E premte, 02.05.2025, 10:07 PM (GMT+1)

Kulturë

Hamza Halabaku: Po të shkruaj për një ngjarje rrënqethëse!

E hene, 16.12.2024, 07:52 PM


PO TË SHKRUAJ PËR NJË NGJARJE RRËNQETHËSE!

(Letër imagjinare mikut tim, shkrimtarit të ndjerë, Zejnullah Halili)

Nga Hamza Halabaku

Zejnullah i mirë,

E sheh, kur të vijnë të këqijat te komshinjtë, priti edhe në shtëpi, thotë një fjalë popullore!

Njërës nga bijat e mia, pasi u bë 25 vjeçe, iu shfaq një dhembje. Shkoi të bënte një kontroll te mjeku, e ai, mjeku i praktikës së përgjithshme, e kishte udhëzuar të shkonte te urologu, pasi, sipas simptomave që i kishte treguar ajo, dyshohej se kishte probleme me veshkat! Është normale, apo jo!?

Këtu, në Prishtinë ka qenë një urolog, që ka punuar bashkë me të birin e tij dhe kush ka shkuar aty për kontroll, ka mundur ta pësojë shumë lehtë. Kur ka shkuar bija ime, dikush nga ata i ka thënë se e ka gjetur problemin pse ajo ka dhembje. Pas kontrollit që i paska bërë urologu, për të cilin po të shkruaj, paska konstatuar se ajo është e lindur vetëm me një veshkë dhe se kështu e ka të vështirë jetën e mëtutjeshme! Duhet, i kanë propozuar ata, ta gjejë dikë nga të afërmit e saj, që do t’i falë një veshkë për të jetuar ajo pa probleme.

Kur më mori bija ime në telefon, meqë unë tani jetoj në Gjermani, Ti e di këtë, më tha: “Pse, babi, nuk më keni treguar ju prindërit se më mu­ngon njëra veshkë”!?

U habita me pyetjen e sime bijë dhe i thashë, mos ndoshta ajo ka parë ndonjë ëndërr! Por, ajo më tha se ky është konstatimi i mjekut specialist në Prishtinë.

- Më kanë kontrolluar me ultratingull dhe diagnoza është se më mungon njëra veshkë!

- Hiqu, ori - i thashë – ik, shko te doktor Vllaznimi, është një mjek i shkëlqyeshëm dhe mik i mirë i familjes sonë. Lute atë që të bëjë një kon­trollim detaj dhe, nëse del e vërtet diagnoza që ta kanë thënë në Ordinancën “Medikus”, babi është i gatshëm të ta falë cilën veshkë të duash !

Shkoi ajo te dr. Ximi, kështu i themi ne dr. Vllaznim Fazliut, i cili ordinancën e ka në Ferizaj. Është një mjek shembullor, shumë profesionist dhe me autoritet në tërë qytetin e Ferizajt e më gjerë.

Kur i ka bërë kontrollin dr. Ximi, edhe ai me ultratingull, ka konstatuar se i ka të dy veshkat, bile shumë funksionale, por që dhembjet i ka nga një ftohje akute...

Si është e mundur të bëjë një gabim kaq të madh mjeku specialist në ordinancën “Medikus”!? Gjithkah më shkonte mendja, Zejno! A është e mundur të jepej një diagnozë kaq e pasaktë, apo qëllimi ishte diku tjetër, për ta marrë një veshkë dhe për t’ia shitur dikujt tjetër!? Këtë dyshim timin, më vonë, ma sforcoi një aferë që plasi në atë klinikë. Në fillim të janarit, ditën e gjashtë të muajit të parë të vitit 2018 po lexoj në portalin “Koha-net” për skandalin në rastin “Medikus”.

“Policia akuzon shtetasin izraelit Moshe Harel si person që ka kërkuar njerëzit në nevojë për transplantim të veshkave dhe i ka joshur drejt Kosovës donatorët nga Turqia dhe vendet e ish-Bashkimit Sovjetik me premtime për pagesë deri në 12.000 euro”, shkruan sot Koha ditore.

Pranuesit e organeve, kryesisht izraelitë, kanë paguar mes 80.000 dhe 100.000 euro për organet. Disa donatorë kurrë nuk i kanë marrë të hollat.

“Bazuar në një fletarrestim ndërkombëtar, i dyshuari M. H. është arrestuar para pak ditësh në Qipro. Ai është person në kërkim që nga viti 2010”, ka thënë për Reuters zëdhënësi i policisë së Kosovës, Baki Kelani...

E përshkrova këtë pjesë nga portali “Koha.net”, sepse vërtet po të shkruaj vetëm për ato që po ndodhin. Janë gjëra të pabesueshme, ama janë shumë të vërteta. Ta thotë vëllai Ty! Merre me mend, për pak para, të bëjnë sallatë !

- Po ku na mbeti njerëzorja, miku im, Zejnë, ajo njerëzorja për të cilën Ti ishe në gjendje të flijoheshe në çdo moment dhe kredo Jotja, jo vetëm në poezi, por edhe në bisedat më të zakonshme ishte: Të jetosh me nder dhe të ma­rrësh atë që të takon, është njerëzi, e njerëzorja të shpie në përjetësi.

Dritë paç, miku im!

(Nuremberg, mesi i janarit 2018)




(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx