Mendime
Idriz Zeqiraj: Fajësi kombëtare - Të shantazhuarëve nuk duhet dhënë pushtet!
E shtune, 20.01.2024, 08:27 PM
FAJËSI KOMBËTARE:
TË SHANTAZHUARËVE NUK DUHET DHËNË PUSHTET!
NGA IDRIZ ZEQIRAJ
Viti 2023 ka lëvizur
shumëçka në drejtim të një marrëveshje të mundshme. Kryeministri Albin Kurti,
me VV-në e tij, ka kundërshtuar me kohë pazaret e pista të qeverive paraprake
halabake. Ai vazhdon të rezistojë edhe sot. Andaj, Vuçiq e Bernabiq nuk e preferojnë
si partner në bisedime atë. Përkundër, i kërkojnë ata që kanë nënshkruar
marrëveshjet, respektivisht, Hashim Thaçin dhe Isa Mustafën!
Presidenti Rugova ishte
në dijeni të rekrutimit të Hashimit në agjenturat e huaja, andaj dha porosinë e
qartë: "Hashimi të mos lejohet të ngritet në pushtet, sepse është i
rrezikshëm për Kosovën!" Megjithatë, SHIK-u kriminal i PAN-it, në
koordinim me Shërbimin e DGSE franceze dhe BIA serbe, e katapultuan në krye të
pushtetit dhe të shtetit. Rrjedhojat vazhdon t`i vuajë populli i Kosovës.
Shpresa se Qeveria Kurti
do të arrijë të korrigjojë diçka nga "Zajednica" e binomit
Hashimi-Isa, së fundi, është vënë në dyshim? Kurti ka befasuar me deklaratën
shokuese se "një draft-statut, i paraqitur, së fundi, nga BE-ja, është më
i mirë se sa marrëveshja Hashimi-Isa më 2013!" Vetjaksia e tij në vendime,
është bërë shqetësuese.
Mendoj se draft-statuti,
i proklamuar si i BE-së, por, në fakt, nga përmbajtja bizare, rezulton të jetë
"çorbë", e gatuar në kuzhinën serbo-franceze. Ai nuk përmbanë asgjë
të një Asociacioni normal, klasik. Përkundrazi, me elementet dhe emërtesat e
frikshme, madje, tmerruese si: president, asamble, kuvend, ministrira, qeveri,
tejkalon çdo përmasë të natyrës që ka një Asociacion normal.
Për çudë, Franca e
Quintit, duhet t´i kërkonte ndjesë, shqiptarëve, në përgjithësi, dhe të
Kosovës, në veçanti, për rekrutimin e Hashim Thaçit, me shantazhimin me dosje
faktike kriminale, nga Arnaud Danjean, shef i DGSE, duke e bërë agjent të
saj dhe të Serbisë - njëherësh. Ndërkohë, Franca vazhdon ta thellojë krimin,
ndaj Kosovës, duke favorizuar ndarjen e saj, përmes një draft-statuti
skandaloz, për llogari të Serbisë!
Këtë draft nuk e
paragjykoj vetëm unë, por, pothuaj se, e tërë bota akademike, juristët
specialistë, e demantojnë dhe e fajësojnë rëndë Kurtin, për një vlerësim
paushall të draft-statutit, duke e konsideruar "më i mirë se sa draftët
paraprakë"!? Ai mbrohet se nuk ka nënshkruar dhe çështja mbetet e hapur,
me mundësinë e korrigjimeve, pa cënuar kushtetutshmërinë. Zoti Kurti shpreson
në vlerësimin korrekt të Gjykatës Kushtetuese, edhe pse në vitin 2016, kjo
Gjykatë bëri krimin e madh, me imponimin e Hashim Thaçit, aprovuan dhënien e 27
hektarëve tokë Manastirit të Deçanit. Tani, rrethana ndryshon, Hashimi mungon.
Zëvendës-kryeministri,
Besnik Bislimi, në një intervistë dhënë një televizioni të huaj, duke u gjegjur
në pyetjen, për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, lidhur me 27 hektarët
tokë-park, dhuruar Manastirit të Daçanit, akuzon se vendimi është marrë në
kushte imponuese e korruptive. Këlyshi i Baton Haxhiut, i dërguar dhe punësuar
enkas ke TV "Dukagjini", Lirim Mehmeti, reagon, tërbueshëm, ndaj
zotit Bislimi, se, kinse, "nuk ka besim në vendimet e Gjykatës Kushtetuese"!
Realisht, përgjigja e
zyrtarit të VV-së ishte e saktë, por, jo edhe e plotë. E vërteta është se
Hashim Thaçi ishte i shantazhuar nga Serbia, me dosjet e krimit, kryesisht,
ekzekutimin e kundërshtarëve politikë shqiptarë. Ujdinë konspirative të
Hashimit me Serbinë, e bëri agjenti francez, Arnaud Danjean. I tmerruar nga
dosjet faktike të krimit, Hashimi vendosi të plotësojë të gjitha kërkesat e
Serbisë, për t`i shpetuar drejtësisë. Një karakter skandaloz, që turpëron
Kosovën, shqiptarët!
Dhe, këtë, së fundi, e
denoncoi edhe emisari special, Richard Grenell: "Unë me Thaçin, Ramën dhe
presidentin Vuçiq, po e realizonim marrëveshjen:
Ndarjen e Kosovës;
mbylljen e Gjykatës
Speciale;
largimin e NATO-s nga
Kosova."
Sa larg kishte shkuar
Hashim Thaçi, me partitë-banda: PDK, AAK, NISMA, të koalicionuara, natyrshëm në
PAN-in kriminal!!! Tashmë, kjo është -një e fshehtë publike-, por,
zëvendës-kryeministri Bislimi e thotë shkarazi, tërthorazi.
Ndërkohë, pala serbe nuk
ka pranuar nënshkrimin dhe gojarisht ka përsëritur se nuk do ta njohë Kosovën
shtet. Dhe, pa këtë njohje reciproke, nuk ka as marrëveshje. Paradoksalisht,
Kosova është nën sanksione! Pavarësisht refuzimit të palës serbe, për të
filluar nga zbatimi radhazi të pikave, sipas renditjes në marrëveshje,
ndërkombëtarët, "nuk hanë arsye" dhe ngulmojnë që Kosova ta
jetësojë Asociacionin, domosdo dhe menjëherë! Dhe, njëherësh, ta bëjë
edhe kadastrimin e hektarëve të pretenduar, në llogari të Manastirit të Deçanit!
Mujëshia çmendurake e
BE-së dhe e ndërkombëtarëve, është padrejtësi e madhe, sepse si
ndërmjetësues në dialogun Kosovë-Serbi, rrjeshtohen në anën e Serbisë agresore,
në favorizimin e saj dhe në dëm të Kosovës, tashmë, e dëshmuar si viktimë, dje
dhe sot!
Pa trysninë
ndërkombëtare, sidomos të SHBA, Serbia nuk bashkëpunon në drejtim të
normalizimit fqinjësor, si dy shtete të barabarta. Ajo në vijimësi përsëritë
slloganin bajat se "nuk e njohim kurrë Kosovën". Asnjë presion serioz
nuk është ushtruar ndaj Serbisë agresore, as nga BE-ja dhe as nga SHBA.
Kritika, sa të pamatura, aq edhe të padrejta, janë bërë ndaj Kosovës, deri në
sanksionimin absurd, për të mos thënë të turpshëm! Pas agresionit të Serbisë,
më 24 shtator 2023, në Banjskë të Zveçanit, vrasjes të rreshterit policor,
Afrim Bunjaku, shkelje e sovranitetit të Kosovës, e gjithë bota priste
ndëshkimin e Serbisë persekutore. Por, për çudë, ndodhi e kundërta, u ndëshkua,
arbitrarisht, Kosova viktimë!
Partitë-banda të PAN-it,
duke mbrojtur kriminelët, përligjin ndarjen e Kosovës!
Opozita PAN-iste,
destruktive dhe kundra-kombëtare, në nismë e mbarim, ka sabotuar çdo gjë, që
mund të arrihet në dobi të Kosovës. Njëjtë ka vepruar edhe me dialogun Kosovë-Serbi,
duke pritur që SHBA ta sanksionojë, personalisht kryeministrin Kurti, dhe të
përfitojë ajo, nga kjo goditje.
Dëgjohet të thonë shpesh
se edhe Vetëvendosje nuk është pajtuar me asgjë të qeverive të shkuara. Por,
kundërshtia e dhunshme e VV-së, ka qenë e motivuar, sepse pushtetarët, duke
qenë të shantazhuar, qoftë për krime vrastare apo hajni zyrtare, kanë aprovuar
marrëveshje të dëmshme dhe vendime fatale për Kosovën, me të cilat po përballet
qeveria e sotme, me rrezikun që të bartët edhe për qeveritë e nesërme.
Ndërkohë, kundërshtia dhe bojkoti i opozitës të sotme, nuk ka motiv real, në
dobi të Kosovës.
"E thërrasim
popullin në protestë, kundër Gjykatës Speciale të Kosovës, me seli në Hagë dhe
lirimin e çlirimtarëve nga burgu, sepse ata po mbrojnë atje UÇK-në, Kosovën,
por populli nuk përgjigjet, dalin 100 apo 200 veta", - thotë inatshëm e
dëshpërueshëm, potërxhiu i pacipshëm, Faton Klinaku! "Mos e vet, se tregon
vet",- thotë populli.
Pra, këto janë protesta
të pamotivuara, koti, që populli i injoron me bojkot. Sikur asnjë dëshmitarë të
mos dëshmojë, shumë qindra varre të të vrarëve politikë, anekënd Kosovës,
akuzojnë vrasësit e tyre. Së pari, asnjëri nga ata që kanë shkuar më parë dhe
më vonë në Hagë, nuk kanë qenë çlirimtarë, por vrastarë. UÇK dhe Kosova nuk
kanë nevojë për mbrojtjen e tyre. Ata akuzohen për vrasjen e shqiptarëve,
kundërshtarë politikë, ushtarakë e veprimtarë, pjesë aktive e luftës.
Kjo opozitë e
marrëzishme, ka angazhuar të gjithë aparatin propagandistik, analistë e
banalistë të mediave qendrore e lokale, në Kosovë dhe Shqipëri; partiakët e saj
dhe specialistët e fushave të ndryshme, pedagogë, juristë, avoketër, të paguar
majmë; ka mbledhur mbeturinat e sistemit monist, nga të dy anët e kufirit. Dhe,
në stilin hoxhist-stalinist, në dukje e pabesueshme, por është katërcipërisht e
vërtetë, se Shqipëria ka qenë supërfuqi propagandistike botërore, ose
"leha-qene", për disa dekada radhazi!
Dikur në mbrojtje të
Jugosllavisë së Titos, pastaj të Rusisë të Stalinit e deri te Kina e Mao Ce
Dunit,- kundër imperializmit amerikan. Sot i janë turrur kryeministrit Albin
Kurti, partisë së tij, Vetëvendosje. Kjo -lehje në hënë- vazhdon çdo ditë e
natë, "sabah e aksham-, me shpifje, denigrime dhe sharje, pa doganë fare!
Zgjedhjet nuk janë
zgjidhje. Spastrimi i skenës politike nga kriminelët, imperativ i kohës!
Me gjithë kërkesën
korale të opozitës aktuale, për zgjedhje të parakohshme, siç duken "bathët
e priftit", nuk e besoj që do të kemi zgjedhje së afërmi. Opozita e dobët,
e çakorduar, që bartin fajësinë e madhe të rrënimit të gjithçkaje në Kosovën
tonë, deri në tjetërsimin e pjesëve të territorit tokësor, që, pamëdyshje,
është konsumuar elementi i tradhtisë.
Pikërisht, për këtë
arsye ata janë kërkues të mëfshtë, dyshues në fitore, dhe, edhe pse zhurmojnë,
nuk duket se e kanë me gjithë mend kërkesën për zgjedhje, sepse nuk besojnë në
fitore. Pra, opozita, në këtë çështje është realiste, "ia dinë hallin vetës",
sepse nuk ka bërë asgjë të mirë për Kosovën dhe popullin e saj. PAN-in e
përcjellë, madje deri në varr, barra e rëndë e krimeve vrastare politike.
Dihet, jo të gjithë janë vrasës, por militimi në një parti të krimit,
gjithësesi, të bënë pjesë të krimit.
Partitë-banda, PDK, AAK,
NISMA, pjesë e koalicionit PAN, të cilat për një çerek-shekulli, krerët,
kryesitë e tyre dhe kuadrot militantë partiakë, vazhdojnë të zvarritën, me
dozën bazike të bërjes së krimeve apo të aprovimit të tyre. Një shtet i mirëfilltë
ligjor, do të kërkonte ose reformimin e thellë, duke i larguar nga partia të
inkriminuarit e saj të bollshëm, ose do ta shpallte subjektin partiak të
paligjshëm, duke ia ndaluar, përjetësisht, aktivitetin politik.
Partitë e PAN-it, të
cilat "nuk kanë lëvizur nga "istikami", llumpen-komunist, nuk
kanë bërë asnjë reformë dhe asnjë ndryshim kuadrosh drejtues. Kurse
"djathtizmin" e kanë reklamë. Por, "idol" e kanë
neokomunistin e rreshkur, pinjollin e "Bllokut të Zi" të Tiranës,
Edvin Ramën. Ndërsa LDK ka filluar reformat dhe ka bërë ndryshime domëthënëse
në strukturë, duke i "pensionuar" disa nga argatët e Isa Mustafës, të
cilët u bënë patericë e Hashim Thaçit dhe të PAN-it të tij.
Pavarësisht se dominoi
aklamacioni në Kuvendin e 10-të, si kancer i demokracisë, vrojtuesit e
vëmendshëm, me disa rezerva, kanë pasur mirëkuptim për kryetarin Lumir
Abdixhiku, ngaqë stërkeqja e LDK-së ka qenë bizare, madje e qëllimshme. SHIK-u
ishte infiltruar në strukturat vendimmarrëse të partisë. Dhe, kuadri partiak,
në qendër dhe bazë, ishte stazhionuar dhe burokratizuar, sepse "peshku
qëlbët në kokë". Megjithatë, reforma konsiderohet gjysmake, sepse pesha e
fajësisë, nuk lejon tolerancën pakufi. Përjashtimet nuk janë të shëndetshme,
por, spostimet dinamizojnë, sidomos bazën e partisë.
Paraqitja në Kuvend, në
Konventë, por edhe prezenca në intervistimet televizive, të kryetarit të
LDK-së, Lumir Abdixhikut, kanë qenë mbushamendëse, mbresëlënëse, jo vetëm për
partinë, por edhe për opinionin e pavendosur. Realisht, nga opozita
aktuale, rreth PAN-it, përfshi edhe zhurmaxhiun, ose "teneqen e
shpuar", Dardan Molliqaj, argat i PAN-it dhe i SHIK-ut - njëherësh, Kosova
nuk mund të presë asgjë të mirë.
E vetmja forcë politike,
që mund të bëhet një konkurrente dinjitoze, për zgjedhjet e ardhshme, mund të
jetë LDK-ja. Por, ajo që vazhdon ta penalizojë LDK-në, është pjesëmarrja e
klanit Mustafa, në shumë procese të dëmshme për Kosovën, që nga
"Zajednica", Demarkacioni dhe duke kulmuar me bërjen -president- të një
agjenti të dyfishtë, Hashim Thaçin! Vërtet, vendimet janë marrë në emër të
partisë, pa përfillur asnjë nga strukturat e saj, por mos reagimi i kuadrove,
karshi aventurizmit të kryetarit Isa Mustafa, i cili dyshohet të jetë
katapultuar nga SHIK-u kriminal, nuk i amneston nga fajësia, qoftë edhe me
heshtjen e tyre. Thonë se "e kaluara nuk mund të blihet".
Kryetar Lumiri duhet ta
gëzojë mbështetjen e anëtarësisë dhe e meriton këtë. Por, edhe duhet t`i
zgjidhë disa dilema të anëtarësisë. T`i rishikojë disa ngritje artificiale dhe
t`i afrojë disa kuadro të anash kaluar, "të harruar", të cilët ende
mund të kontribuajnë dhe ndihmojnë LDK-në. Reforma e nismuar në LDK, duhet të
bëjë hapa para dhe jo prapa, ose të stagnojë, të konsideruar si proces i
përfunduar?
Sidoqoftë,
vazhdimi i mandatit, deri në përmbylljen të tij, i partisë në pushtet, LVV,
është shumë më i shëndetshëm, se sa çfarëdo zgjedhjesh të parakohshme, sepse
LDK-së i duhet kohë, për t`u konsoliduar. Klani Mustafa, i cili humbi
pjesërisht pushtetin, nuk po pajtohet me pozicionin aktual dhe duan rikthimin e
sërishëm, qoftë edhe vazhdim i shërbimit si patericë e PDK-së, PAN-it!
Konspiracionet
rreth figurës së Kurtit, të stisura dhe të shpifura, nga kriminelë -me
patentë-, nuk duhet besuar. Përkundrazi, duhet injoruar dhe numëruar të bëmat
kriminale, individuale e grupore, me banda. Nuk mund ta bëjnë më mirë dhe më të
sigurtë dialogun me Serbinë, ato subjekte kriminale politike, që ishin në një
linjë me Hashimin, Edvin Ramën, Vuçiqin dhe aleatët e tij, qëllimi bazë i të
cilëve ishte ndarja e Kosovës.
Vetjakësia
në bërjen të Dialogut me Serbinë ka ngjallur dyshime, për mungesë pervoje dhe
profesionalizmi. Edhe qasja e mëparshme, me përfaqësues të subjekteve partiake,
ishte e gabuar, për të mos thënë idioteske. Dialogun Kosovë-Serbi, duhet ta
bëjnë ekspertët-specialistë përkatës, nga bota akademike, pavarësisht
anëtarësimeve apo simpative, për subjektet politike të veçanta. Çobanëria e
politikanëve të pashkolluar, me diploma fiktive, të blera, të cilët me dajak e
plunmb morën pushtetin, e rrënuan Kosovën, e përdhosën edhe gjithë Shqiptarinë.
Drejtësia
e kapur në Kosovë, me pronarë PAN-in kriminal. Vettingu i penguar, Këshilli
Prokurorial dhe ai Gjyqësor, i koracuar, me mburojë politikanët kriminelë,
thirrën, mashtrueshëm, në pavarësinë e gjyqësorit! Por, në fakt, janë mbrojtës
të krimit dhe të shefave të tyre kriminelë.
Koha
për reflektim të thellë! Populli duhet të ndergjegjësohet dhe kumandarët
mujëshorë duhet t`i diciplinojë, t`i bojkotojë, duke kërkuar edhe llogari për
krimet e tyre numerike, serike.