Mendime
Llesh Ndoi: Asgjë e re nga fronti i…
E diele, 11.02.2024, 07:58 PM
Asgjë e re nga fronti i…
NGA
LLESH NDOI
Është
në natyrën njerëzore që individi të jetë i pa kënaqur me gjendjen në të cilën
ndodhet në një moment të caktuar, e të hedhë sytë të shoh përtej tij. Ngjet
përgjithësisht, si me majat: sa ngjet një kodër, shfaqet një majë që synohet si
më e larta, sa e arrinë atë del një tjetër më e lartë që lakmohet, e kështu me
radhë. Sa më i lartë të jetë niveli ku gjendesh, aq më të larta janë edhe
pretendimet për të “kapur” maja të reja edhe më të larta. Parë në këtë
këndvështrim, kjo ndjeshmëri njerëzore shërben si një nxitës pozitiv për
zhvillime të vazhdueshme dhe shpjegon edhe ecurinë e përgjithëshme të shoqërisë
njerëzore në vijimësi e sidomos në pjesën e dytë të shekullit të kaluar, e në
këtë pjesë të gjysmës së parë të shekullit të ri që po “trokon” me shpejtësi.
Kjo situatë u përket kërkesave të bazuara vërtetë në bazamentin e arritur e që
nuk hyjnë në rangun e fantashkencës, pasi mund të ndodh që kërkesat e larta të
shndërrohen edhe në të kundërtën e tyre e të bëhen frenuese. Por le t’a lëmë
për momentin “në harresë” këtë anë, pasi nuk është në fokusin e kësaj analize
modeste.
Jemi
pra në pranimin e faktit se një arritje bëhet baza dhe nxitja për një kërkim të
ri. Edhe shoqëria shqiptare në tërësinë e saj ka shënuar arritje të rëndësishme
në harkun kohor të viteve të fundit, por opinioni i përgjithshëm është se këto
arritje nuk janë në shkallën e duhur, nuk janë përfaqësuese e denjë e shpirtit
e intelektualitetit të shqiptarëve dhe, për më tepër, nuk po hedhin bazat për
tejkalimin e vetvetes drejt një cilësie të re, aq e dëshiruar dhe e shumëpritur
prej tyre.
Me
të drejtë kërkohen ritme të përshpejtuara edhe për të kompensuar prapambetjen
historike, edhe pse koha e sotme e mundëson këtë.
Po
pse na ndodh kjo dhe cila është perspektiva e afërt e zgjidhjes?
Modestisht
disa mendime si njëri ndër ata që pretendojnë ndryshimin. Mes të sotmes dhe të
nesërmes, një perde artificiale e pështjellon shikimin. Megjithë hapjen e
shoqërisë shqiptare ndaj botës e nivelin e lartë të emigrimit të saj, megjithë
intelektualitetin natyror të tyre e shkallën e lartë të arsimimit, shoqëritë
tona nuk po arrijnë të shënjestrojnë saktë “majat” që duhet të kapin, kur duhet
t’i synojnë ato e të kronometrojnë hapat drejt tyre. Kjo sepse udhëheqësitë
politike janë nën nivelin e shoqërisë, e në vend që të stimulojnë ritme të
larta zhvillimi, të ftojnë të shohësh pas e të jemi “të lumtur” me udhëheqjen e
tyre, në vend që të identifikojnë të ardhmen, të tregojnë me gisht armikun apo
të keqen, që arritjet nën udhëheqjen e tyre të quhen “më të lartat e mundshme”,
e që po kërkuam më shumë mund të “rikthehemi atje”. Ja! Në Kosovë, sa herë me
të drejtë kërkohen zhvillime të reja, e me ritme të përshpejtuara, tregohet
serbi…Jo se situata me Serbinë e armiqësia me të nuk përbën faktor frenues, por
se yll orientues për shoqërinë shqiptare në Kosovë duhet të jetë Bashkimi
Evropian, NATO e Amerika, jo ish-Jugosllavia, as Turqia… Në Mal të Zi, faktori
shqiptar duket se është pak më i orientuar, disi më i organizuar e faktor
pozitiv drejt një perspektive më të mirë për të gjithë. Edhe në Maqedoninë e Veriut
zhvillimet e fundit flasin pozitivisht, por… Si gjithnjë ka një të tillë? Edhe
tash në të dy këto vende ka organizime shqiptarësh, që nuk shohin apo nuk duan
të shohin nordin, verbuar nga bajraktarizmi ynë tipik. Po në Shqipëri?!
Vërtetë
“perdja” është e rëndë! Partitë tona e “fshehin” me çdo mjet të mirën e
mundshme që duhet të shënjestrojmë e t’a mbërrijmë duke ecur shpejt e në rrugët
e njohura demokratike dhe na sugjerojnë xhirimin pafund në baltrat e së
shkuarës, ose na orientojnë djallëzisht në “shtigje të pashkelura”, duke vonuar
perspektivën evropiane, për ku populli ynë është thellësisht i orientuar
shpirtërisht e mendërisht. Partia Socialiste paraqet “si udhë ndryshe” nga
udhëheqësia e tyre, kthimin tek berishizmi i piramidave, Partia Demokratike me
të gjitha segmentet e saj, paraqet alternativën e saj si “të vetmen” e të
ndryshmen, si kthim në komunizëm, ish - LSI, sot Partia e Lirisë, ka si
projektin e saj më madhorë “blej votën për të pasuruar veten duke vjedhur
shtetin”! Partitë e tjera, ose janë pa zë, ose satelite të tyre. Jo vetëm në
Shqipërinë zyrtare, emigrimi i pjesës më aktive e më të arsimuar të shoqërisë,
e për më tepër dekurajimi sistematik i saj për të ndikuar në zhvillimet tona
shoqërore në nivele të larta, përveç mbajtjes së frymës gjallë përmes
remitancave, është faktor negativ me rëndësi që e “errëson” edhe më tej
“perden” nga ku shihet e nesërmja dhe që duhet shkallmuar si pengesë e rendjes
drejt saj.
Asgjë
e re nga fronti i …
Zgjedhjet
e reja janë mekanizmi përmes të cilave idetë pararojë marrin pushtet dhe
udhëheqin shoqërinë drejt objektivave të afërme apo strategjike, duke
programuar edhe ritmin drejt tyre. Kaq shumë vite tranzicion ekonomiko -
politik në shoqërinë tonë dhe nevoja urgjente për të përshpejtuar, na kanë bërë
që edhe arritjet e derisotme të “mos na hynë fare në sy”, aq sa shumica e
shqiptarëve identifikojnë si perspektivë emigrimin në Gjermani, Itali, Francë e
SHBA. E këtu nuk ka dallim moshe, shkalle arsimore e niveli ekonomik. Këtë
kërkojnë të papunët dhe në pritje të saj “s’prekin punë me dorë” në Shqipëri,
këtë kërkojnë të shkolluarit që s’janë të punësuar në profesion dhe nuk
“lëshojnë pé” që të përshtatin veten ndaj punëve që koha i kërkon, këtë
kërkojnë edhe mjekët që kanë punën e sigurt dhe respektin njerëzor e material
të njerëzve, veç kujdesit të posaçëm të shtetit, këtë kërkojnë mësuesit edhe
pse statusi i tyre ka pësuar ndryshime positive, këtë kërkojnë ata që s’kanë
asnjë lek në xhep, por edhe pronarët e vegjël që duan “t’i ndihmojnë” botës
demokratike, se nuk gjejnë punëtorë në vend, as treg për produktet e tyre, të
mbetur të vetmuar e pa institucione të kujdesit social, këtë po “kërkojnë” edhe
pensionistët, e kërkojnë këtë edhe nivelet e ulta të administratës së shtetit…
Siç
duket edhe nga situatat e krijuara, ky vend do të mbetet “pronë” e politikanëve
të lartë e të korruptuar që me parimin “ka për të gjithë” s’kanë pse nguten.
Mjafton të jenë të gatshëm në pozicionet e tyre si “gladiatorë”, në pushtet dhe
opozitë, dhe “e mira” do t’u trokasë në derë? Deri kur? Gjasat janë për gjatë,
derisa vazhdojmë të “tundim” të njejtën baltë tash tridhjetë e kusur vite. Ata
që e njohin teknikën e përpunimit të baltës e dinë se sa më shumë ta “tundësh”
atë aq më perfekte bëhet në cilësinë e vet. Por prap balta, baltë mbetet…
Nuk
duket perspektivë e afërt pasi aktorët e faktorët politikë janë të njejtët tash
tridhjetë e kusur vite. Për më tepër mungon oferta politike prej tyre. Partia
Socialiste, e tejngopur me pushtet dhe me disa arritje që përbëjnë ngjarje me
rëndësi, si reforma në drejtësi e ndonjë tjetër, sado që me pikatore, përballë
një opozite jo vetëm të vjetër, por edhe të shkatërruar, në luftën brenda
oborrit nuk e ndjenë nevojën “të guxojë” për më tej. Një pushtet “i garantuar”
më shumë nga paaftësia e kundërshtarit se sa nga aftësia e vet, e shton
arrogancën e saj, shton “majmjen” e trupit dhe të trurit e ngadalëson gjithshka
pozitive të nisur. E vetmja “lëkurë ujku” në trinat e “vathit të saj” është
SPAK-u. Por sado të bëj ai e sado të shtrëngoje prangat në duart e eksponentëve
të saj, s’mund të sjellë efektin e shumëpritur, i vetëm e pa faktorët e tjerë
shoqërorë. Opozita tradicionale e vjetëruar tejskajshmërisht në ofertën e saj
politike, tashmë edhe e copëzuar, në kërkim të “të parit” humbës, nuk përbën
shpresë për shumicën e shqiptarëve. Pro apo kundër, halli i saj nuk janë
shqiptarët, por Berisha, “i arrestuar” kryesisht nga mendësia feudale që e
udhëheq në diskursin e tij politik. Partia e Lirisë është në rënie të lirë,
pasi “torba e tagjisë” së saj tani mezi mban familjen e liderit e nuk mund të
blej më pushtet. Zërat e tjerë opozitarë kanë lindur pa zë! Nuk flas për numra,
se numrat vijnë, por s’kanë zë politik e ofertë për asgjë. Ose janë
amplifikatorë të partive mëmë, ose u janë kthyer populizmave neomarksiste, me
maskë demokratike, duke mos zgjuar asnjë shpresë, përveçse tek një grusht
personash që “duan të gënjehen” sipas parimit të vjetër “Për inat të sime
vjehërr, shkoj e fle me mulligjinë”. Ato, sillen si opozitë, që nesër do vijnë
“të katapultuara” në pushtet, thjesht e vetëm nga zhgënjimi i shqiptarëve, në
vend që të artikulojnë një grusht tezash e të mundohen të mbledhin rreth tyre
sa më shumë njerëz. Kulti i individit është prezent në pushtet e opozitë. Bile
edhe krijesat e reja opozitare “frymëmarrin” vetëm nga gurmazi i njëshit e si
të tilla nuk sjellin asgjë të re. Tendenca ndaj populizmit, fjalëve të mëdha pa
thënë asgjë, brohoritjeve e duartrokitjeve frenetike që ekzaltojnë liderët,
mungesa e bashkëbisedimeve me bartësit e halleve që në thelb bartin dhe
zgjidhjet e tyre, e bën situatën pa perspektivë. Kësisoji mungon guximi politik
e intelektual, që kërkohet prej të gjithëve. Të guxojnë kërkohet nga të gjitha
palët në pushtet, në opozitë dhe në shoqëri.
Po
për çfarë duhet guxuar?!
Sistemi
politik shqiptar nuk po arrinë të aktivizojë, ose i mungojnë, mekanizmat e
duhur për t’a mbyllur fazën e tranzicionit e për t’i kanalizuar zhvillimet
shoqërore në kahjen e me ritmin që kërkon koha. Ky sistem duhet “përmbysur” me
guxim, jo për t’u kthyer aty ku ishim, jo me revolucion e metoda neomarksiste a
neofashiste, por përmes reformave të thella shtetformuese që u hapin udhë
zhvillimeve. Duhet guxim pra:
1.
Për të rishkruar Kushtetutën që është bërë leckë prej tyre, duke ngritur
institute e institucione të reja, vështirë të prekshme në të ardhmen, duke:
-
Rikthyer fuqinë e votuesit, barazinë e fuqinë e votës së tij, si garant jo
vetëm për alternimin e pushteteve qendrore e lokale, por edhe brenda të njejtit
mandat qeverisës për çështje thelbësore të ecurisë së punëve në vend,
-
Për modifikimin e formës së qeverisjes, duke ulur mbifuqinë e disa individëve e
shtimin e fuqisë së institucioneve,
-
Për uljen e numrit të deputetëve në parlament dhe gjetjen e një formule të
verifikimit të vullnetit edhe në mesmandat,
-
Rritjen e kompetencave të Presidentit dhe zgjedhjen e tij nga populli,
-
Uljen e peshës vendimmarrëse të Kryeministrit,
-
Shkurtimin me ligj të burokracisë shtetërore.
-
Adresimin e korrupsionit me fondet e shtetit në nivelin e “krimeve në familje”
(i tillë është derisa shpërdoron besimin e zgjedhësve!) e dënimin e
paamnistueshëm të tij,
Në
këtë guxim, do të propozoja që në tërësi të mos preket reforma në drejtësi,
përveçse ndonjë korrektimi që e dikton zbatimi i saj i derisotëm.
1.
Reformë radikale zgjedhore, ku numri i çështjeve është thjeshtësisht i
identifikuar. Duhet guxim me i pranuar ato edhe pse dikujt, apo disave, u
dhemb. Si mund të arrihet?
-
Sistem zgjedhor proporcional kombëtar me prim e prag dhe me lista të hapura, pa
asnjë “diskriminim pozitiv”. Ne se jo proporcional i pastër kombëtar, katër
rajone mund të jenë maksimalisht mjaftueshëm,
-
Votim i emigrantëve pa asnjë kusht e pengesë,
-
Votim elektronik i detyrueshem në të gjithë Shqipërinë,
-
Administrim i rezultateve nga trupa apartiake e apolitike, ndoshta nga sistemi
i drejtësisë,
-
Ashpërsi maksimale e transparencë e plotë lidhur me financat e partive politike
e individeve që pretendojnë votat e zgjedhësve në të gjitha nivelet e
pushtetit,
-
Penalizim maksimal i krimeve zgjedhore.
Për
një reformë të tillë ia vlen sakrifica e shtyrjes së zgjedhjeve përmes një
pakti politik kombëtar e kalimi në një qeverisje teknike njëvjeçare.
2.
Fokusim tek problemet reale ekonomike, duke identifikuar bujqesinë, turizmin,
teknologjinë e ndonjë tjetër fushë fitimprurëse, e synuar kalimin nga
“Republika e tregtisë”, apo e bananeve, në republiken e produkteve “Made in
Albania”
3.
Fokusimin tek ato reforma që sfidojnë shpopullimin, ulin ritmet e tij e synojnë
rikthimin. Pagat janë një mekanizëm, por sado të rriten ato, pa ekonomi nuk
arrinë kurrë nivelet e vendeve të tjera të zhvilluara konomike.
-
Duhen stimuluar lindjet e fëmijëve dhe martesat në moshë të re, në nivele deri
sot të paimagjinueshme,
-
Duhen stimuluar elitat e shoqërisë a synuar mbajtjen e rikthimin e trurit në
vend, pasi situata është alarmante.
-
Shteti të heq dorë nga parimi: “më takojnë të gjitha mua, e për ju s’bëj asgjë”
edhe në arsim, shëndetësi e sektorë të tjerë, e të gjej mekanizma kompensimi që
disa punë t’i zgjidhë tregu e t’i kompensoje shteti.
4.
Reformë e guximshme në administratë, nisur me uljen e saj drastike, pagesën e
mire, rritjen e mekanizmave antikorrupsion e ngritjen cilësore të shërbimeve ndaj
qytetarëve. Ka një kakofoni emërtimesh, vendndodhjesh, kryqëzime e përplasje
kompetencash, që e bëjnë situatën alarmante.
Natyrisht
që ka e mund të rrjeshtoja edhe shumë fusha e drejtime të tjera që s’duan shumë
“mend”, por më shumë “shpirt” për t’i realizuar. Aktorët politikë e akademikë
padyshim që kanë gjithë kapacitet për t’i adresuar problemet, mjafton që të
hiqet dorë nga kuptimi “feudalesk” mbi Shqipërinë, Qeverinë e qeverisjen e saj!
Për punë të mira gjendet koha kurdoherë, por koha e shqiptarëve është sot!
Dhashtë Zoti!
Llesh Ndoi,
Lezhë - Shqipëri, 7
shkurt 2024