Editorial » Mehmetaj
Gani Mehmetaj: Arbëreshët e Sicilisë ashtu si i pamë
E shtune, 24.02.2024, 07:58 PM
Arbëreshët e Sicilisë ashtu si i pamë
Hora
Arbëreshe, shkurt 2024
Nga
Gani Mehmetaj
Pak
kush e di se arbëreshët e shpallën shtetin e pavarur, por e mbajtën vetëm tri
ditë.
Sa
dimë për masakrën e mafisë siciliane ndaj arbëreshëve në maj të vitit 1947?
“Mori
bijë, bijë e Lalës,
Mori
e bukur e trishtuar
Pse
me kthen në motnë e shkuar?”
I
kujtoja vargjet e trishta të poemës “Kënga e sprasme e Balës”, të Gavrill Dara
i Riu, që i kishim mësuar në gjimnaz pesëdhjetë vjet më parë. Shihja nga avioni
detin dhe një cep të Sicilisë. Vargjet me erdhën pa dashje në buzë, të trishta,
vajtimtare, por edhe epike e dramatike. Shumë herë kam menduar sa bukur do të
dilte një film epik: Plaku buzë detit, sheh tej në horizont Arbërinë dhe kujton
Nik Petën me luftëtarët e kohës së Motit të Madh...
Sa
mall e emocione me të zbritur në aeroportin Katania (Catania). A do ta preknim
historinë? Secili nga ne priste diçka dhe nuk e dinte saktësisht ç’priste? Një
copë të së kaluarës? Apo arbëreshët me përkrenare që do të dilnin nga epoka e
lavdishme, që të na thoshin, ja ku jemi, ata të moçmit, të pandryshueshmit. Sa
shumë histori e sa pak gjeografi. Një etni që kishte nxjerr shumë shkrimtarë,
intelektualë dhe mendimtarë në një kohë kur ne përpëliteshim në mes të jetës e
vdekjes. Pasardhësit elitarë të ushtarëve të Gjergj Kastriotit, Rilindasit
arbëreshë atëbotë e ringjallën kujtimin për Motin e Madh, ndërsa jehona e
kushtrimit të tyre u përplas brigjeve të Arbërisë, në Dardani e tutje në
Maqedoni. Rilindasit arbëreshë na rizgjuan nga gjumi që rrezikonte të na
fundoste.
Isha
me grupin prej 50 turistësh dardanë, që u nisëm me avion nga aeroporti “Nëna
Terezë” në Sicilinë e mallit të pashuar. Donim të ritakonim arbëreshët me të
cilët na kishte ndarë deti dhe koha prej pesë shekujsh, por na bashkonte gjaku
i shprishur dhe “gluha”. Kur i takuam na emociononin me përpjekjet e ngulmëta
që të flisnin arbërisht, me krenarinë e përkatësisë dhe me afrinë. Na mahniten
se si e kishin ruajtur me fanatizëm traditën, këngët e vjetra, veshjen farfuritëse,
gjuhën, kujtesën dhe mallin gërryes për atdheun.
Në
bisedat me ta nga Palermo deri në Piana degli Albanezi apo Hora e Arbëreshëve,
na rrëfenin se si e bënë Sicilinë atdhe të dytë, por malli për Arbërinë i
gërryente vazhdimisht. Qyteza e tyre kishte reflekse përngjasimi me Beratin,
Gjinokastrën, Janinën. Qytet i vjetër i gurit, i shtëpive të veçanta dhe i
kishave që të grishnin me qetësinë mistike.
Arbëreshët
shquhen me traditën e ruajtur me pedanteri në detin e madh të kulturës italiane
që e ka pushtuar Mesdheun dhe Evropën. Secila nga familjet aristokratike
arbëreshe e kishte ndërtuar nga një kishë të bukur me zbukurime prej ari. Disa
prej tyre kanë mbi pesëqind vjet.
Arbëreshët
janë katolikë të ritit bizantin, që e pranojnë autoritetin e Papës dhe të
Vatikanit. Priftërinjtë na thanë disa herë se nuk janë ortodoksë, por katolikë
bizantinë. Mesha mbahet në arbërishte.
Arbëreshët
e duan kishën e tyre, sepse aty flasin arbërisht në mes veti dhe me priftin që
mëshon në gjuhën e tyre. A janë besimtarë? Sigurisht, me tha shoqëruesi
arbëresh, që fliste rrjedhshëm arbërisht, ndërsa kishte qenë disa herë në
Shqipëri dhe në Dardani. Por besojnë edhe në barazinë sociale që e predikojnë
komunistët a të majtët. Me thanë se shtrembër, arbërisht dmth majtë, prandaj bëra
një lojë fjalësh se mos e ke shtrembër këtë përcaktim. “Sikur nuk shkojnë në
mes veti këto dy të kundërta”, i thash. Qeshi dhe me grishi të shkoja në Klubin
e Komunistëve. Burrat e moshës së tretë, në Klubin e të majtëve, në Horën
Arbëreshe, me kapela Lenini në kokë, me ngjasonin me pensionistët e Përmetit
dhe të Skraparit (kryesisht që e vajtonin para meje kohën e Enverit).
Këta
arbëresh të majtë me ngjallën kërshëri. Por na priste prifti i Kishës së
Shëngjergjit, kështu që në mes të pensionistëve komunistë dhe dinjitarit
katolik bizantin, zgjodhëm të dytin. Prifti na foli gjatë për historinë
arbëreshe, ngulimet e para dhe kujtimet që i bartën me vete. Dhjetë vjet pasi
rënies së Shkodrës e ngritën kishën e parë në Horën Arbëreshe.
Arbëreshët
patën shumë drama, luftëra e përpjekje për të mbijetuar. Nga filmi italian
“Salvatore Xhuliano” i Francesko Rosit kemi mësuar për një masakër në Sicili,
ku nuk përmendet se punëtorët që u masakruan ishin shumica arbëreshë. Kryetari
i Bashkisë, Rosario Petta, na tregoi se një ditë maji të vitit 1947 mafia
siciliane, vrau njëmbëdhjetë burra. Në shenj kujtimi arbëreshët kanë ngritur
lapidarë, ndërsa e kujtojnë çdo vjet. Grupi ynë u bëri homazhe arbëreshëve të
rënë nga plumbat e mafiozëve sicilianë. Ndërkaq, Bashkia e Horës së arbëreshëve
e kishte në sallën qendrore një mural kushtuar kësaj ngjarje tragjike. Për te
na foli kryetari i Bashkisë, z. Petta, kur e priti me përzemërsi grupin tonë.
Ai ishte i entuziazmuar me vizitën tonë dhe i dëshiruar që të kemi kontakte më të
shpeshta.
Kurioziteti
tjetër është fakti se arbëreshët dikur e shpallën shtetin e pavarur, me
tregonte arbëreshi Lisandri (Aleksandri), shoqëruesi ynë. Por e mbajtën vetëm
tri ditë. Ushtria zbarkoi në brigjet e Sicilisë dhe e mori situatën në
kontroll.
Për
arbëreshët mund të flitet shumë. Për ata të moçmit (shkrimtari që shkoi pas të
dashurës deri në fund të botës, në Brazilin e largët me një anije që lundroi dy
muaj) dhe për të rinjtë e kohës së sotme që e braktisin vendlindjen, sepse
kërkojnë punë, duan të studiojnë dhe të hapin e horizontet e dijes. Ndërkaq,
provinca nuk u ofron shumë.
Por
për këto gjëra, një herë tjetër...