Kulturë
Sevdail Hyseni: Përmbyllet me sukses Festivali “Ditët e Komedisë Shqiptare” në Preshevë
E hene, 16.12.2024, 07:50 PM
Përmbyllet me sukses Festivali “Ditët e Komedisë Shqiptare” në Preshevë
Nga
Sevdail Hyseni
Gjatë
periudhës 9 e 13 dhjetor 2024, Shtëpia e Kulturës “Abdullah Krashnica” në
Preshevë u shndërrua në epiqendër të humorit dhe artit skenik, duke mirëpritur
edicionin e XIX të Festivalit “Ditët e Komedisë Shqiptare”.
Ky
edicion i veçantë përkoi me një jubile të rëndësishëm, 30-vjetorin e themelimit
të Teatrit të Qytetit të Preshevës, duke i dhënë këtij festivali një dimension
të dyfishtë: festën teatrale dhe atë përkujtimore.
Pesë
netët e festivalit tërhoqën artistë dhe trupa teatrale nga mbarë hapësira
shqiptare, të cilët sollën për publikun shfaqje të nivelit të lartë dhe shumë
të duartrokitura. Në natën përmbyllëse, u ndanë çmimet më të rëndësishme të
edicionit, duke kurorëzuar talentin dhe punën e jashtëzakonshme të artistëve.
Këto
netë festivali, gjithashtu, ishin një festë e vërtetë kulturore, ku publiku
preshevar, i njohur për dashurinë dhe përkushtimin ndaj artit, mbushi sallën
deri në kapacitet maksimal. Me një atmosferë të ngrohtë e entuziaste,
artdashësit shijuan çdo shfaqje, duke përshëndetur performancat e trupave
teatrale me duartrokitje të gjata dhe vlerësim të sinqertë.
Atmosfera festive
Mikpritja
preshevare, gjithmonë e njohur për zemërgjerësinë e saj, ishte në nivelet më të
larta. Përfaqësuesit e teatrove nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut u
mirëpritën me një respekt dhe dashamirësi të veçantë, ndërsa atmosfera festive
përfshiu jo vetëm shfaqjet teatrale, por edhe aktivitetet shoqëruese, që
krijuan mundësi për shkëmbime përvojash dhe bashkëpunime të reja mes artistëve.
Natën
e fundit, gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve, emocionet arritën kulmin. Një
varg surprizash u rezervua për publikun dhe artistët, duke ngritur në këmbë
sallën e mbushur plot. Nga shfaqja më e mirë deri te vlerësimet individuale për
aktorët protagonistë dhe jo protagonistë, shpallja e çmimeve ishte një moment i
paharrueshëm që përforcoi edhe më shumë lidhjen e publikut preshevar me artin
skenik.
Fituesit
e Festivalit
Në Festivalin “Ditët e komedisë shqiptare”, nga juria
profesionale çmimin e pare e rrëmbeu shfaqja më e mirë: “Pacienti i Dr. Fojdit”, nga Teatri
i Qytetit Tetovë, pastaj regjia më e
mirë "Agron Boriçi": Gent Çajani, nga Teatri i Qytetit
të Tetovës, aktori më i mirë:
Adrian Aziri, nga Teatri i Qytetit të Tetovës, Aktorja më e mirë: Miola Sitaj, nga Teatri "Bylis" Fier,
Shqipëria, aktorja më e mirë jo
protagoniste: Egzona Saliu, nga Teatri i Qytetit të Preshevës, aktori më i mirë jo protagonist: Valon
Nuhiu, nga Teatri i Qytetit të Preshevës dhe çmimi special i Festivalit: Teatri "Bylis" Fier, nga
Shqipëria.
Vlen të ceket se në këtë festival komedish Teatri i Qytetit të
Preshevës, nikoqiri i kësaj ngjarje të rëndësishme kulturore, fiton dy çmime në
edicionin e XIX në Festivalin "Ditët e Komedisë Shqiptare ", me
aktorët: Valon Nuhiu dhe Egzona Salihu.
Ky
edicion i Festivalit “Ditët e Komedisë Shqiptare” dëshmoi se arti skenik është
një urë e fuqishme që bashkon shqiptarët nga të gjitha trojet. Me një organizim
shembullor dhe një atmosferë të gjallëruar nga dashuria për teatrin, Presheva e
vulosi emrin e saj si një qendër e rëndësishme kulturore, duke lënë gjurmë të
pashlyeshme në kujtesën e artistëve dhe publikut.
Kjo
ngjarje unike, jo vetëm që promovoi komedinë si një zhanër të rëndësishëm
teatror, por gjithashtu përforcoi rolin e artit në ruajtjen dhe avancimin e
kulturës kombëtare në Preshevë. Me këtë edicion të suksesshëm, Festivali “Ditët
e Komedisë Shqiptare” dëshmoi se mbetet një urë e fortë e bashkëpunimit
kulturor mes artistëve shqiptarë nga rajone të ndryshme.