Kerko: a
Lekë Mrijaj: Në varrezat e qytetit të Pejës u varros motra Drita Krasniqi, kryeinfermiere në Spitalin e Pejës
E shtune, 09.11.2024, 07:50 PM
Në varrezat e qytetit të Pejës, në praninë e shumë qytetarëve, u varros motra Drita Krasniqi, kryeinfermiere në Spitalin e Pejës
Shkruan:
Lekë Mrijaj
Më
5 nëntor 2024, pas një sëmundjeje të rëndë në moshën 64-vjeçare, kaloi në
amshim motra e rregullit Vinçencian, motra Drita (Ndrecë) Krasniqi, e lindur më
15 prill 1960 në Nepolje.
Ishte
një motër e përkushtuar ndaj thirrjes së saj si anëtare e Kongregatës së Bijave
të Dashurisë së Krishterë, motra Drita i qëndroi besnike Zotit dhe misionit të
saj për 43 vite. Duke vepruar me përkushtim të thellë shpirtëror si motër
nderi, ajo shërbeu për shumë vite edhe në Kishën e Zllakuqanit, një vend i
nderuar për banorët e Lugut të Drinit në Klinë. Për shumë vite pas luftës, ajo
punoi si kryeinfermiere në repartin e ortopedisë në Spitalin e Pejës, duke
kujdesur me dhembshuri e dashuri për pacientët dhe duke qenë gjithmonë pranë të
sëmurëve dhe nevojtarëve.
Në
rolin e saj si kryeinfermiere, motra Drita u bë një shembull i përkryer për të
gjithë. E njohur për përshpirtërinë, përkushtimin, durimin dhe përulësinë me të
cilën trajtonte çdo detyrë, ajo mbeti një figurë e dashur madhore dhe e
respektuar si motër nderi e rregullit Vinçensian dhe profesioniste e
përkushtuar në fushën e shëndetësisë. Kujtimi i saj do të mbetet një dëshmi e
përjetshme e dashurisë dhe kujdesit për të tjerët.
Nderimet
dhe homazhet për motrën e ndjerë Drita u mbajtën sot, më 6 nëntor 2024, në
Kishën Katolike Shën Katarina në Pejë, duke filluar nga ora 10:00-12:00. Të
afërmit, motrat e kongregatës dhe besimtarë të shumtë nga Lugu i Drinit
(Zllakuqani, Klina etj.), Lugu i Baranit (Nepolja, Gllogjani etj.) të Pejës dhe
Dukagjini u mblodhën për të nderuar kujtimin e saj dhe për t’i dhënë lamtumirën
e fundit, duke kujtuar shpirtin e saj fisnik dhe kontributin që la pas në
shërbim të komunitetit shqiptar dhe përtej.
Në
orën 12:00 u mbajt mesha e përshpirtshme e dritës, e koncelebruar nga imzot
Dodë Gjergji, don Lenc Sopi, famullitari i Kishës Katolike në Pejë, dhe
meshtarë të tjerë të Dioqezës së Kosovës. Gjatë meshës, ipeshkvi Dodë Gjergji
dhe don Lenci e kujtuan jetën e saj të ndritur dhe dedikimin e palodhur për të
ndihmuar të tjerët. Fjalët dhe lutjet për të ndjerën përshkruan një shpirt të
pastër, një motër të përkushtuar dhe një profesioniste të shquar, e cila ka
lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën e shumë njerëzve.
Në
përfundim të ceremonisë, motra Drita u përcoll me nderime për në banesën e
përjetshme. Ceremonia e varrimit u drejtua nga don Lenc Sopi, ndërsa me një
fjalë përkujtimore morën pjesë edhe don Lush Sopi dhe një anëtar i familjes
Krasniqi, të cilët shprehën dhimbjen dhe nderimin për jetën dhe veprën e saj.
Kujtimi
për të qoftë i paharruar dhe shpirti i saj i bardhë le të pushojë në paqe, duke
mbetur përjetë si një shembull i dashurisë dhe përkushtimit njerëzor. Pushoftë
në paqe!
Ps: Fotot janë të
huazuara nga Pal Marku.