ca valëve paksa nervoze, e herë nën ritmin e ca valëve të qeta e të prajshme. Dhe do t'i duhej të udhëtonte nëpër kohë. Të lodronte. Të lundronte. Të recitonte. Të këndonte. Të heshte. Dhe filloi me një ngjarje nga fëmijëria e largët. Gjendur në dhomë, me dritare kah rruga e kalldremtë që shkonte fik përpjetë, e që së bashku me vëllezërit e me djalin e dajës kishin marrë një vendim. Të prisnin axhën e madh që do të vinte nga ushtria me leje, për ca ditë, nga ajo ushtri e huaj dhe e urryer, nga ndonjë vend diku në Mal të zi.  Kishin ndenjur, kishin biseduar, ishin shtrirë shtretërve, ishin hedhur në ndonjë valë fantazie, e koha kështu kishte kaluar. Dy-tri orë pas mesnatës, kur tashmë axha kishte ardhur, ose abeja siç i thoshin, i kishin dalë përpara, bashkë me të mëdhenjtë, anëtarët tjerë të familjes dhe së shpejti ishin kthyer në dhomën ku ishin, për të vazhduar edhe pak ndejën, për të biseduar për pritjen e suksesshme dhe për të pritur derisa gjumi do t'u mbyllte sytë, kujt pak më herët e kujt pak më vonë. Më vonë, ndodh që pa u bërë pothuajse mesditë kur ishin zgjuar, për të pasur dhe valë të tjera pritjeje, bashkarisht ose veçmas. Vazhdojmë me këto pritjet e përbashëkëta, si për shembull, kur një numër i madh fëmijësh, të afërmish, vëllezër, djemë daje, djem hallash prisnin për të filluar lojën, për t'u nisur për diku, për të rënë në  duar berberësh për t'u çethur. Kryesisht në vendin e njejtë, ulur rend e rend te ai lokal pranë vijës hekudhurore, jo fort larg, ndonëse as fort-fort afër jo, të objektit të stacionit të trenit në kryeqytet. Dhe brenda këtij lokali ku qethej shumëkush, nuk mungonin as fjalët, as heshtja, as ndonjë mashtrim e dredhi, për të shpëtuar ndokush për të mos u bërë "çel" si gjithë të tjerët. Ose ndonjë vit më vonë për t'u qethur, për të lënë ndonjë frizurë sipas modës së fundit. Nuk mundonte as ndobjë gabim i rrallë i berberëve, kur makina e rrojës ndalej, a ndonjë qime tërhiqej me forcë.  As vështrimet nga ajo tablo varur në mur, ku një drerit me brirë  iu kishin vërsulur tre-katër leopardë, dhe të cilin veç një mrekulli mund ta shpëtonte. Ai çast i ngrirë i kësaj pikture a ndoshta edhe fotografie bardh e zi, ishte një çast dramatik e i ankthshëm pritjeje, e varet se si e shihnim e çfarë përfundimi i jepnim. Ndërkohë seç vijnë fjalët e thëna një herë njëri nga këta berberë, derisa tankset famëkeqe jugosllave endeshin rrugëve për të shuar greva, revolta, e kryengritje, se me këto tankse do t'i trembin vetëm mushkonjat. Kur dilnim nga këtu harronim gjithë ç'kishte ndodhur, do duhej prisnim për t'u pastruar, e pastaj kushedi na priste buka në sofër, mbrenda a diku në oborr,  e na prisnin lojërat me top a fshehtas, rreth shtëpisë a nëpër lagje.  