Mendime
Florim Zeqa: Dorëheqja, nocion i panjohur në Kosovë!
E shtune, 27.01.2024, 08:55 PM
Dorëheqja, nocion i panjohur në Kosovë!
Shkruan:
Florim Zeqa
Ne
shqiptarët jemi të njohur për popujt e tjerë për forcën vetanake dhe sukseset
individuale, por shumë pak jemi të veçuar për sukseset ekipore apo kolektive!
Arsyet e këtij stagnimi janë të shumta dhe të shumllojshme.
Shqiptarët sakrifikojnë
familjarët dhe shoqërinë për të marr bajrakun
Tiparet
negative të trashëguara nga e kaluara, si bajraktarizmi apo ndjenja për të qenë
i parë, e kanë dëmtuar në vijimësi qenjen tonë kombëtare. Lufta për ta marr
“bajrakun” e fitimtarit dhe primatin e çlirimtarit, për të marr meritat e
tjetrit pa bërë asgjë nga vetja e tyre, janë veti që nuk i posedojnë popujt e
civilizuar të botës demokratike.
Shqiptari
në kohë lirie është i gatshëm të sakrifikojë familjen për t’u ngritur në
karrierë politike, kurse në luftë i sakrifikon shokët për t’u avancuar në
karrierën ushtarake dhe post-luftarake!
Shëmbuj
të besprerjes mund t’i gjejmë kudo dhe kahdo, gjithandej trojeve etnike
shqiptare që nga koha e principatave, fiseve dhe bajraqeve e deri në luftën e
fundit çlirimtare!
Ndarja e përgjegjësisë,
ikje nga ndëshkimi
Në
kohërat moderne, këto dukuri evidentohen si: egoizëm, karrierizëm dhe
popullizëm i lidershipit politik (partiak), fetar dhe atij shtetërorë, të cilat
manifestohen në forma dhe përmbajtje ‘alla shqiptarçe’, duke thënë gjithnjë,
unë e ideova, unë e thashë, unë e bëra, etj, duke mos e ndarë asnjëherë
suksesin individual me të tjerët.
Por,
për dallim nga meritat, shqiptarët nuk kanë qenë dhe nuk janë të gatshëm të
marrin përgjegjësit individuale për dështimet apo dëmët e shkaktuara vendit dhe
qytetarëve.
Thënë
ndryshe, shqiptarëve ju mungon përgjegjësia morale në radhë të parë, pastaj ajo
politike dhe penale për dëmet apo krimet e shkaktuara ndaj të tjerëve.
Kur
është në pyetja marrja e përgjegjësisë (fajit) shqiptarët gjithnjë e
gjeneralizojnë duke shpërndarë përgjegjësinë individuale tek të tjerët. Këtë e
bëjnë për t’i shpëtuar ndëshkimit të drejtësisë dhe ikjes së përgjegjësisë
morale dhe politike.
Dorëheqja, fjalë e
panjohur në Kosovën e pasluftës
Sa
e sa skandale kanë ndodhur që nga paslufta në vend, mirëpo dorëheqjet e
politikanëve nuk kanë ndodhur. I vetmi rast i dorëheqjes që mbahet mend në
Kosovë ka qenë i ish-ministrit të brendshëm, Fatmir Rexhepit, i cili edhe pse
nuk kishte përgjegjësi komanduese, kishte dhënë dorëheqje nga detyra duke ndier
përgjegjësi morale ndaj viktimave dhe familjeve të atyre që humbën jetën gjatë
protestave të 10 shkurtit 2007, pas përleshjeve ndërmjet protestuesve dhe Policisë
së EULEX-it.
Për
fatin e keq, shqiptarëve ju mungon kultura e politik-bërjes dhe ajo qeverisëse
në veçanti. Edhe pse, skandalet në nivelin qendror dhe lokal ngarendin njëri
pas tjetrit, mungon përgjegjësia morale e politikanëve për të dhënë dorëheqje
dhe për t’iu vetëdorëzuar organeve të drejtësisë.
Përderisa
në vendet e zhvilluara demokratike, me kulturë dhe civilizim të lashtë,
drejtuesit shtetërorë dorëhiqen pas publikimit nga mediat të ndonjë skandali në
dikasteret që drejtojnë, kurse tek ne ndodh e kundërta! Mnistrat e përfshirë në
megaskandale avancohen në pozita më të larta shtetërore, si shpërblim nga
liderët shtetërorë.
Pa
dashur që ta personalizojë shkrimin me asnjërin nga dhjetra abuzuesit e
pushtetit (peshqit e mëdhenj), të ngritur në majat e shtetit dhe pushtetit
përmes aferave korruptive dhe kriminale, asnjëri prej tyre deri më sot nuk
është dënuar nga drejtësia vendore për vjedhjen dhe zhvatjen e buxhetit të
shtetit në vlera dhjetra dhe qindra milionëshe.
Përkundrazi,
me milionat e akumuluar në ‘Parajsat Fiskale’, në vend që të jetë e kundërta,
drejtësia ua ka frikën bosëve të krimit të organizuar në Kosovë.
Nuk
është kohë e largët, është më pak se 18 vjet dhe jo më gjatë se 35 vjet, kur ne
shqiptarët e Kosovës e kishim një lidership të përgjegjshëm dhe me ndërgjegje
të pastër, një lider të permasave botërore (Ibrahim Rugova), të cilin asnjëherë
të vetme nuk e kemi dëgjuar duke i thurur lavde vetës, por gjithnjë e kemi
dëgjuar duke i ndarë sukseset dhe të arriturat me bashkëpunëtorët e tij të
ngushtë dhe të gjërë. Madhështia e Presidentit Historik Ibrahim Rugova, i bën
nderë secilit prej nesh, i bën nder çdo shqiptari, i bën nder kombit shqiptar
në përgjithësi!