Kulturë
Vlash Prendi: 'Prushi i Bukurisë' - Një monument shprehës poetik
E marte, 05.12.2023, 08:53 PM
“PRUSHI I BUKURISË” – NJË MONUMENT SHPREHËS POETIK
–
Rreth veprës poetike “Prushi i Bukurisë” të Anton Nikë Berishës –
Nga
Vlash Prendi
Sipas
Besëlidhjes së Vjetër, e para ishte fjala, kur asgjë tjetër nuk ekzistonte para
saj, prandaj fëmijë dhe të rritur, intelektualë, besimtarë, ateistë etj. e
përdorim fjalën në çdo kohë. E përdorim kur komunikojmë, kur mendojmë, në
shtëpi, në punë dhe në shoqëri. Ajo është pjesë e karakterit, shprehje e
kulturës dhe edukatës sonë, e domosdoshme në jetën shoqërore; është jetike, e
pakrahasueshme, kur flitet, shkruhet e madje edhe kur heshtet.
Parë
në këtë këndvështrim, themi se vepra e Anton Nikë Berishës “Prushi i bukurisë”
– përsiatje poetike për artin e fjalës, është me vlera të shumta e të
rëndësishme poetike.
Jemi
takuar disa herë me prof. Antonin, kemi biseduar për letërsinë, për
krijimtarinë, për njohjen e veprave të ndërsjella letrare mes Kosovës dhe
Shqipërisë, që padrejtësisht qëndruan të ndara për shumë vite, e në një ndër
këto takime patëm shkëmbyer edhe libra, mes të cilëve më tërhoqi vëmendjen
vëllimi me poezi “Prushi i bukurisë”, libër kushtuar artit të fjalës, një
ndërmarrje e guximshme kjo, por jo e paarritshme për poetin Anton Berisha, falë
aftësisë dhe përvojës së tij të gjatë në krijimtari.
Në
fakt prof. Antoni e ka njohur artin e fjalës nga koha e rinisë dhe ka një jetë
të tërë që punon me fjalën, që komunikon përmes saj, veprimtari të cilën ia
diktoi puna, në fillim si punëtor shkencor në Institutin albanologjik të
Prishtinës, pastaj profesor në disa universitete, sidomos në Universitetin e Kalabrisë, në Itali, ku
qëndroi mbi 23 vjet.
Vepra
në fjalë është një monument poetik shprehës, që vjen tek ne përmes vargut
mjeshtëror, dialogëve të supozuara të autorit me fjalën, përmes qëndisjes së
natyrshme të vargut, gërshetuar dhe me elemente te tjerë. Për mendimin tim ky
vëllim, i vogël në dukje me poezi, mban një peshë të madhe në krijimtarinë e
autorit, ngihet mbi vëllimet e mëparshme që trajtojnë fjalën si një materie
letrare poetike, duke thyer edhe kornizat tradicionale të krijimtarisë letrare.
Ja disa vargje: Je zëri lashtësor i fjalëve – vesë e ylberit, / ku e bukura
përftohet për gëzimin e shpirtit, / siç e pati thënë i shquari poet Horaci, /
kurorë e blertë si një lule nuseje…
Shihet qartazi se poeti ynë e studioi thelbin kuptimor të fjalës së bukur dhe gjuhës, e pastaj veçoritë e tjera. Gjen motivin kuptimor të fjalëve, dhe jo thjesht strukturën e formës, madje edhe mënyrën e shprehjes së tyre, kur thotë: […] magji drithëruese që asnjëherë nuk resht së përftuari mendime të rralla, të pasura, që më tej notojnë në forma të ndryshme nëpër koka njerëzish, ose në faqe librash. Në këtë kontekst, poeti të kujton mjeshtrit e mëdhenj të fjalës së shkruar, jo vetëm Aristotelin, por edhe Horacin dhe Gëten.
Duke
qenë njohës i mirë i artit të fjalës, letërsisë, Berisha e hulumton atë që
çmohet e para e njohura, mjeti më i përsosur i komunikimit: fjalën. Madje
autori kalon shpesh edhe përtej saj, duke na sjellë një krijim të thellë me
kuptim filozofik, ku dëshmon vlerat reale të fjalës. Për këtë arsye, duket se
autori është marrë gjatë dhe thellësisht
me aspekte të ndryshme të fjalës e të mundësisë së saj shprehëse, duke analizuar vlerat dhe rëndësinë e saj dhe
këtu fokusi kryesor duket se është identifikimi, përkatësia dhe veçoritë e
fjalës, bazuar te krahasimet gjuhësore dhe duke vënë në pah ngjashmëritë, dallimet
dhe veçoritë unike të saj.
