Speciale
Paulin Zefi: Katedralja e Shën Nikollit - Memoriali i Vendvarrimit të Gjergj Kastriotit
E hene, 25.11.2024, 07:00 PM
Katedralja e Shën Nikollit/Memoriali i Vendvarrimit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut: Historia, arkitektura dhe zbulimet arkeologjike
Nga
Paulin Z. Zefi
Katedralja
mesjetare e Shën Nikollit, mbi të cilën është konceptuar dhe ndërtuar Memoriali
i Vendvarrimit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në vitet 1979-1981, përfaqëson
një ndër objektet më të rëndësishëm të Trashëgimisë Kulturore Kombëtare në të
gjithë hapësirën shqiptare, duke iu referuar peshës specifike që mbart ky
objekt në historinë e popullit shqiptar. Brenda kësaj kishe, më 2 mars 1444
është zhvilluar edhe ngjarja më e rëndësishme në historinë e Shqipërisë, pra
Kuvendi i madh i princave arbër me në krye heroin tonë kombëtar Gjergj
Kastriotin-Skënderbeun, i cili ishte ideatori dhe organizatori i këtij kuvendi
në të cilin u realizua Besëlidhja e Lezhës; Bashkimi i parë politik, ushtarak
dhe ekonomik i popullit tonë dhe u hodhën themelet e ndërtimit të një shteti të
mirëfilltë arbër me orientim të pastër europiano-perëndimor. Mirëpo, Katedralja
e Shën Nikollit siç do të shohim më poshtë nga rezultatet e gërmimeve
arkeologjike, ka një vertikale shumë më të thellë historike. Në fund të viteve
40 të shek. XV, në rrethana të papërcaktuara historike, ndoshta nga ndonjë
inkursion turk, kjo kishë u rrënua dhe për këtë arsye Gjergj
Kastrioti-Skënderbeu i dërgon një letër Papa Kalikstit III, që ta ndihmojë
financiarisht për ndërtimin e saj (1). Më 15 shtator 1457, Papa Kaliksti III
lëshon indulgjenca për këdo që do të japë donacione për të mundësuar rikonstruksionin
e katedrales së Shën Nikollit në Lezhë, duke iu përgjigjur kështu kërkesës së
Gjergj Kastriotit-Skënderbeut (2). Sipas A.Serra, kjo dëshirë e Kastriotit na
shtyn të mendojmë: ishte thjeshtë çështje admirimi, kjo e restaurimit të Kishës
së Shën Kollit, apo parandjenjë, që e shtynte të mendonte se pikërisht në këtë
tempull, aq të dashur për zemrën e tij, do të bënte pushimin e mbramë
(3)"? Në vitin 1459, ky objekt u rindërtua, duke u ngritur në rangun e
Katedrales (4). Më 17 janar 1468, në këtë objekt religjioz u varros trupi i
heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeut, dhe më 5 shtator 1478 (5),
kur qyteti i Lezhës u pushtua nga sulltan Mehmeti II Fatih, ushtarët osmanë u
dyndën brenda katedrales së Shën Nikollit,
duke hapur varrin e tij dhe duke i ndarë eshtrat midis tyre për t’i
përdorur si hajmali. Këtë version e mësojmë nga
biografët më të hershëm të Kryeheroit, si: Dhimitër Frangu (6), Martin
Segoni (7) dhe Marin Barleti. Në vitin 1580 kjo kishë kthehet ne xhami, duke u
njohur si Xhamia Selimie, por braktiset nga osmanët në vitin 1620 (9), pasi aty
vdiqën 3 muezinë, të cilët ishin rrëzuar nga këmbanarja, duke thirrur
besimtarët islam në faljen e namazit (10). Në fund të shek. XVIII ky objekt
rindërtohet dhe rikthehet sërish në funksionin e xhamisë (11). Ndryshimet që
ndodhën në kishë, gjatë procesit të kthimit të saj në xhami, janë pasqyruar
qartë në mbylljen e absidës dhe në shkatërrimin e varreve te prelatëve të
kishës nga ana e turqve (12). Në fund të shek. XIX, pranë Xhamisë Selimie, e
njohur edhe si Xhamia e Pazarit, u bë zbulimi i një pllake mermeri me një
mbishkrim në turqisht ku thuhej: “Këtu gjenden eshtrat e shqiptarëve të vdekur
përpara prijësit t’Albanezve”, një zbulim për të cilin foli shtypi i kohës më
1898 (Bukuresht) dhe që çeli diskutimin mbi vendvarrimin e Gjergj
Kastriotit-Skënderbeut (13). Ndërsa, në vitin 1908, në këtë objekt kulti
ndërtohet një minare prej guri, duke zëvendësuar atë prej druri që ndodhej mbi
muret e këmbanores mesjetare (14) dhe Xhamia Selimie funksionoi si e tillë pa
ndërprerje deri në vitin 1967. Gjatë ekspeditave arkeologjike të udhëhequra nga
Frano Prendi në fund të viteve 60 të shek. XX, brenda këtij monumenti janë
zbuluar katër shtresa kulturore të përfaqësuara nga mbeturina konstruksionesh
të periudhave të ndryshme (15). Shtresa e parë, e cila kronologjikisht është
edhe më e vjetra, përfaqësohet nga një konstruksion romak i shek. III dhe në
këto kushte është shfaqur mendimi se kemi të bëjmë me një tempull pagan (16).
Shtresa e dytë përfaqësohet nga strukturat e një ndërtese të periudhës
bizantine të shtruar me dysheme llaçi gëlqereje, të përzier me grimca të imëta
tullash (17). Shtresa e tretë përfaqësohet nga themelet e një kishe mesjetare
paraturke dhe shtresa e katërt, po nga një kishë tjetër paraturke, e cila është
mbivendosur mbi të parën (18). Të gjitha këto faza ndërtimesh dhe rindërtimesh
reflektohen qartë në muret dhe në shtresat e dyshemesë së Katedrales së Shën
Nikollit (19). Dhjetë vite më vonë, në vitet 1978-1979, në hapësirën e
brendshme të kishës u kryen përsëri disa gërmime, të cilat nuk janë botuar
asnjëherë, por ekzistojne sot vetëm si raporte dhe dokumentacion arkivor
gërmimesh (20). Më 23 korrik të vitit 1978 (21), në qendër të katedrales u
gjetën pjesët e ruajtura të një monumenti, që përfaqësohej nga shkallët e një
bazamenti (22). Ai ka formën e një drejtkëndëshi me përmasa 1.96 x 2.86 m, me
dy rradhë gurësh të mbivendosur, ndërtuar me blloqe të skuadruar, që lidhen nga
sipër me ganxha hekuri, të vendosura në kanale e në gropa të posaçme me anë të
plumbit të shkrirë dhe ky objekt është i vendosur me aks giatësor veri-jug,
paralel me rrugën kryesore të qytetit, rreth 20 m në perëndim të saj (23). Në
fillim, u mendua se bëhej fjalë për zbulimin sensacional të bazamentit mbi të
cilin mund të ishte vendosur sarkofagu i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, por
shumë shpejt, me zbulimet e tjera të kryera nga ana e jashtme përqark
katedrales në të njëjtin nivel, me të njëjtën teknikë dhe në të njëjtën shtresë
kulturore, u bë e qartë se kishin të bënin me një objekt më të hershëm të
periudhës romake (24), i cili është datuar në shek. I-II pas Kr. (25).
Megjithatë, në lidhje me përcaktimin e vjetërsisë dhe të funksionit të këtij
objekti, në Akademinë e Shkencave të R.P.S.SH. u bënë dy konsulta me
pjesëmarrjen direkte të Prof.Aleks Budës. Më 21.08.1978 u shfaqën mendime të
ndryshme dhe shumë kontradiktore, por në konsultën e zhvilluar më 30.10.1980,
mendimi përfundimtar i të gjithë pjesëmarrësve ishte që ky objekt i zbuluar, i
cili i plotësonte të gjitha kushtet e një bazamenti varri monumental, të ishte
objekt studimi për të ardhmen dhe u vendos që të ruhet i mbyllur në një dhomë
të betonuar në qendër të katedrales (26). Mirëpo, niveli stratigrafik i gjetjes
(shekujt I-II pas Kr.), forma, konstruksioni, përmasat dhe orientimi i këtij
bazamenti dyshkallësh, sipas G.Hoxhës, tregojnë se kemi të bëjmë, jo me nje
bazament varri, por me bazamentin e një monumenti antik në trajtë piedestali,
që mund të ishte një obelisk përkujtimor, një bazament statuje e një kalorësi,
një cipus, një stelë varrore apo një altar (27). K.Zheku ka qenë i bindur se
mbi këtë bazament qëndronte nje statujë monumentale (28), por G.Hoxha
argumenton se versioni i pranisë së nje altari duket më i mundëshëm, sepse kjo
tipologji bazamenti është mjaft e njohur në altarët kushtimorë apo perkujtimorë
të periudhave helenistike dhe romake (29). Gjatë gërmimeve të zhvilluara në
vitin 1979, u zbuluan edhe 6 varre të prelatëve kishtarë pranë absidës së
katedrales dhe këta varre u gjetën pjesërisht të dhunuar, pa inventar
objektesh, por sarkofagët ruheshin në një gjendje relativisht të mirë (30). Në
këto varre u zbuluan një sërë objektesh arkitektonike të hedhura nga turqit
gjatë shkatërrimit të kishës (31). Pas ndërhyrjeve rrënjësore, që u kryen në
vitet 1978-1981 nga “Atelieja e Monumenteve të Kulturës së Tiranës”, nën
drejtimin e L.Lazimit, K.Zhekut dhe Th.Karanxhës, më 23 nëntor 1981 inaugurohet
përfundimi i Memorialit të Vendvarrimit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, që
shohim sot, ku brenda ruhen vetëm strukturat origjinale të Katedrales mesjetare
të Shën Nikollit (32). Ky monument historik i kultit të krishterë ka një
planimetri të thjeshtë me këto përmasa: 18.50 m gjatësi dhe 9.40 m gjerësi.
Ndërsa, gjatësia e përgjithshme e objektit nga hyrja dhe deri në absidë është
22.10 m. Muret perimetralë të kishës janë të ndërtuar me gurë të çrregullt
gëlqerorë dhe të lidhur me llaç gëlqereje. Trashësia në të gjithë gjatësinë e
tyre është 0.70 m. Lartësia maksimale e mureve arrin deri në 5.40 m, në anën
perëndimore, ku gjendet hyrja e saj dhe pjesa më e ulët e mureve shënohet në
anën lindore, në absidë, 2.50 m (e matur nga jashtë). Navata e kishës ka këto
përmasa: 17.10 m gjatësi dhe 8 m gjerësi. Absida gjysmërrethore ka një rreze të
brendshme prej 2.36 m (x 2 = 4.72 m) dhe pranë pjesës jugore të saj, në një
gropë të betonuar me 28 cm thellësi, është konservuar skaji verior i absidës së
ndërtimit pararendës. Kamarja në anën e djathtë, pranë absidës, e cila është
1.65 m lartësi nga dyshemeja dhe që ndodhet direkt mbi afreskun e Shën
Nikollit, ka këto përmasa: 37 cm gjerësi x 32 cm lartësi dhe 29 cm thellësi.
Kamarja në anën e majtë, pranë absidës, e cila është 2.33 m lartësi nga
dyshemeja, ka këto përmasa: 65 cm gjerësi x 55 m lartësi dhe 40 cm thellësi.
Shumë pranë kësaj kamareje, por që ndodhet në skajin më lindor të murit verior,
2.53 lartësi nga dyshemeja, është edhe një kamare e vogël me përmasa: 23 cm
lartësi x 22 cm gjerësi dhe 50 cm thellësi. Hyrja e katedrales ka këto përmasa:
2.53 m lartësi x 1.73 gjerësi dhe ndërsa pjesa e saj e brendshme është më e
madhe: 2.85 m lartësi x 2.20 m gjerësi. Hapësira e brendshme e kishës ndriçohet
nga tri dritare të ngushta dhe të mbuluara me hark të mprehtë, të cilat ndodhen
në murin e saj jugor (33). Elementi më interesant është një fragment i harkuar
dhe i gdhendur me gjethe akanthi, i cili gjendet në ftontonin e kishës, mbi
portën e hyrjes (34). Ekziston mendimi se ky gjysmëhark, që duhet datuar
përpara shek. XII, vjen nga ndonjë dritare e kishës më të vjetër ose i takon
një cihoriumi (35). Po ashtu, në fasadën e jashtme perëndimore të kishës ruhen
ende disa fragmente pikturash murale, të cilat janë të palexueshme, por që
mendohet se mjaftojnë për të na treguar se kisha duhet të ketë patur edhe një
portik, gjurmët e të cilit janë zhdukur plotësisht nga shndërrimet e
vazhdueshme (36). Muret e Katedrales së Shën Nikollit paraqiten pa dekorim të
brendshëm me piktura murale, si pasojë e dëmtimit dhe ndryshimeve të shumta që
ka pësuar ky monument, duke nisur që nga kthimi i tij në xhami në vitin 1580
dhe deri në vitet 1978-1981 kur u krye edhe restaurimi i tij. E vetmja gjurmë e
pikturës murale, e cila i ka mbijetuar kohës dhe ndryshimeve të lartpërmendura,
ndodhet në anën jugore të murit lindor të Katedrales, pranë absidës. Fragmenti
me përmasa 1.28 m lartësi dhe 0.69 m gjerësi, paraqet figurën e pajtorit të
kishës, Shën Nikollin, i cili, në ndryshim me shumë paraqitje të tjera që
njohim deri më sot, është pikturuar me veshje aristokrate veneciane dhe jo me
veshjen tradicionale të Etërve të Kishës. Kjo pikturë është realizuar me
teknikën e afreskut dhe paraqitet mjaft e dëmtuar si në aspektin viziv dhe atë
estetik, sepse lakunat e shumta të madhësive të ndryshme, që janë shkaktuar nga
rënia e fragmenteve të pikturës, kanë krijuar copëzimin e imazhit piktorik aq
sa nga portreti i shenjtorit nuk ka mbetur asnjë gjurmë e tipareve të tij.
Restaurimi i fundit, që është bërë në vitin 2018, duke kryer pastrimin e plotë
të sipërfaqes së pikturës nga depozitimet e paqëndrueshme me solucion 3A,
heqjen e mbushjeve të vjetra me llaç duke përdorur dalta të vogla e bisturi dhe
më pas, duke i borduruar buzët e afreskut dhe stukuar pjesët e dëmtuara me një
material të posaçëm me ton neutral, ka bërë të mundur parandalimin e rënies së
mëtejshme të pelikulit piktorik, konsolidimin e pjesës së padëmtuar dhe
përforcimin e lidhjes së afreskut me suportin e tij. Siç e përmenda pak më
lart, në vitet 1978-1981, me qëllim për të evidentuar vlerat historike të
Katedrales së Shën Nikollit, është realizuar një ndërtim krejtësisht i ri, i
trajtuar me një kolonadë rreth e rrotull, brenda të cilit ruhen pjesët
origjinale të katedrales së shek. XIV-XV (37). Numri i kolonave është 28, një
numër simbolik, dhe gjerësia e tyre është 0.50 x 0.50 m. Ndërtimi i ri, i cili
mban sipër kolonadës një kornizë të dalur, në pamjen kryesore të volumit dhe në
qendër të kornizës ka të vendosur përkrenaren e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.
Platforma e Memorialit, e cila ka një lartësi prej 11 m dhe që deri në vitin 2018
ka qenë e mbuluar me kapriatë ondoluksi, ka këto përmasa: 35 m gjatësi dhe
20.40 m gjerësi, duke mbuluar një sipërfaqe të përgjithshme prej 714 m.
Brendësia e kishës, me një dysheme të shtruar me pllaka të daltuara, është e
pajisur me bustin ikonë të Kryeheroit, vepër e Odhise Paskalit, që është
vendosur në qendër të absidës mbi një piedestal të ndërtuar me dy blloqe të
mëdhenj gëlqerorë me lartësi 1.05 m, të realizuar sipas modelit të mureve
antikë ilirë. Dyshemeja e absidës qëndron 55 cm më lart se sa ajo e navatës së
kishës. Në pjesën lindore të navatës, mbi një bazament të ulët graniti me
ngjyrë të gjelbër në të errët dhe të mbuluar me një pllakë të madhe mermer
karare, janë vendosur Përkrenarja dhe Shpata e betejës së Gjergj
Kastriotit-Skënderbeut, por që në projektin fillestar ka qenë planifikuar të
vendoset edhe Mburoja e tij (38). Të dy fasadat e kishës (veriore dhe jugore)
janë hijeshuar me mburoja bronzi, ku paraqiten në reliev 25 betejat kryesore që
populli jonë me në krye Gjergj Kastriotin-Skënderbeun ka zhvilluar kundër
pushtuesve osmanë, por edhe atyre venecianë dhe anzhuinëve gjatë ekspeditës në
Italinë e Jugut (1461-1462) në ndihmë të mbretit Ferdinandi i Aragonës. Hyrja
është e pajisur me një portë masive të stilizuar prej bronzi, e cila përbëhet
nga dy kanate me peshë 550 kg x 2 = 1.1 ton. Ndërtimi i ri në kompleks është i
veshur dhe i shtruar me pllaka mermeri me ngjyrë gri të çelur dhe hyrja
kryesore është realizuar me një ngritje prej 6 shkallësh të ndara në dy pjesë
të barabarta (3 & 3), që të çojnë gradualisht në platformën e ndërtimit të
ri, në qendër të të cilit ndodhet monumenti. Në fund të kësaj platforme është
vendosur një panel mozaiku me Flamurin tonë Kombëtar me "Shqiponjën
dykrenare" brenda saj në të dyja anët, e cila është realizuar me derdhje
në bronz dhe ky panel mbyll perspektivën e hapësirës së ndërtimit të ri nga
hyrja kryesore (39). Vlerësimi i rrugës antike, që kalon përmes Lisit të
Poshtëm është bërë edhe gjatë shtrirjes së saj në pjesën e platformës, ndërsa i
gjithë ambienti përqark është lënë si rezervat arkeologjik, në mënyrë që në të
ardhmen të zhvillohen gërmime arkeologjike për zbulimin e monumenteve dhe të
shtresave kulturore të periudhave të ndryshme të ekzistences dhe zhvillimit të
qytetit të Lisit, nga Antikiteti e deri në kohët tona (40). Për herë të fundit,
Katedralja mesjetare e Shën Nikollit dhe Memoriali i Vendvarrimit të Gjergj
Kastriotit-Skënderbeut së bashku me Muret antike ilire të Lisit të Poshtëm,
janë restauruar dhe rehabilituar plotësisht në vitin 2018, nëpërmjet një
projekti të financuar nga Qeveria Shqiptare në kuadrin e “Vitit Mbarëkombëtar
të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.” Kapriata e re është realizuar me profile
hekuri, që mban të fiksuar panelet me xham struktural me ngjyrë të kaltër të
çelur. Katedralja mesjetare e Shën Nikollit është shpallur Monument Kulture i
kateg. I, nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës me vendim Nr.1886, më
dt.10.06.1973. Ky monument, i cili mund të quhet pa mëdyshje si “Pasaporta
Kulturore e Bashkisë Lezhë”, është një ndër objektet më të vizituara nga
turistët e huaj në Republikën e Shqipërisë dhe shërben si një pikë shumë e
rëndësishme e “Peligrinazhit Patriotik??”, duke tërhequr çdo vit më mijëra vizitorë.
BIBLIOGRAFIA:
1) F.Prendi, Vendvarrimi
i Skënderbeut, në: Konferenca e Dytë e Studimeve Albanologjike (12-18 janar
1968), Universiteti Shtetëror Tiranës-Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, I,
Tiranë, 1969, f. 245.
2) L.Tacchella, Giorgio
Castriota Skanderbeg e i romani pontefici nel secolo XV, f. 24-25; A.Castriota
Scanderbeg, I Castriota Scanderbeg d’Albania, f. 35.
3) A.Serra, Shqipëria
dhe Selia e Shenjtë në kohën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, f. 37.
4) M.Shuflaj, Situata të
Kishës në Shqipërinë paraturke: Zona e depërtimit ortodoks në “digën” katolike,
Botimi II, f. 99.
5) S.Daci, Lezha nën
sundimin e Venedikut, në: Studime për epokën e Skënderbeut, II, Akademia e
Shkencave e R.P.S.SH. (Instituti i Historisë), Tiranë, 1989, f. 174.
6) D.Franco, Historia e
gloriosi gesti e Et vittoriose imprese fatte contra Turchi dal signor D.
Giorgio Castriotto, detto Scanderbeg, Prencipe d’Epirro, f. 221-222.
7) A.Pertusi, Martinon
Segono di Novo Brdo Vescovo di Dulcino: un umanista serbo-dalmata del tardo
Quattrocento: vita e opere, Istituto Storico Italiano per il Medio Evo, Roma,
1981, f. 145.
8)M.Barleti, Historia e
Skënderbeut, f. 494.
9) J.G.Hahn, Studime
Shqiptare, f. 135.
10) P.Bartl, Albania
Sacra: Geistliche Visitationsberichte aus Albanien, 1: Diözese Alessio, f. 86.
11) L.Lazimi, Memoriali
i Skënderbeut në Lezhë, në: Shtëpi muze dhe monumente kulture, Tiranë: “8
Nëntori”, 1981, f. 118.
12)
G.Hoxha-L.Përzhita-F.Cavallini, Monumente Historike të Kultit të Krishterë në
Dioqezën e Lezhës / Monumeti Storici di Culto Cristiano della Diocesi di Lezha,
Lezhë: Botimet Françeskane, 2007, f. 40.
13) K.Frashëri, Gjergj
Kastrioti Skënderbeu. Jeta dhe vepra (1405-1468), f. 475.
14) M.Sirdani, Kërkime
mbi vorrin e Skanderbegut, në: Hylli i Dritës, Nr. 4, Shkodër: 1932, f.
181-194.
15) F.Prendi,
Vendvarrimi i Skënderbeut, në: Konferenca e Dytë e Studimeve Albanologjike
(12-18 janar 1968), Universiteti Shtetëror Tiranës-Instituti i Historisë dhe i
Gjuhësisë, I, Tiranë, 1969, f. 245.
16)
G.Hoxha-L.Përzhita-F.Cavallini, Monumente Historike të Kultit të Krishterë në
Dioqezën e Lezhës / Monumeti Storici di Culto Cristiano della Diocesi di Lezha,
Lezhë: Botimet Françeskane, 2007, f. 37.
17) F.Prendi,
Vendvarrimi i Skënderbeut, në: Konferenca e Dytë e Studimeve Albanologjike
(12-18 janar 1968), Universiteti Shtetëror Tiranës-Instituti i Historisë dhe i
Gjuhësisë, I, Tiranë, 1969, f. 245.
18) A.Meksi, Arkitektura
mesjetare në Shqipëri, f. 116.
19) L.Lazimi, Memoriali
i Skënderbeut në Lezhë, në: Shtëpi muze dhe monumente kulture, Tiranë: “8 Nëntori”,
1981, f. 118.
