Mendime
Adil Fetahu: Sintagma ‘Srpski svet’ është eufemizëm për Serbinë e madhe
E marte, 16.01.2024, 07:56 PM
SINTAGMA ‘’SRPSKI SVET’’ ËSHTË EUFEMIZËM PËR SERBINË E MADHE
Fillet e kësaj ideje raciste e naciste
Nga Adil FETAHU
Në fjalimet dhe në mediat serbe shpeshherë keni dëgjuar apo
lexuar stingatmat mitomane, me prefiks
të serbizimit: ‘’Srpski svet’’, ‘’Srpske zemlje’’, ‘’Srpska crkva’’,
‘’Srpska republika...’’, ‘’Sprska zajednica’’, ‘’Srpska lista’’, ‘’Srpska elita’’, etj.etj. Kohëve të fundit është aktualizuar dhe po përmendet gjithnjë e
më shpesh sintagma ‘’Srpski svet’’(shq. ‘bota serbe’) dhe këtë sintagmë po ia atribuojnë megafonit të
Vuçiqit, Alleksandar Vullinit, kinse ai e paska ‘’shpikur’’, gjë që nuk është
aspak e vërtetë. Sepse kjo sintagmë, si ideologji, si teori dhe si praktikë
nacionaliste për realizimin e Serbisë së madhe, ishte e pranishme në dokumente, në ideologji, në
tekste të historisë, në shtyp, në projekte e programe dhe në veprime të çarqeve
kulturore, arsimore, shtetërore dhe kishtare të Serbisë që nga shekulli 19; e ka përdorur P.P.Njegosh (’Srbija
od Dunava pa do mora/ shq. Prej Danubi deri në det ), J.J.Zmaj (‘’Malena
sam’’/shq.Jam e vogël), Zharko
Llazareviq (‘’Srpski svet’’);
Petar Niketiq (‘’Srpski svet’’, libër shkollor, i botuar më 1881
e ribotuar edhe dy herë); në Novi Sad, që ishte nën Austrohungari, më 1881 është
botuar gazeta ‘’Srpski svet’; në Beograd (1908) është botuar një gazetë
me emër ‘’Sprski svet’’, ndërsa më 1913/14 është botuar gazeta javore ‘’Srpski
svet’’. Prandaj, Vullini as nuk e ka shpikë, as nuk është i pari as i fundit që përhapë këtë ideologji
nazifashiste, sa herë i thotë Vuçiqi.
Nismëtarë të kësaj ideje të ‘’botës serbe’’, për
ringjalljen e Perandorisë së Dushanit, ishin Vuk Karaxhiqi, filolog e
folklorist serb dhe Ilija Garashanin, shkrimtar, ministër dhe kryeministër i
Principatës së Serbisë, për të vazhduar të tjerët pas tyre varg e vi, deri në
ditët e sotme dhe mëtej e tutje. Karaxhiqi këtë e bazonte në parimin etnik-natyror
dhe linguistik (të një gjuhe të përbashkët të të gjitha fiseve me prejardhje
sllave të jugut, ndërsa Garashanini
synimet e tij i bazonte edhe në parimin e të drejtës historike.
Vuk Stefanoviq Karaxhiq (1787-1864),
me një ese (letër) të tij të gjatë, me
titull ‘’Srbi svi i svuda’’ (shq.Serbët të gjithë dhe gjithkund), të
botuar në vitin 1836, e shtypur si libër në vitin 1849, ka prezentuar një studim të tij, në formë të
nacionalizmit linguistik, sipas shembullit të romantizmit gjerman të asaj kohe.
Me atë studim ka dashur të krijojë bindjen se serbët, si tërësi etnike kanë një
lidhje të përbashkët historike, gjenetike, gjuhësore, zakonore e kulturore me
kroatët, boshnjakët, malazezët, dhe si të tillë kanë të drejtë të jetojnë në
një bashkësi politike (shtet të përbashkët). Sipas Karaxhiqit, të gjithë ata
popuj që flasin gjuhën serbe, të tri
dialekteve: ‘shtokav’’, ‘’kajkav’’ ose ‘’çakav’’, në të vërtetë
janë serbë etnikë, pa marrë parasysh ku jetojnë dhe çfarë besimi fetar
praktikojnë; pravosllavë, katolikë apo muslimanë.
Rrënja e këtyre dialekteve konsiston në ndajfoljen pyetësore,
me të njëjtën domethënie: ‘’Sto’’, ‘’kaj’’ dhe ‘’ça’’, që në shqip do të
thuhej: ‘’Çka’’ (çka bënë, çka lexon, çka shkruan; bile duke e shkurtuar këtë
ndajfolje, edhe në shqip shpeshherë përdoret: ‘ça’ bënë, ‘ça’ lexon, ‘ça’
shkruan?). Duke u bazuar në të folmen e gjuhës ‘serbe’ në të tri dialektet e
përmendura, Karaxhiqi ka skicuar hartën linguistike=gjeografike-etnike serbe,
të shtrirjes së një bashkësie të organizuar (shteti), që do të përfshinte këto
treva: prej Danubi e Timoku deri në Malet e Sharrit, Bosnje-Hercegovinën,
Zeten, Banatin, Baçken, Sremin, rajonin perëndimor të Danubit prej Osjeku deri
në St.Andrea, Sllavoninë, pjesë të Kroacisë, tërë rajonin e bregdetit lindor të
Adriatikut prej Trieste deri në lumin Buna, Dallmacinë, Dubrovnikun, Malin e Zi
(duhet pasur parasysh se të gjitha këto treva
atëherë ishin nën Perandorinë Osmane ose nën Monarkinë Austrohungareze, v.j.).
Ilija Garashanin (.1812 – 1874), në
vitin 1844 kishte hartuar programin e Serbisë së Madhe, të quajtur
‘’Naçertanije’’ (naçertanije ka kuptimin e skicës, projektit, draftit, v.j.). Me
këtë projekt ai kishte përcaktuar politikën e principatës së Serbisë, duke u
bazuar në të drejtën historike të përtrirjes së shtetit mesjetar të Nemanjiqve,
Brankoviqve e Llazareviqve, po gjithsesi kishte parasysh edhe hartën etnike-linguistike
të Karaxhiqit. Nëse studimi i Karaxhiqit ‘’Srbi svi i svuda’’ ishte
projekt etnik-linguistik, ‘’Naçertanije’’ e Garashaninit ishte projekt
shtetëror serbomadh, për realizimin e të cilit kanë punuar të gjitha pushtetet
e Serbisë, dhe tash e kanë aktualizuar me një formulim tjetër, të vjetër, eufemist ‘’Srpski svet’’ (Bota serbe). ‘’Naçertanije’’
është mbajtur fshehtë deri në vitin 1906, për shkak se territoret e pretenduara
për Serbinë e Madhe ishin nën pushtetin e Perandorisë Osmane ose të Monarkisë
Austrohungareze, e disa ishin territore të Rumanisë e Bullgarisë. Në frymën
hegjemoniste, fashite e naciste të ‘Naçertanijes’, gjatë Krizës së Lindjes
(1875-1878), Serbia e ndihmuar nga Rusia,
pushtoi tokat shqiptare të Sanxhakut të Nishit e Jabllanicës, kreu
gjenocid dhe shpërnguli popullsinë shqiptare, ndërsa Kongresi i Berlinit (1878)
e njohu pavarësinë e Serbisë me tërë territorin e pushtuar. Me pretendime e
pushtime për Serbinë e Madhe, ajo zgjeroi e gjashtëfishoi territorin e
Principatës, e më vonë të shtetit të pavarur të Serbisë. Në vitin 1815
Principata e Serbisë kishte 24000 km.katrore territor, në vitin 1933 arriti në
37740 km, në vitin 1878 në 48.300 km, dhe në vitin 1913, pasi e pushtoi Kosovën, Sanxhakun e pjesë tjera arriti në 87.800 km.
Elitat politike, shtetërore, kishtare, shkencore e kulturore
të Serbisë kanë vazhduar me hartimin e programeve dhe veprimeve
nacional-shoviniste për realizimin e idesë së Serbisë së Madhe, duke ua
përshtatur ato kushteve e rrethanave konkrete.
‘Promemorja për shpërnguljen e Shqiptarëve’, të cilën e
ka paraqitur Vasa Çubrilloviqi në Klubin Kulturor Serb (3 mars
1937), me masat e dhunës brutale shtetërore për shpërnguljen e shqiptarëve,
ishte program gjenocidal i ideologjisë fashiste serbomadhe. Shtatë vjet më
vonë, më 3 nëntor 1944, i njëjti autor i paraqiti pushtetit të ri komunist
elaboratin e tij të quajtur ‘Manjinski problemi u novoj Jugoslaviji’ (shq.
Problemi i pakicave në Jugosllavinë e re). Në Elaboratin e tij Çubriloviq,
ndër të tjera thekson: ‘’Paqen dhe përparimin e Jugosllavisë Demokratike
Federative mund ta sigurojë vetëm pastrimi etnik...Kosovën e Metohinë duhet t’i
pastrojmë etnikisht, ashtu që të ndryshohet me themel përbërja etnike (...)
Ndoshta kurrë më nuk do ta kemi rastin e volitshëm që ta bëjmë shtetin tonë
etnikisht të pastër’’ (...). Për këso merita raciste e naciste, ai u
avancua në gradën shkencore akademik i AShAS, dhe në pozitë shtetërore –
ministër i bujqësisë.
Lideri çetnik, dr.Stevan Moljeviq (1883-1959),
bashkëpunëtori më i ngushtë i Drazha
Mihajlloviqit, këshilltar i tij për çështje politike dhe anëtar i të gjitha
organeve kryesore të organizatës së çetnikëve, me Programin çetnik për Serbinë
e Madhe: ‘’Homogena Srbija’’ (shq.Serbia homogjene), 30 qershor 1941,
ndër të tjera thekson se ‘’Detyra e parë e serbëve sot është të krijojnë
Serbinë homogjene, e cila ka për të përfshirë të gjitha viset në të cilat
jetojnë serbët, të sigurojë linjat dhe nyjet strategjike të komunikacionit dhe
hapësira ekonomike të cilat i mundësojnë zhvillim të lirë ekonomik, politik dhe
kulturor për të gjitha kohërat (...).Gabimet e vitit 1918 duhet të korrigjohen
dhe kufijtë e Serbisë duhet të përfshijnë të gjitha viset etnike në të cilat
jetojnë serbët dhe të kenë dalje të lirë në det (...).Serbët kanë të drejtë ta
udhëheqin Ballkanin dhe nga kjo e drejtë ata nuk duan as nuk mund të heqin
dorë, dhe këtë mision mund ta arrijnë vetëm nëse bashkohen në Serbinë homogjene
në kuadër të Jugosllavisë, së cilës do t’i japin frymën dhe vulën e vet’’!
Konform me Programin e Moleviqit për ‘’Serbinë homogjene’’,
më vonë vet ministri i mbrojtjes së Kraljevinës së Jugosllavisë, tash udhëheqësi
i të ashtuquajturës ‘’Jugoslovenska vojska u otadzbini’’ (shq.Ushtria
jugosllave në atdhe), Drazha Mihajlloviq, bashkë me popin famëkeq Momçillo
Gjujiq, në një dokument të quajtur ‘’Instrukcije kamandanta’’ (shq. Instruksionet
e komandantit), më 20.12.1941, ua kishin shpërndarë aradhave të tyre çetnike
udhëzimet si të vepronin në terren për patrimin etnik prej boshnjakëve, shqiptarëve dhe të tjrëve. Në ato udhëzime,
ishin caktuar qëllimet. 1) Lufta për çlirimin e tërë popullit serb, që duhet
të vehet nën pushtetin e Kral Petrit II; 2) të formohet Jugosllavia e Madhe, e
brenda saj Serbia e Madhe, etnikisht e pastër, duke përfshirë Serbinë, Malin e
Zi, Bosnje-Hercegovinën, Sremin, Banatin e Baçken, Trieshten, Gorciën, Istren e
Korushkën, pjesë të Bullgarisë dhe Shqipërisë Veriore me Shkodrën (Kosovën e
nënkuptonte se veç ishte nën Serbi, v.j.); 3) Pastrimi etnik i territorit të
Serbisë së tillë nga të gjitha pakicat kombëtare; 4) pastrimi i Sanxhakut nga
popullsia myslimane dhe të pastrohet Bosnje-Hercegovina nga popullsia myslimane dhe kroate! Sipas atyre
udhëzimeve çetnikët kanë kryer krimet më monstruoze kundër Boshnjakëve në
Sanxhak dhe në B-H, dhe kundër Shqiptarëve në Kosovë e kudo.
Ideja dhe programet për Serbinë e Madhe pushuan së
realizuari gjatë sundimit të Titos në Jugosllavi (1945-1980), ndonëse ideja e
pastrimit etnik realizohej edhe atëherë, me shpërnguljen e Shqiptarëve dhe të
Boshnjakëve për në Turqi. Por ideja dhe ambicjet për Serbinë e Madhe ishin aty,
në kokat e elitave serbe të të gjitha felave. Dhe ato u ringjallën menjëherë
pas vdekjes së Titos.
Akademia e Shkencave dhe Arteve e Serbisë, ai
laborator i programeve ogurzeza, në vitin 1986 e ‘lansoi’ Memorandumin e
saj, që ishte projekt i nacionalizmit
agresiv për Serbinë e Madhe. Memorandumi kishte katër shtylla kryesore: kufijt
e Serbisë duhet të korrigjohen, sepse nuk ishin në pajtim me përbërjen etnike;
krahinat (Vojvodina dhe Kosova) duhet të suprimohen, sepse po e bëjnë Serbinë
jofunksonale si shtet; popullsia serbe në RSFJ po rrezikohet nga asimilimi,
shfrytëzimi, shpërngulja, margjinalizimi në sferën ekonomike, kulturore nga rritja e forcave antiserbe (Kroatët dhe
Shqiptarët); nevoja për aksion të shpejtë për ta shpëtuar shkatërrimin e
Serbisë dhe të popullit serb. Në bazë të
atij memorandumi, Mllosheviqi e zhvilloi
procesin e ‘’revolucionit antibyrokratik’’, e që ekskaloi në luftëra të
përgjakshme, vrasje, shkatërrime, shpërngulje e gjenocid në Bosnje-Hercegovinë,
Kroaci e Kosovë.
Me moton: ‘’atë që kemi humbur në luftë, duhet ta kthejmë në
paqe’’, AShAS edhe në vitin 2011, e ‘lansoi’ Memoandumin 2, dokument të
fshehtë destinuar vetëm udhëheqësve më të lartë politik, shtetëror e kishtar, për kthimin e gjithë asaj që kishte humbur
gjatë luftërave në periudhën 1992-1999, dhe realizimin e idesë për Serbinë e
Madhe. Memorandumi 2 përmban 9 pika strategjike të cilat duhet t’i zbatojnë
organet shtetërore dhe strukturat tjera shoqërore të Serbisë:
Të zvogëlohet përgjegjësia e Serbisë për krimet e kryera dhe
shkatërrimet, ashtu që duke ngritur akuza e fletëarreste dhe procese gjyqësore
të montuara kundër qytetarëve të BH, të Kroacisë dhe të Kosovës, të vihet në
pozitë të barabart me shtetet përreth;
Të çvendoset vëmendja e mediave rajonale dhe atyre ndërkombëtare
nga proceset e zhvilluara në Tribunalin e Hagës;
Bonjë-Hercegovina, Kroacia dhe Kosova të detyrohen të heqin
dorë nga paditë e tyre në gjykatat ndërkombëtare;
Me aksione pendese, të vihet Serbia në pozitë të barabartë
me shtetet e tjera të rajonit;
Të insistohet në mbylljen e Tribunalit të Hagës dhe gjykimi
i Mlladiqit të mbahet në gjykatat vendore;
Të destabilizohen qeveritë fqinje, të provokohen trazira të
brendshme e pakënaqësi dhe të topitet tehu i akuzave kundër Serbisë;
Të insistohet në shkëputjen e Republika Srpska;
Të insistohet në fitimin e statusit politik konstituiv të
serbëve në Kroaci, në Mal të Zi dhe në
Kosovë;
Të pengohet ndarja e Vojvodinës, të pengohet rajonalizimi i
Serbisë dhe të pengohet veprimi Bashkësisë Islame në Sanxhak.
Këto detyra janë duke i kryer strukturat përkatëse të
Serbisë në raportet me Kosovën, me Bosnje-Hercegovinën dhe në Mal të Zi.
Kisha Ortodokse Serbe, me
ekspoziturat e saj të shpërndara jashtë Serbisë, në rajon dhe nëpër botë, me
propagandën e saj gjoja për rrezikimin e serbëve, ka pasur dhe ka rol tejet të rëndësishëm në
realizimin e idesë dhe të planeve e programeve për homogjenizimin e serbëve dhe
krijimin e Serbisë së Madhe. Veprimi dhe efektet e saj u panë qartë në
Mal të Zi, ku e ndërroi pushtetin proeuropian dhe e vuri atë pro Serbisë.
Ideologjia destruktive nacionaliste e mitomane për Serbinë e
Madhe është në veprim, tash nën petkun‘’Srpski svet’, për të
homogjenizua dhe bashkua psikologjikisht të gjithë serbët kudo që janë. Tash
për tash pa luftë të armatosur, ndonëse ajo nuk përjashtohet, duke marrë
parasysh grumbullimin e arsenalit të armatimit të ushtrisë së Serbisë, dhe
vetëm pret ndryshimet në raportet strategjike ndërkombëtare dhe ‘urdhërin’ e
Rusisë për ta përdorur edhe forcën ushtarake për pushtime të reja, në BH,
Kosovë dhe Mal të Zi, pa përjashtuar edhe Maqedoninë.