Poeti
dëshmohet njohës i vlerave estetike të fjalës, i rëndësisë kuptimore e
shumësore të saj, e cila, kur përdoret me mjeshtëri, është në gjendje që
shndërrohet në art, prandaj vepra ka vlera të veçanta dhe përbën një vepër të
rrallë të llojit të vet në letërsinë tonë.
Në
veprat e autorëve tanë, nuk mbaj mend të jetë trajtuar ndonjë here një temë e
tillë përveç poetit Azem Shkreli, në një poezi të tij. Mbase poeti Anton Nikë
Berisha e sjell për herë të parë një krijim të tillë, përfshirë në një vëllim
poetik, një analizë mjeshtërore për fjalën, për rëndësinë e saj në komunikimin
poetik, po dhe më gjerë. Pra, autori e ka hartuar një vepër cilësore dhe me një
bazë filozofike, ku gjenden të shkrira në mënyrë organike disa veçori. Veprat e
këtilla lexohen me ëndje dhe përmes saj bëhet një ndikim estetik i dukshëm në
lexuesin.
Ja
disa vargje të bukura që nuk mund të harrohen: Udhërrëfyese je që bukurinë
ëmbëlton, / në thellësinë e shpirtit ku përtërihen rrënjët / gjurmët që nuk
shlyhen / nga pësime e nga shtjella të befta / që përplasen përflakshëm në ne /
e përndritin kujtimet, dhuratë e kohëve, / grishje e ndezur r ditëve të
perënduara, / që gëlojnë në çdo çast e në çdo hap pa u vërejtur, / si merimanga
që end me përkushtim / rrjetën e mbijetimit…. Pra, kemi një sistem të të
shprehurit figurativ; një qasje artistike dhe një qëndrim i guximshëm letrar,
një dialog i mençur me fjalën si materie, një përshkrim i bukur i natyrës
njerëzore ku përdoret fjala si objekt komunikimi, një ndeshje e zjarrtë, që
lexuesit i japin mundësinë për të vazhduar degëzimin vetjak të kuptimeve të
tekstit.
Në
kontekstin historik, fjala ka luajtur rol parësor edhe kur shoqëria njerëzore
ka qenë në çaste më të vështira të saj.
Tashmë është e njohur se në shekullin V, një njeri i vetëm arriti të mbajë nën
kontroll gjithë Evropën, duke pushtuar Perandorinë Romake dhe duke shkaktuar
vdekje e shkatërrim përgjatë brigjeve të Detit Mesdhe. Me luftërat e tij
pushtoi pjesën më të madhe të Evropës dhe Lindjes së Mesme deri në Indi. Ai
ishte Atila mbreti i hunëve. Thuhet se lufta dhe betejat e Atilës u ndalën nga
Papa Leoni I, që pranë Mantovës e bindi mbretin e hunëve të tërhiqej, pasi i kishte
thënë një fjalë në vesh.
Ndoshta
Papa i pati ofruar Atilës pasuri (para), por në vendimin e kreut të hunëve
kishte ndikuar ajo fjalë magjike që e detyroi të tërhiqej qetësisht nga fronti
i luftës. Pra, fjala ka efekte magjike, vlera të jashtëzakonshme në komunikimin
midis njerëzve, që dëshmohet edhe nga këto vargje të Berishës: Idhujtare
lozonjare që s’di të shuar, / caku i çdo nisje, i secilit shtegtim / i afshit
të ngulmët dhe i çdo flijimi / në përmbushjen e njësimit të përsosur / Je
lavdia mbresëlënëse e veprimit / që Hyji na e fal në çdo kohë e vend / blatim i
hirit të pashuar që nuk resht… Këtu shihet mjaft mirë natyra e dyfishtë e kësaj
vepre me vlera të larta artistike.
Duhet
theksuar se idetë që shpreh autori përmes kësaj vepre kanë rëndësi të
shumëfishtë; ajo është një poezi e ngjeshur, me mendime që here shpërthejnë
butësisht në trajtën e gjykimeve të thella, herë pasqyrohen qartësisht, prandaj
kur i lexojmë këto vargje model, kushtuar fjalës dhe bukurisë mahnitëse të saj,
na duket se po shfletojmë dhe lexojmë vargje nga “Iliada” e Homerit, si nga
mjeshtëria e vargut, ashtu edhe nga idetë që pasqyron. Kjo pasuri e të
shprehurit, kjo gjallëri mendimi dhe ndjenjash, është reflektuar artistikisht
në poezitë e këtij libri përmes një të shprehuri të pasur poetik: Je bukuri e
stolisur e përfytyrimit / filiz i njomë i lëngut të rrënjëve / që ushqejnë
trungun, i ëmbëltojnë degët / u japin jetë gjetheve, po dhe sythave, / je
ledhatim vegimesh që prore e nxitin / gurrën e frymëzimit, muzikë e shpirtit, /
si ngazëllim i lumturisë së qiellit / kur derdhet mbi ne si ujëvarë ngrohtësie.
Në
këtë lloji të të shprehuri, në këtë lloj të të shkruarit, poeti Anton Nikë
Berisha thyen skemat tradicionale dhe i jep jetë të shprehurit modern poetik,
ku dëshmohet një larmi stilistikore dhe pasuri kuptimore. Le ta konkretizojmë
mendimin me imazhe të fuqishme shprehëse, ku pasqyrohet dukshëm transformimi i
dukurive që vështrohen përmes fjalës dhe zbulohet madhështia dramatike e tyre:
Përtej harrimit e pate djepin – bukuri / kur njerëzit zunë dhe i përftuan
fjalët, / i vunë njërën pranë tjetrës, i ballafaquan / me përkushtim e dije dhe
i qëndisën / me aftësinë e mendjes, me ngrohtësinë e zemrës / dhe i përshkruan
me dufin e frymësisë / që t’i kumtojë vetes, po edhe tjetrit / punë të
lartësuara, gjëra të bukura / për të ngritur e pasuruar shpirtin / që me veprim
të rëndomtë s’mund ta bënin.
Në
këtë vëllim poetik, autori duket se ndjek me vëmendje fatin e fjalës, shpreh të
ashtuquajturin konflikt mes folësit dhe fjalës, duke i dhënë asaj jo vetëm
ngjyrime të shumta: Je prapësimi i ferrit në tundime të trishta / të së keqes
dhe të së shëmtuarës, / zgjidhja e nyjave, këputja e litarëve / dhe zhbërje e
zinxhirëve të dhembjeve / në çastet kur njeriu përballet me to, / mëkatet i
zhbën dhe vuajtjet i zbut / pse gjërat i shpreh me dashuri, me hire / pa
ngjyrim inati e pa zemërime… Në këtë mënyrë na duket se ky vështrim kompleks i
jetës, kjo mënyrë e paraqitjes së këmbimit të realitetit përfaqëson më së miri
qëndrimin artistik dhe letrar të Berishës.
Një
aspekt tjetër i kësaj vepre poetike është se autori i ka kushtuar një vend jo
të vogël fatit të përdorimit të fjalës nga personalitete të fesë, sepse në
fillim ishte fjala, ajo ishte pranë Perëndisë, fjala ishte Perëndi. Kështu,
këto personalitete të shquara siç ishte Nena Tereze, synonin që fjalën e bukur
ta kultivonin në popull, duke menduar dhe komunikuar pozitivisht, prandaj poeti
përmes vargjeve i referohet pikërisht Shën Terezes, së cilës i ka kushtuar edhe
një radhua prej shtatë vëllimesh titulluar “Nena Tereze në shtatë shpalime”, ku
shprehet veprimi dhe flijimi i saj për tjetrin, prandaj referenca për të
pasqyruar idetë e saj për fjalën, s’kishin si të mungonin në këtë libër: Je
dëshmi e qenësisë së heshtjes / të lutjes së Anjeze Bojaxhiut / që bota e
quajti Nëna Tereze / kur i lutej Hyjit t’ia dhuronte hirin / për t’i dashur
njerëzit me dashurinë e Tij / pa dalim besimi, ngjyre dhe vendi.
Këtu
kemi një tjetër anë të krijimit të figurës, ku parësor është ndërtimi i imazheve
dhe i përfytyrimeve. Duhet theksuar se në këtë rast rëndësia e figurës së
Gonxhe Bojaxhiut, i përgjigjet madhështisë së fenomeneve që pasqyron poeti në
tërësinë e veprimit të saj, ku ai thekson: Këndellje e mirëfilltë dhe zë i
bekuar i përftimit – bukuri e thënies, që shpreh thelbin e së vërtetës, më të
vlefshme se e vërteta, që është fryt i thashethemeve, herë e njërit e herë e
tjetrit, po gjithnjë e vërtetë e kushtëzuar: njëri shtyn, e tjetri tërheq nga
vetja… duke realizuar zbërthimin e veçantive të artit të fjalës.
Në
fakt, vepra “Prushi i bukurisë” dëshmon për një shprehjeje të pasur poetike e
mendimi që është rritur e konsoliduar nëpër pjesë të saj, ku fjala dëshmohet si
mjeti më universal dhe më i veçantë i dijes dhe i komunikimit njerëzor.
Lezhë, më 22.11.2023