E premte, 13.12.2024, 08:23 AM (GMT)

Speciale

Feti Tunuzliu: Materiali 'tepër sekret' i Organit të Punëve të Brendshme në Mitrovicë për aksionet e UÇK në janar 1999

E marte, 12.11.2024, 06:59 PM


MATERIALI "TEPËR SEKRET" I ORGANIT TË PUNËVE TË BRENDSHME NË MITROVICË PËR AKSIONET E UÇK NË JANAR 1999

Nga Feti TUNUZLIU

Struktura dhe përmbajtja e thukët e materialit

Sekretariati i Punëve të Brendshme në Mitrovicë në shkurt 1999 me siglën "Tepër sekret" kishte hartuar materialin zyrtar titulluar: "Informata mujore mbi gjendjen e sigurisë publike në territorin  e Sekretariatit të Punëve të Brendshme të Mitrovicës (tani: Mitrovica e Veriut) për muajin janar të vitit 1999".

Në 26 faqe me alfabetin çirilik serb, ky dokument arkivor i Sekretariatit të Punëve të Brendshme të Mitrovicës, shpalos detaje të 11 çështjeve të cilat i atribuuohen: gjendjes së sigurisë publike; luftimit të "kriminalitetit";  sigurisë së trafikut; kontrollit dhe punëve administrative; punëve policore kundër zjarrit, etj.

Në këtë Informatë zyrtare, siguria publike është trajtuar nën nr. rendor 1. prej fq. 1-5, titulluar: "Vlerësimi për gjendjen e sigurisë publike", që do e shpalosim në vijim.

Sipas versionit zyrtar të organeve të punëve të brendshme, objekt i "sulmeve terroriste dhe provokimeve terroriste të bandave shqiptare" gjatë janarit 1999 paskan qenë pjesëtarët e policisë, objektet e punëve të brendshme dhe qytetarët serbë, malazezë e të tjerë.  

Duke bërë bilancin e "sulmeve terroriste" të janarit 1999 (më 24 mars fillojnë bombardimet e NATO-s), specifikohet se për pasojë, kanë vdekur 4 serbë dhe 1 shqiptar; 5 pjesëtarë të  punëve të brendshme  janë plagosur; 1 qytetar; ka patur 13 rrëmbime (8 ushtarë të Armatës jugosllave (më vonë të liruar) dhe 5 persona nga Nevolani (Vushtrri). Në Informatën zyrtare, janë evidentuar 20 "sulme terroriste" dhe 12 "provokime terroriste" të të infiltruarëve në UÇK.

Përndryshe, gjatë shpërthimit të disa akteve "terroriste",  raportohet se policia paskësh përdorë armë zjarri për t'i zmbrapsur sulmet ndaj vetes" (!) sepse me to qenka "rrezikuar jeta e tyre", konstatohet në Informatën zyrtare.

Përtej kësaj, sipas Informatës në fjalë,  kjo zmbrapsje çdo herë qenka "vlerësuar e arsyeshme dhe në përputhje me ligjin" (!).

E thënë kalimthi, kjo ngre një pyetje të madhe nga këndvështrimi i popullësisë civile shqiptare – në rrethanat kur UÇK synon mbrojtjen e popullësisë së viktimizuar shqiptare prej bëmave  barbare të strukturave policore të shtetit serb, si mund të jetë e vërtet që çdo veprim, manifestuar nga UÇK në çdo kohë e në çdo vend të reflektojë gjithësesi ndonjë trajtë terrorizmi: vepër terroriste, ndihmë për terrorizëm, përgatitje për terrorizëm, lehtësim i terrorizmit, rekrutim për terrorizëm, trajnim për terrorizëm, shtytje për terrorizëm, fshehje e terrorizmit, organizim dhe pjesëmarrje  në grup terrorist, e të ngjashme ?

Kronologjia e " krimeve terroriste"

Në vijim do i prezentojmë thukët rastet e përshkruara kronologjikisht në Informatën sekrete që i atribuuohen "gjendjes së sigurisë publike" ku janë përfshirë aksionet e luftëtarëve të reshtuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përbrenda territorit të  komunës së Mitrovicës:

1.     më 2 janar 1999,  n'ora 10.40 min.  vepra penale e "terrorizmit" është kryer brenda rrethojave të Kooperativës bujqësore "23 Nëntori" në Mitrovicë  ku janë gjetur dy kufoma. Në praninë e anëtarëve të Misionit Verifikues të OSBE kufomat janë identifikuar dhe është vërtetuar se ata janë: Gojko Jeftiq (1949) i lindur në Suhodoll - Mitrovicë dhe Dragi Kovaqeviç (1951) nga Mitrovica. Gjatë obdukcionit ka dal se vdekjet janë pasojë e përdorimit të armëve të zjarrit.

2.    më 10 janar 1999, rreth orës 15.15 min. në magjistralen Mitrovicë-Rozhaje, në fsh. Koshtovë pesë persona të panjohur, të armatosur me automatikë dhe me kapela t'zeza,  duke kanosur me armë  zjarri kanë ndaluar veturën "Audi 80" me targa BA 147-90. Me te kanë qarkulluar  babë e bir: Vukoman Deleviq (1946) dhe  Dmitrov Deleviq (1979). Pasi i kanë larguar nga vetura, me kondak kanë goditur Vukomanin. Pastaj, ua kanë marrë automjetin dhe me te janë larguar në drejtim të panjohur;

3.    më 11 janar 1999, rreth orës  15.00 në rrugën  regjionale Mitrovicë-Pejë, afër fshatit Qubrel, tre pjesëtarë të panjohur të  "bandave terroriste" shqiptare - dy prej tyre  me uniformë  të "UÇK",  të armatosur me automatikë kanë ndaluar veturën "Jugo 45". Aty kanë qenë: Bogolub Jokiq,  Sinisha Jokiq dhe  Radosav Kovaçeviq të gjithë nga Banja - Skenderaj. Pas kontrollimit, Bogolub Jokiqit ia kanë gjetë dhe marrë pistoletën "Zastav TT" të kal. 7.62 mm. Pastaj, kanë urdhëruar që me veturë ta vazhdojnë rrugën;  

4.    më 11 janar 1999 rreth orës 15.40 min., në fsh. Reznik - Vushtrri, është kryer  vepra penale e "terrorizmit" ndaj pjesëtarëve të bashkësisë nacionale rome: Rrahmon Rrahmanit, Hamit Miftarit, Bashkim Miftarit, Sami Miftarit, Arben Miftarit, Gazmend Miftarit e Bedri Bahtirit, të gjithë punëtorë në shkritoren "Trepça" në Zveçan. Pjesëtarët e "bandave terroriste" shqiptare  me maska  e uniforma  me emblemën "UÇK", të armatosur me pushkë automatike, në vendin e quajtur "Klisurica", fshati Brusnik, i kanë larguar këta nga autobusi, i kanë legjitimuar dhe rrahur. Rreth orës 17.00  i kanë liruar duke i kanosur se do t'i likudojnë nëse nuk e lëshojnë punën në "Trepçë" dhe nëse nuk shpërngulen nga fshati Reznik;

5.    më 18 janar 1999, rreth orës 10.50 min. në Mitrovicë, në rrugën "Sava Kovaçeviq", lagja Shipol, është kryer  sulm i armatosur "terrorist" nga dy pjesëtarë të "bandave shqiptare" në rrobe civile. Këta kanë hapur zjarrë nga armatimi automatik dhe minahedhësi 64 mm M 80 në drejtim të automjetit zyrtar të MPB të Serbisë, të markës UAZ duke qarkulluar drejt Mitrovicës. Në automjet kishin qenë : komandiri i Stacionit  policor të Skenderajit, major Stanimir Gjukiq, shoqëruar me ndihëmskomandirin dhe tre policë. Vetura zyrtare është qëlluar nga minahedhësi  e pastaj është rrotulluar në kulm. Me këtë rast Nenad Simoviq, Lubinko Angjelkoviq,  dhe Dejan Radisavleviq kanë pësuar plagë të rënda trupore, ndërsa Stanimir Gjukiq dhe Marko Ristiq plagë të lehta. Gjatë këqyrjes së vendit në prezencën e anëtarëve të Misionit Verifikues janë gjetur 10 gëzhoja dhe pjesë  nga shkrepja ("Zola");

6.    më 18 janar 1999, rreth orës 15.00, gjatë kthimit nga detyra të pjesëtarëve të Çetës 35 të Policisë në rrugën Pejë-Mitrovicë, te "Potoku i keq", është hapur zjarr rafal në kolonën e automjeteve zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë nga ana e "bandave terroriste" shqiptare. Me dy projektile është goditur një automjet i blinduar "TAM 110". Kur pjesëtarët e policisë janë përgjigjur në sulm, sulmi i "terroristëve" është ndërprerë. Nuk ka patur pasoja për pjesëtarët  policorë.

7.    më 18 janar 1999, në ora 21.30 min., në rrugën magjistrale Prishtinë-Mitrovicë, në afërsi të udhëkryqit me rrugën që shpie për fsh. Samodrexhë, dy pjesëtarë të "bandave terroriste" shqiptare me uniformë të maskuar kanë tentuar të ndalojnë TMB të markës "Fiat IVEKO", me targa PR 760-77 drejtuar nga Mirosllav Gjelkapiq nga Obiliqi. Pranë tij ka qenë i biri Petar Gjelkapiq. Pasi që automjeti nuk është ndalur, "terroristet" kanë hapur zjarr dhe kanë lënduar drejtuesin e veturës. Pastaj, deri  në Vushtrri veturën e ka drejtuar Petar Gjelkapiq, i pa lënduar. Me automjetin e ndihmës së parë, i lënduari është dërguar në Spitalin e Mitrovicës. Gjatë  intervenimit kirurgjik ka vdekur. Të nesërmen në mëngjes, është kryer këqyrja e vendit të ngjarjes me pjesëmarrjen e anëtarëve të Misionit Verifikues të OSBE. Janë gjetur dy gëzhoja të kal. 7.62 mm të prodhimit kinez.

8.    më 20 janar 1999, rreth orës 10.00, pjesëtarët e policisë në Mitrovicë kanë zbuluar grupin e armatosur "terrorist" shqiptar të barrikaduar në një shtëpi në lagjen Vaganica prej nga është hapur zjarr në pjesëtarë të policisë. Zjarrë është hapur edhe nga shtëpitë tjera prej snajperëve, pushkëve automatike, minahedhësve dhe "Zola". Në prezencën e anëtarëve të Misionit Verifikues të OSBE janë thirrur terroristët që të dorëzohen. Në këtë përplasje të armatosur, policia ka shkatërruar grupin duke likuiduar dy anëtarë të grupit "terrorist"  të "UÇK". Që të dytë kanë patur nën rrobe civile uniformat e maskuara  të "UÇK". Gjatë këqyrjes së vendit janë gjetur: një pushkë automatike prodhim kinez, një pushkë snajper prodhim austriak me shenjën optike, një M-80, një pistolet 7.65 mm, 265 plumba kalibrash  të ndryshëm, 60 gëzhoja të kal. 7.62 mm dhe 7.9 mm. Me urdhër të gjyqtarit hetues është kryer obdukcioni i kufomave në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë;

9.    natën midis 21/22 janari 1999, pjesëtarët e "bandës terroriste" shqiptare prej 20 vetësh me uniforma të maskuara me emblemën "UÇK" të armatosur me snajperë kanë kidnapuar Miodrag Bigoviqin nga fsh. Nevolan - Vushtrri, derisa ka qenë në vendin e punës - elektricist kujdestar në trafostacionin e Vushtrrisë.  Pasi e kanë dërguar në fsh. Nevolan, aty kanë kidnapuar: Radovan Miliçkoviqin, gruan e tij Danica, Radosllav Miliçkoviqin  dhe Zhivko Miliçkoviqin. Me rastin e kidnapimit ua kanë marrë armatimin këtyre personave. Të kidnapuarit janë liruar me ndërmejtësimin e Misionit Verifikues, më 23 janar 1999 rreth orës 18.00.

Paraprakisht ky grup "terrorist" në ndërmarrjen "Sitnica" në Vushtrri ka marrë  automjetin "FAP", traktorin "IMT" dhe ka kërcënuar punëtorët.

10.më 27 janar 1999, n'ora 8.20 minuta  në magjistrtalen Prishtinë-Mitrovicë, në fsh. Shupkovc, është gjetur trupi i pajetë i personit të identifikuar më vonë: Dejan Kostiq (1976) nga Mitrovica. Gjatë obdukcionit është vërtetuar se ka pësuar lëndime vdekjeprurese në shpinë dhe kokë nga të shtënat  me armë zjarri.

11.  më 27 janar 1999, n'ora 12.25 min.  në fsh. Nevolan - Vushtrri, katër pjesëtarë të "bandës terroristë" shqiptarë kanë realizuar sulm në patrollën policore të Stacionit policor në Vushtrri duke shtënë në drejtim të tyre me armë automatike. Patrolla i është përgjigjur sulmit. Me këtë rast, njëri prej sulmuesëve është privuar nga jeta. Te viktima është gjetur automatiku i prodhimit kinez dhe pistoleta "Bzor". Këqyrjes së vendit të ngjarjes i janë bashkangjitur edhe anëtarët e Misionit Verifikues të OSBE.

12. më 27 janar 1999, rreth orës 15.30 min., katër pjesëtarë të "bandës terroriste" shqiptare - dy prej tyre me emblemën "UÇK" e dy me rrobe civile, të armatosur me automatikë, te stacioni hekurudhor në fsh. Mihaliq - Vushtrri, kanë ndaluar Marjan Milloviqin nga Dërvari – Vushtrri. Pas kontrollimit të njejtin e kanë liruar;

13. më 29 janar 1999, n'ora 15.30 min. në fsh. Gllavotin - Vushtrri,  pjesëtarët e "bandës terroriste" shqiptare kanë ndërmarrë sulm ndaj Zoran Spasiqit nga Prilluzha - Vushtrri. Me këtë rast, nga projektili i njejti ka pësuar lëndime të lehta trupore në kokë.

14. më 30 janar 1999, rreth orës 15.50 min., në magjistralen Mitrovicë-Rozhaje, në Koshtovë është kryer sulmi "terrorist" nga tre persona të panjohur në uniforma të maskuara dhe të armatosur me pushkë automatike. Këta, së pari kanë ndaluar veturën "Audi 100" me targa  BG 04-27 ku kanë qenë: Milija Shqepanoviq, drejtor i Drejtorisë së rezervave të mallit, shoferi Arsenije Gjuriçkoviq dhe zyrtarët e  Ministrisë Federale të Drejtësisë, Radan Nikoliq dhe Radoje Radulloviq. Nën kërcënimin e armëve, kanë urdhëruar të dalin jashtë veturës dhe të drejtohen  kah një pyll aty afër. Pas kësaj, "terroristët" kanë rrugëtuar drejt Mitrovicës. Policia kur ka dalë në vend të ngjarjes i ka gjetur personat ndaj të cilëve është kryer sulmi.  

Rastet "më karakteristike" të terrorizmit

Informata zyrtare për muajin janar 1999, raste më karakteristike të kriminalitetit të përgjithshëm të ndodhura gjatë muajit janar 1999  (fq. 9-10) i përcepton këto ngjarje:

veprën penale Terrorizmi nga neni 125 të LPJ kryer më  11 janar 1999 në fshatin Çubrel të Skenderajt të kryer nga persona të panjohur ndaj Bogolub Jokiqit; veprën penale Terrorizmi nga neni 125 të LPJ të kryer më 10 nentor 1998 në fsh. Vaganicë – Mitrovicë; veprën penale Terrorizmi nga neni  125 lidhur me nenin 139 të LPJ e cila ishte kryer këtyre ditëve; natën mes 1 e 2 janarit 1999 kur ishte vrarë Gojko Jevtiq; më 19 janari 1999, në fsh. Dërvar të Vushtrrisë duke u sulmuar shtëpia e Radosav Periq, kur kanë pësuar lëndime të lehta trupore i njejti, gruaja e tij Dobrilla, nëna Jovanka, vajza Milana dhe djali Marko; më 18 janar 1999 në fshatin Nedakovc , në magjistralen  Prishtinë-Mitrovicë ku  është vrarë me armë zjarri Mirosllav Gjelkapiq; më 19 shtator 1998 në fsh. Makërmal, në rrugën Skenderaj-Gllogoc, me zol është shtënë ndaj Vuk Rondoviqit, Sllavko Markoviqit e Kërstivoje Jaçoviqit; më 12 tetor 1998 në fsh. Llaushë kur është sulmuar punkti policor në Deviq të Skenderajit dhe është plagosur nga arma e zjarrit polici Lubisha Magjareviq. Për këtë ngjarje SPB ka ushtruar kallëzim penal dhe ia ka dëguar në kompetencë Prokurorisë Publike të Qarkut në Mitrovicë;

Në këtë vazhdë veprash penale përmendet edhe Bashkimi  me qëllim të veprimtarisë armiqësore nga neni 136 të LPJ për çka SPB i Mitrovicës kishte ushtruar kallëzim penal kundër Muharrem Kurtit nga Mitrovica sepse në tetor 1998 iu kishte bashkangjitur "grupit banditesk terrorist ... për territorin e Shipolit, duke u ngarkuar me armë dhe uniformë të maskuar".

Për këto "raste karakteristike", gjithnjë sipas të dhënave të dala nga materiali që po trajtojmë, SPB në Mitrovicë kishte ushtruar kallëzime penale veç e veç dhe i kishte  dërguar në kompetencë lëndore në Prokurorinë Puble të Qarkut në Mitrovicë për ndjekje penale.

Së fundmi të theksojmë se, Informata e klasifikuar "Tepër sekret" e SPB të Mitrovicës për  gjendjen e sigurisë publike gjatë janarit 1999, konstaton se në strukturën e kriminalitetit të përgjithshëm "terrorizmi" hyn me gjithsej 10 vepra penale  (fq. 8).



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora