Speciale
Paulin Zefi: Akrolisi - Historia, arkitektura dhe misteret e tij
E diele, 08.12.2024, 08:05 PM
AKROLISI: Historia, arkitektura dhe misteret e tij
Nga
Paulin Z. Zefi
Në
lindje të qytetit të Lezhës ngrihet një kon i madh me majë shkëmbore, i
thepisur nga të gjitha anët, që formon një këndvështrim të dukshëm nga larg, të
cilin udhëtari nuk e humbet nga sytë, duke nisur nga lartësitë e kodrave pranë
Durrësit dhe deri në bregun verior të liqenit të Shkodrës (1). Ky masiv i lartë
shkëmbor, që po të vështrohet nga zonat pranë tij, duket si një piramidë
gjigande natyrale, ka një lartësi prej 410 m mbi nivelin e detit dhe njihet nga
banorët vendas si Mali i Shëlbuemit (2). Në vitin 1854, albanologu i madh
gjerman, Johann Georg von Hahn, saktëson se po ta vështrojmë nga ana e jugut,
Shëlbuemi i ngjan malit të Lykabetit (?????????? / Likavitos - P.Z.) në Athinë,
por është më i lartë se ai (3). Mali i Shëlbuemit formon një kreshtë shkëmbore
të ngushtë me dy maja, që zbret në një pjerrësi pothuajse vertikale drejt
perëndimit e jugperëndimit dhe zbret më butësisht drejt lindjes (4). Në majën e
këtij mali, që dominon të gjithë hapësirën përreth dhe nga ku mund të
kotrollohet Gjiri i Drinit në detin Adriatik, gjenden gjurmët e sistemit
fortifikues të një vendbanimi prehistorik ilir, i njohur si Akrolis (5). Kjo
kryevepër inxhinierike ndërtimore, në trasenë e mureve të së cilës dallohen dy
faza ndërtimi, cilësohet si e pashembullt në territorin shqiptar. Autorët e
parë antikë që flasin për Akrolisin janë Straboni dhe sidomos Polibi, i cili na
jep një pamje jashtëzakonisht të gjallë të vendndodhjes së këtij fortifikimi
(6). Mjerisht, me kalimin e shekujve, janë zhdukur pjesa më e madhe e
ndërtimeve të lashta dhe të vetmet struktura që i kanë mbijetuar kohës janë
themelet e murit rrethues (7). Të parët që kanë rilevuar rrënojat e Akrolisit,
duke na lënë një skicë-planimetri të saktë dhe një përshkrim të hollësishëm,
kanë qenë arkeologu Camillo Praschniker dhe epigrafisti Arnold Schober (të cilët, gjatë Luftës së Parë Botërore
(1914-1918) ishin ngarkuar nga Akademia Perandorake e Shkencave, në Vienë, për
të gjurmuar dhe regjistruar vendbanime dhe monumente në Shqipëri dhe në Malin e
Zi. Fortifikimi i hershëm i Akrolisit përfshin të dy majat e malit dhe ka
trajtë vezake, me drejtim veri – jug (9), me gjatësi 330 m dhe gjerësi prej 80
m (10). Muret e këtij vendbanimi të fortifikuar ilir, janë ruajtur pjesërisht
në një lartësi maksimale deri në 1.50 m (11). Perimetri i fortifikimit është
800 m dhe gjurmët e mureve mbulojnë një sipërfaqe prej 1.5 ha (12). Pjesa më e
ruajtur gjendet në anën juglindore, ku muret ruhen deri në 2-3 rreshta gurësh
dhe gjerësia e tyre është 3.3 m (13). Ato përbëhen nga dy këmishët dhe mbushja
është realizuar me gurë të papunuar dhe çakëll (14). Në skajin verior sistemi i
fortifikimit duket se ka qenë veçanërisht i fortë, sepse në të dy anët e majës
veriore ruhen ende gjurmët e dy kullave të hapura nga brenda, nga të cilat, ajo
lindore është ruajtur më mirë dhe 40 m në jug të kësaj, në anën lindore, ruhen
themelet e një kulle tjetër, por me përmasa shumë të vogla (15). Gjatësia e
përgjithshme e mureve shkon deri në 500 m dhe ata qarkojnë faqet lindore dhe
jugore, duke e lënë të lirë anën e thiktë perëndimore, 300 m të gjatë (16).
Duke u nisur nga maja veriore dhe deri te mbetjet në majën jugore pothuajse nuk
ka gjurmë, por drejtimi i murit sigurohet nga terreni së bashku me mbetjet e pakta
në jug, aty ku muri ruhet në shtresën e
tij më të ulët mbi një gjatësi prej 100 m (17). Vetë maja jugore përbëhet nga
një verandë si kullë, nga e cila ka tre rreshta blloqesh të mëdha, më i ulëti,
i shtrirë në shkëmbin e gdhendur, 0.65 m i lartë, vijuesi 0.45 m dhe tjetri,
0.40 m i lartë (18). Vetëm në Akrolis dhe në fortifikimin më të hershëm të
Butrintit janë evidentuar disa elementë që tregojnë për një zhvillim të
mëtejshëm të sistemeve mbrojtëse prehistorike, sepse këtu ndeshemi për herë të
parë në kthesa pak a shumë me kënde të drejtë të linjës së mureve, të cilët
kishin për qëllim të siguronin një mbrojtje anësore (19). Në Akrolis ndeshemi
me dy kthesa të tilla muresh, që janë lehtësisht të dallueshme, por në
Akropolin e Butrintit bëhet fjalë vetëm për ato pak gjurmë që janë të ruajtura
nga muri prehistorik, të cilat i përkasin pikërisht një kthese këndrejtë, që
bën linja e këtij muri (20). Në anën jugore të majës së Malit të Shëlbuemit
ekziston edhe një mur i tërthortë, i cili e zvogëlon lehtësisht sipërfaqen e
fortifikimit nga 1.5 ha në 1.3 ha (21). Në skajin e këtij murit ruhen edhe
gjurmët e një hyrjeje (22). Ajo ka një hapësirë drite 1.40 m, një korridor
rreth 3 m të gjatë dhe i shërbente vendit të fortifikuar për një komunikim të
afërt me vendbanimin e hapur breglumor (23). Hyrja tjetër, e cila më tepër
është një posternë / deriçkë ballore, gjendet në pjesën veriore të fortifikimit
(24). Materiali me të cilin është ndërtuar kështjella e Akrolisit në anën
jugore, është i njëjti gur gëlqeror triasik nga i cili janë ndërtuar muret e
Lisit (25). Po ashtu, dizajni dhe madhësia e blloqeve është gjithashtu e
njëjtë. Ndërsa, në pjesën veriore, në vend të gëlqerorëve, janë përdorur
kryesisht pllaka dhe rrasa nga shtresat e poshtme të malit, të cilat prodhojnë
natyrshëm blloqe me përmasa më të vogla (26). Duke u mbështetur në ngjashmërinë
e madhe tipologjike me ato të qytezave ilire të Marshejt në Malësinë e Madhe
dhe të Gajtanit në Shkodër, F.Prendi dhe K.Zheku, në vitin 1972, i kanë datuar
muret e Akrolisit si të fillimit të Epokës së Hekurit (27). Mirëpo, në vitin
1988, K.Zheku, duke u mbështetur te disa fragmente enësh prej balte dhe në
karakterin tipologjik të ndërtimit, ndryshon mendim dhe e shtyn datimin më larg
në kohë, duke arritur në konkluzionin se ndërtimet mbrojtëse të majës së
Shëlbuemit mund të jenë bërë në kohë më të hershme se periudha e fundit e
bronzit (28). Ndërsa, A.Baçe ka arritur në përfundimin se muratura e fazës së
parë është datuar nga qeramika në shek. VIII p.k. (29), duke krijuar edhe një
pikë repere për fortifikimet protourbane (30). Akrolisi njihet si qendra e parë
e fortifikuar në qytetin e Lisit, duke u mbiquajtur Lisi i parë dhe është
arritur në përfundimin se këtu ka jetuar një federatë fisnore, e cila merrej me
bujqësi dhe blegtori. Po ashtu, në mesin e banorëve kishte edhe një grup
zejtarësh, të cilët prodhonin sende për popullsinë, që banonte rreth
kështjellës. Me kalimin e kohës, kjo qendër e parë qytetare e Lezhës u popullua
aq shumë, sa në këtë vend nuk kishte më asnjë lloj mundësie për zhvillim të
mëtejshëm (31). Të gjendur në këto kushte, banorët shqyrtuan mundësinë e
krijimit të një vendbanimi të dytë të fortifikuar. Të parët që vendosën të
zbresin nga maja e malit të Shëlbuemit ishin pikërisht zejtarët, të cilët, për të
qenë më afër fushës dhe rrugëve, ndërtuan një kështjellë tjetër të vogël mbi
kodër, rrëzë së cilës shtrihet Lezha e sotme (32). Qyteti i ri i krijuar prej
tyre, u quajt “Lis”, ndërsa kështjella e vjetër quhej “Akrolis”, që do të thotë
“Lisi i Sipërm (33)." Të dy këto vendbanime të fortifikuara i përkasin
fazës protourbane ose paraqytetare (34), duke hedhur poshtë mendimin
tradicional se Lisi ka qenë një koloni sirakuziane e themeluar në vitin 385
p.k, nga Dionisi Plak, tirani i Sirakuzës (35), të cilin filozofi Platon, që e
ka njohur personalisht, pasi ishte shitur prej tij si skllav, e përshkruan si:
"Njeriu më i mjerë që qeveris shtetin më të trishtë. Pas krijimit të
Lisit, i cili u fuqizua shpejt nga zhvillimi i vrullshëm i zejtarisë dhe i
tregtisë, ripërtëritet edhe Akrolisi, duke u kthyer në një kështjellë ndihmëse
në funksion të sistemit mbrojtës të qytetit të Lisit (36). Është konstatuar se
muratura e fazës së dytë të ndërtimit të Akrolisit është tipologjikisht e
njëjtë me muraturën e fazës së dytë të Lisit, çka tregon se simbioza Lis /
Akrolis u planifikua si e tillë, që në vitin 390 p.k. (37). Në fakt, është
pikërisht binomi Lis / Akrolis, i cili shërben si shembulli më i bukur
ilustrativ i “Simbiozës së qyteteve me kështjellat (38)." Për të mbrojtur
qytetin e Lisit duhej një numër i madh ushtarësh, por Akrolisi, nga lartësia
dhe nga paafrueshmëria e pozicionit të tij, ishte kaq i vështirë për t’u
sulmuar, sa do të mjaftonte vetëm një garnizon i vogël për ta mbrojtur (39). Se
sa i rëndësishëm ishte Akrolisi për qytetin e Lisit, këtë e dëshmojnë shumë
qartë ngjarjet e zhvilluara në vitin 213 p.k. (40). Mbreti i Maqedonisë, Filipi
V, i cili kishte lidhur aleancë me Kartagjenën kundër Romës, erdhi për të
pushtuar qytetin e Lisit, që falë pozitës strategjike ishte vendi më i
përshtatshëm për të realizuar planet e tij të luftës kundër Romës, sepse këtu
gjente një fortifikim madhështor, portin dhe kantierin për ndërtimin e anijeve
(41). Mesa duket, Filipin V po e brente zilia për karrierën famëmadhe të Hanibalit,
i cili asokohe po i dërrmonte romakët në territorin e tyre në Itali (42). Pasi
bëri paqe me Lidhjen Etole, ai u nis nga Pella dhe marshoi në drejtim të
veriperëndimit kundër qytetit të Lisit. Shumë shpejt, ushtria maqedonase kaloi
kufirin dhe depërtoi në territorin ilir. Pas dy ditëve marshim, duke kaluar
nëpër shtigjet e ngushta të lumit Ardaksanos (Mati i sotëm), Filipi V i afrohet
Lisit dhe e vendos kampin e tij jo shumë larg, në një qytet kufitar të quajtur
Bassania (43). I mbrojtur nga natyra, si nga deti ashtu edhe nga toka dhe i
siguruar nga fortifikimet e tij të fuqishme, Lisi i bën Filipit V një
përshtypje të madhe, por në veçanti, kur ngriti sytë përpjetë për të parë
Akrolisin të vendosur mbi Malin e Shëlbuemit, ai fillimisht humbet çdo shpresë
për ta pushtuar atë me forcë (44). Sipas përshkrimit plastik nga Polibi të
sulmit të Filipit V: “Filipi, i cili prej shumë kohësh ëndërronte të shtinte në
dorë Lisin dhe Akrolisin, u nis për atje me ushtri. Këtu vuri re se rrethi i
Lisit ishte përforcuar shumë mirë nga ana e detit dhe ajo e tokës, nga natyra
dhe dora e njeriut. Përsa i përket Akrolisit që ishte pranë, ai kishte aq
lartësi të madhe dhe ishte aq i fortë, sa që edhe një sy të vetëm të hidhte
njeriu mbi të, do ta kuptonte menjëherë se pushtimi i tij ishte gjë e pamundur
(45)." Duke analizuar situatën me hollësi, Filipi V planifikon të pushtojë
vetëm Lisin (46). E vetmja mundësi për sukses ishte qafa malore midis Lisit dhe
Akrolisit dhe ai përdor mashtrimin, duke fshehur pjesën më të madhe të ushtrisë
së tij në grykat e pyllëzuara malore në brendësi të vendit, pak përtej qafës së
malit (47). Ata marshuan në fshehtësi të plotë gjatë natës afër Grykë-Manatisë,
përmes luginës, e cila shtrihet në lindje dhe në verilindje rreth Akrolisit dhe
më pas u vendosën në formacion prite në zonën e sotme të Varoshit (48). Ditën e
nesërme, të gjitha përpjekjet e para të ushtrisë maqedonase dështuan përballë
mureve të Lisit dhe pikërisht në kohën kur Filipi V po bëhej gati të largohej
me turp, luftëtarët ilirë, duke e kujtuar fitoren e sigurtë, dolën jashtë
mureve dhe sulmuan ushtrinë maqedonase në fushë të hapur (49). Në këtë kohë,
luftëtarët e garnizonit të Akrolisit, që po vëzhgonin ngjarjet nga sipër,
kujtuan se maqedonasit ishin thyer dhe prandaj lanë kështjellën dhe zbritën
poshtë në fushë nëpërmjet shpatit të pjerrët të Shëlbuemit (50). Ndërkohë,
Filipi V dha urdhër që trupat e tij të
armatosur lehtë, që ishin fshehur në Varosh një natë më parë, të fillonin
sulmin nga ana veriore e Lisit dhe pasi ata depërtuan në qafën që ndan dy
kështjellat, iu prenë mbrojtësve rrugën e tërheqjes dhe e morën Akrolisin e
pambrojtur me shumë lehtësi (51). Pas kësaj, ata nuk e patën të vështirë të
pushtojnë qytetin e Lisit (52), ku pas disa luftimeve të përgjakshme, arritën të
depërtojnë brenda mureve ditën e nesërme (53). Pas rënies nën pushtimin
maqedonas, Akrolisi e humbet plotësisht rëndësinë e tij, por edhe pas çlirimit
në vitin 197 p.k., ilirët nuk interesohen më për të. Të njëjtën gjë do të bëjnë
edhe romakët pasi pushtuan Lisin në vitin 168 p.k., por edhe pushtuesit e
mëvonshëm të Lisit apo vetë sundimtarët vendas gjatë Periudhës së Mesjetës.