21) A.M.H. Lezhë:
L.Gjeçi, Raport gërmimi 1978, f. 9.
22) K.Zheku, Lisi në
shekuj, f. 38.
23) Ibidem, f. 38-39.
24) L.Gjeçi-N.Përleka,
Përpjekje për të rënë në gjurmët e varrit fizik të Gjergj
Kastriotit-Skënderbeut, "Dorëshkrim”, Lezhë: Shkurt 1988, f. 7-8.
25) G.Hoxha, Të dhëna të
reja arkeologjike mbi parahistorinë e vendvarrimit të Gjergj
Kastriotit-Skënderbeut, në: Iliria, XLII, Tiranë: 2018, f. 8.
26) L.Gjeçi-N.Përleka,
Përpjekje për të rënë në gjurmët e varrit fizik të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut,
"Dorëshkrim”, Lezhë: Shkurt 1988, f. 8, shënimi nr. 32.
27) G.Hoxha, Të dhëna të
reja arkeologjike mbi parahistorinë e vendvarrimit të Gjergj
Kastriotit-Skënderbeut, në: Iliria, XLII, Tiranë: 2018, f. 8.
28) K.Zheku, Lisi në
shekuj, f. 38-39.
29) G.Hoxha, Të dhëna të
reja arkeologjike mbi parahistorinë e vendvarrimit të Gjergj
Kastriotit-Skënderbeut, në: Iliria, XLII, Tiranë: 2018, f. 8-10.
30) A.M.H. Lezhë:
L.Gjeçi-N.Përleka, Raport gërmimi 1979, f. 4.
31)
G.Hoxha-L.Përzhita-F.Cavallini, Monumente Historike të Kultit të Krishterë në
Dioqezën e Lezhës / Monumeti Storici di Culto Cristiano della Diocesi di Lezha,
Lezhë: Botimet Françeskane, 2007, f. 40.
32) L.Lazimi,
Përkujtimorja e Skënderbeut, në: Monumentet, 2, Tiranë: 1984.
33) A.Meksi, Kishat e
Shqipërisë së Mesme e të Veriut (vijim), në: Monumentet, 1, Tiranë: 1984, f.
113.
34)
G.Hoxha-L.Përzhita-F.Cavallini, Monumente Historike të Kultit të Krishterë në
Dioqezën e Lezhës / Monumeti Storici di Culto Cristiano della Diocesi di Lezha,
Lezhë: Botimet Françeskane, 2007, f. 40.
35) A.Meksi, Kishat e
Shqipërisë së Mesme e të Veriut (vijim), në: Monumentet, 1, Tiranë: 1984, f.
113.
36)
G.Hoxha-L.Përzhita-F.Cavallini, Monumente Historike të Kultit të Krishterë në
Dioqezën e Lezhës / Monumeti Storici di Culto Cristiano della Diocesi di Lezha,
Lezhë: Botimet Françeskane, 2007, f. 40.
37) L.Lazimi, Memoriali
i Skënderbeut në Lezhë, në: Shtëpi muze dhe monumente kulture, Tiranë: “8
Nëntori”, 1981, f. 118.
38) Ibidem, f. 119.
39) Ibidem, f. 119.
40) Ibidem, f. 119.
P.S. : Kopjimi dhe
shpërndarja e këtij materiali studimor, por sidomos shfrytëzimi i fotove,
skicave dhe planimetrive të vjetra, ku pjesa dërrmuese publikohen për herë të
parë, “nuk lejohet pa miratimin e autorit”!
Si referencë
për shfrytëzimin e plotë të të gjithë materialit duhet të përdoret:
Paulin Zefi, Katedralja
e Shën Nikollit/Memoriali i Vendvarrimit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut:
Historia, arkitektura dhe zbulimet arkeologjike: in: "Dielli/The Sun
(botuar nga Sokol Paja)”, New York, USA: November 23, 2024.
Paulin Zefi
Lezhë: 23.11.2024.