Mendime » Radovani
Fritz Radovani: Pse vetem Shkodra?! (XX)
E diele, 01.10.2023, 06:52 PM
Nga Fritz RADOVANI: Pjesa XX.
PSE VETEM SHKODRA?!
CILA ISHTE DETYRA E
SEKSIONIT KATOLIK
PRANë DEGëS Së MBRENDSHME Të
SHKODRES Në 1946,
I VETMI N’BOTë ?
-ZHDUKJA E PERJETëSHME E EMNAVE Të
PAHARRUESHEM
BASHKë ME
MENDIMET E TYNE.
Profesor Prenkë KAÇINARI
DOSJA 167: U
MBYLL ME 3 SHTATOR 1956, ORA 5 MBAS DREKE.
PROF. PRENKË KAÇINARI
Asht lé në Mitrovicë më 17 korrik 1910 . Ka përfundue studimet e nalta në
fakultetin e Filozofisë, në vitin 1937 në Lion të Francës. Vjen profesor në Shkodër. Ka miqësi me Dr. Federik Shirokën, me të cilin
asht mjekue dhe ka ba pjesë bashkë me Te në Organizatën “Balli Kombëtar”.
Në vitin 1946, transfërohet
mësues në Korçë, ku arrestohet pikërisht kur ishte tue verue mbasi ishte randue
nga sëmundja tbc dhe “... Akuzohët:
- Se ka vazhduar shkollën
nëpërmjet të Klerit Katolik.
- Ka bashkpunuar për ardhjën e
fashizmit.
- Kur erdhi Italia u holl në
mal me “Ballin Kombëtar” dhe në Kishë tek priftërijtë shtypte trakte, merrte
udhzime nga kleri katolik dhe elementët e pakënaqur në Tiranë, gjoja i sëmurë
rrinte i mbyllur në shtëpi.
- Ka bërë pjesë në grupe
Social-Demokrate, kishte lidhje me profesorët e Korçës, Foto Bala, Sulo Klosi
etj. - Ka punuar për të rrëzuar Pushtetin Popullor dhe për shkëputjet e
lidhjeve me Bashkimin Sovjetik për t’u lidhë gjoja me popuj përparimtarë sipas
tij, që donte të thonte të lidhesh me Anglo-Amerikanët. - Ka propaganduar për
të rrëzuar Pushtetin me vjolencë. - Ka punuar me elementët e rinjë për të patur
lidhje me demokristjanën e grupet e social-demokratës të udhëzuara nga Prenka.
Me kalimin e kohës Sigurimi i Shtetit sa vinte e bahej ma i ashpër dhe i
rrezikshëm. Përditë e ma tepër specializohej në drejtim të së keqes. Sigurisht,
që në fillim i mungonte eksperienca por shpirti i keq dhe i mbrujtun me krime,
ishte zgjedhë me kujdesin ma të madh ndër këta organe të mnershme e terroriste.
Bie në sy që në fillim të vëprimëve të para të sigurimit mënyra e përzgjedhjes
së elementit që kanë ndër mend me arrestue, ku merrët pikë orientuese shkolla
që ka krye ose vendi ku ka përfundue shkollën e mesme ose të naltë.
Kontrollohej rrethi familjar dhe shoqnor, e para, a ka simpatizue doktrinën
komuniste ose jo dhe se, a mund të na shërbejnë ne ose jo.
Në shenjë janë shkollat e Françeskanëve dhe të Jezuitëve, ndërsa në
pikëpamje mbarshtetnore janë në shënjestër edhe ata që kanë përfundue Gjimnazin
e shtetit në Shkodër.
Ishte koha kur ishstudentët e vitëve maparë kishin mundësinë me u
hakmarrë ndaj atyne që nuk ishin angazhue në rrethët komuniste, që nuk i kanë simpatizue, ose kanë
kenë indiferent ndaj vëprimëve të tyne. Kush mund të kishte shprehë ndonjë
fjalë u quejt menjëherë “armik i popullit”, ose u mendue si “zog” i çelun në
çerdhën e reaksionit që ishte “Shkodra”. Shumë nga studentët e ardhun në Shkodër,
pa përjashtue ata që jetuen në Konviktin e njohun “Malet tona”, ose që kanë
banue në Shkodër, por që kanë ndjekë shkollën në këtë qytet kjoftë edhe atë
femnore të Motrave Stigmatine apo “Donika Kastrioti”, u ndoqën njësoj si
nxanësit e shkollës Fullcit.
Hys Zaja me një copë letër, madje, pafarë kursimi të çonte në duertë e
kriminelëve: Zoji Themeli, Cuf Lohës, Ali Qorrit, Filip Pemës, Qamil Gavoçit,
Kolec Ilisë, Petro Ballatës, Qazim e Fadil Kapisyzit, Jonuz Dinit, Dul
Rrjollit, Ali Xhungës, Lilo Zenelit, Nesti Kopalit etj.
Me një telefonatë nga “qendra” të merrte dreqi sa nuk dijshe a do të
shihësh ma dritën e diellit. E, sa të pafajshëm u zhdukën prej duerve të zhytuna
në gjak të katilave të Sigurimit shtetit?
As nuk bahet fjalë se ka me u dijtë e vërteta. Derisa mbulohet Gjenocidi
që i asht ba gjithë Popullit Shqiptar, Shqiptarët do të vazhdojnë me kenë të
fyem dhe të poshtnuem.
Prof. PRENKË KAÇINARI e Prof.
ARSHI PIPA ishin të burgosun që në vitin 1946. Të dy “armiqë të popullit”, të
dy të sëmurë në Sigurim me t.b.c., të dy të masakruem ...
Vëprimtaria armiqësore e Prenkës vërtetohet edhe nga të pandehurit:
- Sulo Konjari thotë: Prof. Prenkë Kaçinari ka qenë antar i partisë
Social-Demokrate.
- Gjovalin Vlashi thotë: Unë kam folë rreth gjendjes së formueme në
Shqipni, gjithmonë kundër Pushtetit. Ndër të tjerë ka qenë edhe Prenkë
Kaçinari.
- Xheudet Tirana thotë: Elementët që unë kam biseduar kundër Pushtetit
Popullor dhe që ishin një mendimi me mue, ndër të tjerë ka qenë edhe Prenkë
Kaçinari.
- Pashko Gjeçi: Në mbledhjën e parë që kemi ba në Lice në Durrës, ka kenë
edhe Prenkë Kaçinari. Një mbledhje e kemi ba në shtëpi të Vasil Zirit, dhe një
tek Simon Deda (gjoja i vetvramë në sigurim), një tek Stavro Frashëri...Ndër të
gjitha ka kenë Prenkë Kaçinari...
Në grup kishim edhe Pjetër Gjinin, Nush Radovanin, Kol Ashtën,
Ndrekë Demën, Prenkë Kaçinarin, Simon Dedën, Luigj Ljarjen, Gaspër Jakovën,
këta ishin për Social-Demokratën.”
Ishin të mjaftueshme këto akuza me përcjellë prap edhe Prof. Prenkë
Kaçinarin bashkë me Arshi Pipen para Gjyqit.
Pyetet PROF. PRENKË KAÇINARI, i
cili deklaron:
“Kam kenë profesor në Shkodër. Atëherë nuk kishte Këshill të Lëvizjes
N.Çl., por Lëvizje N.Çl. kishte. Në korrik të 1943 kam shkue në Shllak me
“Ballin Kombëtar” për t’i ikë kuesturës. Me Mit-hat Frashërin jam takue në
fillim të 1943 dhe bashkë me Zef Palin, jam organizue me “Ballin Kombëtar”. Në
Tiranë jam takue me R. Barbullushin që më foli për Social-Demokratën, por unë i
thashë, se jam i sëmurë e nuk due me dijtë gja për këtë punë. Pashko Gjeçin e
njof, por nuk kam ba pjesë në ndonjë organizatë me té. Thanjet tjera nuk i
pranoj, mbasi me ata përsona nuk kam asnjë lidhje. Me Klerin Katolik nuk kam
pasë asnjë lidhje. Kam njoftë Don Mikel Koliqin dhe Don Ndre Zadejën. Me Don
Ndreun kam bisedue vetëm për probleme filozofike dhe letrare.
Nuk dij se ka pasë ndonjëherë në Shqipni
organizatë apo parti demokristjane.
Unë nuk kam marrë pjesë në ndonjë parti apo organizatë trathtare klandestine.
Jam kenë antifashist. Don Ndre
Zadeja dhe në përgjithsi Kleri nuk e ka simpatizue okupacionin e fashizmin. Mbas
1944 nuk jam angazhue në politikë, ata që më akuzojnë nuk dij mbi ç’baza më
akuzojnë.”(Dosja 1167, po aty).
Thirret Pashko Gjeçi, i cili deklaron: “Preka më duket se ka kenë në
mbledhje në Durrës me Partinë Social-Demokrate, kështu e dij unë.”
“Prenkë Kaçinari i përgjegjet: Unë nuk kam ndonjë anmiqësi, por le të
pohojnë drejtë!”
Edhe ndonjë dëshmitarit tjetër të parapergatitun Prenka, gjakftohët dhe
me ton burrnor i jep atë përgjegje që meriton. Jam i sigurt, se këta dëshmitarë
të topitun para qëndrimit të palëkundun të Prenkë Kaçinarit, fillojnë që në
gjyq me mohue jo aq nga turpi, sa nga mendimi i gabuem i tyne, se në gjyq ata
nuk kanë me kenë ndonjëherë përballë Prenkës.
Vetë përdorimi i fjalës “më duket” se ka qenë edhe Prenka!, tregon
lëkundje, një lojë që gënjeshtarët e përdorin shpesh me mendimin që i
akuzuemi me u lëkundë në qëndrimin e tij
dhe po e hangri “ullinin”, hyni në grackë, ose ma vonë me pasë mundësinë me i
thanë viktimës: “Të dhashë një mundësi me mohue!”.
Faktet tregojnë se ata mbetën gjithmonë akuzues dhe shpifës, ndërsa burra
u rikëthyen vetëm ata që para gjyqit thanë: “E kemi pranue me shtërngim,
por e vërteta asht kjo që po tham tashti këtu !” e, nuk janë kenë të
paktë edhe burrat që mbas dhunimit të mnershëm në hetuesi, kanë gjetë forca me
thanë të vërtetën.
Tue mos pasë fakte për gjykimin që mund t’i kenë ba gjykata, Prenka ose
Arshiu ma vonë prap do të përsërisnin gjyqin. Unë po vazhdoj me thanjet e tyne
mbasi jam i bindun se edhe Prenka edhe Arshiu, do të ridënoheshin njësoj edhe
sikur kurrkush mos t’i kishte dalë dëshmitar i rremë në gjyq ose në hetuesi,
madje, ma vonë edhe do t’ishin pushkatue si shumë shokë të tyne.
Por, për me kenë të qetë shpirtnisht të paktën sot, ata që jetojnë nuk
duhët të mendojnë se ata burra vdiqën pa folë për dobësinë tonë e, “ishalla
edhe dokumentat janë djegë, se ashtu po flitët!” Jo, jo! Mos rreni veten
gjithë jetën! Të gjithë dokumentat
janë! Koha ka me provue dhe ka me vulosë ndër fletët e historisë se të
gjitha poshtërsitë Enver Hoxha, me shokët e tij i ka lanë këtu e askush mos të
mendojnë, se i kanë marrë me vedi në varr!
Me datën 24 dhetor 1947 Kryetari i Gjykatës
Ushtarake Durrës, major Gjon Banushi, jep vendimin nr. 704 themel. Si
mbas zhvillimit të gjyqit nga dt. 18 dhetor 1947:
“Në emër të Popullit Shqiptar”:
“Arshi Pipa, Prenkë Kaçinari, Hysen Ballhysa, Pashko Gjeçi kanë qenë
antarë të organizatës së gjerë agjento-sabotatore dhe antarë të grupit
social-demokrat, për të rrëzuar me dhunë Pushtetin Popullor duke pritur një
zbarkim nga jashtë.
I pandehuri ka bërë mbledhje të rregullta me Prenkë Kaçinarin, Stavro
Frashërin, Is-han Podgoricën, Simon Dedën, Hysen Ballhysin, Sabri Ticin e Rifat
Dërvishin, dhe këto mbledhje janë bërë në liceun e qytetit.
Prandaj: Për të gjitha këto, bashkërisht dhe pjesërisht në kundërshtim me
prokurorin, në bazë të ligjes së sipërme vëndosi:
1. Prenkë Kaçinari, me privim lirije për jetë, konfiskim të pasurisë së
tij të luajtëshme dhe të paluajtëshme.
2. Arshi Pipa, me 20 vjet privim lirije.
3. Hysen Ballhysa, me 15 vjet privim lirije.
4. Pashko Gjeçi, me qenë se u tregua shumë i sinqertë para Gjyqit
dhe deponoi vullnetarisht jo vetëm fajsinë e tij, por edhe të shokve të tij
pjestarë të po një organizate, i akordohën shkaqe lehtësore në konformitet me
nenin 45, të ligjës 382, dt.12 dhjetor 1946, dhe vendosë: dënimin e tij me 5
vjet privim lirije, dhe konfiskimin e pasurisë.
Të katër të pandehurit humbin të drejtat civile dhe politike për tre
vjet, dhe vuajtja e ndëshkimit fillon nga data e arrestimit. Trupit Gjykues të
Gjykatës Ushtarake të Durrsit, që përbahej nga: Kryetar, Major Gjon Banushi,
antarë, Major Gjule Çiraku dhe Kap. I Halil Ramohito, prokuror, Kap. Petrit
Hakani dhe sekretar Arqile Mihali.
Durrës 24 dhjetor 1947. Sekretari
d.v. Antar d.v. Antar d.v.
Kryetari d.v. (vetëm firmat)
***
Seksioni i Mbrendshëm i Durrësit përcjell dosjen në Gjykatën e Naltë tue
shtue këtë dokument:“Komunikatë: Me datën 24 shkurt 1948 Prokuroria vë ré
se:Nga shqyrtimi i aktëve të të pandehurve Arshi Pipa, Pashko Gjeçi, Prenkë
Kaçinari dhe Hysen Ballhysa, rezulton se kanë qenë antarë të organizatës
agjento-sabotatore. Organizata është shtrirë në elementët e pakënaqur nga
Pushteti e Reformat. Kanë organizuar grupe në shkolla si profesorë dhe kanë
bërë mbledhje të rregullta. Kanë marrë vëndime për zgjerimin e organizatës dhe
kanë propaganduar kundër të gjithë Reformave të Pushtetit. Kanë sabotuar në
sektorët e tyre, kanë agjituar për të përgatitur terrenin për ndërhyrjen e
Anglo-Amerikanve. Qëllimi i të pandehurve ka qenë rrëzimi i Pushtetit me forcë
dhe me anë të një kryengritje në lidhje me forcat e huaja.
Vepra e tyre është tradhëti ndaj Pushtetit Popullor dhe Atdheut.
24 shkurt 1948 Prokurori Ushtarak i U.K. Shqiptare; Kapiten I. Nevzat
Haznedari d.v.
***
Gjykata e Naltë Tiranë me nr. 96 të vëndimit, nr. Regj. 61, e mbledhur me
datën 29 shkurt 1948, me kryetar major Niko Çeta, antarë, kap. I Veladin
Zejneli dhe kap. I Nexhat Hysejni, prokuror kap. I Nevzat Haznedari dhe
kryesekretar, Thoma Rino, mbasi shqyrtoi dokumentacionin e të pandehurve,
vëndosi:
1. PRENKË VLASH KAÇINARI, me 20
vjet privim lirije.
2. ARSHI MUSTAFA PIPA, me 20 vjet privim lirije.
3. HYSEN NAMIK BALLHYSA, me 15 vjet privim lirije.
4. PASHKO VASË GJEÇI, me 5 vjet privim lirije.
Kryesekretari d.v. Antar d.v.
Antar d. v. Kryetari
d.v. (vetëm firmat).
?Këtu mbyllet vetëm dosja...
***
Prof. Prenkë Kaçinari, provoi, se ka rasë që jeta tregohët e ashpër dhe
mizore e ndonjëherë, jo e meritueme kjo veper për atë që e provoi...
?Lexoni me kujdes këta pak rreshta, (pa koment):
“I dashtuni Mark, (Të dashtunit e mi)
Edhe pak çaste më mbetën, kur unë përfundimisht po shkëputem nga kjo
jetë. Me përmallim të madh po ju la të gjithve: kunatën, motra, nipa e mbesa që
kaq fort ju kam dashtë. Vëndosa me e krye këtë akt dobësije do ta quani, por
për mue kje akt kurajoz. Vuajta tepër e tash ma s’po mund të duroj. Po i nap
fund të gjitha vuajtjeve të mija. Kjeshë te ju; nuk dhashë me kuptue gja; nuk
dojshe me tradhtue veten, kisha frigë të mos më mbusheshin sytë me lotë. Nuk e
pashë edhe motrën time të dashur, Luljen, që ishte e shtrueme në spital. Se
çfarë çastesh të fundit po jetoj, nuk mund t’i përshkruej. Po e shkruej këtë
letër me lot ndër sy.
Erdha këtu në Tiranë vetëm e vetëm për mos me ju qitë telashe ju. Në
vendin ku do të vras vetën dëshroj të varrosëm.
Një dëshirë tjetër e, që due ta plotësoni asht: të mos mbani askush shej
zije për mue; zinë e mbani në zemër.
E tash lamtumirë përgjithmonë. E di se do të kishit dëshirue t’ju
shkruajshe ma gjatë. S’po më punojnë ma as mendja, as dora.
Përqafime e të puthuna të përmallshme; më kujtoni në bisedat tuaja, jam i
juaji
Prenkë Kaçinari
Tiranë, 3.IX.1956 ora 5 mbasdreke.”
=======================
Kjo letër iu postue nga Tirana nga vetë Prenka,
z. Mark Lezhja në Durrës, që ishte burri i motrës së Prenkës, Karrolinës, ku
ruhet origjinali. (shënimi i FR).
Vetvrasja u krye nder varrezat Ortodokse të
Tiranës, ku edhe u varros mbas veprimeve të Prokurorit të Tiranës, Minir
Tirana. Ai njoftoi per vetvrasjen Lajde Kaçinarin.
Në kjoftë se Profesor Prenkë Kaçinari u vetvra si
pasojë dishprimi nga Vendimet e Jaltës per Shqipninë... Dhe, sundimi sovjetik e
serbosllav mbi Popullin Shqiptar e Popullin vlla Kosovar në 1945, me të gjitha
mjetet antinjerzore të komunizmit, nuk duhet lanë në heshtje një zhdukje
antinjerzore e një Profesori të vertetë dhe me atë kulturë Perëndimore, që
ishte e mbulueme Shqipnia e para 1944.
Po të njajtin fat po ka edhe sot Shqipnia nen
thundren sllavo komuniste, gja të cilen, sot e kemi të dokumentueme edhe nga
vazhdimsia e politikës së komunistit Edi Rama, me grupin e tij antiatdhetar e
antishqiptar që po kerkon edhe shperbamjen e Shqipnisë Gjergj Kastriotit e Nanë
Terezes.
Mendoj se, një Burrë si Profesor Prenkë Kaçinari
ka vend per studim në shkollat e nalta,
ku duhet theksue se perballë Sigurimit shtetit komunist dhe torturave të tyne
mizore, kishte Burra të Vertetë Shqiptarë!
E SA FILOZOF’ E DIJETAR?, ZHDUKU KOMUNIZMI N’
GROPA PA EMNA VETEM N? SHKODER?
Melbourne, 29
Shtator 2023.