Mirëpo, jeta në Akrolis nuk shuhet përfundimisht, sepse gjatë Mesjetës së Vonë,
në pjesën jugore të masivit shkëmbor ndërtohet “Kisha e Shëlbuemit”, që sot
është në gjendje rrënojë. Bëhet fjalë për një kapele të vogël me planimetri të
thjeshtë drejtkëndore, që për herë të parë përmendet nga Benedikt Orsini në
vitin 1629 (54) dhe nga e cila ka marrë emrin i gjithë ky masiv shkëmbor (55).
Më vonë, mbi Kishën e Shëlbuemit është ndërtuar një objekt i kultit islamik,
teqe bektashiane, e njohur si Tyrbja (varri) i Xhymert Kasapit ose Kasapit
Xhumert (56). Ky i fundit është një shenjtor i panjohur, emri i të cilit është
harruar dhe nga rrëfimet e njerëzve, që ka mbledhur Th.Ippen, ai dallohej për
bamirësi ndaj të varfërve në ndarjen e mishit, ndaj e mori edhe atë llagap
(57). Disa të dhëna mjaft interesante mbi historinë e kasapit në fjalë dhe të
tyrbes së tij, i ndeshim në vitin 1905, në veprën “The Burden of the Balkans”,
të antropologes angleze dhe mikes së madhe të Shqipërisë dhe shqiptarëve, Mary
Edith Durham (58). Ndërsa, 7 vite më vonë, menjëherë pasi trupat serbo-malazeze
pushtuan qytetin e Lezhës, më 19 nëntor 1912, një grup me ushtarë serbë u
ngjitën në Malin e Shëlbuemit, ku në mënyrë triumfuese u fotografuan para
Tyrbes në fjalë, të cilën, ata e identifikonin me Varrin e Gjergj
Kastriotit-Skënderbeut. Pushtuesit serbë do të shfaqin sërish një interes të
veçantë për këtë Tyrbe në dimrin e viteve 1914-1915, gjatë Luftës I Botërore
(1914-1918), kur ata po tërhiqeshin me shpejtësi drejt jugut nëpërmjet
territorit shqiptar, të llahtarisur nga sulmet e armatës së fuqishme të
Peradorisë Austro-Hungareze, e cila po i ndiqte këmba-këmbës. Njësoj si në
vitin 1912, edhe një foto e shkrepur nga serbët në fillim të vitit 1915,
paraqet Tyrben në Malin e Shëlbuemit, të cilën ata vijojnë ta identifikojnë me
Varrin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Edhe në ditët e sotme, në
historiografinë zyrtare serbe mbizotëron mendimi i përgjithshëm se kjo Tyrbe, e
cila përmendet si "????? ????? (Kasapi Xhafer – P.Z.)” lidhet sipas tyre,
me Kishën ortodokse/pravosllave të Shën Nikollës (??????????? ????? ??.
??????), ku në vitin 1468 u varros Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, eshtrat e të
cilit u nxorën nga varri dhe u përdorën si hajmali, ndërsa më vonë kisha u
shndërrua nga turqit në tyrbe (59)”! Në fakt, sikurse dihet, në Lezhë dhe as në
rrethinat e saj nuk ka patur kurrë ndonjë Kishë Pravosllave, përpos periudhës
së pushtimit të egër të car Stefan Dushanit në vitet 1343-1355, kur Kishat
Katolike u uzurpuan përkohësisht nga Patriarkana Serbe, por që menjëherë pas
dëbimit të serbëve, ata u rikthyen ashtu siç kishin qenë historikisht në
varësinë e Selisë së Shenjtë në Romë. Megjithatë, kjo nuk e ka ndaluar
industrinë e fabrikimit të historiografisë zyrtare serbe, e cila vijon të
sajojë dhe të tjerrë teza nga më të çuditshmet. Në faqet e fundit të botimit më
të ri në gjuhën serbe (Beograd & Novi Sad: 2018) të kryeveprës monumentale
të Marin Barletit, “Historia de vita et gestis Scanderbegi, Epirotarum
Principis”, Tyrbja e Xhymert Kasapit në Akrolis përmendet si: “???? ???????????
