Mendime
Florim Zeqa: Pavarësia e Kosovës, e arritura më e madhe e shekullit!
E diele, 04.02.2024, 07:50 PM
Pavarësia e Kosovës, e arritura më e madhe e shekullit!
Shkruan:
Florim Zeqa
Shpallja
e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, ishte kurorëzim i një rrugëtimi të
gjatë dhe të vështirë me shumë sakrifica për qytetarët e Kosovës, ishte
kurorëzim i përpjekjeve titanike të shumë gjeneratave, ishte kurorëzim i
rezistencës së gjatë aktive paqësore dhe kurorëzim i luftës së lavdishme
çlirimtare.
Shpallja e vonuar e
pavarësisë me bisht për Kosovën
Qytetarët
e Kosovës për vite dhe dekada i vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga regjimi
serb i Sllobodan Millosheviqit, gjë e cila rezultoi më një Luftë Çlirimtare
(1998-99). Përfundimi i Luftës Çlirimtare të Kosovës u bë me vendosjen e
trupave paqeruajtëse ndërkombetare në Kosovë-KFOR.
Pas
lagimit të forcave militare dhe paramilitare serbe nga Kosova, sipas Rezolutës
1244 të Këshillit të Sigurimit, Kosova paradoksalisht ende është protektorat i
OKB-së dhe juridikisht në preambulën e Kushtetutës së Serbisë!
Siq
dihet, në nëntor të vitit 2005 nisi zyrtarisht procesi për statusin
përfundimtar të Kosovës. Pas konsultimeve gjithëpërfshirëse, më 2 shkurt të
vitit 2007 i dërguari special ndërkombëtar për statusin e Kosovës, Martti
Ahtisari, e dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beograd, për pavarësinë e
kushtëzuar të Kosovës, hap që çoi drejt krijimit të shtetit te pavarur. Pasi u
mbajtën disa raunde bisedimesh, Kosova u shpall e pavarur më 17 Shkurt të vitit
2008.
Deklarata e Pavarësisë
së Kosovës multietnike, gabimi më fatal i politikës kosovare
Terminologjia
diskriminuese e deklaratës e thotë se Pavarësia e Kosovës Multietnike është e
kufizuar në parimet e përcaktuara nga Plani i Ahtisarit. Ajo ia ndalon Kosovës
të bashkohet me çfarëdo vendi tjetër dhe i ofron vetëm kapacitete të kufizuara
ushtarake, në të cilën thotë se Kosova do të jetë nën mbikëqyrje ndërkombëtare
dhe parashikon mbrojtjen e minoriteteve etnike, minorancës serbe në veçanti.
Nënshkruesit
e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës së 17 Shkurtit 2008, duke e barazuar
shumicën shqiptare me minoritetin serb, e kanë bërë gabimin më fatal dhe të
papërmirësueshëm për të ardhmen e Kosovës.
Nga
këtu fillon devijimi i vullnetit të qytetarëve dhe shkelja e gjakut të
dëshmorëve për Kosovën shtet të lirë dhe të pavarur në kuptimin e plotë të
fjalës, e jo si sllogan politik.
Vendosja
e flamurit lara-lara pa asnjë element kombëtar në Kuvend dhe himni pa tekst
ishin paralajmërimet ogurzeza për të ardhmen e Kosovës!
Pak
ka rëndësi kishte, kush do ta lexonte Deklaratën e Pavarësisë, e rëndësishme
ishte përmbajtja e saj, e cila e përcaktoj Kosovën shtet multietnik!
Ngase,
pikërisht nga termi multietnik fillojnë devijimet dhe deformimet e
njëpasnjëshme të formës dhe përmbajtjes së shtetit të Kosovës.
Liberalizimi i vonuar
për qytetarët, me prapavijë të errët për Kosovën
Sikurse
shpallja e vonuar për nëntë vjet e pavarësisë së 17 Shkurtit 2008, edhe
liberalizimi i i vonuar erdhën me prapavijë të keqe dhe bisht të keq për
Kosovën.
Përderisa
multietniciteti ua mundësojë serbëve të gjitha të mirat e kësaj bote, filluar
nga të drejtat e pakufizuara e deri në të drejtën e sovranitetit të dyfisht
brenda shtetit të Kosovës, edhe liberalizimi i vizave nën masat ndëshkimore nga
bashkësia ndërkombëtare, rrezikon zbrazjen totale të Kosovës nga shqiptarët e
getoizuar prej gjysëmshekulli!
Pavarësisht
ndërrimit të shpeshtë të qeverive në Kosovën e pasluftës, jemi i vetmi vend në
Ballkanin Perëndimor, ku qytetarët nuk i gëzojnë drejtat elementare nga shteti
siq janë: sigurimet shëndetësore, sigurinë në punë dhe as kontrata të rregullta
në sektorin privat dhe atë publik.
Përderisa
në sektorin publik punëtorët trajtohen si skllëvër, në sektorin publik zyrtarët
shtetërorë (në nivelin lokal dhe atë qendror) nuk ndjejnë siguri afatëgjate në
punë, për shkak se, pas çdo ndërrimi të pushtetit i rrezikojnë t’i humbasin
vendet e tyre të punës. Gjë e cila nuk ndodh në asnjë shtet të lirë dhe
demokratik.
Pavarësisht
kufizimeve dhe mangësive të sipërcekura, 17 Shkuri 2008 mbetet e arritura më e
madhe e shekullit për shqiptarët dhe hapi më i madh drejt aspiratave të
bashkimit etnik të shqiptarëve në Ballkan.
E
gëzofshim për jetë e mot Republikën e Kosovës!