Kulturë
Zeqirija Ibrahimi: Një konservim muzeor i arsimit shqip në Maqedoni
E diele, 10.03.2024, 08:54 PM
Një konservim muzeor i arsimit shqip në Maqedoni
(Recension
mbi veprën e prof. Avzi Mustafës “Leksikon i pishtarëve të arsimit shqip në
Maqedoni 1941-1971”)
Nga
Zeqirija Ibrahimi
Në
mungesë të një historie të sistemuar të shqiptarëve në Maqedoni (nga viti 2018,
Maqedonia e Veriut), përkundër veprave të studiuesve të ndryshëm mbi arsimin
shqip për periudha të caktuara dhe rajone të caktuara, ka mbetur e paplotësuar mungesa
e një vepre të plotë të historisë së arsimit shqip në këtë areal shqiptar.
Kështu,
ndonëse shkolla shqipe e kishte filluar jetën e saj në fund të shek. XIX, te
shqiptarët në Maqedoni për herë të parë shkolla me mësim në gjuhën shqipe do të
hapeshin vetëm më 1941, pra gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur ministri i
Arsimit të Shqipërisë së pushtuar, Ernest Koliqi, do ta dërgojë kontingjentin e
arsimtarëve të parë shqiptarë në këto treva (të diplomuar në Normalen e
Elbasanit e gjetiu), të cilat pas pushtimit italian edhe të viseve shqiptare të
Maqedonisë së sotme, do të quheshin Tokat e lirueme. Kjo edhe është
arsyeja që ky leksikon i arsimtarëve shqiptarë e bën evidentimin e punës së tyre
nga viti 1941 e këndej. Një valë tjetër e arsimtarëve shqiptarë do të vijnë
edhe pas Luftës së Dytë Botërore, me një marrëveshje shqiptaro-jugosllave, por
pas vitit 1948 kjo do të ndërpritej dhe krejt kuadri arsimor do të duhej të
mbështetet në burimet e brendshme, fillimisht në kapacitetet e Shkollës Normale
të Tetovës e të Shkupit (të themeluara fill pas LDB-së), të cilat përgatisnin
mësues të ciklit klasor, më vonë të Shkollës së Lartë Pedagogjike (1952),
Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Prishtinë (1960), që do t’i
paraprijë Universitetit të Prishtinës (1970), ndërsa më vonë edhe në
kapacitetet e Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe (1972).
Këtu
duhet theksuar se një pjesë e arsimtarëve të ardhur nga Shqipëria, para dhe pas
LDB-së, do të vazhdojnë të jetojnë dhe punojnë në shkollat shqipe të Maqedonisë
deri në fund të karrierës dhe, madje, jetës së tyre. Kur flasim për këto grupe
të arsimtarëve të ardhur nga Shqipëria, përveç mirënjohjes për sakrificën e
tyre, që u shkëputën nga vendbanimet e tyre dhe një pjesë të madhe të jetës ose
edhe gjithë jetën e kaluan duke edukuar nxënës shqiptarë të trojeve tona, duhet
theksuar se ata ishin të parët që e mbollën edhe farën e dashurisë për kombin
shqiptar e për gjuhën shqipe, që në një mënyrë mund të llogaritet edhe si guri
themeltar i fillimit të ndërtimit të identitetit kolektiv kombëtar te
shqiptarët në Maqedoni. Ndonëse vala e parë, e viteve të Luftës, ishte me
ngjyrime tipike nacionaliste rilindëse, ndërsa e dyta kundërmonte edhe
ideologji komuniste, në planin e veçantisë kombëtare, dashurisë për gjuhën dhe
kulturën shqiptare, mbase edhe nuk dallonin shumë. Madje, duke e mbjellë këtë
farë, ajo do të bartej si trashëgimi edhe në brezat në vijim, duke e ngjizur në kujtesën kolektive të popullatës shqiptare të këtyre
anëve se ata ishin i veçantë, pra shqiptarë, që dalloheshin nga fqinjët dhe që
e flisnin gjuhën shqipe si gjuhë amtare (kjo në kohën kur me mjete të ndryshme imponohej
asimilimi kombëtar). Këta ishin arsimtarët e parë që fëmijëve shqiptarë do t’u
mësonin poezi për gjuhën shqipe, do t’ua mësonin shkronjat shqipe, do t’u
mësonin këngë e shqipe, si dhe ngjarje e figura të historisë kombëtare
shqiptare. Në këtë mënyrë, edhe sipas teorisë moderne të nacionalizmit
(Gellner, Hobsbaum), janë ndërtuar kombet.
Siç
e dimë, pas LDB-së, në kohën që ishte marrë vendimi shtetëror për arsimimin e
të gjithë fëmijëve që nga mosha 7-vjeçare, shqiptarët e këtyre trevave do të
mundoheshin në çdo mënyrë të krijojnë kuadro për t’i mbajtur këto shkolla.
Prandaj, derisa shumica e tyre do të bëheshin mësues përmes Normales, jo pak
arsimtarë do ta ushtrojnë këtë profesion edhe vetëm përmes ndjekjes së kurseve
pedagogjike, që ishin një shkollim intensiv për ta ushtruar profesionin e
mësuesit. Më vonë, shumica e këtyre arsimtarëve do ta mbarojnë Shkollën e Lartë
Pedagogjike, madje disa prej tyre do të vazhdojnë edhe në studime të larta
universitare.
Kjo
është pista në të cilën u zhvillua arsimi shqip, ndërsa arsyeja se pse si datë
e regjistrimit të arsimtarëve në këtë Leksion është viti 1971 (që nuk
është ndonjë kufi i rreptë) është për shkak se ky vit shënon mbylljen e dekadës
së tretë të arsimit shqip në këtë republikë ish jugosllave, por edhe për arsye
se pas këtij viti do të zgjeroheshin mundësitë për krijimin e kuadrove dhe
numri i tyre do të rritej, aq sa vetëm një autor e ka vështirë për t’i
regjistruar dhe përshkruar të gjithë.
E
veçanta e kësaj vepre, e titulluar si Leksikon i pishtarëve të arsimit shqip në Maqedoni 1941-1971, është edhe se ajo ia del me
sukses ta evidentojë gati gjithë listën e arsimtarëve shqiptarë që nga fillimi
i hapjes së shkollave shqipe në këto treva e deri në fund të dekadës së tretë
të këtij rrugëtimi. Autori i saj, prof. Avzi Mustafa, i njohur edhe përmes disa
veprave të tjera të rëndësishme mbi arsimin shqip në Maqedoni, përmes një zelli
vetëmohues dhe shtytjeje intelektuale, por edhe duke e respektuar një metodologji
standarde shkencore për këtë tip veprash, arrin t’i regjistrojë gati të gjithë emrat e arsimtarëve të
shkollës shqipe nga viti 1941 e deri më 1971, duke ofruar të dhëna të
përgjithshmë biografike, si dhe të dhëna për karrierën e tyre profesionale. Siç
do të shprehet edhe vetë ai në hyrje të Leksionit: “Puna ime në këtë Leksikon është ta vlerësoj jo
vetëm vetëmohimin e heshtur të mësuesve nëpër dekada, por edhe sakrificat e
tyre të llojllojshme... Përveç biografive të çdo mësuesi/arsimtari, këtu e kam regjistruar
edhe kohëzgjatjen e shërbimit në shkollë, transferimet prej një shkolle në një
shkollë tjetër, largimet e diferencimet politike të tyre, si dhe kontributin e
tyre në ngritjen kulturore e arsimore në të gjitha vendbanimet ku zhvillohej
mësimi në gjuhën shqipe.”. Në
këtë mëyrë, prof. Mustafa e ka përvijuar hartën e arsimit shqip në Maqedoni,
duke i regjistruar edhe të gjitha shkollat me mësim në gjuhën shqipe, që –
përveç kësaj – flasin edhe për praninë e elementit shqiptar në këto troje.
Kur flasim për këtë
aspekt, duhet theksuar se në kohën kur qarqe të caktuara politike hartonin
plane për shpërnguljen e shqiptarëve nga këto troje, hapja e shkollave shqipe
ishte ndoshta mënyra e vetme që popullata të lidhej për vendin e tyre. Prandaj,
ata arsimtarë që i hapën shkollat nëpër fshatrat e qytetet shqiptare nuk ishin
vetëm iluministë me mision edukativo-arsimor, por ata në mënyrë të tërthortë –
pa e shqiptuar fare këtë – e jepnin edhe mesazhin se “këtu janë vatrat tona dhe
ne do ta zhvillojmë jetën aty”. Dhe, ky do të ishte një mision me përmasa
historike, sepse hapja e shkollave shqipe ishte shpresë e popullatës shqiptare
për ta ndërtuar jetën në vatrat e stërgjyshërve të tyre. Dhe, kur e ndërmendim
se këta arsimtarë shqiptarë do të hapnin shkolla edhe nëpër fshatra të thellë,
ku përveç kushteve elementare të shkollës e të mësimdhënies, mungonin edhe
kushtet elementare të jetës, si banimi dinjitoz e tansporti, ndërsa ata kalonin
nga disa vite të ndarë nga familjet e tyre, duke i shërbyer shkollës, nuk mund
të mos e pranojmë se ata janë heronj ose, ashtu siç i quan autori i këtij Leksikoni,
pishtarë, të cilët e ndezën flakadanin e iluminimit të kombit. Siç mund
të shihet nga biografitë e shumta të këtyre arsimtarëve, ata pos detyrës formale,
për të cilën ishin të angazhuar e të cilën e bënin me shumë përkushtim, në
mënyrë vullnetare do të mbanin edhe kurse për zhdukjen analfabetizimit, një
detyrë që bëhej vetëm me qëllim të emancipimit të kombit.
Nëse i lexojmë edhe
vetëm disa nga biografitë e këtyre arsimtarëve, e vërejmë lehtë se ata kanë
bërë një jetë shtegtari, duke qenë në lëvizje të vazhdueshme. Kjo ishte një
politikë shtetërore për planifikimin e punës së arsimtarëve, e cila kërkonte
një sakrificë shtesë. Arsimtarët i kalonin 20-30 vite jetë pa pasur një ngulim
të përhershëm shtëpiak për familjen e tyre, duke qenë gjithnjë në lëvizje nga njëri
kënd i gjeografisë shqiptare të Maqedonisë në një kënd krejt tjetër.
Ndërkaq,
kur flasim për arkitekturën e veprës, mund të themi se autori e ka respektuar
me përpikëri e akribi një metodologji shkencore që përfshin të dhëna të
përgjithshme biografike për arsimtarin/arsimtaren (emri, mbiemri, viti dhe
vendi i lindjes, si dhe viti e vendi i vdekjes – nëse ndërkohë ka vdekur),
pastaj e përshkruan arsimimin e tij/saj, duke i radhitur të gjitha shkallët e
arsimit, për të vazhduar me përshkrimin e vendeve të punës, pra shkollave në të
cilat ka punuar, ndërsa në jo pak raste jep edhe të dhëna të tjera që janë me
rëndësi për arsimtarë përkatës, si angazhimi në aktivitete kulturore, publike e
politike. Në fund të përshkrimit jep informacion se ku dhe kur e ka përfunduar
karrierën, duke e dhënë edhe burimin mbi të cilin
mbështetet, për të qenë kështu deri në fund i saktë në kuptimin shkencor. Kur
flasim për referencat shkencore, ai i ka vjelë dhe cituar të gjitha veprat që janë
botuar si histori të arsimit shqip për rajone të caktuara shqiptare të
Maqedonisë, ka punuar nëpër arkiva të shkollave e qyteteve, ndërsa nuk ka hezituar
të kontaktojë edhe personalisht familjarë të arsimtarëve për të cilët nuk ka
gjetur të dhëna dokumentare, për ta ndërtuar kështu artikullin gjegjës,
sigurisht duke e shënuar burimin nëse ai ka qenë një i afërm i arsimtarit.
Edhe
pse autori është përpjekur të sigurojë fotografi për secilin arsimtar, këtë
synim nuk ka arritur ta përmbushë gjithnjë dhe kjo jo për fajin e tij, por për
arsye thjesht objektive – disa arsimtarë nuk kanë fare fotografi, ndërsa disa
kanë fotografi shumë të dobëta dhe, thjesht, të papërdorshme. Prandaj, siç do
ta vërejmë në Leksikon, fotografitë dallojnë edhe për nga përmasat, edhe
për nga mënyra e paraqitjes, por edhe për nga rezolucioni. Sidoqoftë, autori ka
bërë një punë të njëmendtë si hartues i një leksikoni, duke u munduar të
sigurojë edhe fotografi për arsimtarët e paraqitur aty.
Ky Leksikon, që
është shumë për të qenë vepër e një grupi e autorësh, e të mos flasim se çfarë
vlere ka si vepër e një autori, do të jetë evidenca dhe referenca më e
rëndësishme e cilitdo studim të mëvonshëm që do të realizohet mbi shqiptarët në
trevat e Maqedonisë së sotme, qoftë ai për historinë, arsimin ose emancipimin e
përgjithshëm kombëtar.
Marrë
në përgjithësi, me veprën Leksikon
i pishtarëve të arsimit shqip në Maqedoni 1941-1971), autori, prof. Avzi Mustafa ia ka bërë
shërbimin më të mirë historisë së arsimit shqip e shkollës shqipe, në
përgjithësi, si dhe pishtarëve të arsimit, në veçanti, duke i përjetësuar emrat
e tyre dhe duke i konservuar ata në artefakte muzeore, për mos t’u harruar
kurrë më. Nëse deri tash ata kanë qenë të panjohur ose të harruar, i takon
merita prof. Mustafës që emrat e tyre i ka skalitur në këtë leksikon dhe ata
tashmë janë pronë e historisë sonë të gjithmbarshme
kombëtare.
Zeqirija Ibrahimi, recensent
Janar 2024