(60)", pra si “Varri i Skënderbeut”! Së fundmi kjo tezë ka gjetur
mbështetje edhe nga disa autorë shqiptarë (61), por ajo krijon shumë hapësirë
për diskutim. Deri më sot ende nuk ka dalë në dritë ndonjë burim dokumentar apo
gjetje arkeologjike, që mundet ta mbështesë këtë supozim. Mirëpo, nga ana
tjetër, nëse e shohim vetëm në kontekstin e strategjisë promocionale të
Monumentit, kjo tezë krijon një efekt shumë pozitiv, sepse lidhja e këtij siti
arkeologjik me emrin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, zgjon interesin e
njerëzve për të vizituar Akrolisin. Përsa i përket vëzhgimeve arkeologjike të
ndërmarra pranë rrënojave të Tyrbes së Xhymert Kasapit, përveç të tjerash, janë
konstatuar edhe gjurmët e një varreze të krishterë, e cila mund të ketë lidhje
kronologjike me Kishën e Shëlbuemit (62). Megjithatë, deri më sot, ende nuk
është zhvilluar një ekspeditë arkeologjike e mirëfilltë, e cila mund të na
ndihmojë për të krijuar një definicion shkencor përfundimtar mbi vjetërsinë e
Akrolisit si dhe mbi misteret që fshehin rrënojat e Kishës së Shëlbuemit dhe
varreza e krishterë pranë saj. Akrolisi është Monument Kulture i kateg. I,
shpallur me Vendim të Institutit të Shkencave (botuar në Gazetën Zyrtare Nr.
95, dt. 16.10.1948); Rektorati i Universitetit Shtetëror të Tiranës/ nr. 6/ dt.
15.01.1963; Ministria e Arsimit dhe Kulturës/nr.1886/ dt.10.06.1973.
BIBLIOGRAFIA:
1) C.Praschniker &
A.Schober, Archäologische Forschungen in Albanien und Montenegro, Wien: 1919,
f. 23.
2) N.Ceka, Udhëtim në
kështjellat ilire, f. 45; K.Zheku, Lisi në shekuj, f. 10.
3) J.G.Hahn, Studime
Shqiptare, f. 135.
4) C.Praschniker &
A.Schober, Archäologische Forschungen in Albanien und Montenegro, Wien: 1919,
f. 23.
5) F.Prendi - K.Zheku,
Qyteti ilir i Lisit. Origjina dhe sistemi i fortifikimit të tij, në: Iliria,
Nr. 2, Tiranë: 1972, f. 216.
6) C.Praschniker &
A.Schober, Archäologische Forschungen in Albanien und Montenegro, Wien: 1919,
f. 23.
7) K.Zheku, Lisi në
shekuj, f. 10.
8)C.Praschniker &
A.Schober, Archäologische Forschungen in Albanien und Montenegro, Wien: 1919,
f. 23-26.
9) S.Pulaha &
A.Parruca, Lezha: Vështrim historiko-gjeografik, f. 16.
10) C.Praschniker &
A.Schober, Archäologische Forschungen in Albanien und Montenegro, Wien: 1919,
f. 24.
11) F.Prendi - K.Zheku,
Qyteti ilir i Lisit. Origjina dhe sistemi i fortifikimit të tij, në: Iliria,
Nr. 2, Tiranë: 1972, f. 216.
12) A.Baçe, Qytetet dhe
qytezat ilire dhe në Iliri, Pjesa e Parë: Iliria Veriore (Istria – Drin), f.
483.
13) K.Zheku, Lisi në
shekuj, f. 10.
14) A.Baçe, Qytetet dhe
qytezat ilire dhe në Iliri, Pjesa e Parë: Iliria Veriore (Istria – Drin), f.
484.
15) C.Praschniker &
A.Schober, Archäologische Forschungen in Albanien und Montenegro, Wien: 1919,
f. 24.
16) A.Baçe, Qytetet dhe
qytezat ilire dhe në Iliri, Pjesa e Parë: Iliria Veriore (Istria – Drin), f.
483-484.
17) C.Praschniker &
A.Schober, Archäologische Forschungen in Albanien und Montenegro, Wien: 1919,
f. 24.
18) Ibidem, f. 24.
19) Gj.Karaiskaj,
Fortifikimet prehistorike në Shqipëri, në: Monumentet, 14, Tiranë: 1977, f.
24-25.
20) Ibidem, f. 25.
21) A.Baçe, Qytetet dhe
qytezat ilire dhe në Iliri, Pjesa e Parë: Iliria Veriore (Istria – Drin), f.
484.
22) F.Prendi - K.Zheku,
Qyteti ilir i Lisit. Origjina dhe sistemi i fortifikimit të tij, në: Iliria,
Nr. 2, Tiranë: 1972, f. 216.
23) K.Zheku, Lisi në
shekuj, f. 11.
24) A.Baçe, Qytetet dhe
qytezat ilire dhe në Iliri, Pjesa e Parë: Iliria Veriore (Istria – Drin), f.
484.
25) C.Praschniker &
A.Schober, Archäologische Forschungen in Albanien und Montenegro, Wien: 1919,
f. 25.
26) Ibidem, f. 25).
27) F.Prendi - K.Zheku,
Qyteti ilir i Lisit. Origjina dhe sistemi i fortifikimit të tij, në: Iliria,
Nr. 2, Tiranë: 1972, f. 216.
28) K.Zheku, Lisi në
shekuj, f. 11.
29) A.Baçe, Arkitektura
në Iliri, parë si refleks i strukturës sociale dhe botës shpirtërore, f. 184.
30) A.Baçe, Qytetet dhe
qytezat ilire dhe në Iliri, Pjesa e Parë: Iliria Veriore (Istria – Drin), f.
484; F.Prendi, Aspekte ekonomike dhe kulturore të Lisit deri në shek. I. p.e.
sonë, në: Lisi, Nr. 4, Shkodër: Migjeni, 1974, f. 107.
31) N.Ceka, Arkitektura
e qyteteve ilire, në: Monumente të Kulturës në Shqipëri, I, Tiranë: “8
Nëntori”, 1975, f. 7.
32) N.Ceka, Udhëtim në
kështjellat ilire, f. 45.
33) K.Zheku, Lisi në
shekuj, f. 32.
34) N.Ceka, Në fillimet
e qytetit ilir, f. 170-172.
35) J.G.Hahn, Studime
Shqiptare, f. 134; C.Praschniker & A.Schober, Archäologische Forschungen in
Albanien und Montenegro, Wien: 1919, f. 14; K.Jireçek, Nga Shkodra gjer në
Vlorë nëpër Shqipërinë Mesjetare, f. 69; L.M.Ugolini, L'antica Albania : nelle
ricerche archeologiche italiane, f, 36.
36) A.Baçe, Qytetet dhe
qytezat ilire dhe në Iliri, Pjesa e Parë: Iliria Veriore (Istria – Drin), f.
484.
37) Ibidem, f. 484.
38)
A.Meksi-A.Baçe-E.Riza-Gj.Karaiskaj-P.Thomo, Historia e arkitekturës në
Shqipëri: nga fillimet deri në vitin 1912, f. 71.
39) Th.Ippen, Shqipëria
e vjetër, f. 151.
40) E.Malaj, Lezha gjatë
periudhës së Antikitetit, në: Studime Historike, 3-4/2017, Viti LXXI (LIV),
Tiranë: 2018, f. 16-18.
41) N.Ceka, Udhëtim në
kështjellat ilire, f. 46.
42) E.Jacques, Shqiptarët:
Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri ne ditët e sotme, f. 130.
43) E.Malaj, Lezha gjatë
periudhës së Antikitetit, në: Studime Historike, 3-4/2017, Viti LXXI (LIV),
Tiranë: 2018, f. 17-18.
44) C.Praschniker &
A.Schober, Archäologische Forschungen in Albanien und Montenegro, Wien: 1919,
f. 25.
45)
A.Meksi-A.Baçe-E.Riza-Gj.Karaiskaj-P.Thomo, Historia e arkitekturës në
Shqipëri: nga fillimet deri në vitin 1912, f. 71; A.Baçe, Arkitektura në Iliri,
parë si refleks i strukturës sociale dhe botës shpirtërore, f. 185.
46) C.Praschniker &
A.Schober, Archäologische Forschungen in Albanien und Montenegro, Wien: 1919,
f. 25.
47) Ibidem, f. 25-26.
48) Ibidem, f. 26.
49) S.Pulaha &
A.Parruca, Lezha: Vështrim historiko-gjeografik, f. 21.
50) N.Ceka, Udhëtim në
kështjellat ilire, f. 46.
51) S.Pulaha &
A.Parruca, Lezha: Vështrim historiko-gjeografik, f. 21.
52) N.Ceka, Udhëtim në
kështjellat ilire, f. 46.
53) S.Pulaha &
A.Parruca, Lezha: Vështrim historiko-gjeografik, f. 21.
54) P.Bartl, Albania Sacra:
Geistliche Visitationsberichte aus Albanien, 1: Diözese Alessio, f. 85.
55)
G.Hoxha-L.Përzhita-F.Cavallini, Monumente Historike të Kultit të Krishterë në
Dioqezën e Lezhës / Monumeti Storici di Culto Cristiano della Diocesi di Lezha,
Lezhë: Botimet Françeskane, 2007, f. 53.
56) C.Praschniker &
A.Schober, Archäologische Forschungen in Albanien und Montenegro, Wien: 1919,
f. 23-24; S.Pulaha & A.Parruca, Lezha: Vështrim historiko-gjeografik, f.
16; G.Hoxha-L.Përzhita-F.Cavallini, Monumente Historike të Kultit të Krishterë
në Dioqezën e Lezhës / Monumeti Storici di Culto Cristiano della Diocesi di
Lezha, Lezhë: Botimet Françeskane, 2007, f. 53.
57) Th.Ippen, Shqipëria
e vjetër, f. 149, 208.
58) E.Durham, Brenga e
Ballkanit, f. 328-330.
59) ?.?.????????, ?? ??
????? ???????? ?????????? ? ?????????: ????? ??????? ???????? ? ?????????
??????? : (?????????????? ????????), f. 49.
60) ?.???????, ?????
???????? ?????????? : ???????? ? ?????? ???? ????? ????????, f. 535.
61) G.Çitaku, Akrolisi
dhe misteret e tij, në: Koha Javore, Nr. 1134, Podgoricë: 15.11.2024.
62)
G.Hoxha-L.Përzhita-F.Cavallini, Monumente Historike të Kultit të Krishterë në
Dioqezën e Lezhës / Monumeti Storici di Culto Cristiano della Diocesi di Lezha,
Lezhë: Botimet Françeskane, 2007, f. 53, Shënimi nr. 56.
Paulin Zefi.
Lezhë: 03.12.2024.