Mendime
Idriz Zeqiraj: Pse fshihet e vërteta për "Zajednicën" dhe zhvatjen e tokës nga Manastiri?!
E premte, 02.02.2024, 07:54 PM
PSE FSHIHET E VËRTETA PËR "ZAJEDNICËN" DHE ZHVATJEN E TOKËS NGA MANASTIRI?!
NGA
IDRIZ ZEQIRAJ
Për më shumë se një
dekadë, Kosova është pykuar nga dy kërkesa absurde serbe: "Zajednica"
dhe pretendimi për zhvatjen e tokës sonë, nga Manastiri i Deçanit. Burim i
kësaj të keqeje të madhe, deri në gjëmë, është Hashim Thaçi, me komandantët e
tij dhe Shërbimi sekret francez, respektivisht, agjenti i DGSE, Arnaud Danjean,
dhëndërr i Serbisë.
Edhe pse kjo, tashmë,
është një e "fshehtë publike", hipokrizia tipike kosovare, vazhdon ta
heshtë, ta fshehë krimin, ta mbronë atë, duke mbetur në pritjen fatale të
zbatimit të kërkesave serbo-ruse, të BE-së dhe të Quintit! Ndërkohë që është,
eskluzivisht, në dorën e shqiptarëve, me argumente faktike, t`i hedhin poshtë
dy kërkesat e përmendura dhe dëmshpërblim, për krimet tjera, që kanë rrjedhur
nga tandemi agjenturor famëkeq Thaçi-Danjean.
Miku im i ilegales dhe i
burgjeve, Kadri (Os)Mani, i cili vuajti burgun politik, në kazimatet
jugosllave, që nga vitet `60-a, deri në të `90-at, në renditje, në kohëzgjatje,
i dyti pas Demaçit, por, i harruar nga të gjitha qeveritë. "Turp e
ndot" - do të thoshte pendë-arti, baca Kadri! Në vitet `90-a, emigroi në
një shtet të Evropës dhe nuk gjeti rahati, pa bërë diçka të mirë, edhe nga
larg, për Atdheun. Mundimshëm beri një klasë me nxënës shqiptarë, për mësim
plotësues në gjuhën shqipe dhe filloi me pasion punën.
Si kudo, edhe në atë
shtet, ishte organizuar "Shoqata e Intelektualëve Shqiptarë". E ftuan
edhe xhaxhi Kadriun, madje e dekoruan edhe "Anëtar Nderi". Përcolli,
nga afër, "punën" e burrave të shkolluar. Por, përveç "fjalëve
intelektuale", asgjë nga ato që Atdheu-Kosovë kishte nevojë. Baca Kadri i
pyeti, pse nuk angazhoheni më shumë për bagatimin e Fondit për Kosovën,
shkollimin e fëmijëve dhe të tjera? Përgjigja ishte jo fort modeste: "Ne
jemi yndyra e intelegjencës dhe merremi me politikë speciale, intelektuale!"
Baca, i zhgënjyer, i mërzitur me injorancën e "shkolluar", u gjegj,
paksa, vrazhdët: "Që jeni yndyra e di, por a jeni e intelegjencës apo e
m....?!
Vërtet, Kosova, tashmë,
ka të shkolluar masiv, madje edhe fakultetlinj të bollshëm. Sepse Hashimi hapi
-qytet e universitet-, për t`i punësuar dostat-komandantë, me diploma të blera,
me nuset e tyre, si kontigjente votash, së bashku me studentët! Edhe
institucione janë bërë me tepëri. Por, sa janë aktiv në mbrojtje të interesave
kombëtare, përfshirë edhe mbrojtjen e tërësisë territoriale të Kosovës?
Gjenerali freng, Charl De Goul, në mesin e 5 (pesë) kategorive të armiqve të
Francës, i llogariste edhe indiferentët. Dhe, kjo indiferencë klasike po ndodhë
edhe sot në Kosovë.
Lidhja e Historianëve të
Kosovës, "Ali Hadri", dega në Deçan, me kryetar Dr. Shkodran Imeraj,
e organzuar mirë, u angazhua fuqishëm, në mbrojtje të tokave përrreth
Manastirit të Deçanit. Ajo ofroi fakte e dëshmi të shumta, historike dhe
kadastrale, të mjaftueshme për të vërtetuar pronësinë e tokës, duke demantuar
bindshëm pretendimet e Manastirit të Deçanit.
Por, mjerisht, Shoqatat
simotra, Instituti i Historisë, Akademia, Universiteti i Prishtinës dhe
instancat e tjera shkencore e politike, shkarazi ose fare, nuk u angazhuan, për
t`iu kundërvënë këtij pretendimi kishtar, shkencërisht dhe politikisht. Aq më
parë, një rast fort cinik, duke pasur parasysh implikimin në dhurim të
Sllobodan Millosheviçit, një vrasës masiv, i cili përgjaku Kosovën dhe
Ballkanin. Dhe, më në fund, duke ngordhur, si qen i zgjebosur, meritueshëm, në
një birucë të burgut të Hagës.
Madje, mediat në Kosovë,
që janë po aq të kapura, sa edhe drejtësia, nga shefat e partive-banda, të
koalicionuara në PAN-in kriminal, vazhdojnë ta heshtin këtë krim, sepse e dinë
se është çorbë e kuzhinës Thaçi-Vuçiq. Dhe, aty e gjejnë vetën edhe ata,
sepse dosjen kriminale, vrastare, e kanë të përbashkët. Këtu, Bota Demokratike,
për interesa meskine e hiç fisnike, me keqardhje, ra në provim!
Toka prej 24 hektarësh,
(sipas piketimeve të bëra, rezulton të jetë 27 hektarë), e cila nuk ka qenë
kurrë e Kishës. Përkundër, është përvetësuar e dhuruar asaj, në kohën e kulmit
të masave të dhunshme, më 1997, të kryekriminelit Sllobodan Millosheviq. Dhe,
vetëm ky fakt i vërtetë sipëror, mjafton të turpërohen klerikët tredhakë
ortodoks në Deçan, Graçanicë, Rashkë, Prizren, Beograd e Moskë, së bashku me
raportuesen për Kosovën, në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, BE-në dhe
ambasadorët e tyre, shtetet e Quintit, Parlamenti Evropian dhe kushdo tjetër,
që i mbanë iso-në Serbisë, krejt paushall, për t`i zhvatur tokë Kosovës.
Përkrahja -blanko- e
Serbisë, pa pranuar asnjë arsyeshmëri të palës shqiptare, nga ana e
ndërkombëtarëve, ka trimëruar serbët e përkëdhelur, deri në lazdrim. Kjo
manifestohet edhe në kërkesën e kryeministrit Kurti, për dialog me Igumenin
Sava Janjiq. Dhe, Dioqeza e Rashkës dhe e Prizrenit, e refuzon, me prepotencë
dhe rrugaçëri të skajshme: "Flasim vetëm pas zbatimit të vendimit të
Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016!" A keni vesh për të dëgjuar ju, të
BE-së, të Quintit?! Dhe, a keni një fije sedre kombëtare, ju opozitë zvarranike
e horrake, pse kërkoni edhe ju kadastrimin e pronës tokësore Kishës?!
Lidhja e Historianëve të
Kosovës, "Ali Hadri", dega në Deçan, e kryesuar nga Dr. Shkodran
Imeraj, ka vëzhguar nga afër rrjedhat juridike, lidhur me kontestet pronësore,
në mes Manastirit të Deçanit dhe të dy ndërmarrjeve publike, Fabrika e mjaltit
"Apiko" dhe ndërmarrja hoteliere "Iliria" si dhe një pjese
tokë shtetërore. Agjensia Kadastrale e Kosovës, e ka dokumentacionin përkatës
të saktë dhe falsifikimi është i vonshëm, më 1997, madje nga një kriminel
antishqiptar, Millosheviq. Në rrethana normale, kjo as që duhej të bisedohej
dhe aq më pak të kontestohej, si pronësi e Kosovës dhe assesi e Manastirit.
Historianët e Deçanit,
me shumë kompetencë, kanë reaguar, në veçanti ndaj manipulimeve të porositura,
të bëra nga Gjykatat, në veçanti nga Gjykata e Kushtetuese. Edhe pse kursejnë
emrat ndërhyrës, më saktë, imponues në vendimet e kësaj Gjykate. Por, ata
përmendin me emra gjyqëtaret, Arta Rama-Hajrizi dhe Gresa Cakaj-Nimani,
duke kërkuar edhe arrestimin e tyre dhe hetimin në kushte burgu, gjë që është e
domosdoshme, për ta nxjerrë të vërtetën në shesh. Dhe, pamëdyshje, porosia e
prerë imponuese e Hashim Thaçit, për gjyqëtaret, ka qenë vendimi në favor të
Manastirit.
Gjykata Kushtetuese e
Kosovës, më 20 maj 2016, legalizoi dhe aprovoi vendimin e kriminelit Sllobodan
Millosheviq, i cili në vitin 1997, i dhuroi Manastirit të Deçanit 24, ose 27
hektarë tokë. Ky vendim është skandaloz, antikushtetues dhe hiç ligjor. Kisha,
paradoksalisht, e mbështetur nga Serbia, Rusia, BE-ja, shtetet e Quintit,
kusuri i ndërkombëtarëve, mediat, po thuajse -en bloc- dhe opozita më
destruktive e të gjitha kohërave në Kosovë, kërkojnë, ngulmërisht, zbatimin e
vendimit të Kushtetutës.
Ndërkohë, Historianët
luftarakë të Deçanit, të prirë nga kryetari i tyre, Dr. Shkodran Imeraj;
Shoqata e Intelektualëve, ne mes tyre, doajeni i gazetarisë të Kosovës, Zekë
Sinanaj, studjuesi Dr. Murteza Osdautaj, me shokë, me kryetar krijuesin Adem
Lushaj; si dhe 40 mijë qytetarët e Deçanit, vazhdojnë rezistencën, me thirrjen
e madhe, pavarësisht rrjedhojave, të mos zbatohet vendimi cinik i kriminelit
Millosheviq.
Ekzistojnë dëshmi e
fakte të bollshme, se zonjat gjyqëtare konfirmuan vendimin e Millosheviqit, nën
diktatin personal të Hashim Thaçit, i cili i ndodhur nën trysninë e shantazhit,
me dosje kriminale, u vu në shërbim të Serbisë, me ndërmjetësi të Francës. Për
lirinë e tij personale, gjëmë të madhe i solli Kosovës. Dhe, kjo është,
pamëdyshje, tradhti kombëtare dhe jo e vetmja.
Faktet në shkrim, do të
flasin qartazi. Nëse zonjat zyrtare, gjyqëtare e pranojnë këtë të vërtetë
absolute, duhet mëshiruar. Në të kundërtën, janë pjesë e fajësisë së madhe,
pjesë e krimit. Heshtja morbide e institucioneve, mosvënia e pikës mbi
"i", në radhë të parë, e Qeverisë, pastaj e drejtësisë, fshehja e
kësaj tradhtie, vazhdon t`i kushtojë shumë Kosovës.
"Zbatimi i ligjit
dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit, janë obligime të gjitha
qeverive",- bëjnë thirrje shtetet e Quintit, Kisha Ortodokse Serbe,
Dioqeza e Rashkës dhe e Prizrenit, permes Igumenit Sava Janjiq, "për
shkeljen e të drejtave pronësore të Manastirit të Deçanit". Duke vazhduar
me shpifje manipulative se, kinse, "në Kosovë nuk respektohen të drejtat e
liritë e njeriut dhe liritë fetare për Kishën Ortodokse Serbe"!
Me pronsimin arbitrar të
Manastirit të Deçanit, po synohet të krijohet një precedent i rrezikshëm, sepse
janë dhjetra kisha serbe të ndërtuara përgjatë viteve 1990-1999, nga regjimi
pushtues i Millosheviqit. Edhe ato duan dhe presin legalizimin dhe kadastrimin
pronësor. Njëra nga këto është ajo e ndërtuar në mjedisin Universitar në
Prishtinë, për mujëshi dhe inat të qytetarëve kryeqytetas. Përmendim disa
syrësh: Kisha në Poterç të Klinës, në Banjë të Istogut, Kllokot, Gurrakoc të
Istogut, Vitomericë të Pejës, Bërnjakë të Rahovecit, Drenoc të Klinës, Gërmovë
të Vitisë dhe kisha të tjera nëpër Kosovë.
Një vlerësim të tillë,
mund ta jepte vetëm organizata
mafioze "Cosa Nostra" siçiliane! Turp!
Propaganda leha-qene
serbe, me zhurmimin e saj, ka arritur ke Presidenti Ekzekutiv të "Evropa
Nostra", i cili e ka përfshirë Manastirin e Deçanit në listën e
monumenteve më të rrezikuara në Evropë! Edhe organizata "Future for
Religious Hertiage" (E adhmja për trashëgimi fetare), e ka nominuar
Manastirin e Deçanit "ndër 7 (shtatë) monumenteve më të rrezikuara në
Evropë, tek "Europa Nostra".
Një vlerësim të tillë,
mund ta jipte vetëm organizata mafioze "Cosa Nostra" siçiliane! Një
falsifikim sa i turpshëm, aq edhe kriminal!
Manastiri i Deçanit
është trashëgimi ilire. Dikur ajo ishte faltore e shqiptarëve. Është respektuar
dhe ruajtur gjithmonë prej shqiptarëve, sepse është monument historik ilir. Në
aspektin e historisë së artit, i takon shkollës arbërore dalmatine. Krejt i
ngjajshëm me faltoren e Jerusalemit, ku lutën hebraikët dhe palestinezët
islamikë. Ajo është ruajtur e pacënuar edhe në kohën e Shqipërisë së Bashkuar,
në vitet 40-a, kur shqiptarët i kishin duart e lira, ta zhbinin me themel.
Fundja, Manastirin e
Deçanit nuk mund ta mbrojë as Policia e EULEX-it dhe as KFOR-i, sepse vetë
pozicioni i saj, poshtë kodrave, e vetmuar në mes të pyellit, favorizon
goditjen e pambrojtshme. Atë e kanë mbrojtur dhe do ta mbrojnë, me përkushtim e
fanatizëm, ndër shekuj shqiptarët e Kosovës. Andaj është fyerje dhe provokim sa
i rëndë, aq edhe i turpshëm, qoftë për ankesat imagjinare të Igumenëve të
Vuçiqit, qoftë për Presidentin Ekzekutiv të "Europa Nostra", që
lanson dizinformata me ndikime thjeshtë politike, duke qenë nën ndikimin
serbo-rus.
Vuçiqi me këlyshërinë e
tij, akuzonte shqiptarët edhe për vrasjen e 5 (djemëve) serbë e malazezë në
lokalin "Panda" në Pejë. Por, tani e pranon vetë ai, se ajo ishte
vepër kriminale e pushtetit pushtues serb. Një krim makabër, i bërë për t`i
fajësuar shqiptarët! Qeveria shqiptare, në koordinim me ndërkombëtarët, duhet
të fillojë hetimin, sepse ata ishin djem të Pejës, qytetarë të Kosovës,
pavarësisht përkatësisë kombëtare.
Protestat vandaliste,
kriminale e rrugaçërore, të mars-prillit 2004, projekt i Serbisë, më zbatim të
partive-banda të PAN-it, të cilat sollën decentralizimin, deri ke
"Zajednica". Policia e UNMIK-ut i arrestoi, i hetoi, i mbajti pak
muaj dhe i liroi, edhe pse u vranë 19 vetë, kryesisht, të rinj shqiptarë dhe
pleq serbë. Asnjëri nga kriminelët vandalistë, nuk pësoi asgjë. Fajësia e të
arrestuarëve ishte faktike, lirimi ngjalli habi. Pse-në e di UNMIK-u, por edhe
Serbia organizatore e banditizmit në fjalë. Dosja u mbyll, enigmatisht dhe
turpërisht, ashtu qysh i ka heshtur UNMIK-u të gjitha vrasjet politike të pasluftës.
Kërkesa e shteteve të
Quintit, i kalon caqet e normales: "Kosova të zbatojë me uregjencë
regjistrimin e ligjshëm të tokës së Manastirit të Deçanit!" Çfarë
ligjshmërie kanë vendimet e kriminelit Millosheviq?!
Administrata e OKB-së,
vendimet e 1990-99, në Kosovë, i ka shpallur nul-zero, pra, të pazbatueshme.
Shtrohet pyetja: A e njohin këtë administratë shtetet e Quintit?!
Prona shtetërore,
publike dhe private të qytetarëve të Deçanit, nuk mund të tjetërsohet dhunshëm.
Sipas kësaj logjike, nëse Kosova detyrohet të zbatojë vendimet arbitrare të
Millosheviqit, atëhere edhe NATO-pakti duhet kërkuar falje për bombardimin me
"Apaçët" e saj, sepse, sipas tyre, Millosheviqi ka pasë të drejtë për
vendimin e tij: masakrimin dhe dëbimin i një populli të tërë, siç bëri me
shqiptarët e Kosovës!
Shantazhi, deri në
kërcënim, me një prepotencë mujëshore i Kosovës, nga shtetet e Quintit, për të
zbatuar vendimet arbitrare e grabitqare, të vrasësit serik të shqiptarëve,
Millosheviqit, është një cinizëm e provokim i vrazhdët. Edhe kushtëzimet të
bëra Kosovës, me faljen e tokave fqinjit armik, nuk janë fare fisnike, për
shtetet, të cilat e çliruan një popull, pas një shekulli robërie të egër, duke
e bërë edhe shtetin më të ri në botë. Për të gjitha respekt dhe mirënjohje të
thellë, për gjithçka keni bërë për popullin e përvuajtur shqiptar.
Vërtet, vendimi i
2016-ës, është vendim i paapelushëm, sepse Kosova nuk është pjesë e Gjykatës të
Strasburgut. Por, pala shqiptare ka mundësinë e moszbatimit të vendimit të
Gresa Caka-Nimanit. Dhe, kjo e fundit, nuk ka drejtë të kërkojë nga Prokuroria,
të bëjë presion ndaj kryetarit të komunës të Deçanit, për zbatim.
Aq më pak, kur dihet se
vendimi i Gjykatës është marrë nën trysninë e një agjenti francezo-serb, Hashim
Thaçit. Ndërkohë që Millosheviqi ka bërë tjetërsimin e pronës të Kosovës, duke
e bartur, falsifikueshëm, në pronësi të Kishës. Pra, paligjshmëria e vendimit
të Millosheviqit, është pasuar nga paligjshmëria e vendimit të Gjykatës
Kushtetuese të Kosovës.
Çështja e Manastirit të
Deçanit i përket qeverisë lokale dhe assesi asaj qendrore, sepse kadastri është
çeshtje e qeverisë lokale. Andaj, qeveria qendrore nuk mund ta bëjë
implementimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. As Gjykata nuk ka mundësi ta
detyrojë komunën ta zbatojë vendimin. Dhe, as qeveria nuk mund të ndërhyjë në
kompetencat e komunës.
"Bypass" -
anashkalimi i rrugës
Deçan-Plavë, veprim
kriminal!
Referencë në fakte:
Igumeni i Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq thotë: "Ndërtimi i rrugës
Deçan-Plavë, është i ndaluar me ligjet e Kosovës. Zgjidhja e këtij problemi
është gjetur me 2014, kur kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi -
aktualisht president i Kosovës- vendosi që ta devijojë këtë rrugë, në mënyrë që
të mos kalonte përmes zonës së mbrojtur".
Janjiq
"arsyeton" se "kjo do të shkaktonte dëme në Manastir, përmes
dridhjeve, gjatë punimeve të rrugës Deçan-Plavë, zhurmës, ndotjes dhe për këtë
arsye, ligji e ndalon ndërtimin e rrugëve të tilla"! Por, rruga nuk është
-Gurëthyese-, madje as kërshore, sepse është pyjore e butë. Realisht, në afri
të Manastirit, janë përfunduar punimet, para marrjes së vendimit për
ndërprerjen të punimeve të rrugës në fjalë dhe vetëm asfaltimi nuk është bërë.
Për ta garantuar
Igumenin Janjiq, personalisht, kam konsultuar inxhinierë nga Gjermania, Zvicra,
Austria, të njohura për higjenën rrugore. Dhe, që andaj kemi sjellur tri
modele, me materiale të ndryshme të - mbytësve, shurdhuesëve të zhurmave -, që
përdorën në rrugët regjionale, magjistrale - autostrada dhe hekurudhore, të
cilat përshkojnë vendbanimet, qoftë në anësore apo përmes tyre. Të gjitha këto
i janë vënë në dispozicion Manastirit të Deçanit dhe të institucioneve tjera.
Pas kundërshtisë të
Igumenit të Manastirit, reagon presidenti Vuçiq: "Beogradi do të kërkojë
pezullimin urgjent dhe të përhershëm të punimeve të ndërtimit në zonën e
mbrojtur të Manastirit të Deçanit, nga përfaqësuesit e Prishtinës dhe
ndërmjetësve evropianë, në takimin e ardhshëm në Bruksel". Vuçiq, në
ekranin e televizionit, tundi edhe një letër, të formatit A-4, duke sqaruar:
"Pse thuani që nuk ka mundësi të devijimit të rrugës Deçan-Plavë?! E
shikoni, kryeministri Thaçi, dora vet, ka vizatuar një rrugë alternative, prapa
24 hektarëve të tokës së Kishës!"
Dhe, Hashimi kurrë nuk e
ka demantuar këtë vijëzim të "bypass-it", anashkalimit, fort të
mundimshëm, sepse ka dy ngjitje dhe dy zbritje lakore, për t`u larguar në kufirin
e përcaktuar nga krimineli Millosheviq, në vitin 1997, kur Manastirit i dhuron
tokën 24 hektarshe të Deçanit!
Hashim kryeministri
pranon dy gjëra kundra-kombëtare:
1) Kjo tokë i përket
Manastirit, dhe
2) Heq dorë nga rruga
ekzistuese e dy fshatrave dhe të 40 mijë banorëve, që e përdorin ndër shekuj
rrugën klasike, për kullotë të bagëtive, pyje e bjeshkë! Por, tani e tutje,
edhe të qytetarëve të Kosovës, që mezi presin ta shfrytëzojnë rrugën që
përshkon tri shtetet: Kosovë-Mali i Zi-Shqipëri, e cila, gjthësesi, është më
interesantja e deri tashme.
Dhe, këtë vendim e merr
Hashim dallaverja, pa e pyetur askënd nga qendra e Kosovës dhe as nga pushteti
lokal i Deçanit. Vërtet, guxim dhe zullum i tepëruar, i një kryeministri
monstër, që i solli Kosovës aq shumë dëme e gjëmë, me pasoja numerike, për
brezat e tashëm dhe të ardhshëm.
Vetëm një ditë pasi Vuçiq kërcënon për rrugën, kryeministri
Avdulla Hoti, më 16 gush 2020, kërkoi të pezullohen ndërtimet përmes rrugës
ekzistuese-klasike. Dhe, urdhëroi hapjen e "bapass-it", anashkalimit
të vijëzuar nga Thaçi-Vuçiq, prapa 24 hektarëve, sepse "në një pjesë të
saj e prek zonën e veçantë të mbrojtur të Manastirit të Deçanit", sipas
kryeministrit Hoti. Rrjedhimisht, Hoti aprovon vendimin e Millosheviqit
të vitit 1997, si dhe zbatimin e këtij vendimi nga Hashim Thaçi, në vitin 2014!
Dhe, krejt serbez, ai me lukuninë e PAN-it, ngulmojnë se vendimi
duhet zbatuar! Përndryshe, "Albini po na prishë me miqtë ndërkombëtarë, ai
na i solli sanksionet dhe nuk po bënë asgjë për t`i hequr ato!" E gjithë
kjo është një pranim i fajësisë së pabërë, nga pala shqiptare, sepse këtë e
pranon një ish-kryeministër dhe kuadër i lartë partiak aktual. Dhe, këtë e dinë
jo vetëm "zogjtë e malit", por edhe bretëkocat e moçalit, se
sanksionet të vëna Kosovës, janë fajësi ekskluzive e BE-se, për qejf-bërje
Serbisë! E tmerrshme!
Presidenti Hashim Thaçi:
"Vendimi i Gjykatës Kushtetuese rreth pronës kishtare në Deçan, është i
bazuar në Kushtetutën e shtetit dhe Konventën për të Drejtat e Njeriut. Kosova
është shtet ligjor, ku vendimet gjyqësore respektohen. Prona është e
patjetërsueshme, e kujtdoqoftë ajo!"
Demagog i pakurriz dhe i
pacipshëm. Deri në vitin 1997 ishte tokë e patjetërsueshme e dikujt tjetër. Pas
kësaj date e tjetërsoi Millosheviqi dhunshëm dhe Hashimi i thotë -OK-ej-!
Mençurisht, parashikonte Presidenti hyjnor Rugova: "Nuk duhet të lejohet
Hashimi të ngritet në pozita shtetërore, sepse është i rrezikshëm për
Kosovën". Nga veprimet e tij, Dr. Rugova, kishte diktuar kapjen e tij nga
Shërbime e huaja informative, rrjedhimisht, edhe shantazhimin e tij me dosje.
Mjerisht, pothuajse, e tërë kasta politike e Kosovës, u bë pjesë e krimit,
duke e bërë një agjent president të vendit!
Kryetari i komunës të
Deçanit, Bashkim Ramosaj, rezistoi, dinjitetshëm, për vazhdimin e ndërtimit të
rrugës Deçan-Plavë, në vijëzimet e projektit fillestar. Kur Kisha serbe,
Beogradi, Moska dhe ndërkombëtarët ndërhynë brutalisht, në ndërprerjen e
punimeve të rrugës, ai jo vetëm që nuk u pajtua, por edhe kundërshtoi, me
forcën arsyetuese logjike. "Sepse po shkelet kushtetutshmëria në
tjerërsimin e pronës, duke zbatuar vendimin e një pushtuesi kriminel, si Millosheviqi,
por edhe të drejtat dhe liritë e 40 mijë qytetarëve të komunës së
Deçanit!"
Bashkim Ramosaj thotë se
"autoritetet lokale do t`i japin kohë Qeverisë së Kosovës, për të gjetur
një zgjidhje, në lidhje me ndërtimin e kontestuar të kësaj rruge". Ai ka
kërkuar mirëkuptim nga Manastiri i Deçanit se "ndërtimi i rrugës
Deçan-Plavë, në asnjë mënyrë nuk dëmton trashëgiminë kulturore, historike dhe
fetare, as nuk rrezikon imazhin vizual të manastirit".
Në drekën e organizuar,
nga kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, me rastin e bartjes së
eshtrave të Komandantit nacionalist të Dukagjinit, Demë Ali Pozhari, nga
Stambolli dhe rivarrosjen në Pozharin e tij, përfitova nga rasti, për të
biseduar lidhur me punimet në rrugën Deçan-Plavë. Kryetari i nderuar Ramosaj
hapi telefonin e tij, dhe më tha: "Lexo, këtu janë 43 (dyzetë e tre)
letrat, drejtuar shtetarëve, pushtetarëve, krerëve të partive politike, BE-së,
shteteve të Quintit, ambasadave dhe institucioneve tjera të Kosovës.
Megjithatë, ndjehem i tradhtuar, nuk më mbështetën, përkundrazi..., - më tha ai
me hatërim dhe shqetësim të ligjshëm!
Kuvendi i Kosovës duhet
t`i shfuqizojë, sa më parë, të gjitha vendimet e marrura nga krimineli
Millosheviq, përfshi edhe dhurimin e pronës 24 hektarshe Manastirit të Deçanit.
Një arsye shtesë, për mos pranimin e kadastrimit të pronës për Kishën, duhet të
jetë edhe parimi se kjo do të ishte rivrasje e mijëra viktimave të
Millosheviqit.
Rruga, pa përcaktim të
moshës në vjetërsi, ose siç shprehet populli, "prej se ka bi lisi, nuk
guxon të devijohet dhe, aq më pak, të mbyllet. Këtë ta mësojnë kishtarët dhe
ndërkombëtarët, të cilët në shtetet e tyre kishat nuk kanë as oborr, nga dera e
kishës del në rrugë të shtetit. Ndërsa me tokat e Kosovës, tregohen dorëlirë,
madje duke i zbatuar vendimet e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq!?
Në një prononcim të
Drejtorit të Sigurimi sekret francez, Piere Seramy, në televizionin - CANAL+ -
pranon se "Hashim Thaçi është agjent i ynë, agjent i Francës. Ai u
rekrutua nga agjenti i DGSE franceze, Arnaud Danjean, në Curich dhe Gjenevë, të
Zvicrës". Më parë lidhjen agjenturore Thaçi-Danjean e ka zbuluar Bardhyl
Mahmuti, kuadër i LPK-së.
Instruktimi i Hashimit
nga Denjean, ka qenë përcaktues që ai të katapultohet, jashtë çdo votimi, në
organet drejtuese të LPK-së dhe të Qeverisë. Në Rambuje, Danjean i "ishte
bërë pullë" Hashimit, në përpjekje për ta sabotuar dhe dështuar
nënshkrimin e Marrëveshjes, nga delegacioni i Kosovës.
Në Mitrovicë Hashimi dhe
Kadriu, me SHIK-un e tyre, ishin sabotues, përkrah KFOR-it francez dhe
ishin pjesë e krimit të vrasjes të një duzinë shqiptarësh dhe mijëra të
shpërngulurëve të tjerë. Mbyllja e Urës së Ibrit ishte aprovim i Hashimit dhe
Kadriut. Shkurt, ai me shokë, ishin të shantazhuar me dosje krimesh, kryesisht,
të qindra vrasjeve të kundërshtarëve politikë. Dosjet e krimeve i posedon
Beogradi, Franca, ndërkombëtarët. Ai pranoi të plotësojë gjithçka që Serbia
kërkonte!
Pjesë e krimit u bë edhe
shefi i tij, Danjean, në lëshimet ndaj Serbisë, thjeshtë, ishte ndërlidhës i
Thaçit me Serbinë. Prandaj, në veprimet e Thaçit, në favor të Serbisë dhe në
dëm të Kosovës, ka pjesën e tij edhe Arnaud Danjean. Dhe, ndonëse shefi i
Danjean ishte Piere Seramy, pra, shteti francez e njihte si agjent Hashim
Thaçin, Kosova ka të drejtë të kërkojë llogari nga Franca për dëmet e
shkaktuara. Dhe, aktualisht, ta ndihmojë Kosovën, të dalë nga bataku ku e futi
agjenti francez, Hashim Thaçi, qoftë për "Zajednicën", qoftë për pronat
e dhuruara Manastirit të Deçanit.
Ekziston një normë
juridike ndërkombëtare, që kur rrethanat e pas nënshkrimit të një marrëveshje
ndërkombëtare ndryshojnë, madje tërësisht, siç kanë ndodhur në Kosovë,
nënshkruesi agjent i huaj, i shantazhuar me dosje për krime faktike. Pra, një
marrëveshje me nul, zero validitet.
"Klausula Sic
Stantibus Rebus"
Arsyetimi i
ndërkombëtarëve se është nënshkruar një marrëveshje dhe duhet zbatuar,
pavarësisht kohës dhe rrethanave, në të cilat është bërë ajo marrëveshje
fatale, e devalvon një teori juridike, e njohur me emërtesën: "Klausula
Sic Stantibus Rebus", si normë juridike ndërkombëtare, për prishjen një
kontrate apo marrëveshje ndërkombëtare, kur rrethanat kanë ndryshuar
rrënjësisht dhe dëmi që sjellë zbatimi i një marrëveshje të tillë, është fatal
për vendin, shtetin, siç është Asociacioni njëetnik për Kosovën! Qëllimet janë
të errëta, me prapavijë bërjen hisedare të Serbisë në Kosovë, duke krijuar një
"Republika Srpska", e cila paralizon funksionimin normal të shtetit
të Kosovës, deri në shkëputjen e një pjese të saj.
Shembullohet me një rast
konsti, prishje të një marrëveshje ndërkombëtare, në mes Anglisë dhe Islandës.
Mendoj se shtetarë e
pushtetarë të Kosovës, duhet ta lënë hipokrizinë, t`i thonë gjërat troç e pa
dorëza, për ta zhbërë -Marrëveshjen për Zajednicën- dhe çdo vendim tjetër me
nënshkrimin e Thaçit, të shpallet joligjor.
Mendoj se për këtë duhet
një angazhim serioz juristësh specialistë. Në mesin e tyre, më saktë, në krye
meriton të jetë Prof. Dr. Mazllum Baraliu, ish-anëtar i Gjykatës Kushtetuese, i
cili është në dijeni dhe njohës i kësaj norme juridike ndërkombëtare.