Na priste një mozaik i tërë pritjesh, udhëtimesh, bashkimesh, ndarjesh, ribashkimesh, aventurash. Prisnim a na prisnin familjarët, a shokët për t'u nisur bashkë me ta drejt shkollës, a për t'u kthyer bashkë rrugës së njejtë secili duke u ndalë në strehën e vet. Rriteshim nga një klasë në tjetrën, nga fillorja në të mesmen, e lart e më lart. Sa atje e sa këtu. Prisnim dikë që mund të quhej Bashkim a Driton, pastaj një Driton a Dritan "tjetër", a një Gazmend, një Artan a Arton, një Faton, një Visar, një Ilir e një Liridon, të cilit babai (s')i kishte shkuar në Bon a Uashington. I binim ziles e prisnim për të nxituar për në shkollë e për të hyrë brenda nëse kishim kohë. Prisnim autobusët "harmonikë", që do shkonim deri "Te plepat", e prej aty, prisnim tjerë autobusë që do na dërgonin deri te "Shtëpitë-shkolla" në "Kodër të trimave". Ndonjëherë njërën rrugë e bënim duke ecur në këmbë, ndodhte që këmbë t'i bënim dhe të dy rrugët. Prisnim edhe derisa të bashkoheshin e të ndaheshin rrugët, çfarëdoqofshin ato. Na kujtohet edhe fjalët prit një ditë e prit një vit, ose prit me muaj e prit me vjet. Si na kujtohen fjalët ironike që i thoshte dikush derisa shihnim atë videokasetë se kemi duruar(pritur) qe 80 vjet, po durojmë edhe sivjet, ai mirë që s'thoshte edhe 20. Dhe kështu kishte që prisnin, kishte edhe që duronin, kishte edhe që vepronin, besa dhe armikun me plumb e qëllonin. Dhe për t'i rënë shkurt e trup ndodhi gjithë ajo që ndodhi. Prisnim veprime, vendime, njoftime, lajme krenare e të dhimbshme. Parasegjithash prisnim fitore. Prisnim se ç'po ndodh e ç'po bëhet. Lëviznim, qëndronim, rezistonim, iknim, vendoseshim, zhvendoseshim, dëboheshim. Dhe përsëri ndodhi gjithë ajo që ndodhi. Fatmirësisht përpjekjet e të parëve, mësuesve, rilindasve, atdhetarëve e luftëtarëve ia thyen turinjtë, dhëmbët e kthetrat armikut, e themelet e aparatit të tij, këtij shteti faqezi. Për të vazhduar përpjekjet e pareshtura për t'u rimëkëmbur, për të ecur rrugës së dritës e diturisë, zhvillimit e harmonisë. Sigurisht se gjatë rrugëtimit nëpër jetë do ketë stacione tjera pritjeje, qofshin këto pritje të dëshiruara, qofshin këto pritje kompromisesh, pritje jo të lehta e të imponuara. Pritje kaq të dhimbshme e kaq të gjata për të ditur për fatin e të rrëmbyerve gjatë luftës, të vrarëve, të burgosurve, sa varrimi e sa zhvarrimi, pritje për plagët që la gjithë kjo rrugë e lavdishme për liri, me gjithë këto shenja heronjsh, luftëtarësh, martirësh, dëshmorësh, pa të cilët pritjet do të na rrezikonin të humbnin kokën e tokën, të asimiloheshim, të mos mbijetonim dot, të veniteshim, në rrezik të mos rilideshim, të mos riktheheshim. Për të vijuar me një rrugë të re përpjekjesh e pritjesh. Me shpresë, me ngatërrime e turbullime. Prite ndonjë mik e ndonjë shok, siç do të presin ata nëse përpara teje do mbërrijnë në vendin e caktuar. Prit se do kalojë kjo e prit se do kalojë ajo. Prit në këtë stacion e prit në atë stacion. Prit taksinë, trenin, tragetin, aeroplanin, autobusët urbanë a ruralë, mdonjë nga emrat e këtyre mjeteve të udhëtimit që të kujtohet tash është "Afërdita". Prit nëpër semaforë. Prit të (pa)parashikueshmen. Pritje...pritje...pritje...Prite piten sa të piqet e të dalë nga furra. Pra me tri fjalë: përpiqu dhe prit...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx