Kulturë
Albert Habazaj: 4 gëzime në një ditë me poetin lirik Hiqmet Mehmetaj
E premte, 05.01.2024, 08:52 PM
4 GËZIME NË NJË DITË ME POETIN LIRIK HIQMET MEHMETAJ
Nga Albert HABAZAJ
Me miq të penës, të
kulturës, arsmit dhe atdhetarë të Vlorës, të hënën e shenjtë të 25 dhjetorit
2023 kaluam së bashku 4 gëzime në një ditë me poetin lirik Hiqmet Mehmetaj
- Gëzuar 80- vjetorin e
ditëlindjes së poetit, që sa bukur i rastis sot, si me bekim!
- Gëzuar përurimin e
vëllimit poetik “Lirika” me poezi të zgjedhura të autorit!
- Gëzuar
Dekorimin e mësuesit dhe drejtuesit 40-vjeçar në arsim, poetit dhe veprimtarit
atdhetar Hiqmet Mehmetaj me diplomën dhe dekoratën: "Mirënjohja e
Labërisë"!
***
Ndoshta të tjerë ndjejnë dimër,
Për ne po çel e bën pranverë,
Njerëz të zakonshëm përditë lindin,
Poetë nuk lindin çdo herë...
Sot ditëlindjen ka Poeti,
Mbushim gotën me lule sinqeriteti.
Nëpërmjet
këtyre vargjeve të dëlira i dhuroj një buqetë me lule shkrimore lirikut të
Vlorës Hiqmet Mehmetaj, njeriut të ndershëm, qytetarit të denjë, prindit
shembullor, mësuesit shembullor (edhe përtej 40-vjetëve të domosdoshëm
zyrtarisht), drejtuesit model në arsim,
veprimtarit të përkushtuar dhe atdhetarit të devotshëm, armikut të mburrjes dhe
mikut të thjeshtësisë.
Hiqmet Sulo Mehmetaj, lindur në Drashovicë të
Vlorës, më 25 dhjetor 1943, i përket atij brezi fatlum, (për vete dhe për
stafetën e brezave që morën mësim nga të atillë mësues të lartë), arsimuar në
Normalen e famshme të Elbasanit, e cila, për kohën, ishte për shqiptarët
universitet mbi universitete. Edhe në shkollën e lartë Hiqmeti i shërbeu fatit
që e ndoqi, sepse e nisi dhe e përfundoi në Shkodër (1972-1975), ku përvetësoi
mjeshtërinë e edukimit, pedagogjisë dhe psikologjisë në shkollë. 40 vjet dha
mësim nxënësve dhe kolegëve, që edhe kur e drejtoi nuk e humbi thjeshtësinë,
komunikimin etik dhe punën në grup. Hiqmetin nuk mund ta shikosh një ditë pa
veshjen e tij karakteristike, klasike - aristokrate, mbajtur pastër e për
merak: me kostum, kollaro, këpucë të zeza që shkëlqejnë, po ashtu i rruar për
ditë. Nga ana tjetër, ai urren fort shfaqjen tullumbacore të njerëzve që
kërcasin si kokoshkat në zjarr; urren “poetërinë me kollaro” mbi tavolinë,
“Belulët” në biseda, diskutime, promovime etj., që s’i lë hunda e gjatë e
mendjemadhësisë boshe të shikojnë më tutje, se i pengon “Pinoku” etj.
Kujtojmë
që në vitin 1957, Hiqmeti i vogël përfaqësoi Vlorën në spartakiadën dhe
olimpiandën e botanistëve dhe natyralistëve të vegjël zhvilluar në Tiranë.
Ishte vetëm në klasë të shtatë, truplastar, hijeshuar me shami pioneri në qafë,
me ëndrra të kaltra për dijen. Diploma që fitoi, firmosur nga ministri i kohës
nuk i bëri nder vetëm atij apo shkollës së Drashovicës, por patjetër dhe
Vlorës, saqë dhe sot e kësaj dite ne e kujtojmë me respekt.
Bir
Drashovice, nxënës, mësues dhe drejtor i shkollës së Drashovicës deri ditën që
doli në pension, Hiqmet Mehmetaj e deshi dhe e do me shpirt vendlindjen. Ai
krijoi Shoqatën Kulturore - Atdhetare “Drashovica” dhe e drejtoi atë për disa
vjet. Si idealist i përkushtuar dha ndihmesë edhe si sekretar i Shoqatës
Kulturore - Atdheare “Labëria” për Vlorën dhe në një periudhë të vështirë, kur
ajo pak kohë kishte që kishte lindur…
Hiqmeti ka ushtruar profesionin fisnik të
mësuesit të Gjuhës shqipe dhe Letërsisë. Ndërkohë, përveçse poet i lindur
(gjenezën poetike e trashëgon nga nëna), ai fatmirësisht njohu dhe mësoi mirë
teorinë e letërsisë, çka i dha ndihmesë për poezinë e kultivuar.
Hiqmeti ka dhe një familje shembullore, me
bashkëshorten e devotshme Nazon me profeson farmaciste, që për respekt të
shërbimit të saj të kulturuar dhe të papërtuar ndaj banorëve në Drashovicë,
Peshkëpi, Llakatund e Vlorë i flasin me
mirënjohje “Doktoresha”. Ata kanë dy djem të mrekullueshëm, Neritanin dhe
Drinin. Neri, pasi përfundoi shkollën e mesme artistike “Naim Frashëri”
shkëlqyer për pikturë, kreu studimet e larta për regjisurë në universitetin “La sapienza” Romë. Ai është
dhe piktor i librave të babait të tij e lirikut të Vlorës. Ka ndërtuar familjen
e tij model shumë të mirë me zonjën Alfrida, një nga juristet më seroze e
korrekte të qytetit dhe kanë dy djem si pëllumba, Andrin dhe ka punuar si
specialist në DRTK, Vlorë për rreth 9 vjet, sot emigrant në SHBA. Djalit të
vogël, Drinit ne i flasim kompetenti, spese është bujar dhe i zoti, ndërkohë
financier i botimeve të vëllimeve poetike të babait. Ai është emigrant prej
shumë vitesh në Angli.
Edhe sot e kësaj dite, ai studion me kujdes
teori letrare. Nuk nxiton të kërkojë motive, ato i vijnë vetë, nga natyra, nga
njerëzit që njeh. Nuk mbytet në lumin e fjalëve, por noton dhe e zgjedh fjalën,
e kursen përdorimin e saj të tepërt, se nuk do ta shpërdorojë të shenjtën e
nënës.
H. Mehmetaj është poet 100% lirik dhe ka
botuar gjashtë vëllime poetike: “Shqipëri, pse s’të zë gjumi?” (poezi,
1996); “Ëndrrat e trëndafilit”, (poezi, 1999); “As dielli s’më
përshëndet”, (poezi, 2001); “Nata e lofatës”, (poezi, 2008); “Vajza
e ujëvarës”, (lirika, 2012), si dhe librin me poezi të zgjedhura me
titullin e thjeshtë “Lirika”, 2014. Të pesë librat i ka botuar në Tiranë
dhe ç’ka na bën përshtypje pozitive, në rrafshin e virtytit e besimit të
autorit, redaktor ka patur qysh në fillimet e tij botuese prof.dr. Bardhosh
Gaçe, “Mjeshtër i Madh”, të cilin nuk e ndërron me tjetër. Libri më i plotë tij
është “Lirika”, Tiranë, Dudaj, 2014, në 152 faqe, ka një strukturë
poetike ngritur mbi katër kate lirike. Katin e parë e ka quajtur “Lirika
shoqërore” me 33 poezi; kati i dytë është “Lirika peizazhi” me 13
poezi”; i treti “Zambakët e dashurisë” me 6 poezi për frymëzimtarët e
tij: Omar Khajamin, Robert Bërnsin, Eseninin, Lasgush Poradecin, Çajupin dhe
xha Aliun, Ali Asllanin tonë. Katit të katërt të ndërtesës poetike “Lirika”
i ka vënë emrin “Lirika dashurie”, ku përfshihen 71 poezi, të cilat
hapen dhe mbyllen me çelësin magjik të poezisë, për të vijuar udhëtimin e
ndjenjës pa nxitim, bukur, kënaqshëm e menduar. Me këtë natyrë burimore, pena e
tij ka gjetur veten dhe ka krijuar profilin e autorit në poezitë e zakonshme
dhe sidomos në tingëllima. Ndjenja dhe koherenca shkojnë bukur në harmoni në
poezinë lirike të Mehmetajt, secila në vendin e vet hierarkik të llojit poetik
të autorit. Veçoria e tij tematike është flora dhe fauna (bota bimore dhe bota
shtazore e Lumit të Vlorës, krahinës së vendlindjes së tij e më gjerë). Së
pari, ai shkruan se ndjen diçka që do ta shprehë me gjuhën e metaforës, do të
kënaqë veten dhe miqtë e letrave. Pavarësisht nga natyra e tij tërësisht lirike
e bujare, është shumë kritik ndaj krijimtarisë së tij. Poezia e tij, edhe
pse ai nuk rend për ta reklamuar, ka tërhequr vëmendjen e miqve të poezisë, të
studiuesve dhe të kritikëve të letërsisë.
Dritëro Agolli ka shkruar për poetin vlonjat:
“Lirikat e Hiqmet Mehmetajt janë të sinqerta dhe kanë thjeshtësinë e këngës.
Ato nuk janë rritur në serrat e librave, por në livadhet e natyrës. Me këtë dua
të them se autori e ka asimiluar pasurinë shpirtërore të popullit dhe si nektar
e ka shpërndarë në vargjet e tij. Dhe ky nektar u ka dhënë çiltërsinë e
natyrshme, jashtë skenave libreske”.
Nuk mund të le pa përmendur mënyrën e
shkrimit të Hiqmetit, aq të bukur, të rregullt dhe e qartë; bukurshkrim i
vërtetë, model për mësuesit e sotëm.
Veprimtaria
shumëpërmasore u zhvillua në
mjediset e Bibliotekës shkencore "Nermin Vlora Falaschi", Universiteti “Ismail
Qemali” Vlorë të
hënën e datës 25 dhjetor 2023, ora 11:00 me miqtë e penës dhe shpirtit artistik
të qytetit, me miqtë e arsimit dhe Labërisë, tanët e të mësuesit veteran Hiqmet
Mehmetaj , duke kaluar 45' të gëzuara, të këndshme dhe mesazhe të larta
qytetare, arsimore, kulturore, letrare dhe atdhetare.
Veprimtaria 4 gëzime në një ditë me poetin lirik të Vlorës
Hiqmet Mehmetaj, ndër to përurimin e
librit të zgjedhur me poezi të autorit: “Lirika”
u zhvillua sipas këtij programi me kumtesa, diskutime, përshëndetje të lira,
muzikë, recitime të poezive të autorit dhe kushtuar atij:
Moderator: Albert Habazaj
Veprimtaria çelet në një atmosferë të ngrohtë me pjesë
muzikore me violinë nga Elisabeta Aliaj (supriza e takimit)
Fjala e hapjes dhe
kumtesa e parë: Msc. Albert
Habazaj, përgjegjës i Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi”, Universiteti
“Ismail Qemali”, Vlorë dhe Kryetar i Shoqtarës së Shkrimtarëve dhe
Artistëve “Petro Marko” Vlorë: “Hiqmet Mehmetaj, poeti lirik i Vlorës që
thur tingëllima”;
Lejla Gorishti,
mësuese veterane e gjuhës dhe letërsisë shqipe, redaktore: Lirikat e peizazhit
Andrea Petromilo, përkthyes, gazetar dhe shkrimtar me përvojë 55-vjeçare në
botën shkrimore: Zambakët e dashurisë
Enrieta Sina,
poete, shkrimtare, botuese, redaktore: Lirikat
e dashurisë
Eqerem Canaj,
poet, shkrimtar, sekretar i Shoqtarës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro
Marko” Vlorë: Lirikat shoqërore
Delo Isufi, poet
lirik, përkthyes, avokat, pilot
Prof.dr. Bardhosh Gaçe, albanolog
DEKORATA
Ahmet Demaj - mësues
veteran, publicist, shkrimtar, kryetar për degën e Vlorës i Shoqatës Atdhetare
- Kulturore “Labëria” - “Nderi i Kombit”:
Mësuesi, atdhetari, poeti Hiqmet
Mehmetaj dhe Dekorata
Përshëndetje të lira: nga Remzi Gjika
- mësues veteran, shkrimtar; Gjolek Runa -poet popullor nga
Drashovica, vendlindja e autorit: Luto
Memokondi - ekonomist, fabulist,
studiues; Anila Toto - mësuese,
poete; Laureta Petoshati - poete,
shkrimtare, gazetare dhe Zigur Bizhaj,
ish - nxënës i Hiqmetit...
Falënderime nga autori Hiqmet Mehmetaj
Pra, diskutimi i
sotëm, për pjesën e përurimit të librit ishte i profilizuar, ku secili nga
kumtuesit e diskutantët kishte një rubrikë të caktuar, për të mos përsëritur
njëri-tjetrin.
Unë, Albert Habazaj, u ndala veçmas tek tingëllimat e autorit:
Hiqmet Mehmetaj, poeti
lirik i Vlorës që thur tingëllima
Mendoj se vlen të
përmend se për poezinë lirike të autorit kanë shkruar personalitete si Dritëro
Agolli me autograf, 1998; prof. Fatmir Terziu në revistën “Albanian Post”
shkrimin “Specifika e Diskursit të lirikës së poetit Hiqmet Mehmetaj”, Nr. 54,
shkurt 2023, f. 20-21; Mihal Kalia në librin studimor “Përqasje e çoroditur”:
“Hiqmet Mehmetaj (në vëllimin me poezi “Lirika”, Tiranë”; Dudaj, 2019; f. 481- 508, si dhe prof.dr. Bardhosh Gaçe
dhe MSc. Albert Habazaj në gazetat “Telegraf” dhe “Labëria”.
Dy fjalë për tingëllimën.
Tingëllima ose soneti nuk praktikohet shumë nga poetët e sotëm shqiptarë. Është
fjala për poezinë lirike me katër strofa, prej të cilave dy të parat kanë nga
katër vargje e dy të dytat nga tre apo dy vargje, zakonisht
njëmbëdhjetërrokëshe e me sistem rimash të ndryshme. Botërisht njihen dy modele
shkrimore të poezisë lirike të tingëllimës, sonetet e Petrarkës dhe ato të
Shekspirit.
Soneti është një lloj i veprës së shkruar letrare në vargje. Fjala sonet rrjedh nga fjala italiane “soneto”,
që do të thotë “këngë e vogël, këngëz”. Qysh nga shekulli 13-të, soneti
shpjegohet si vjershë lirike prej 14 vargjesh, e ndarë në katër strofa, dy të
parat prej katër vargjesh dhe dy të fundit prej tre vargjesh, zakonisht
njëmbëdhjetërrokësh e me rima të gërshetuara në mënyra të ndryshme; në
shqip i themi tingëllimë. Soneti në letërsinë evropiane është përhapur
falë poezisë italiane, sidomos pas suksesit të madh të veprës së famshme “Canzoniere” (rreth
viteve 1351-’53), të Françesko Petrarkës, e ndërtuar nga një tufë poezish
lirike, në formë sonetesh që lëvdojnë një grua, të cilën ai e quan
Laura. Shekspiri (William Shakespeare: 1564-1616),
shkrimtari dhe dramaturgu i famshëm anglez, përveç tragjedive dhe komedive të
mëdha, ka shkruar edhe sonete (nga vitet 1595 deri vitet e para të 1600-ës).
Struktura shekspiriane e soneteve është kjo: janë tre strofa njëmbëdhjetë
rrokshe (quatrains) me rima ABAB, CDCD dhe EFEF dhe dy vargjet e fundit
(couplet) me rimë të puthur GG, gjë që e bën lehtësisht të dallueshëm prej
strukturës së soneteve të Petrarkës.
Hiqmet Mehmetaj ka
ushtruar profesionin fisnik të mësuesit të Gjuhës shqipe dhe i Letërsisë.
Ndërkohë, përveçse poet i lindur (gjenezën poetike e trashëgon nga nëna), ai
fatmirësisht njohu dhe mësoi mirë teorinë e letërsisë, çka i dha ndihmesë për
poezinë e kultivuar.
Tingëllimat lirike të
Hiqmet Mehmetit sipas modelit të Shekspirit. Për t’u fokusuar sadopak tek soneti i
tij, mund të themi se Hiqmet Mehmetaj, me ndjenjë, me kulturë, me durim ka
realizuar një punë prej artisti në gjetjen e rimave e në ndërtimin e strofave,
në kërkim të ritmeve dhe në kujdesin për të tërën dhe të mjeteve shprehëse.
Vërehet vëmendja që ka për strukturën e tingëllimës dhe në stilin e tij nuk ka
imitim të lëvruesve të sonetit nga autorë të huaj apo shqiptarë. Ka ndikim
formësor nga Shekspiri në të 35 sonetet e shkruara deri më sot nëpër vëllimet
poetikë që ka botuar, por ende jo në një vëllim më vete. Poezia e Hiqmet
Mehmetaj ka karakter lirik romantik, po në mjaft tingëllima spikat prirja drejt
realizmit, përmes trajtimit të motiveve shoqërore, qortimit të veseve dhe
falënderimit poetik të virtyteve humane. Mehmetaj, sot për sot, ende është
lëvruesi i vetëm i modelit poetik të sonetit lirik ndër autorët e Vlorës, por,
mesa dimë edhe në qytetet e tjera nuk duket se soneti është në modë, ndoshta
ngaqë këron një mjeshtëri me shije të hollë artistike dhe disiplinë të rreptë
letrare të teknikave poetike. Pikërisht tipologjinë shkrimore të poezisë së
Mehmetajt e dallojmë sidomos në tingëllimat e tij. Ato janë të tëra të bukura,
ndërtuar sipas strukturës shekspiriane të soneteve: me tri strofa e gjysmë,
domethënë, tri strofa njëmbëdhjetë rrokshe (quatrains) me rimën
ABAB, CDCD dhe EFEF dhe dy vargjet e fundit (couplet) me rimë të puthur GG por,
këtë prezantim të parë të tij me lexuesin, do të veçoja 11 sonete, nga të
cilat: “Të kërkoj ndihmë”, “Brengë”, “Një ambiciozi”, “një
pusht-etari”, “Lulishtari”, “Hëna e lajthive”, “Liria”
janë lirika shoqërore; “Natë dimërore” – lirikë peizazhi; “Rrëfim
rinor”, “Lustraxhiu” dhe “Në dasmën e putanës” – lirika
dashurie. Mendoj se misioni im i thjeshtë si moderator i prezantimit tim
në gazetë të tingëllimave të lirikut të Vlorës e mbyll këtu ciklin, për të
vijuar me shijet artistike dhe estetike që do të shkaktojë tek lexuesi
dashamirës i letërsisë së bukur.
Me të drejtë
shprehet poetja Elma Rama: “Miqësi fjale dhe respekti ky takim”
Lejla Gorishti për lirikat e peizazhit: Me “Lirika” veç të tjerave, Hiqmet Mehmetaj, ka shpallur qysh në
titull kredon e tij poetike, duke spikatur mes poezive me hepatitin e hënës,
viruset e psherëtimave, ofshamat e mallit dhe nostalgjinë e tij, duket sikur
thotë: “Jam një poet me këmbë në tokë, i përkas bashkëkohësisë, patjetër e
përfshij romantikën, dashurinë, por mëtoj se misioni krijues, ashtu si vetë
ndërgjegjja racionale dhe ajo emocionale e shoqërisë së sotme, është mjaft
komplekse.
Prej
këtu buron edhe veçoria e parë e krijimtarisë së tij. Ndoshta prandaj, në
raportin autor - lexues, personalisht them për Hiqmetin se; e lexoj me endje,
me kërshëri, me gjithë qejf, dhe me përqendrim. Po përse me përqendrim? Me
përqëndrim sepse dua të zbuloj ku qëndron shkasi që e ka çuar poetin të krijojë
këtë poezi. Hiqmeti nuk shkruan asnjëherë pa një shkak.
Pasi
zbuloj këtë, kuptoj se poezia e mirë ka kimi të veçantë, ajo lexohet duke ia
dorëzuar jo vetëm shpirtin, por edhe trupin.
Së dyti,
dua të theksoj faktin se frymëzimin e vërtetë, romantiku Mehmetaj, e sheh si
një dukuri me forcë të veçantë, që buron në mënyrë spontane dhe kryesisht nga
bukuria e jetës dhe e natyrës. Pjesën e dytë të librit të tij që poeti e ka
titulluar “Lirika peizazhi” e çel me poezinë “Fllad” kushtuar Drashovicës,
fshatit të tij të lindjes, aty gjejmë vargje përmallimi, për natyrën, miqësinë
dhe njerëzit.
...“Nga yjet e gjithësisë/ Veç një yll në shpirt
më ndrin,/ Është yll’ i zemrës sime,/ Që më fshin çdo ëndërrim”
Në këtë
poezi, ku jepet koloriti i Drashovicës, kemi një idilizim të jetës në fshat,
diktuar kjo nga ndjenja të përmalluara. Te poezia “Më zgjon ndjenjat” kushtuar Vlorës, që në titull lexuesi e kupton
se poetin e pushton melankolia. Ndjejmë në këto vargje ndikimin e romantikëve,
prej së cilës merr shkas frymëzimi i poetit.
Së
treti: Për merita të veçanta frymëzimi, për vetitë komunikuese dhe
muzikalitetin e vargut poezitë kushtuar stinëve “Fillim pranvere”, “Tri
stinëve”, “Dëborë e grisur” dhe “Ti pranverë” apo “Fund vjeshte” ku përzihet malli, admirimi, krenaria, me një bukuri
figurash letrare stilistike dhe ëmbëlsia gjuhe, e çojnë poetin në “Përhumbje”
“Pi ëmbël lëngun e afshit që mbjell,/ Dehem,
përhumbem në pellgun ëndërrim…”
Mendimi
lirik i poetit, përcjell më se njëherë shprehje emocionale të vetvetishme.
Teknika e saktë përcjell shprehje të zgjedhura figurative, në të cilat
mbizotëron metafora, krahasimi, epiteti, i mbrujtur me nostalgjinë e poetit.
Poeti ka një stil të shtruar, me një notë pak a shumë të dukshme nostalgjie,
fjalori i tij poetik është përgjithësisht i zgjedhur dhe me shije.Vetia
kryesore e poezisë së tij është lirizmi, ndjenja e ngrohtë që përshkon vargun”.
Andrea Petromilo në kumtesën e tij u ndal tek lirika dhe
stilistika në penën e poetit, sidomos tek cikli “Zambakët e dashurisë”. “Zhvillimet në fushën e letrave, në këtë
periudhë emëruar pstkomuniste, jan ëtë vrullshme në të gjitha zhanret. Por kjo
nuk do të thotë se në shtrirje qoftë horizontale apo vertikale, në masën e duhur,
gjejmë vlera cilësore. Në sfondin poetik, firmat me sa vëzhgohet, përbëjnë
përqindjen më të madhe, pasi, me sa kuptohet, konsiderohet një zhanër më i
thjeshtë në thurje, paçka se të shkruash poezi, duhet të njohëshligjësitë dhe
elementët e saj, si ritmin, masën, ndjesinë emocionale, mesazhin, figurcinin
artistik, detajin dhe këndvështrimi ndaj tij, etj. Në podin e saj cilësor, janë
të paktë ata që ngjisin shkallët jo vetëm falë talentit, por edhe njohjes së
këtyre elementëve, e për më tepër kur flasim për poezinë klasike, nëse do ta
përcaktonim kështu, e në veçanti për lirikën që nuk mund t’i afrohesh lehtë.
Ata që krijuan maja në kët sort, që jo vetëm i rezistuan kohës, por emrat e
tyre u bënë rrëfimtarë për këdo që do të shkelte nëpër ato shtigje falë talentit
e mjeshtërisë. Poezia lirike është e lehtë - puplore, është flladore, por e nginjur me ndjenjë shpirtërore, të rrëqeth
emocionalisht, të lëbyr vështrimin nëpër rrjedhat e saj. Dua të them, aj nuk
pranon tepëri, nuk pranon zhgarravitjen. Që të shkruash poezinë lirike apo
erotike kërkon”guxim”, flas për një krijues sedërlli, që poezinë e quan poezi,
prodhim të shpirtit të tij e jo një stisës vargjesh bajate deri në vulgarizim,
që nxiton të hedhë në feis buk (facebook), për t’u kënaqur me ato klkime…
Pikërisht ai, poeti sedërlli ka një individualitet, i cili ka formuar portretin
e tij në poezinë lirike. Me sa e çmoj, poeti ynë Hiqmet Mehmetaj, që sot na
vjen në këtë veprimtari mes katër gëzimesh, e ka manifestuar me dinjitet këtë
‘Guxim’. Ai, madje u përkushton ndjenjën e brishtë poetike kolosëve të këtij
sorti, prej të cilëve ka rrëmbyer aromën, veçse aromën, dhe për secilin, ashtu
siç e përjeton ai, u qëndron besnik nga ana stilistikore. Kur lexon poezitë
kushtuar Khajamit, Eseninit apo Bërnsit, e po kështu lirikëve tanë si
Lasgushit, Ali Asllanit apo Çajupit, poeti ynë lirik Hiqmet Mehmetaj, krijon
përngjashmërinë me individualitetin dhe bukurinë e vargut. Ja si shprehet
Hiqmeti: “Mbrëmjeve prehem mbi vargjet e
tua/ nga brigje të thera ti zë e më flet/ për
verën brusko dhe çupëzat mua/ më bën ziliqar dhe në atë jetë”. Sa
origjinal! E si mesazh respekti, ai e mbyll poezinë: “Eh, dashnor i ngjyer në çupa,/ vaditur me poçen e verës Azi/ më ndez
dhe mua “të Shuarin” me kupa/ mbi varr do vij të t’nde znjë qiri”.
Pa
asnjë plagjiaturë, mjeshtërisht nga ana stilistikore, poeti ynë, kuptohet se ka
arritjen pa stonaturë duke përdorur disa detaje individuale të poetit të madh.
Kur lexon vargjet si: “Si kallami në mes
të lumit/ e shkove jetën rrahur prej tufanit,/ veç vajzat i ngroh në ëndrrën e
gjumit/ si ato të dyshekut e jorganit”.
Kush e
njeh poezinë e Bërnsit, a nuk thotë se enkas në ngjashmërinë stilistikore,
poeti ynë ka përcasktuar teknikën e këtij poeti të madh skocez? Në poezinë “Huliganët” me vargjet: “Veç atje ku prehesh ti, o mik, s’e di/ që ka
“Huligan” dhe në Shqipëri?”
Poeti
flet shqip dhe me lirikun e madh rus. Poeti ynë zotëron lirikën me gjithë
tekinaën e tij, prandaj si një xhongler i mirëfilltë ai nuk hoziton të provojë
sortet që nga ana stilistikore bëjnë dallimin në përcaktimin e
individualitetit. Le të lexojmë vargjet e tij: “Kënga e lirës mendimtare/ buzëqesh në vargun argjëndor,/ pikon në
zemrat lozonjare/ ylli i mëngjesit pranveror”. Dhe thua, ja adhuruesi i
lirikut tonë të madh Poradecit, si i këndon me gjuhën dhe stilin e tij: “I plagosur, i drobitur/ në brigjet e tua
larg/ mes helmesh e dëshpërimesh/ pena të pikoi gjak”. I drejtohet Çajupit,
pa iu shmangur stilit çajupian.
Hiqmet
Mehmetaj është një poet lirik i mirëfilltë, që ligjësitë strikte, q ëi japin
finesë, tipiken e këtij sorti që të ngacmon emocionalisht me rrjedhën e qetë të
kënaqësisë, është Zot i saj. I shpreh urimet më të mira dhe suksese. Arriftë e kaloftë të 100 vitet për të na
dhënë freski vargjesh!
Enrieta Sina për lirikat e dashurisë: Të lexosh vargjet për dashurinë të poetit
Hiqmet Mehmetin shpirti dallgëzon e veten e gjen në ëndërrime dhe emocione të
bukura drithërruese të jetës. Kësaj ndjenje që lind dhe rilind njerëzimin, që
shkumon brenda teje si dallgë derisa puth bregun, i kanë shkruar dhjetra e
qindra poeti në botë nga kohët e hershme e në vazhdim në ditët tona.
Nga
brezi në brez shumë vargje apo thënie të mëncura nga filozofë apo sociologë por
dhe në perifrazim nga shkrimtar të njohur që janë shfaqur ndër breza kanë
mbetur në kujtesë dhe jo vetëm, janë shpërndarë me aromën e tyre jetësore në
botë. “Dashuria sundon gjithçka dhe ne vetë i nënshtrohemi dashurisë” - shkruan
Virgjili. Dhe po kaq bukur shkrimtari që përshkruan në veprat e tij botë
shpirtërore të personazheve që lyhen me penën e ylbertë forcën e kësaj ndjenje,
Leon Tolstoi citon: “E mira e njeriut qëndron te dashuria, siç qëndron në
rrezet e diellit fruti i një peme”. Thënia e Tagorës: “Le t’u lëmë të vdekurve
lavdinë e përjetshme, le t’u japim të gjallëve dashurinë e pavdekshme”, do të
thotë shumë.
Dashuria
është dhe mbetet poezia më e përsosur e natyrës. Është mëkat që lulëzon vetëm
një herë si dhe disa lule të rralla, por dashuria nuk mund të jetë e thellë
nëqoftëse nuk është e pastër dhe mund të them dhe se një dashuri e kufizuar
është një dashuri e mbaruar. Druajtja është një mëkat i madh ndaj dashurisë
sepse zemra derdh tërë afshin e saj në cdo gjë që dashurojmë.Në lirikat e tij
të mrekullueshme, të njohura nga unë qysh para tridhjet viteve emocionohesh dhe
gjen të bukurën në jetë, atë pa të cilën jeta nuk do të kish kuptim. I gjithë
libri përshkruhet bukur dhe ideoet nga kjo ndjenjë.Tek poezia “Amaneti i ëndrrës” prezantohet kjo
ndjenjë fuqishëm qysh në strofën e parë: “Në
ëndërr një miku i zemrës më tha:/ “Mos
hiq dorë nga çupëzat, im vëlla/ Lodro. Harlisu, puthi, qerata/ Se në botën
tjetër ku fle unë, s’ka”…
Më
poshtë:
“Dhe atëherë i qetë do të rri/ Kur t’ia
përmbush mikut këtë porosi/ Me vashat hyjnore në
vargjet e mia/ Si
lëndinë prilli të çelë poezia”…
Dhe
vërtetësisht në këtë cikël për dashurinë kënaqësia është ajo që të shoqëron në
çdo poezi, strofë dhe varg. Përdorimi i figurave letrare në funksion të idesë
dhe ndjenjës të shpalos një botë të pasur tek e cila mbetesh i mrekulluar.
Tek
poezia “Rrëfim rinor” veçoj: “Pashë një pyll si rrallë ndonjëherë/ Peizazhe, pemë, fruta erë parfum/ Pashë syrin tënd, hapësirën qiell/ Në atë natë pranverore fatlumë!”
Gëte,
Gibran, Esenin, Berns por dhe shumë poetë shqiptar të periudhës së Rilindjes
deri më sot do ndalnin e do të lexonin vargjet për dashurinë nga poeti yne
Hiqmet Mehmeti.
Tek
poezia “Ti më ike” dashuria tregon
dhimbjn që lë: “Kaluan stinët, unë i
vetmuar/ U kota për aromën e
pjeshkës/ Nga pritja e gjatë u ndjeva
i gjymtuar/ Si drurët gjetherënë të vjeshtës”`
Interesante
poezia “Në dasmën e putanës”: “Ai ujë që zgjodhe për t’u futur/ Ty në atë filaqi do të çonte/ Epshi yt i papërmbajtshëm, i shthurur/ Trupin brilant bloza do ta mbulonte”.
Poezitë
në vijim si: “Ti dashuri”, “Cigania”, “Inati i pyllit”, “Vejusha
lozonjare”, “Zemër e shkulur”,
etj. përmbajnë ide të përshkruara me art që përcjellin të tjera emocione
dashurie,
Dhe
në fund të shprehjeve që përcolla për këto vargje aq të ëmbla dhe plot jetë e
dritë po e mbyll me: “Përmbi gjoksin tënd
shtëpinë kam ngritur/ Kjo botë pa ty
nuk më vlen asnjë grimë/ Ndjesë pastë Khajami shpirtndritur/ Për aksiomën që nuk do vërtetim…”
Eqerem Canaj u përqëndrua tek lirikat shoqërore, që si
cikël përbëhet nga 33 poezi në 44 faqe. Sipas Canajt, në ciklin e lirikave shoqërore,
i cili, natyrshëm është më i rëndësishmi i vëllimit, spikasin tre tipare: 1. Ndjesitë estetike: Duke lexuar të 33
poezitë me temë shoqërore, kuptova ca më mirë ndjesitë poetike të autorit mbi
njeriun dhe marrëdhëniet e tij me prodhimin, ku ky i fundit si concept
filozfik, ka karakter shoqëror. Pra, sipas kësaj analize, poeti ynë me një
koncept të qartë filozofik mbi jetën dhe njeriun si pjesë e shoqërisë, e cila
paraprn zhvillimin, autori i ka kushtuar domosdoshmërinë poetike, si te
poezitë, veçanërisht: “Çelësi”, “Kënga ime”, “Bilbili”, “Atdheu”, “Vesi”, “Pendim”, “Pseudomiqtë”, “Një pushtetari”, “Lulishtari”, “Të gjitha vonë”,
“Me turkeshën e Ditëroit” etj.
Thotë
poeti: “Jetën e lava me lotin e
dëshpërimit/ Në detin-lot u mbyta si askush tjetër/ Veç çelësin magjik të
stinës së trëndafilit/ E ruajta në arkën time të vjetër” … te poezia “Çelësi”.
Kësisoj,
në mjaft poezi, që përbëjnë tipiken e autorit në fjalë, ndjesitë estetike
tundojnë mbi ndjenjat e lexuesit të gjerë.
2. Përsosmëria poetike, si shprehe e
modernitetit bashkëkohor: Sipas konceptit tim poetik, poezia modern
ngrihet, zhvillohet mbi standardin poetik të vjershërmit të traditës, duke
shpërfillur teprimet standard në lidhje me vargun, rrokjet, pikësimin, duke rinovuar
sistemin figurative në shërbim të ndjesive shpirtërore te lexuesi. Mendoj se
kjo tufë poezish, që përbëjnë pjesën e parë të lëndës poetike të autorit
Mehmetaj, elementët e modernitetit poetikbëjnë dukje pozitive në tematikën e
larmishme e të veçantë njëkohësisht, në përsosjen e teknikës shkrimore, stilin
e figuracionin. P.sh., poezia “Të gjithë
vonë”: “U lodha për të tjerë/ martesa vonë/ fëmijët vonë/ telashet s’më
mbaruan/ mbase dhe vdekja/ do të vijë vonuar/ që të shijoj/ vonesën e vonuar”.
Pra kjo poezi, me një mesazh të fuqishëm e tronditës (pasi prapa fjalëve të
thjeshta zbulohen dramat kohore), një paraqitje moderne e pastër. Kështu
nënvizojmë idenë e mësipërme: përsosmëria poetike mbetet dukuri e poezisë
bashkëkohore. Ky vëllim, mendoj, meriton qenësinë e poezisë bshkëkohore.
3. Kapja poetike dhe stilistika: Poeti
Hiqmet Mehmetaj, duke shfrytëzuar jetën moshore, si dhe influencën
bashkëkohore, realitetin faktik, të përthitur si sfungjeri ujin, përmes
vetëdijes krijuese, e ka derdhur artistikisht në lënëdën që po trajtojmë. Kapja
e tij poetike ka qenë përzgjedhëse, analitike dhe motivuese, çka mirëpritet me
interes tek lexuesit dashamirës.
Delo Isufi u shpreh:
Lexoj vargje tek të tjerët dhe ka raste që i kthehem vargut, në disa raste për
të gjetur mesazhin, ndërsa për poezitë e Hiqmetit, kthehem për të shijuar
melodinë e vargut. Me poezinë e tij, ai lodron nëpër lule, shetit nëpër yje
dhe, jo pak raste e xhelozon edhe hënën: “I
thashë hënës: “Mbylli sytë”/ Fola fort të më dëgjonte./ “A kupton që sytë e
mikes/ të verbojnë dhe ty sonte?”. Poeti e ngjyen penën në ujin e kristaltë
të detit të Vlorës dhe me të qëndis vargje në kartën e qiellit. Poezia e tij
është pranverë.
Bardhosh Gaçe bëri një diskutim mbi botën letrare në Vlorë
dhe vendin e autorit në këtë detashment të dritës shkrimore. Ai tha: “Në botën
letrare të Vlorës, përgjatë një shekulli, Vlora ka spikatur në një livadh të
madh e të blertë të shpirtit të vet lirik. Në këto lëndinapoetike, kahas Ali
Asllanit, Fatos Arapit, Nexhat Hakiut, Eqerem Canajt, Delo Isufit, Albert
Habazajt, Thodhori Babes, Theodhori Prokos, Pajtim Xhelos, Namik Jahajt dhe
Enrieta Sinës, si një trëndelinë në shkëmb buzë lumit të Shushicës, ka qëndruar
përherë poeti i talentuar Hiqmet Mehmetaj.
Pas kaq
vitesh krijmitari, edhe pse pa asnjë thinjë në lirikën e tij të dashurisë, ai
vjen para nesh, po m eatë nerv idilik, po me atë shpirt fisnik, po me atë verb
poetik, të një frymëzimi që flladitet san ë poezinë tonë popullore, sa te
krojet e Ali Asllanit, aq dhe te harku i ylberit të Eseninit, apo Saadiut dhe
poetëve persë, që ai i ka për zemër.
Mbi të
gjitha, Hiqmet Mehmeti është një poet original, i cili i ka folur kohës dhe
njerëzve me zërin e vetë. Herë-herë, vargu i tij poetik më duket se rrjedh si
krojet, pa zhurmë, por me shushurima. Në këtë cast më sillen ndërmend disa
fjalë të mësueses së parë poetike, Feridesë, nënëns sëë tij, jo sit ë gjitha
nënat, por nënë që kuvendonte me bashkëfshatarët në Drashovicë dhe me të huajt
nga Italia, Anglia e Norvegjia, me filozofinë e thellë popullore, por edhe në
gjuhë të huaj - italisht: “Njeriu, more bir, lind e rrit fëmijë. Po fëmijët
janë si burimet. Sa nxjerrin kokën nga mali, marrin rrëketë e shkojnë në lumë.
Ata e gjejnë rrugën për të vajtur në det me mendje…”
Kështu
edhe lirika e Hiqmet Mehmetajt ka kohë që shtegton në gojën e nxënësve që dha
mësim 40 vjet, në gojën e kolegëve, poetëve, por edhe dashamirësve të tjerë të
letrësisë dhe artit.
Bota
motivore dhe tematike e këtij liriku është e gjerë dhe e thellë. Vetëm 6
vëllime poetike ka nxjerrë në dritë poeti: “Shqipëri,
pse s’të zë gjumi”, “Ëndrrat e
trëndafilit”, “As dielli s’më
përshëndet”, “Nata e lofatës”, “Vajza e ujvarës” dhe “Lirika”. Një punë e kursyer, me vargje
të gdhendura si me daltë, (dihet që në Drashovicë ka edhe gurore, edhe mjeshtra
të mëdhenj të gdhendjes së gurit), por siç duket mësuesja e vjetër ka vdekur,
redaktorja e re është pak sqimatare [kumtuesi e ka fjalën për bashkëshorten e
autorit, farmacisten Nazo Arapi; shën. im: A.H] . Habitem me Albert Habazin, ai
sa herë kanë ditëlindjen poetët, përuron ndonjë libër të ri, po kësaj herë, siç
duket, i bën homazh nderimi një monumenti lirik, duke lënë në pritje vëllimin e
ri…
Hiqmet
Mehmetaj është lirik në të katër horizontet e jetës, edhe kur u këngëzon
stinëve, kur bisedon me valët e lumit a të detit, kur përqafohet me flladin, në
fund vjeshte a në dimër.
Në
shpirtin e poetit qysh në adoleshencë kanë çelur “Zambakët e dashurisë” me Omar
Khajamin, Robert Bërnsin, Eseninin, Lasgush Poradecin, Çajupin, Ali Asllanin,
ku baret me amanetin e ëndrrave, por edhe të zhgjëndrrave. Ai përqafohet si Ali
Asllani, puthet si Omar Khajami, rebelohet si Esenini, por përherë shfaqet “me
buzën në gaz, me ledhe e pekule” jo vetëm për të gjallët, por edhe për të
vdekurit.
Lirika
e Hiqmet Mehmetit s’është si ajo e ca poetëve të tjerë, që shpejt bien në
“grackat e laraskave”, pse leqet e metaforave dhe personifikimeve, shpesh e
shohin bukurinë të përlotur, apo në ikjet e “braktisjet”, “Ti më ike në rrugën pa kthim/ vjeshtën gjetherënë le si kujtim”.
Poetit i pëlqen “Strehëza e lofatës”,
“Lisi i veshur me gjethe”, “Inati i pyllit”, “Vejusha lozonjare”, “Cigania”,
“Hëna e lajthive”, “Turtullesha”, “Lotët e shpresës”, i mungon Rrufeja, nënë Rrufeja në Llakatund,
etj.
Një
tipar tjetër qytetar i lirikës së Hiqmet Mehmetit është lirika shoqërore dhe
ajo e peizazhit. Frymëzimi i poetit flladitet në zallin e bardhë të Shushicës,
brigjet me ullinj të Drashovicës, tek-tuk ka edhe ndonjë fyell, zile, këmborë…
ka meditime e përhumbje, ka gjahtarë dhe netë dimërore, por e pranishme është
edhe Vlora me detin magjeps, dhe ju lutem mos e bëni Hiqmet Mehmetin si në
kohën e Zef Seremben që humbiste në fshatrat Kalabrisë, pra është më modern.
Drashovica
ka nxjerrë kapedanë, luftëtarë, mësues populli, blegtorë, agronomë, mjekë,
ekonomistë, oficerë, por ajo ka nxjerrë edhe poetë si Hiqmet Mehmetaj, Pelivan
Barjamaj, Gjolek Runa, dhe Ermal Hoxha. Ne i falënderojmë të gjithë këta.
Anila Toto: Libri i tij “Lirika” promovohet sot nga
miq e krijues, njerëz që e duan artin, poezinë, njerëz të penës. Natyrisht ka
një kontraditë ose një afri midis Ditës së Krishtlindjeve dhe
promovimit të librit të z. Hiqmet, ose rrugët e Zotit janë të pafundme! Të
pakufishme, humane! Gjithsesi... Ky libër me 145 lirika e rreth 150 faqe, me
redaktim të prof. dr. Bardhosh Gaçe, me muzë aktoren e mirënjohur Hajrie Rondo,
mban brenda vetes disa botë në një botë. Kemi lirika shoqërore, lirika
peisazhi, zambakët e dashurisë, lirika dashurie, dhimbje, natyrë, shpirt.
Në
lirikat shoqërore libri nis me poezinë “Çelësi”. Autori
duket se pas një periudhe dëshpërimi kërkon në rrugët shpirtërore për të
mbijetuar. E ndalesa e tij është poezia. Çelësi
magjik që zbërthen ndjenjat më të bukura, romantikën shpirtërore, estetikën
poetke. Pastaj autori vazhdon me poezitë “Kënga
ime”, “Udha e lotit”, “Poçja e brengës”, “Nëna”.
“Ngushtë ndihem të thurr vargjet e tua/ se para Eseninit nuk mund
të flas dot./ Veç ti je kënga, e madhërishme për mua,/ hyjnore perëndeshë në
këtë botë”.
Kemi
një thyerje me poezinë “Gjysmëshekulli im” dhe “Brengë”:
“Me fijen e brengës dergjem i mekur/ Një fije
shprese a kam për ta gjetur?!”
Me
këtë retorikë autori na jep mesazhin se ai dyshon tashmë. Gjithë këto dhimbje
që ka kaluar në jetë, kjo botë me kaq shumë probleme të pushteteve, keqësi
dhe çnjerëzim a do të bëhet vallë ndonjëherë një botë më e mirë?
Prandaj
kalon tek poezia “Bilbili” ...ku ai
nëpërmjet simbolikës dhe paralelizmit figurativ, kërkon të ndihet një shpend i
lirë.
“Vetëm me zërin tënd pylli sigurisht/ do
ta ndiente veten tepër të trishtë”.
“Ah, Atdhe/ Je diell, je sofër/ Je
ëndërr, je lot./ Je gur, je gur/Je baltë, je baltë,/ Shtroje
përjetshme/ Ku do të shtrij krahët”.
Sido të
jetë Atdheu është shtrati i ndjenjave tona më të bukura, është shtëpia jonë.
Pastaj vijojnë lirika e peizazhit të bukur natyror.
“Ju falem juve ullinj paqësorë/ Ju limona portokalli, er'kundërmim./ Ty o det i kaltër i syrit
tim gaztor,/ Ju o fllade dhe kopshte të shpirtit tim”.
Si
dhe poezia “Vala”: “Rrëmbemë o valë, o muza ime,/ Ma vish
brengën me mantelin kujtime!”
“Mallkuar qofsh, o gjahtar tinëzar/ Që atë
muzgmbrëmje të përgjumur/ Godite kaprollen në brinjë, o zuzar,/ Dhe gjymtove
rëndë pyllin e bukur! / Tok me të qau dhe pylli i shkretë / Vajtoi
gjatë për drenusha e pastër/ Nga ti o shpirtlig që more një jetë/ Me dorën
tënde vrastare, të ashpër”.
Ka
një botë shumë të ngarkuar në këtë libër. Dhimbje, fenomene shoqërore që lënë
dhimbje, ndjenja të prekura e të lënduara, pafuqi për të ndryshuar realitetin.
Etje, dashuri për jetën, lumturinë e munguar, paqen, botën. Por, në botën
e autorit duket që kanë ndikuar autorët Kahjami, Bërns, Esenin, Poradeci,
Çajupi, Ali Asllani etj.
Poezitë
e dashurisë vijnë të çiltra, të thjeshta me ndjenjat e tyre djaloshare.
“I thashë hënës: “Mbylli sytë"/ fola fort të më dëgjonte,/ “A kupton që sytë e mikes/ të verbojnë edhe
ty sonte?”/ Zemra nuk më qetohet/
Natën i lutem një ylli/ Syri i ndezur më verbohet Nga një manushqe prilli./ Do
t'ia mbledh pikat e vesës/ Në një gotë do pi të dehem,/ Dhe nëpër lotët e
shpresës/ Mëngjesit do të ushqehem”.
Poeti
vazhdon me poezinë “Loti i qerpikut”,
“Vajza e ujëvarës”, “Nëpër ëndërr”, “Ju vajza që ëndërroni”, “Dashurisë”,
“Xhelozisë”, “Tradhëtisë” e kështu me radhë. Dashuria e poetit për natyrën,
pemët, qiellin, tokën, detin, njerinë, femrën, gotën...
“Me syrin e qelqtë ajo qesh me lot:/ Mik nuk
je gabuar, jam binjakja gotë”!
Hiqmeti
ka punuar mësues Gjuhë - Letërsie, por pasioni për poezinë është e kuptueshme
që nuk e ka lënë kurrë të qetë. Duket sikur është binjakja e tij, shoqja, këndi
ku qetëson shpirtin. I pakursyer në figurat letrare shumë të zgjedhura dhe të
lëmuara me kujdes e dashuri. Libri ka edhe tek - tuk përsëritje të vogla apo
poezi që duhen koncentruar, por ndjenja të bukura e hyjnore përcjellin çdo faqe
e të zbukurojnë shpirtin. Vlora nuk shterr nga poetët!
Ahmet Demaj u shpreh se me krijimtarinë letrare të
Hiqmetit është njohur para 5-6 vjetësh nëpërmjet një botimi të mësuesit të
dalluar të Vlorës Mihal Kalia, një përkushtim shumë dinjitoz dhe një studim
shumë bindës për mua që e njoh pak letërsinë.
Nga ajo
që kam lexuar tek Hiqmeti dhe nga ajo që lexoj tek shkrimtarë të tjerë, mua më
pëlqejnë këto kritere tek letrarët: - Nga njerëz të mirë pret krijimtari të
mirë. I tillë ëshë Hiqmeti, që e lexoj dhe e respektoj. - Nga njerëz qytetarë
pret një letërsi dhe krijimtari edukuese, që të ndikojë sadopak me ndjenjat dhe
me mesazhet që jep qytetarëve të tjerë, ndoshta edhe ne që jemi të moshës së
Hiqmetit, e aq më shumë tek brezi i ri. Sepse bën një letërsi, prandaj Hiqmeti
respektohet.
Mendoj
që në fund, gjithë krijimtaria e një krijuesi shpreh botën e brendshme të tij.
Bota e Hiqmetit, mua më duket shumë e pastër, prandaj dhe poezia e tij është
shumë e kapshme, nuk ka nevojë të bësh përkthim për përkthimet në shqip, (shqip
- shqip), siç ndodh ca poetë të tjerë. Prandaj edhe për këtë kriter dhe
krijimtari të Hiqmetit, ne e falënderojmë.
Ne, si
shoqatë “Labëria”, jemi një shoqatë atdhetare kulturore dhe për të gjithë ata
njerëz pa bindje politike, pa përkatësi fetare, por për njerëz që nxitin
aktivitetet patriotike dhe kulturore, ne pranojmë propozimet për t’i nderuar si
shoqatë “Labëria”. Është ky qëllimi ynë i sotëm, që në pragun e 80- vjetorit,
duke i uruar një ditëlindje të gëzueshme dhe një jetëgjatësi të devotshme si lab,
është vlerësimi që i bëjmë sot si Labëri, mësuesit, veprimtarit të shoqatës
“Labëria”, sepse ka qenë i angazhuar dhe vazhdon të jetë në të gjitha
veprimtaritë tona”.
Propozimin
për nderimin e merituar, por të vonuar të këtij personaliteti të njohur në fushën
e letrave, të arsimit dhe edukimit atdhetar në Vlorë me kontribute të dukshme
në veprimtari kulturore, letrare dhe atdhetare në Gumenicë, Drashovicë, Kotë,
Vlorë e gjetkë, e ka bërë kohë më parë Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve
“Petro Marko”, Vlorë. Zoti Ahmet Demaj, kryetar i degës së Vlorës për shoqatën
“Labëria” i dorëzon çertifikatën dhe dekoratën “Mirënjojha e Labërisë” me motivacionin: “Z. Hiqmet Sulo Mehmetaj. Për
kontribute të shquara në fushën e asrimit si mësues dhe drejtues për 40 vjet. I
dalluar në veprimtaritë e Shoqatës Atdhetare - Kulturore “LABËRIA”, si aktivist
dhe i zgjedhur në drejtimin e saj. Është i njohur në LABËRI si botues i 6
vëllimeve me poezi. Kryetari prof.dr Ago Nezha”
Remzi Gjika, ndoshta është i vetmi që e ka njohur Hiqmetin
që në fëmijërinë e hershme, prandaj shprehu
gëzimin e tij për mikun e vjetër, bashkënxënësin, kolegun, me të cilin ka
komunikim këtu e 60 vjet, falë Drashovicës, vendlinjdes së dytë.
“Unë e
kam dalluar nervin e tij letrar - tha Gjika- , sepse ai ishte i afishuar në ato
këndet letrare të klasave dhe shkollës “Letrari i Ri” dhe ai shkruante. Kishte
nerv shumë origjinal deri sa erdhi në këtë kohë si personalitet i lirikave.
Hiqmeti është njeri me shumë kulturë dhekjo duket, ai me lirika e tij i ka rënë
tërë kontinenteve mbarë e prapë, sepse iu është reflektuar shumë krijuesve të
botës. Unë një gjë dalloj tek Hiqmeti, te koncepti i tij filozofik: Zoti është
në qiell dhe njeriu është zot në tokë. Këtij koncepti i është përmbajtur dhe ka
vënë në fuqi një mekanizëm universal që është dashuria, sepse dashuria është
universale dhe është motori i jetës. Prandaj, duke iu referuar këtij koncepti
të tij filozofik, ai ka bërë që të bisedojë me bimët, të flaës me lulet; t’u
japë atyre zë, t’u japë atyre mesazhe, që është një gjë e veçantë në lirikat e
tij dhe shumë e këndshme. Atyre, t’u kthehesh disa herë, nuk mërzitesh, sepse
janë me një gjuhë të thjeshtë e me shumë kulturë. Është tamam ajo që ka përcaktuar
Agolli, që ky nuk është një krijues i serave, por është një njeri që ka lindur
atje, është rritur me frymën e dashurisë, dhe siç buronte ai, lumi i Shushicës,
ashtu dhe këtij buronin mendimet. Fati e
pruri që nga bashkënxënës të bëhemi dhe kolegë. Unë i kam pasur gjithnjë
marrëdhëniet me të, sepse ky është një njeri shumë, shumë i respektueshëm dhe
bën që të rezervosh për të një respekt të veçantë. Unë jam shumë i gëzuar që
marr pjesë në këto gëzimet tij dhe shpresoj që ai do t’i sfidojë vitet dhe do
të shkruaj në këtë linjë që ka, për ta bërë dashurinë vërtet një motiv dhe për
të dhënë atë mesazh që njerëzit të jetojnë jetën ashtu siç vjen, me të gjitha,
patjetër ashtu siç meritohet.
Unë kam
veçuar disa nga poezitë e tij që më kanë bërë përshtypje,por do të citoj atë ku
Hiqmeti trajton personalitelin e vetë : “Jam
një bredh në shpat mali/ nuk jam myshku i kënetës,/ por jam këngë, muzik’ e
gjallë/ jam nektar i së vërtetës”. Me të vërtet, ky mbetet një njeri
krenar, nuk është njeri që zvarritet, por është një njeri me personalitet dhe
kjo e bën atë ndër lirikët më të nderuar.
Luto Memokondi ia
njeh qysh herët poezinë e Hiqmetit, se i ka lexuar të gjitha librat e tij dhe,
me humor, u shpreh: “Te “Lirika” ka
shkruar edhe për arixhofkat e Llakatundit. Kujdes, mik i dashur, kur shkruan,
se ha gol në minutën e fundit...”
Zigur Bixhaj
bëri përshtypje me fjalën e tij mirënjohëse për autorin dhe tha se Profesor
Hiqmeti ka qenë mësuesi im shumë i nderuar, por nuk është vetëm ish-mësuesi im,
ai është ende mësuesi im edhe sot e kësaj dite, që jam vetë me thinja...
Falënderimi i autorit: “Të nderuar miqtë e mi! Së pari, ju uroj ditën e
shenjtë, Krishtlindjen! Së dyti, ju falënderoj për nderin dhe kohën qq më
kushtuat me pjesëmarrjen tuaj në përurimin e librit tim përmbledhës me titull “Lirika”.
Në këtë sallë jemi mbledhur shpesh dhe kemi
shkëmbyer mendime, kemi përfituar nga njëri- tjetri, ndaj këtë sallë e quaj
faltore, kishë, xhami apo teqè, si bekim i Zotit. E përmend këtë fakt se janë
disa njerëz, humanë në universitetin “Ismail Qemali” Vlorë, që na i kanë
krijuar këto mundësi.
Falënderimet i kam të shumta, por emocionet
që më kanë kapur me këtë rast, nuk më lejojnë të shpreh ato që ndjej.
Falënderimi i parë shkon i takon atij që e quaj “Dora e ngrohtë”, ku para 30
vjetësh më zgjoi nga gjumi i gjatë letargjik, më përmendi dhe, jo vetëm kaq,
por më bëri mik me miqtë e tij, me të mëdhenjtë e letrave shqipe, si me
Kadarenë, Agollin, Fatos Arapin, Xhevahir Spahiun etj. Ky njeri që më përmendi
është Profesori i nderuar Bardhosh Gaçe. Faleminderit profesor, redaktori i 6
librave të mia poetike.
Në rrugëtimin tim të poezisë, kam pasur
edhe një “çekiç”, ku me daltën e tij është munduar të më gdhendë, por përsëri
mbeta i pagdhendur, ndaj kam marrë prej tij edhe titullin “Dembeli i
talentuar”. Ky personazh quhet Albert Habazaj. Faleminderit Berti, do ta
plotësoj dëshirën me një vëllim poetik me titullin “Dembeli i talentuar”.
Koha s’është e mjaftueshme për t’u
falënderuar një për një, por dua sa më shkurt të përmend disa që më kanë dhënë
frymëzim në krijimtari, sidomos miqtë e mi intelektualë:
- Falënderoj Profesor Mihal Kalia për
profesionalizmin e analizës së thellë të poezisë sime.
- Falënderoj organizatorin, mikun tim
Albert Habazaj që ka qenë aq i vëmendshëm ndaj meje, si dhe mikun tjetër poet,
avokat, poliglot Delo Isufi.
- Falënderoj poeten lirike të shquar znj.
Enrieta Sina.
- Falënderoj profesoren e nderuar Lejla
Gorishti, si dhe mikun tim të vjetër shkrimtarin Eqerem Canaj
- Falënderoj shokun tim të fëmijërisë e rinisë,
mësuesin intelekual Remzi Gjika, që më ngjalli nostalgji në kohë të ndryshme.
- Falënderoj të nderuarin Andrea Petromilo, dashamirësi im i
lirikave.
- Falënderoj miqtë e kolegët Ahmet Demaj, Lejla Kripa, Anila
Toto, Alma Sinan Feruni, Laureta Petoshati, Zamira Agalliu, Luto Memokondi,
Nuredin Veshaj, Fatmir Kreshpa, Fatbardha Troqe, Elisabeta Aliaj e Vjolla
Aliaj.
- Respekte për pjesëmarrjen e ish - nxënësve dhe
kolegëve të mi, që më resektuan në këtë takim të mrekullueshëm.
Falënderoj bashkëfshatarët e mi: Luter Nuraj, Zigur Bixhaj
(ish nxënës), Remzi Bushaj, Gjolek Runaj, Maksim Runaj, Myzafer Zanaj që me
praninë e tyre në këtë takim të bukur e me vlerë më dhuruan kënaqësi të
veçantë.
Një falënderim i veçantë i shkon redaktorit tim i të 6
librave të mi, prof. dr. Bardhosh Gaçe.
- Falënderoj gjithë të pranishmit, të cilët morën
pjesë në përurimin e vëllimit poetik me titull “LIRIKA”, si dhe datëlindjen time
dhe vlerësimin!
- Falënderoj Shoqatën Atdhetare - Kulturore “LABËRIA” me
qendër në Tiranë, për dhënien e titullit: “Mirënjohje e Labërisë”!
Mirënjohje familjes sime, bashkëshortes Nazo dhe dy djemve
tanë Neritan dhe Drini, (Neri është edhe piktor i librave të mi).
Ju uroj nga zemra festa të gëzuara dhe viti 2024 qoftë viti i
realizimit të dëshirave tuaja! Gëzim e lumturi p?r çdo familje! 2024-a bleroftë
në zemrat e çdo shqiptari!
Edhe një herë Ju faleminderit!”
Udhëtim të mbarë, të këndshëm e të kënaqshëm
drejt lexuesit, o Liriku ynë i tingëllimave, i poezive të dashurisë e të
zambakëve të saj, të peizazhit e të lirikave shoqërore! Begati shëndetësore,
letrare, patjetër dhe financiare, o
mësues dhe poeti i lirikave sqimatare Hiqmet Mehmetaj!