Kulturë
Shefqet Dibrani: Vepër publicistike me rëndësi historiografike
E diele, 15.12.2024, 07:49 PM
VEPËR PUBLICISTIKE ME RËNDËSI HISTORIOGRAFIKE
Ing.
Nazmi Peci, "DEMOKRACIA E PROLONGUAR 2", publicistikë, (Përgatitur
për shtyp nga Prof. Demë Jashari dhe Shefqet Dibrani), botoi Shtëpia Botuese
“FAIK KONICA”, Prishtinë 2024, faqe 160. ISBN 978-9951-31-014-7
Shkruan:
Shefqet DIBRANI
FILLIM
Këto ditë doli nga shtypi Libri i Dytë
publicistik “DEMOKRACIA E PROLONGUAR”, nga Ing. Nazmi Peci, vepër kjo që synon
të pasqyroj dhe sa më mirë të kompletoj portretin politik e intelektualit të
veprimtarit Nazmi Peci, i cili ishte nënkryetar në disa mandete i Degës së
LDK-së në Zvicër.
NJOHËS I SHKËLQYER I PROCESEVE POLITIKE
Ing. Nazmi Peci ishte dhe mbetet njëri
nga veprimtarët më të shquar të Lidhjes Demokratike të Kosovës – Dega në
Zvicër. Ai ishte njohës i shkëlqyer dhe pjesë aktive e të gjitha proceseve
nëpër të cilat kalonte atdheu ynë. Falë njohurive të tij intelektuale dhe kulturës
institucionaliste, ai diti më mirë se kushdo tjetër t’iu japë kahe të mbara të
gjitha organizimeve dhe proceseve ku ai pati ndikim. Këtë konstatim e sforcojnë
edhe shkrimet e radhës, të përfshira në vëllimin e dytë “DEMOKRACIA
E PROLONGUAR 2", përgatitur
për shtyp nga prof. Demë Jashari dhe Shefqet Dibrani. Shënimet në
fjalë janë përzgjedhur dhe sistemuar në këtë mënyrë, me qëllim të pasqyrimit sa
më të mirë, sa më real e të dinjitetshëm të veprimtarisë së njërit nga
veprimtarët më të vyeshëm që pat Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në
Zvicër.
Edhe për këtë vëllim, hartuesit kanë arritur
të gjejnë komente e shkrime të tija, kryesisht të mbetura në dorëshkrim.
Prandaj, gati secili shkrim është ilustruar me fragmente nga dokumentet
origjinale përmes të cilave lexuesit dhe bashkëveprimtarëve të tij ua paraqesin
edhe një vlerë të rrallë që kishte Ing. Nazmi Peci: “Atë për të mbajtur
shënime me një bukurshkrim për lakmi).
Është rast i mirë për të theksuar se
vëllimit të parë dhe këtij të dytit do t’i bashkëngjitet edhe i treti, (që
është në proces botimi), në të cilin janë përfshirë kryesisht raporte dhe
fjalime të Nazmiut të mbajtura nëpër tubime, mbledhje dhe kuvende të Degës së
LDK-së e në të cilat shpalosen jo vetëm vlerat intelektuale të Ing. Nazmi Pecit
të cilat ai i posedonte, por bëhet edhe pasqyrimi i vlerave demokratike që i ka
zhvilluar Dega e LDK-së në Zvicër dhe përgjithësisht Lidhja Demokratike e
Kosovës.
NË PROCES PËRPILIMI EDHE “MONOGRAFIA” KUSHTUAR KËTIJ VEPRIMTARI
Më vonë, kësaj trilogjie do t’i
bashkëngjitet edhe “Monografia për jetën dhe veprimtarinë e Ing. Nazmi Pecit”,
monografi kjo e cila është duke u përgatitur nga prof. Demë Jashari dhe Shefqet
Dibrani. Ku pretendohet të materializohet dhe të kompletohen sa më mirë shënimet
e përmbledhura edhe në këtë trilogji.
Kështu, duke i publikuar shkrimet e Ing.
Nazmi Pecit, është pasqyruar edhe një pjesë e madhe e veprimtarisë së mijëra
bashkatdhetarëve me të cilët ka vepruar Ing. Nazmi Peci, e së këndejmi edhe të
përzgjedhësve dhe përgatitësve të këtyre vëllimeve - gjithsesi me rëndësi edhe
historike.
Ky përkushtimi i D. Jasharit dhe i Sh.
Dibranit, për tu realizuar kjo trilogji, është një nga mundësitë më humane për
njeriun që tashmë nuk është në mesin e të gjallëve. Përmes përgatitjes për
publikim të veprës së tij, hartuesit kanë përkujtuar e nderuar mikun dhe
intelektualin Ing. Nazmi Peci si dhe të gjithë miqtë e bashkëveprimtarët e tyre
të përbashkët me të cilën kanë sendërtuar një kauzë e cila i pati ndikimet e
veta në shtetndërtimin e Kosovës, në propagandimin dhe sensibilizimin e
çështjes së Kosovës e, së këndejmi, edhe të organizimit politik, kulturor dhe atij
ushtarak në funksion të lirisë, pavarësisë dhe demokracisë.
PROLONGIMI (LAT. PROLONGARE)
Libri “DEMOKRACIA E PROLONGUAR 2”,
përfshinë kryesisht komente dhe analiza të shkruara nga Ing. Nazmi Peci në
përvijim kohërash. Edhe ky vëllim përbëhet nga një përzgjedhje profesionale e
shënimeve të gjetura në arkivin e tij; të komenteve dhe analizave të cilat Ing.
Nazmi Peci i ka shkruar me dorën e vet. Prandaj, hartuesit kanë futur faksimile
të bollshme për ta dëshmuar sa më mirë e sa më qartë këtë afinitet të rrallë që
kishte bashkëveprimtari dhe miku i tyre Ing. Nazmi Peci.
