Speciale
Paulin Zefi: Ura e Plakut Gjon në Rraboshtë
E diele, 24.11.2024, 06:58 PM
URA E PLAKUT GJON NË RRABOSHTË
Nga
Paulin Z. Zefi
Rrënojat
e Urës së Plakut Gjon, Plakogjenit ose Plakagjonit ndodhen në skajin më jugor
të fushës së Zadrimës, në pjesën fushore të fshatit Rraboshtë dhe në një
distancë shumë të afërt me lumin Drin (270 m). Mbi vjetërsinë e saj ka dy
mendime të ndryshme, sepse Ermanno Armao e përcakton si ndërtim të periudhës
paraturke (1) dhe Valter Shtylla si urë e shek. XVI (2). Sidoqoftë, ka shumë
mundësi që ajo të jetë ndërtuar mbi bazamentin ekzistues të një ure më të
vjetër. Kjo vepër inxhinierike, për të cilën thuhet se në kohët e hershme është
mirëmbajtur nga një mjeshtër i moshuar vendas me emrin Gjon, ka bërë që ajo të
pagëzohet pikërisht me emrin e tij, Ura e Plakut Gjon. Edhe kjo urë, ashtu si
Ura e Madhe ose Ura e Shkinës në fshatin Piraj, është ndërtuar përgjatë rrugës
antike Via Lissus-Naissus e më vonë Via Zenta, dhe shërbente për të kaluar mbi
përroin e Rraboshtës. Në relacionin e tij dërguar Kongregacionit të Shenjtë të
Propagandës Fide në vitin 1641, imzot Frang Bardhi shkruan se “il Ponte
Plachegion” shënon kufirin ndarës midis Dioqezës së Sapës dhe Dioqezës së
Lezhës (3). Në një skicë harte (dorëshkrim) të panjohur italiane të shek. XVII,
e cila mban emërtesën “DI ALESSIO (E LEZHËS – P.Z.)”, por në skedarin e arkivës
titullohet frëngjisht “Carte italienne de la région située à l’embouchure du
Drin” (Hartë italiane e zonës që ndodhet në grykëderdhjen e Drinit)” dhe që
ruhet në "Bibliothèque Nationale de France, Département Cartes et plans,
GE D-17186", emri i përroit mbi të cilin qëndron kjo urë e gurtë, shënohet,
“Plachegione fiu. (Lumi i Plakut Gjon)." Edhe në hartën e tij, "Corso
delli fiumi Drino e Boiana in Dalmazzia", të punuar në vitin 1688,
Vincenzo Maria Coronelli (1650-1718) e shënon këtë objekt si: "Ponte di
Pietra (Ura e Gurtë)" dhe përroin e sotëm të Rraboshtës mbi të cilin
qëndron ura, si: "Plachegione Fiume (Lumi i Plakut Gjon)." Në vitin
1867, Johann Georg von Hahn shkruan se: "Ura Blak Gjon, Steinbrücke, unter
welcher die Wässer von Roboschtia und einige Quellen von Kalmeti dem Drin
zufliessen", që do të thotë: "Ura e Plakut Gjon, është një urë guri
nën të cilën derdhen në Drin ujërat e Rraboshtës dhe disa burime të Kallmetit
(4)." Në vitin 1933, është Ermanno Armao, i cili jep një përshkrim më të
hollësishëm të Urës së Plakut Gjon. Kur flet për “Plachegione fiume (Lumin
Plakagjon)”, ai shkruan se: “Uji që rrjedh nën Urën e Plakgjonit, 6.5 km në
veri të Lezhës, përgjatë rrugës antike për në Shkodër, nuk mban më as emrin që
i ka vënë Coronelli dhe as nuk mund të quhet lumë apo përrua. Për të vaditur
tokën e tyre, fermerët vendas kanë hapur kanale, duke futur ujin nga përroi që
zbret nga kodrat midis Kallmetit dhe Raboshtës dhe urës 20 metra të gjatë, e
përbërë nga një hark i madh qendror dhe dy harqe më të vogla, të ndërtuara në
periudhën paraturke. Njësoj si Ura e Shkinës aty pranë, ajo qëndron mbi njërin
nga ato kanale e zhytur pothuajse tërësisht nën tokë (5)." Përroi i
Rraboshtës, i cili kalonte poshtë Urës së Plakut Gjon është devijuar në vitet
60 të shek. XX dhe prandaj ky monument tashmë ndodhet në mes të fushës në
terren të thatë. Nga kjo urë kanë mbijetuar vetëm harku i saj qëndror dhe disa
fragmente nga dy harqet anësore, që shërbenin kryesisht si dritare shkarkimi.
Në ndryshim prej Urës së Madhe në Blinisht-Piraj, të cilës i kushton një vëmendje
të veçantë, Urës së Plakut Gjon, Prof.Dr.Valter Shtylla i bën një përshkrim
fizik dhe teknik në mënyrë shumë sintetike: “Ajo është urë simetrike, harku
qëndror me dopjo qemere dhe dy dritare shkarkuese anash. Nga të dyja anët e
harkut të madh duken edhe gjurmët e dy dritareve të vogla kuadratike (6)."
Nga rilevimi i plotë, që i kam bërë këtij objekti fillimisht më 11.07.2014 dhe
sërish sot pas 10 vitesh, më 19.11.2024, kam konstatuar se materiali me të
cilin është ndërtuar përbëhet nga gurë gëlqeror me disa ndërthurje me gurë
shtufi, që janë të lidhur me llaç të trashë gëlqereje. Në harkun e madh qendror
ruhen ende ganxhat metalike për mbërthimin e gurëve. Forma gjeometrike e harkut
qëndror është ajo e segmentit rrethor dhe të njëjtën formë kanë patur edhe dy
harqet anësore. Harku i madh qëndror është realizuar me rreshta dyfish gurësh.
Duke qenë se ky monument është pjesërisht i zhytur nën tokë, nuk mund të
përcaktohet me siguri as lartësia dhe as përmasat reale të strukturave të tij.
Në gjendjen që shohim sot, ura ka një gjatësi prej 21 m, gjerësi prej 3 m dhe
lartësia maksimale nga niveli i terrenit mbi harkun qendror shkon deri në 2.56
m. Ky hark ka një hapësirë drite prej 7.05 m, lartësi nga niveli i terrenit
prej 1.70 m dhe trashësi mesatare prej 0.80 m. Dy dritaret e shkarkimit ose
harqet anësore, aktualisht me qemerë të rrëzuar, kanë patur një hapësirë drite
prej rreth 1.5 m. Distanca midis harkut verior dhe harkut qendror është 2.40 m,
ndërsa harku jugor është i mbështetur mbi atë qëndror. Ganxhat metalike për
mbërthimin e gurëve, gjithsej 4, janë të vendosura nga 2 në dy anët e harkut
qendror në pjesën e sipërme. Ato janë punuar me hekur të rrahur dhe kanë këto
përmasa: 5 x 1 cm trashësi. Në hyrje dhe në dalje të urës, traseja është e
shtruar me kalldrëm të çrregullt me gurë të përmasave të ndryshme dhe ndërsa në
pjesën qendrore traseja kalon mbi vetë gurët pllakë të rreshtit të sipërm të
harkut kryesor. Gjendja e saj fizike lë shumë për të dëshiruar, por edhe pse
është pjesërisht e rrënuar, ajo vijon të mbetet një objekt shumë impresionues.
Pavarësisht nga përmasat modeste, Ura e Plakut Gjon vlerësohet për hijeshinë e
saj, rëndësinë historike dhe lidhjen me trashëgiminë e pasur kulturore të
Shqipërisë Veriperëndimore. Është shpallur Monument Kulture i kateg. I, nga
Ministria e Arsimit dhe e Kulturës (D.K) me vendim nr.786/1, më dt.05.11.1984.
BIBLIOGRAFIA:
1) E.Armao, Località,
chiese, fiumi, monti, e toponimi varii di un'antica carta dell'Albania
Settentrionale, Publicato sotto gli auspici della Reale Società Geografica
Italiana (Con annesso fac-simile della carta), Roma: Istituto per l'Europa
Orientale, MCMXXXIII-XI, Tipografia del Senato del dott. G. Bardi, 1933, f.
160.
2) V.Shtylla, Rrugët dhe
urat e vjetra në Shqipëri, f. 77, 139, 154; V.Shtylla, Rrugë dhe Ura në
Shqipëri (Roads and Bridges in Albania), f. 164.
3) P.Bartl, Albania
Sacra: Geistliche Visitationsberichte aus Albanien, 3: Diözese Sappa, f. 145.
4) J.G.Hahn, Reise durch
die Gebiete von Drin und Wardar, f. 204.
5) E.Armao, Località,
chiese, fiumi, monti, e toponimi varii di un'antica carta dell'Albania
Settentrionale, Publicato sotto gli auspici della Reale Società Geografica
Italiana (Con annesso fac-simile della carta), Roma: Istituto per l'Europa
Orientale, MCMXXXIII-XI, Tipografia del Senato del dott. G. Bardi, 1933, f.
160.
6) V.Shtylla, Rrugë dhe
Ura në Shqipëri (Roads and Bridges in Albania), f. 164.
Paulin Zefi.
Lezhë: 19.11.2024.