Speciale
Paulin Zefi: Instituti i Studimeve Shqiptare (1940-1944)
E diele, 13.10.2024, 06:00 PM
Nga
e majta: Vangjel Koça, Aleksander Xhuvani, Anton Paluca, At Anton Harapi,
Xhevat Korça, Mustafa Merlika Kruja, Ernest Koliqi, Dhimitër Berati, At Zef
Valentini, Karl Gurakuqi, Ekrem Vlora, Nicola Lo Russo Attoma e Dom Lazër
Shantoja
“INSTITUTI I STUDIMEVE SHQIPTARE”
(Këtë
studim ia kushtoj “At Giuseppe (Zef) Valentinit (1900-1979), sot në 52 vjetorin
e krijimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë)
Nga
Paulin Z. Zefi
HYRJE
"Instituti
i Studimeve Shqiptare (1940-1944)", i njohur edhe si "Instituti
Mbretnuer i Studimeve Shqiptare", ka qenë institucioni shkencor dhe
kulturor, që i parapriu Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Nevoja e krijimit
të një qendre të vetme të kulturës shqiptare e ka zanafillën që nga mesi i
shek. XVIII, por çdo përpjekje e ndërmarrë në këtë drejtim nuk arriti
objektivin e dëshiruar si rezultat i kushteve në të cilat gjendej vendi jonë
gjatë periudhës së pushtimit osman. Ndërsa në vitet 20 dhe 30 të shek. XX,
intelektualët shqiptarë, duke marrë si pikë referimi modelet e Akademive të
Shkencave në vendet e Europës Perëndimore, në veçanti "Accademia Nazionale
delle Scienze Italiana", e njohur edhe si “Accademia dei XL", e cila
është themeluar në Verona, që në vitin 1782, u munduan të “skicojnë” krijimin
një institucioni të tillë të ngjashëm. Mirëpo, si rezultat i vështirësive dhe
sfidave të kohës, të gjitha përpjekjet shumëvjeçare të intelektualëve shqiptarë
për krijimin e një qendre të vetme të kulturës shqiptare, do të bëhen realitet
vetëm një vit pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia. Madje, ishin pikërisht
vetë autoritetet shtetërore italiane, pra administrata e pushtuesit, që ofroi
kushtet e favorshme dhe mori vendimin për krijimin e Institutit të Studimeve
Shqiptare. Nëpërmjet këtij akti, Italia synonte të angazhonte intelektualet më
të spikatur shqiptarë në projekte të perbashkëta me ata italianë, të udhëhequr
nga mendimi se kjo ishte mënyra më e mirë për të afruar pranë vetes inteligjencën
shqiptare. Vetëm kështu shpresohej se do të arrihej zbutja dhe kapërcimi I
pezmatimit të madh, që kishte shkaktuar pushtimi i Shqipërisë nga Italia
fashiste. Ndërsa, vetë intelektualët shqiptarë, nga ana tjetër, vendosën për
t'u angazhuar në një institucion të tillë, sepse ata kishin synime krejtësisht
të tjera. Të udhëhequr nga mendimi se edhe në kushtet e veshtira të pushtimit
do të mund të shfrytëzonin mundësitë që krijonte ngritja enjë institucioni të
tillë në shërbim të studimeve në dobi të kulturës kombëtare, një pjesë e madhe
e elitës intelektuale të vendit e mirëpritën ftesën për t'u bërë pjesë e
Institutit. Siç konstaton me shumë të drejtë Prof.Dr.Romeo Gurakuqi kur flet
mbi këtë çështje: “Mund të konsiderohen si pjesë e “arkitekturës institucionale”
shkencore dhe kulturore që italianët u munduan të krijonin në Shqipëri, në
mbështetje të politikës së tyre të lejimit të zhvillimit të patriotizmit ideal
antik dhe nxitjes së studimeve albanologjike për të kamufluar politikat
ekspansioniste, por që u shfrytëzua maksimalisht nga njerëzit e kulturës
shqiptare, për t’i dhënë një nxitje të mëtejshme, pa veshje fashiste, studimeve
shkencore, të arsimit e kulturës shqiptare dhe nxitjes së jetës intelektuale.”
Pra, me pak fjalë, ndërkohë që vendet fqinje si Serbia, e cila e kishte
themeluar Akademinë e saj të Shkencave dhe të Arteve që në vitin 1841 dhe
Greqia, që e kishte themeluar Akademinë e Athinës në vitin 1926, duke u
mbështetur mbi parimet e Akademisë historike të Platonit, a mund të refuzohej
“ftesa e Pushtuesit Perëndimor” për t’u angazhuar në krijimin e një “Akademie
Shqiptare”?!… Natyrisht që çdo intelektual patriot e largpamës nuk mund t’ia
lejonte vetes ta humbiste një mundësi të tillë! Kjo pasqyrohet shumë qartë te
lista e pjesëmarrësve në Kuvendin e Studimeve Shqiptare i mbajtur nga data 9-13
prill të vitit 1940, ku bien në sy disa nga personalitetet më të spikatur
shqiptare të kohës.
1. KRIJIMI I INSTITUTIT
TË STUDIMEVE SHQIPTARE
Më
8 prill 1940 Sekretari i Përgjithshëm i Kryesisë së Këshillit të Ministrave
miratoi krijimin e Fondatës (fondacionit) "Skanderbeg" si dhe
statutin e Institutit të Studimeve Shqiptare. Ndërsa, themelet e Institutit te
Studimeve Shqiptare i hodhi Kuvendi i Studimeve Shqiptare i mbajtur në Tiranë
nga data 9-13 prill të vitit 1940 me insiativën e Ministrisë së Kulturës
Popullore. Siç vërehet nga masat e ndërmarra në këtë drejtim nga projektuesit
italianë, duket shumë qartë se ata e kishin me ngut mbajtjen e këtij Kuvendi.
Në fakt, qëllimi i tyre i vërtetë ka qenë që të shmangej zemërimi dhe protestat
e rretheve të dijetarëve shqiptarë të kohës, por gjithashtu të tërhiqej
vëmendja e mbarë opinionit publik shqiptar, në rrethanat e përvjetorit të
pushtimit fashist të vendit. Për këtë arsye, autoritetet italiane deklaruan se
qëllimet zyrtare të këtij Kuvendi ishin:
1)
një vendosje e parë e kontakteve mes studiuesve italianë, që merreshin me
studime shqiptare dhe intelektualëve shqiptarë të fushave gjegjëse;
2)
përgatitja e një plani pune të përbashkët për nevojat më urgjente kulturore;
3)
përgatitja e një programi të detajuar për një kongres të studimeve shqiptare,
që do të mbahej në Napoli, në muajin shtator të vitit 1940.
Pikërisht
me këtë rast do të jepej edhe lajmi mbi krijimin në Tiranë, të një Instituti të
Studimeve Shqiptare. Kuvendi i Studimeve Shqiptare realizoi takimin e parë
midis studiuesve italiane te albanologise dhe intelektualeve shqiptare. Në këtë
Kuvend, ku u diskutuan çështje të rëndësishme të Albanologisë Shqiptare si ato
gjuhësore-letrare dhe historike, personalitetet e shquara të kulturës shqiptare
dhe asaj italiane, që morën pjesë, ishin:
Shqiptarë:
At Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Mustafa Kruja, Frano Alkaj, Ali Asllani,
Eqerem Çabej, Lef Nosi, Nebil Çika, Dhimiter Berati, At Marin Sirdani, Ethem
Haxhiademi, At Filip Fishta, Mithat Frashëri, Vangjel Koça, Sotir Kolea, Karl
Gurakuqi, Benardin Palaj, Stavro Frashëri, Anton Harapi, Lasgush Poradeci,
Eqerem Çabej, Vangjush Miho, Kolë Kamsi, Tonin Guraziu, Mati Logoreci, Donat
Kurti, Mikel Koliqi, Imzot Paolo Schiro, Ludovik Naraçi, Anastas Mio, Ndue
Paluca, Terenc Toçi, Thoma Papapano, Namik Resuli, Odhise Paskali, Ekrem Vlora,
Papas Sif Papamihali, Aleksander Xhuvani, Rosolino Petrotta, Petraq Peppo,
Lazer Shantoja, Vinçens Prenushi, Ilo Mitko Qafzezi dhe Hasan Xega.
Italianë:
Giuseppe (Zef) Valentini, Carlo Tagliavini, Sergio Bettini, Matteo Bartoli,
Igino Epicoco, Angelino Corrias, Amedeo Giannini, Francesco Ercole, Angelo
Leotti, Lorusso Attoma, Gennaro Maria Monti, Gentilio Montanelli, Paolo Emilio
Pavolini, Giusepppe Schiro, Mario Morandi, Papas Gaetano Petrotta, Domenico
Mustilli, Carlo Alberto Straneo, Antonio Badacci, Nicola Loruso Attoma.
Në
mesditën e datës 9 prill 1940, pjesëmarrësit në kuvend u pritën në Ministrinë e
Arsimit nga Ministri Ernest Koliqi, që mbajti një fjalim të shkurtër dhe pasi
falenderoi pjesëmarrësit shqiptarë dhe italianë, ai e vlerësoi këtë mbledhje si
një përpjekje për lartësimin e kulturës shqiptare. Ernest Koliqit iu përgjigj
në emër të të gjithë kongresistëve, Profesor Mati Logoreci, i cili pohoi
rëndësinë e madhe të studimeve gjuhësore, duke shprehur me këtë rast kënaqësinë
dhe falenderimin që organizatorët e Kuvendit i kanë kushtuar guhës shqipe. Më
pas, vijoi përfaqësuesi italian, Carlo Tagliavini, i cili bëri një prezantim të
detajuar të qëllimeve të punimeve të këtij Kuvendi, duke e vendosur theksin mbi
cështjet që i perkasin fushës së gjuhësisë. Më pas e morën fjalën me rradhë,
Eqerem Çabej, Sergio Bettini dhe Papas Sif Papamihali. Si President i
Institutit të Studimeve Shqiptare u zgjodh Mustafa Merlika Kruja, intelektual
dhe politikan shumë i njohur, i cili ka qenë edhe firmëtar I Deklaratës së
Pavarësisë të Shqipërisë më 1912. Për meritat e tij në Albanologji u zgjodh si
nënkryetar, Prof.Carlo Tagliavini, mbi rolin e të cilit flet gjerësisht
Prof.Dr.Mimoza Priku. Në presidiumin e punimeve kanë qenë ulur i
lartpërmenduri, Mustafa Merlika Kruja, Ernest Koliqi, Carlo Tagliavini dhe
Francesco Ercole. Si sekretarë kanë qenë Eqerem Çabej dhe Namik Resuli. Në
ditën e parë të punimeve, në rend të ditës, Kuvendi i Studimeve Shqiptare
shqyrtoi 3 çështje kryesore:
1.
Studime mbi gjuhën shqipe (Gjëndjen e punimeve te nisura, projekte pune për të
ardhmen),
2.
Probleme të bashkimit të gjuhës letrare shqiptare,
3.
Studime mbi letërsinë italo - shqiptare.
Pra,
që në ditën e parë të punimeve të Kuvendit u diskutua pikërisht për njehësimin
e gjuhës letrare shqipe, një përpjekje me rendësi shumë të madhe për kohën. Pas
kësaj, të shoqëruar nga Ministri Ernest Koliqi, kongresistët u drejtuan në
Kryesinë e Këshillit të Ministrave, ku u pritën nga Kryeministri Shefqet
Verlaci dhe më pas vijuan për në Mëkëmbësinë e Përgjithshme, tek Mëkëmbësi,
Francesco Jacomoni di San Savino. Në orën 18:30, Mustafa Merlika Kruja mbajti
në Teatrin “Savoja”, në gjuhën shqipe, një konferencë mbi problemin e
unifikimit të gjuhës letrare shqipe, para një publiku të gjerë dhe para
autoriteteve që kryesoheshin nga Francesco Jakomoni. Ndërsa në orën 20:30, në Rrethin
“Skanderbeg”, Ministri Ernest Koliqi shtroi një darkë për të gjithë
pjesëmarrësit. Veprimtaria e Institutit të Studimeve Shqiptare nën drejtimin e
Mustafa Merlika Kruja, ka zgjatur nga 8 prilli i vitit 1940 dhe deri më 3
dhjetor 1941. Kapitali i dhënë ishte 8.000.000 lira italiane, prej të cilave
6.000.000 ishin investuar në dy ndërtesa dhe 2.000.000 lira, që do
investoheshin në jetën e Institutit të Studimeve Shqiptare. Fondacioni
“Skanderbeg”, i themeluar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Mbretnisë
Italiane, do të mbikqyrte administrimin e Institutit të Studimeve Shqiptare. Në
fillimet e veprimtarisë së vet nën drejtimin e Mustafa Merlika Kruja, me vendim
të Këshillit të Institutit të Studimeve Shqiptare, u formuan 3 komisione:
1.
Komisioni i Gjuhës dhe i Letërsisë,
2.
Komisioni i Historisë dhe i Gjeografisë,
3.
Komisioni i Arteve.
Instituti
e ngarkoi komisionin guhësor të kujdeset për botimin e një të përkohshme
tremujore me titull "Gjuha shqipe", që do t'i kushtohej problemeve
shkencore e praktike që i perkisnin gjuhës shqipe. Të gjitha shpenzimet për
botimin e kësaj gazete i mori persipër vetë Mëkëmbësi i mbretit në Shqipëri,
Z.Galeazzo Ciano, në mbledhjen e parë te Institutit më 13 prill 1940. Me
ndihmën e Komisionit të Gjuhës do të perkrahej edhe botimi i një numri të madh
veprash të rëndësishme, që do t'i shërbejnë mbarëvajtjes së punës së
Institutit. Duhet të theksoj se me nismën e Institutit të Studimeve Shqiptare,
që në vitin 1940 nisi edhe procesi i emërtimit të ri të rrugëve dhe shesheve të
kryeqytetit, duke pasur si kriter datat historike për Shqipërinë, emrat e
dëshmorëve dhe të personaliteteve shqiptare në fushën e politikës, ushtrisë,
letrave, artit e fesë, si dhe emrat e të huajve që i kanë shërbyer popullit
shqiptar.
2. INSTITUTI MBRETNUER I
STUDIMEVE SHQIPTARE
Në
muajin gusht të vitit 1942 me dekret mëkëmbësor, Instituti i Studimeve
Shqiptare mori emrin Instituti Mbretnuer i Studimeve Shqiptare dhe kryetar i
tij u emërua Ernest Koliqi. Instituti kishte 48 anëtarë të përjetshëm, që formonin
Këshillin e Përgjithshëm me sekretar të përgjithshëm At Giuseppe (Zef)
Valentinin. Instituti Mbretnuer i Studimeve Shqiptare përbëhej nga katër
komisione:
Komisioni
i Letërsisë:
1.
Vinçens Prenushi,
2.
Sotir Kolea.
Komisioni
i Shkencave Morale dhe historike:
1.
Marcos Milone,
2.
Dhimitër Pashko,
3.
Thoma Rollogai,
4.
Hasan Dosti,
5.
Kolë Dhimtri,
6.
G. Lorenzoni.
Komisioni
i Shkencave natyrore, fizikë, matematikë:
1.
At Mark Harapi,
2.
Nikolla Lako,
3.
Vasfi Visoku,
4.
Michele Parrino,
5.
Ali Mihali,
6.
Jano Basho,
7.
Hamdi Sulçebe,
8.
Prof. Stefanuli.
Komisioni
i Arteve:
1.
Odhise Paskali,
2.
At Lorenzo Tardo,
3.
Kristo Kono.
Në
vijim, numri i anëtarëve të çdo komisioni do të përbëhet nga të paktën 8 veta
dhe të gjithë këta kishin statusin e anëtarit të brendshëm. Çdo anëtar i
brendshëm, i cili bën pjesë në një komision të caktuar, nuk ka të drejtë të
bëjë pjesë në më shumë se një komision. Ky rregull pasqyron qartë seriozitetin
me të cilin vepronte çdo komision. Instituti Mbretnuer i Studimeve Shqiptare
kishte katër nënkryetarë dhe nje administrator, që emerohej ndërmjet anëtarëve
të brendshëm me dekret mekëmbësor dhe me propozimin e Kryetarit të Këshillit të
Ministrave, mbasi të ketë dëgjuar kryetarin e Institutit Mbretnuer të Studimeve
Shqiptare. Kryetarët, nënkryetarët dhe Administratorët përbëjnë Këshillin
Akademik të Institutit. Nënkryetarët janë zgjedhur nga një për secilin komision
dhe ata kryesojnë komisionin që u përket. Ndryshimet në statusin e Institutit
bëhen vetëm me dekret mëkëmbësor, me propozimin e Kryetarit te Këshillit te
Ministrave dhe të Kryetarit të Institutit Mbretnuer të Studimeve Shqiptare.
Disa prej arritjeve kryesore të Institutit Mbretnuer të Studimeve Shqiptare në
vitin 1942 ishte botimi i "Fjalorit Terminologjik të Gjuhës Shqipe",
që u mundësua falë punës kolosale të gjuhëtarëve Karl Gurakuqi, Aleksandër
Xhuvani, Anton Paluca dhe At Giuseppe (Zef) Valentini. Po ashtu, pasi u mor në
shqyrtim mënyra e të shkruarit të emrave të vendeve të Mbretërisë Shqiptare, u
mor një vendim sipas të cilit: "Në shkrimin e emërtimeve të ndryshme do të
përdoret emri i caktuar i vendeve shqiptare, model i cili është bërë publik
edhe në shtypjen e hartës së re "Shqipnija " të prefekturave dhe
nnënprefekturave, Bashkive dhe komunave të Shqipërisë." Në fund, dua të
nënvizoj faktin se Instituti Mbretnuer i Studimeve Shqiptare ka luajtur një rol
përcaktues në fushën e toponamastikës, por edhe në zëvendësimin e neologjizmave
me fjalë në gjuhën shqipe, sepse asokohe neologjizmat kishin filluar të përdoreshin
gjerësisht në jetën e përditshme.
3. INSTITUTI SHQIPTAR
PËR STUDIME DHE ARTE
Më
22 prill të vitit 1944, pas ndryshimit te regjimit në vend në atë që njihet si
periudha e pushtimit gjerman të Shqipërisë, Instituti Mbretnuer i Studimeve
Shqiptare u riorganizua. Nëpërmjet një dekreti të Këshillin të Naltë të
Regjencës ai ndryshoi emertimin nga Instituti Mbretnuer i Studimeve Shqiptare
në Instituti Shqiptar për Studime dhe Arte dhe Kryetar u zgjodh At Anton
Harapi. Menjëherë pas riorganizimit të
personelit dhe të zyrave, u caktuan Komisionet e përhershme dhe komisionet e
Gjuhës dhe të Fjalorit të Botës Shqiptare. Veprimtaria e Institutit në këtë
periudhë ndahet në dy hallka ose dy pjesë të ndryshme, por të lidhura ngushtë
me njëra-tjetrën: Veprimtari kulturore, e cila synonte nxitjen e një levizjë
intelektuale me qëllim zhvillimin e shpirtit shqiptar dhe veprimtari gjuhësore,
si: botime, përkthime, manifestime, Biblioteka etj. Pranë Institutit Shqiptar
për Studime dhe Arte u emëruan shumë anetarë të rinj, si:
Fan
S. Noli, Mithat Frashëri, Dom Ndoc Nikaj, At Pashk Bardhi, Ali Asllani, Kristo
Floqi, Arshi Pipa, Krist Maloki, Spiro Konda, Dedë Gostani, Gaspër Shoshi,
Gjelosh Luli, Gjush Sheldia, Llukë Karafili, Rexhep Krasniqi dhe Vasfi Samini.
Ndërsa
anëtarë korespondues ishin:
Dom
Nikoll Gazulli, At Marin Sirdani, Hamdi Karazi, Dom Ndre Zadeja, Kostaq Cipo,
Hamid Kokalari, Rexhep Krasniqi, Vangjel Meksi, Jakov Milaj, Osman Myderizi,
llia Mitrushi, Hamdi Sulçebe, Mitrush Panariti, Vedat Kokona dhe Koço Tasi.
Me
zgjerimin e fushave të kërkimit dhe të numrit të studiuesve, të cilët tashmë
ishin vetëm
shqiptarë,
të ndarë në tri degë: gjuhësi, arte dhe shkenca natyrore e teknike. Veprimtaria
e
Institutit
Shqiptar për Studime dhe Arte, rezultoi në:
1.
Hartimin e listës emërore të intelektualëve shqiptarë, që merreshin me letërsi,
arte
dhe
shkencë, sipas profilit te tyre.
2.
U përgatit një fletë biblografie, e cila do të shërbente si nje statistikë për
të
evidentuar
dorëshkrimet origjinale ose të perkethyera që gjendeshin në vendin
tonë.
3.
U mor vendimi për botimin sa më shpejt të një fjalori të përdorshëm të gjuhës
shqipe
të folur.
4.
Menjëherë filloi puna për hartimin e Fjalorit të Botës Shqiptare, që do të
përbënte
një
enciklopedi të së kaluarës sonë historike si komb dhe si racë. Kjo enciklopedi
do
të shpaloste të drejtat tona kombëtare ndaj dhe iu kushtua një vëmendje e
jashtëzakonshme.
5.
Botimin e Historisë së Shqipërisë.
6.
Hartimin e një monografie udhëheqëse te Shqipërisë, e cila do të botohej edhe
në
gjuhë
të huaja.
7.
Përpilimin e Kalendarit Shqiptar që do të botohej çdo vit. Edhe ky kalendar
ishte
një
enciklopedi e të gjithë veprimtarisë shoqërore dhe kulturore të vendit tonë.
8.
Instituti studioi oportunitetin ose jo të ligjit mbi të drejtat e pronësisë
intelektuale
dhe
artistike.
9.
Drejtoria e Bibliotekës së Institutit përpiloi Biblografinë Shqiptare të vitit
1944
dhe
do të punohet për biblografitë e viteve të mëparshme, duke i nxjerrë nga
vëllimet
e botuara brenda dhe jashtë Shqipërisë.
10.
Për të qenë sa më të moralshëm në punën e tyre, Institutit Shqiptar për Studime
dhe
Arte ngarkoi anërarë që të përgatisin listën e pjesëve muzikore të huaja të
përshtatura
në shqip, te cilët për fat të keq ose i veshin autorësinë e tyre ose i lënë
pa
autorësi fare.
11.
Instituti bashkëpunoi me zyrën e statistikës për të nxjerrë një listë emërore
të të të gjithë të diplomuarëve pas vitit 1912 për të nxjerrë në dritë
përpjekjet e popullit shqiptar për kulturë, pavarësisht kushteve historike
shoqërore dhe ekonomike.
Me
pak fjalë, veprimtaria e Institutit Shqiptar për Studime dhe Arte nën drejtimin
e At Anton Harapit, ka qenë tepër e ngjeshur, dinamike dhe rezultative, duke
vijuar punën e shkëlqyer të I.S.SH. dhe I.M.S.SH., por sidomos, duke lënë për
pasardhësit një pasuri shumë të çmuar…
4. KOMUNIZMI DHE FATI I
INSTITUTIT
Pas
një pune kolosale, Instituti i Studimeve Shqiptare e ndërpret veprimtarinë e
vet në fundin e vitit 1944, menjëherë pas çlirimit të vendit tonë nga Gjermania
naziste dhe ardhjes së komunistëve në pushtet. Këta të fundit, krahas
konsolidimit të pushtetit diktatorial, morën një sërë masash edhe në fushën e
kulturës, duke i cilësuar disa nga intelektualët më të spikatur që ishin
anëtarë të Institutit të Studimeve Shqiptare si kolaboracionistë dhe tradhtarë.
Siç edhe e kam trajtur në këtë punim, pranë Institutit të Studimeve Shqiptare
në Tiranë u mblodh e gjithë elita intelektuale e letrave shqipe, ku në mesin e
tyre gjejmë disa nga patriotët më të mëdhenj në historinë e popullit shqiptar.
Mjerisht, pas ardhjes së komunistëve në pushtet, pjesa më e madhe e kësaj elite
intelektuale, ose do të eliminohet fizikisht brenda pak vitesh, ose do të
detyrohet të largohet nga vendi. Vetë Kryetari i Institutit Shqiptar për
Studime dhe Arte, At Anton Harapi, pasi u arrestua dhe u burgos, ai u shpall
prej Gjykatës Speciale në Tiranë si kriminel lufte, armik i popullit e
sabotator I pushtetit dhe më 20 shkurt të vitit 1946 u ekzekutua me pushkatim.
Dy ish-kryetarët parardhës të të ndjerit, At Anton Harapi, Mustafa Merlika
Kruja dhe Ernest Koliqi, që ishin larguar me kohë nga vendi i shpëtuan
arrestimit dhe dënimit të sigurt me vdekje. Pasi Partia Komuniste mori
pushtetin në Shqipëri, ata krijuan në mërgim më 9 nëntor të 1946 partinë e
“Bllokut Kombëtar Indipendent (BKI)", një grupacion politik i Mërgatës
Shqiptare. Vetëm një numër shumë i kufizuar i elitës intelektuale, që kishin
qenë pjesë e Institutit të Studimeve Shqiptare dhe që nuk u larguan nga vendi,
arritën t'i mbijetonin histerisë komuniste, kryesisht falë lidhjeve familjare
dhe miqësore me njerëzit e pushtetit popullor ose duke u mbyllur hermetikisht
në vetminë e tyre intelektuale brenda territorit të Shtetit Shqiptar, i njohur
si Qeveria Demokratike e Shqipërisë (1944-1946) dhe më vonë, si Republika
Popullore e Shqipërisë (1946-1976). Nga ana tjetër, ishin vetë komunistët, të
cilët, menjëherë pas çlirimit të vendit nga Gjermania naziste, i rimorën idetë
dhe parimet e Institutit të Studimeve Shqiptare, duke vendosur që të vazhdohej
ecja në po të njëjtën rrugë, deri në vitin 1946 kur mbi themelet ekzistuese u
ngrit Instituti i Studimeve. Në vitin 1948 ky institucion u riorganizua si
Instituti i Shkencave dhe u bë një vatër shumë e rëndësishme e kërkimeve dhe
veprimtarive shkencore. Për të rritur efikasitetin e tij, u rikthyen disa prej
anëtarëve të mëparshëm të Institutit të Studimeve Shqiptare dhe po ashtu, u
përfshinë gradualisht edhe punonjës të rinj, duke rritur numrin e tyre. Kryetar
ose drejtues i parëi i Institutit të Shkencave ishte Selahydin Toto. Mirëpo,
deri në vitin 1972 në vendin tonë vepronin plot 25 institucione
kërkimore-shkencore dhe në këto kushte u bë e domosdoshme nevoja e ngritjes së
Akademisë së Shkencave si një institucion kërkimor-shkencor kombëtar. Kështu,
me dekretligjin Nr. 4993, datë 10 tetor 1972, Presidiumi i Kuvendit Popullor
shpalli themelimin e Akademisë së Shkencave të R.P.SH. dhe ky institucion i
lartë shkencor do të varej drejtpërsëdrejti nga Këshilli i Ministrave, i cili
miratonte statutin, orientonte tematikën e punës shkencore dhe miratonte
buxhetin e saj. Mbledhja e parë e Asamblesë së Akademisë së Shkencave u mbajt
më 25 janar 1973 dhe kryetar i saj u zgjodh Prof. Aleks Buda. Krijimi i
Akademisë së Shkencave të R.P.SH. ishte ngjarja më e rëndësishme në jetën
shkencore të vendit gjatë periudhës së regjimit komunist. Pavarësisht se kurrë
nuk i janë njohur atributet, gjithçka u ngrit mbi themelet e forta dhe solide,
që hodhi Instituti i Studimeve Shqiptare (1940-1944), i cili përbëhej nga ajka
e elitës intelektuale të kohës.
BIBLIOGRAFIA:
Burime arkivore:
AQSH,
F. 200, V. 1940, D. 1.
AQSH,
F. 200, V. 1940, D. 5.
AQSH,
F. 200, V. 1940, D. 6.
AQSH,
F. 200, V. 1940, D. 7.
AQSH,
F. 200, V. 1940, D. 8.
AQSH,
F. 200, V. 1940, D. 9.
AQSH,
F. 200, V. 1940, D. 10.
Libra:
DERVISHI
Kastriot,- Historia e shtetit shqiptar 1912-2005, Tiranë: 55, 2006.
ERMENJI
Abas,- Vendi që zë Skënderbeu në historinë e Shqipërisë, ALBANIA: Publiée
par
le Comité national-démocratique "Albanie Libre"/E boton Komiteti
Kombëtar
Demokrat
"Shqipnia e Lirë", Vëllim i veçantë: Në Mërgim, Roma: Tip. Di Lauro,
1968.
FISCHER
Bernd J. & SCHMITT Oliver Jens,- Një histori e përmbledhur e Shqipërisë,
(Perktheu
nga anglishtja: Col Mehmeti), Prishtinë: Artini, 2022.
GURAKUQI
Romeo,- Shqipëria dhe Tokat e Lirueme, 1939-1946, Vëllimi I, Botime
“Jozef,”
2018.
Historia
e popullit shqiptar. Vëllimi IV, Shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe
pas
saj
(1939-1990), Akademia e Shkencave e Shqipërisë/Instituti i Historisë, Tiranë:
Toena,
2008.
JACQUES
Edwin,- Shqiptarët: Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri ne ditët e
sotme,
Tiranë: Kartë e Pendë, Fondacioni Abraham Linkoln, 1995.
NDOJ
Gjet,- Qeverisja e Shqipërisë gjatë Luftës së II Botërore (1939 – 1944):
Shqipëria
Etnike
u bë nga nacionalistët, Tiranë: Fast Print, 2023.
PLLUMI
Zef,- Françeskanët e mëdhaj, Shkodër: Botime Françeskane, 2017.
PRIKU
Mimoza,- Carlo Tagliavini dhe studimet albanologjike rreth shqipes, Shkodër:
Camaj-Pipa,
2011.
ZAVALANI
Tajar,- Histori e Shqipnis, Ribotim (Botimi i tretë), Tiranë: Plejad, 2019.
Studime doktorale:
KUMBULLA
Vojsava,- Instituti i Studimeve Shqiptare 1940-1944, (Doktoraturë e mbrojtur në
Universitetin e Tiranës, Fakulteti Hiatori-Filologji, Departamenti i
Historisë), Tiranë: 2021.
Përgatitur nga: Paulin Zefi.
Lezhë: 10.10.2024.