Të gjitha janë pikëpamje të Ing. Nazmi
Pecit të cilat i ka shprehur kudo: në ndeja, në mbledhje dhe nëpër tubime të
shumta që kishin të bënin me organizimet, mobilizimet, zhvillimet shoqërore e
politike - sociale e historike në shoqërinë shqiptare.
Me publikimin e këtyre komenteve dhe
analizave, hartuesit kanë synim për të nxjerrë më në pah afinitetin intelektual
që kishte veprimtari dhe udhëheqësi shumëvjeçar i Degës së LDK-së në Zvicër
Ing. Nazmi Peci. Së këndejmi, edhe ky vëllim është me mjaft interes për të
afirmuar dijen dhe njohuritë e nënkryetarit shumëvjeçar të LDK-së në Zvicër
Ing. Nazmi Peci.
Sipas përpiluesve, thuhet se “nuk
kemi informacione nëse këto shënime e shkrime të Nazmiut ishin të botuara në
shtypin e kohës ose diku tjetër. Por, si shënime të tija origjinale, gjithsesi
që ngjallin emocione dhe shpalosin edhe afinitetin e tij për mbajtjen e
shënimeve gati si lloj kronikash. Ky nivel dhe kjo saktësi e mbajtjes së
shënimeve është për t’u admiruar e lakmuar edhe nga ne miqtë e përhershëm të
tij sepse, kësisoj, po shohim se krijimi dhe shkrimi janë jo vetëm vlera
personal por ato edhe kanë atë privatësinë e individit i cili edhe kur krijon
gjëra me vlerë, siç është rasti i Ing. Nazmi Pecit, shumë pak iu ka kushtuar
rëndësi për t’i botuar e publikuar”.
EDHE KY VËLLIM PËRBËHET NGA DY PJESË
Në pjesën e parë janë përmbledhur
shkrime, referate, fjalime, pikëpamje e analiza, kurse në pjesën e dytë janë
përfshirë disa shkrime për figura dhe personalitete të kohës siç ishin Jusuf
Gërvalla, Enver Hadri, Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka dhe Nuhi Berisha, me emrat
e të cilëve ndërlidhen shumë ngjarje e zhvillime. Për këto figura të shquara,
organizimi i LDK-së në Zvicër - në tërë shtrirjen e vet, ka shënuar e mbajtur
përvjetor të rregullt. Po ashtu, përpiluesit kanë gjetur edhe dy shkrime të
tilla të cilat lidhen me dy figura të shquara të Mitrovicës siç janë prof. dr.
Latif Berisha dhe Agim Hajrizi, të vrarë nga forcat serbe në natën e 24 dhe 25
marsit të vitit 1999.
Siç është shpjeguar edhe në vëllimin e
parë, nocioni Prolongim (lat. prolongare), ka të bëjë me zgjatjen dhe
zvarritjen e proceseve, kuptim ky që iu shkon edhe këtyre shkrimeve të cilat
janë zvarritur dhe nuk janë botuar për të gjallë të autorit. Prandaj, paska
qenë edhe një arsye më shumë për ta pagëzuar librin me të njëjtin titull dhe,
në anën tjetër, për ta ruajtur vazhdimësinë e komenteve dhe analizave, si vlerë
të rrallë intelektuale të cilën e kishte Ing. Nazmi Peci. Kjo shprehje
(prolongim) e përdorur shpesh nga Ing. Nazmi Peci, krijon lehtësi për të
kuptuarit e veprës dhe bën që titulli të jetë më i kuptueshëm dhe shumë më i
pranueshëm. Kjo është theksuar edhe në vëllimin e parë se “Demokracia për të
cilën është angazhuar Ing. Nazmi Peci, (po edhe përpiluesit bashkë me të), nuk
është demokracia të cilën e kanë dëshiruar e projektuar, e për të cilën kanë
vepruar për vite të tëra”.
ANA MAGJIKE DHE ENIGMA E SAJ
Në vëllimin pasues, (Libri 3), lexuesi
do të ketë rastin për të mësuar luftën e pashembullt që bënte Qeveria e Kosovës
në Mërgim dhe vetë Ministri i Ekonomisë dhe Financave Isa Mustafa kundër Degës
së LDK-së në Zvicër, i cili madje, në mënyrë arbitrare - burokratike e
bolshevike, pa asnjë arsye e shkarkoi Ing. Nazmi Pecin nga kryetari i Këshillit
Qendror të Fondit për realizimin e trepërqindëshit në muajin mars 1993. Letrat
dhe dokumentet e asaj kohe do të përfshihen dhe publikohen në “Librin 3”, si
dokumente që do të shpjegojnë ecurinë e shumë proceseve dhe luftën e ashpër që
zhvillonin kreaturat e një segmenti institucional kundër LDK-së.
PËRFUNDIMI
Përpiluesit mendojn se edhe ky libër
pasqyron vetëm një anë, apo thënë më drejt, vetëm një pjesë të veprimtarisë e
krijimtarisë së Ing. Nazmi Pecit. Njëherësh është edhe kontribut dhe përpjekje
e tyre (përpiluesve) për të sendërtuar, realizuar e përjetësuar sa më
denjësisht figurën shumëdimensionale të bashkëveprimtarit të tyre dhe në anën
tjetër për të kompletuar portretin atdhetar, intelektual e politik të Ing.
Nazmi Pecit.
Në fund të këtij shënimi, përpiluesit e këtij
libri, e ripërsërisin refrenin se “Ing. Nazmi Peci ishte njëri nga
personalitetet më të spikatura në Degën e LDK-së në Zvicër”!
St.
Gallen, 13 dhjetor 2024.