Mendime
Idriz Zeqiraj: Lotët e Zogaj dhe Gecit akuzë klanit të LDK-së
E diele, 18.02.2024, 07:50 PM
LOTËT E ZOGAJ DHE GECIT AKUZË KLANIT TË LDK-SË
NGA
IDRIZ ZEQIRAJ
Dokumentari
"Rugova në 18 vjetorin e amshimit", i realizuar suksesshëm nga
shoqëruesi klasik, Adnan Merovci, me ekipin artistik, ngjalli ndjenja të
fuqishme malli e dhimbje, duke përlotur shqiptarët e përbotshëm për njeriun
unik, Presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova.
Në
mesin e asaj game bashkëpunëtorësh e miqësh, veçuam dy syrësh: Skëndet Zogaj
dhe Fadil Gecin. Shërbimi i këtyre dy veprimtarëve për Rugovën, LDK-në dhe
Kosovën, ka qenë sipëror. Gazetari Skënder Zogaj, si gjithherë, profesional e
brilant, me guximin e bollshëm qytetar, dinjitar dhe me integritet të plotë, i
drejtpërdrejtë në trajtimin e temave të "nxehta", për Kosovën dhe
bijtë e saj të përgjakur, të listuar dhe të ekzekutuar ngeshëm e me sadizëm.
Dinjitoz për përfaqësimin diplomatik të Kosovës në Shqipëri, në një kohë të
rrëmujshme dhe më vonë drejtues komunar.
Fadil
Geci, me vëllezërit e tij, u rrjeshtuan në çetën e parë luftarake drenicare,
nismë e mbarim të luftës. Vëllazërisht në shoqërim të Presidentit, në ato kohë
të mugëta, kur hafijet e Serbisë në Kosovë, kërkonin hiç më pak se kokën e
Rugovës; kur duhej ruajtur gjoksin nga armiku pushtues dhe shpinën nga fara
staliniste, LPK-së ekstremiste. Përgjakja në luftë është e pritshme, por,
përgjakja në paqe, është e trishtme, zhgënjyese. Përballje loti kursehet, por
në bërrylimet cinike klanore, lotët rrjedhin çuditshëm, siç ndodhë me përlotjen
mallengjyese të Skënder Zogaj dhe Fadil Gaci, për Presidentin Rugova, të cilët
u përjashtuan nga mundësia, për ta mbrojtur LDK-në rugoviane!
Shuarja
e dhimbshme dhe e trishtme e Presidentit Rugova, solli në skenën partiake
klanorët bërrylorë. Uzurpuan partinë dhe larguan, në heshtje, ajkën e
rugovizmit, për t`i pasur duart e lira të veprimit, gjithnjë në kahje të
kundërt të parimeve rugoviane. U bënë ortakë me përgjakësit e LDK-së, "me
dreqin dhe të birin", vetëm pak pushtet të ndotur të kishin. I luftuan me
heshtje e harresë, të gjithë ata që parimet e dlira rugoviane, i ruanin dhe i
mbronin me fanatizëm.
Me
selektimet e kuadrove, gjithnjë në kahjen negative, e përskeqën LDK-në,
krijesën hyjnore të Rugovës, deri në prag-shuarje. Për të shpëtuar atë që mund
të shpëtohet, disa nuk e pranuan, në pafundësi, "harresën dhe
heshtjen" dhe vepruan. Edhe pse u anatemuan, përsëri, në mënyrë të
tërthortë, ruajtën një pjesë të elektoratit, për ta kthyer në bazë, në gjenezë,
pas ndryshimit të bërë.
Një
krua që ka rrjedhur gjithmonë, edhe në mos rrjedhtë ma, do të pikojë", -
thotë populli. Me organizimin e ri të LDK-së, po reflektohet edhe vazhdimi i
traditës. Me themelimin e Nëndegës së re të LDK-së në Rosenheim të Bavarisë,
Ardian Gërvallën dhe Nehat Gecin i zgjodhën, përkatësisht, kryetar dhe nënkryetar. Geci ish-roje e afërt dhe
besnike e Presidentit Rugova, ndjehej sa i privilegjuar, aq edhe i përmallur,
sepse edhe pas amshimit të kryezotit Rugovë, po i jipej rasti për të shërbyer
në ruajtjen e trashëgimisë së Tij. Në Hamburg Nëndegën e re të LDK-së e
organizoi Rilind Geci, nipi i Nehatit me shokë, duke i prirë asaj.
Fraksioni legal brenda
partiak më i pranueshëm, se sa klani mafioz ilegal në parti
Vihet
re një riorganizim i klanit Mustafa, për ta rehabilituar atë me rrethin e tij
vicioz. Për tërheqjen zvarrë dhe zhveshjen deri në mbathje (brekë) të kryetares
së LDK-së në Gjermani, Donikë Gërvalla, nga bodiguardët e ministrave të Isa
Mustafës, ky klan kurrë nuk janë penduar dhe nuk kanë kërkuar falje!
Së
fundi, në një dabat televiziv PAN-istë, ku nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri,
është bërë -yll televiziv-, bëri një provokim të rëndë. Ai tha se "rasti
ishte inskenim!" Kjo është një shpifje dhe fyerje e rëndë si dhe një
manipulim i vrazhdët. Si delegat në 4 (katër) Kuvendet zgjedhore të LDK-së, kam
përcjellur nga afër maskaradën kuvendore. Mungesa e debatit, analizës dhe
prania e aklamacionit, si kancer i demokracisë, rrënuan partinë famoze, LDK-në
e Ibrahim Rugovës.
LDK-ja
në Mërgatë, në veçanti, në Gjermani e Zvicër, ka ruajtur praktikën rugoviane të
votimit të fshehtë. Edhe 9 (nëntë) delegatët nga Gjermania ishin fryt i kësaj
përzgjedhje. 6 (gjashtë) syrësh ishin familjarë të ngushtë të heronjve të vrarë
nga UDB-a dhe SHIK-u kriminal. Në mes tyre edhe Donikë Gërvalla. Dhe,
kryeklanorët e LDK-së nuk i donin në sallë familjarët e viktimave. Sepse ata
mendonin dhe do të vepronin ndryshe, nga delegatët kukulla të Kuvendit
"Zgjedhor".
Delegatëve
të Degëve Gjermani, Zvicër, edhe pse kishin bërë rrugëtimin 4.000 km.,
ardhje-kthim, dera e Kuvendit iu mbyll. Kjo ishte kriminale, cinike dhe
skajshëm rrugaçërore. Asaj dite, të 25 majit 2015, delegatët e Kuvendit, do të
duhej, në shenjë proteste, të largoheshin, duke lënë në sallën kuvendore
kryetarin Mustafa, me klanin e tij horrak e marroq. Kjo është e vërteta, madje
në shkallën sipërore. Andaj, mos provokoni, se nuk jua kemi borxh!
Klani
Mustafa nuk arriti ta realizojë përçarjen në Degën e LDK-së në Gjermani, sepse
atje drejtonte Donikë Gërvalla, veprimtarja më luftarake në botë, për çështjen
e Kosovës. Ajo në debatet televizive prestigjioze të Evropës dhe në sallat e
takimeve, ishte fitimtare në të gjitha përballjet, madje me fakte të
pakundërshtueshme, qofshin ata personalitete serbe, ballkanase, evropiane dhe
të përbotshme. Por, Isa këmbënguli në vazhdimin e dallavereve të tij në Degën e
Zvicrës, duke e përçarë e ndarë "pikë e pesë!" Këto pisllëqe nuk
munguan as përgjatë mandatit të kryetarit të suksesshëm Osman Ferizi, shok i
armëve të heroit Sali Çekaj, me intrigimet klanore bojkotuese dhe sabotuese.
Por, dështimi ishte i pritshëm.
Ndërkohë,
kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, me ekipin e tij drejtues, ka shpalosur një
program ambicioz, për rikthimin e partisë së Rugovës në pushtet. Fillimisht,
emërtesa "Rruga e re", ngjalli huti, sepse i kujtoi elektoratit të
LDK-së deklaratën publike të Isa Mustafës: "Do ta krjojmë një -Lidhje të
re-! Dhe, vërtet, e mbajti fjalën, duke e harruar LDK-në e vjetër! Rrjedhojat
dihen, 14 shkurti 2021, partia "ra në fund të pusit!"
Së
fundi, kryetar Lumiri shpjegoi edhe slloganin "Rruga e re", se nuk ka
të bëjë me partinë, por me qeverisjen. Ndërsa rrugëtimi ynë do të mbetet
rugovizmi i pacënuar. Lidershipi i ri duhet të punojë që veprimtarët e
dëshmuar, në vite e dekada, të vijës rugoviane, të harruar dhe rrast të
lënduar, të aktivizohen në ringjalljen e sërishme të LDK-së. Ky do të ishte
homazhi, nderimi më i madh i Presidentit Rugova. Përkrahja për kryetarin
Abdixhiku, me ekipin e tij, duhet të jetë e parezerva dhe pahile.
Ka
një tendencë negative, madje në rritje, për të sabotuar ristrukturimin e
LDK-së, nga klani Mustafa. Kjo manifestohet në debatët publike televizive, por,
edhe më shumë punohet në mjedise tjera, më pak publike. Po keqpërdoret edhe
afrimi i sërishëm i disa syrësh në Kryesinë e LDK-së. Kur ata pyetën për
preferencat në koalicione, përjashtojnë me emër një subjekt, pa e deklaruar
subjektin e pranueshëm në koalicion për ata. Thënë troç, duke qenë bisht e
patericë të PDK-së, personalisht, të Hashim Thaçit dhe të aleatëve të tij,
zemra e tyre rrahë për PAN-in, edhe pse eksponentët e tij kriminalë kanë përgjakur
LDK-në dhe Kosovën.
Propaganda
e tyre destruktive, po dekurajon, çmobilizon, deri në demoralizim anëtarësinë,
duke e bërë të mëdyshur se asgjë e re nuk ka ndodhur në LDK-e. Këtë qasje
mafioze, e favorizon mungesa e debatit, e analizës së mirëfilltë, pse LDK-ja u
katandis 11 %, (jo 12, sepse ka qenë edhe B.Pacolli në koalicion) të
elektoratit. Mosndëshkimi i fajit, deri në krim, siç është degradimi, me fund,
i LDK-së, gjithsesi lënë mundësinë e përsëritjes, sidomos në koalicionet sa
joparimore, aq edhe kriminale.