Mendime
Llesh Ndoi: Të isha një “Edi Ramë”!
E marte, 13.02.2024, 07:59 PM
TË ISHA NJË “EDI RAMË”!
NGA
LLESH NDOI
Parantezë.
Ndjehem
më shumë se komod kështu siç jam dhe s’kam lakmi pozitën e askujt. As pozitën
ekonomike, as atë politike… bile as pozitën shoqërore, jo e jo! Si t’i kem
lakmi të pasurit, kur ata përherë i shoh më të shqetësuar se veten në kohën kur
merrja vetëm bukën e gojës për familjen! Si mund t’i kem lakmi politikanët, kur
shoh parlamentin e sharjet me libër shtëpie mes tyre si në një spital
psikiatrik?! As pozitën e tyre shoqërore s’e lakmoj kurrë! Njihen prej të
gjithëve e s’njohin askënd, përveçse parasë, karrigës që u “pompon” pushtetin e
vetëknaqësisë dhe llogjet e tyre në monologjet publike që u ka dal boja.
Ndoshta
shtatgjatësinë ia lakmoj Edit, se na sheh nga lart…!
Po
çfarë do bëja sikur të isha një “Edi Ramë”?!
Numri
i gjërave që duhen bërë edhe në një shtëpi të vogël, është kurdoherë i madh dhe
besoj i pambarimtë. Zotësia e atij që rëndom i ka ra “belaja” me qenë zot
shtëpie, qëndron pikërisht këtu: Të zgjedhë më të rëndësishmen mes detyrave të
shumta që ka, të planifikojë e racionalizojë forcat për t’i realizuar ato me sa
më pak dhimbje. E, në se shteti konsiderohet si një familje e madhe për nga
përgjegjshmëria e dashuria, nuk ka gjë më të madhe për “të zotin e shtëpisë” se
sa të sigurojë harmoninë mes anëtarëve të familjes, respektin reciprok mes
tyre, në mos edhe dashurinë! Këto janë premisat për një familje të shëndetshme,
e kjo është baza për të pretenduar për më shumë, më lart e më larg…
A
është e shëndetshme familja jonë? Aspak!
Sikur
të mos mjaftonte emigracioni që e ka kthyer këtë familje në një azil pleqsh pa
shërbime, ekonominë pa perspektivë rritjeje mbi baza reale, arsimin në pikë
kritike e shumë alarme të tjera që bien nga të gjitha anët, konfliktualiteti
politik i atyre që duhet të ishin garancia për të ecur përpara “me mendje të
ftohtë”, është gangrena e mbi tridhjetë viteve tranzicion. Ajo përkthehet në
gjithshka: ekonomi e munguar, e djeshme e dhimbshme, e sotme pa sy dhe e
nesërme pa mend! Pra, po të isha “Edi Ramë”, për më tepër i tejngopur nga pushteti
i plotë dhe i tejzgjatur, këtë do të kisha veçuar si hallkën kryesore e aty do
të kisha përqëndruar forcat për të dhënë edhe zgjidhjen.
Duke
thënë këtë, nuk dua të fajësoj askënd më shumë a më pak. Për konceptin tim,
krejt janë fajtor me dashje në këtë situatë, por më “i forti” duhet të lëshoje
pé, ai që ka patur fatin apo rrezikun e të qënit në krye duhet të përdorë
pushtetin e mbingarkuar për “të lehtësuar barrët” e qeverisjes, qoftë edhe duke
humbur karrigen e pushtetit! Më saktë, duke zbritur nga kolltuku në karrige
normale, se edhe opozita e tillë është, pushtet në një shoqëri demokratike.
Por
ç’do të bëja unë konkretisht në këtë moment po të isha një “Edi Ramë”?! Fare
pak gjëra, me një peshë të madhe për të nesërmen:
Me
një fjalim si ai di të bëj (ia kam lakmi artikulimin gjuhësorë!) në parlament,
apo në forumin më të lartë të socialistëve, do të shpallja gadishmërinë për të
shkuar në zgjedhje të reja, sapo të krijoheshin parakushtet e nevojshme që ato
të jenë normale, do të propozoja që opozita të hartojë Kodin Zgjedhor, i cili
do të miratohej nga socialistët me kushtin e vetëm që opozita t’a votojë hapur
me të gjithë segmentet e saj dhe ai të ketë marr miratimin e organizmave
ndërkombëtare relevante dhe vendin drejt zgjedhjeve t’a drejtonte një qeveri
socialiste teknike, që të merrte edhe miratimin e opozitës. Le të gjendeshin
edhe fondet e duhura për gjithshka kërkonin një palë zgjedhje që duhet të
rezultonin zgjidhje…
Po
më tej…?!
Pasi
sovrani të jepte verdiktin e tij të pavarur, në se do të isha përsëri “i
dënuar” për të qeverisur, do të respektoja këdo për aq sa e ka respektuar
populli e do shihja përpara drejt destinacioneve strategjike ku duam të
shkojmë, pa mbivlerësuar as nënvleftësuar askënd për asgjë, larg tekave të
secilit e sidomos larg veseve të pushtetit.
Dhe
në përmbyllje… Po të isha…Ai,
Ndoshta
s’mbetem…Unë.
Se
edhe Ai, më duket s’është vetvetja!
Ekuacion
i veshtirë, forca transformuese e pushtetit.
Llesh Ndoi
Lezhë, më 9 shkurt 2024