Mendime » Radovani
Fritz Radovani: Pse vetem Shkodra?! (VIII-3)
E diele, 30.07.2023, 06:44 PM
Nga Fritz RADOVANI: Pjesa e VIII/III.
PSE VETEM SHKODRA?!
MASKA E AT GJERGJ FISHTëS,
PUNUE NGA PIKTORI ARTURO SALA S.J.
ME 31 DHETOR 1940.
Seksioni i
Mbrendshëm ose Dega e Punëve te Mbrendshme SHKODER,
Aty ishte edhe
SEKSIONI
KATOLIK I SIGURIMIT SHTETIT – I VETMI NË BOTË!
APROVUES
DHE ZBATUES I VENDIMEVE TË MARRUNA NGA
KOMITETI
QENDROR I PARTISË KOMUNISTE JUGOSLLAVE,
PARTISË
KOMUNISTE TË BASHKIMIT SOVJETIK DHE
TË PARTISË KOMUNISTE TË KINËS.
1941 - 1991
KJO
MASKË
FLET
EDHE SOT
ASHTUSI NË VITIN 1919:
“SHQIPTARËT
E TË DREJTAT E TYNE”
NË KONFERENCEN E PAQËS
PARIS 20 QERSHOR 1919
FJALIMI U PËRGATITË NGA
AT GJERGJ FISHTA
O.F.M.
(Sekretar i Delegacionit Shqiptar)
DHE, U LEXUE
FRENGJISHT NGA
IMZOT LUIGJ BUMÇI
(Kryetar i Delegacionit Shqiptar)
Ju lutem, shikoni me kujdes horizontin kulturorë t’ At Gjergj Fishtës dhe, krahasonje me
“akademikët e
diplomatët
miljonerë”!
III
Tash, Zotnij,
mbasi Ju diftova se kush janë dhe shka janë Shqiptarët, më duhet t’ Ju flas për
të drejtat e tyne. E po Ju thom se Shqiptarët kanë të drejtë:
a) për nji
pamvarsi politike e ekonomike;
b) gjithnji
mbrenda kufijve gjeografikë e etnografikë të Shqipnisë.
Mbi pamvarsi të
Kombit Shqiptar, nuk kam shumë fjalë me ju thanë.
Dihet se kjo e
drejtë ka kenë njoftë, sigurue dhe dorëzanue me nji traktat të Pushteteve të
Mëdha të Antantës, – prandej, me fjalë të tjera edhe prej Francës, – që prej
Nandorit të vitit 1912, në Konferencën e Ambasadorve në Londër. Këto Pushtete,
mandej, ia kanë ba me dijtë botës mbarë se traktatet ndërkombtare ata nuk i
mbajnë për shtupa letrash me i tretë, por i respektojnë si akte, që prekin
nderen e kombeve që i kanë nënshkrue. E njimend, po e xamë se anglezi thotë se
ja ka nisë nji lufte të përgjakshme e të shëmtueme, por këte e ka ba vetëm për
erz të firmës që ai e ka pasë vu për pamvarësi dhe neutralitet të Belgjit.
Pamvarsia e Kombit Shqiptar pra, në se do marrë si nji punë e kryeme dhe e
dorëzanueme mbi erz të Kombeve të mëdha të Europës, prandej tash ne nuk na
mbetet tjetër, veçse me folë për kufij të natyrshëm të Shtetit Shqiptar, e kjo
asht nji çashtje po aq me randësi, sa ajo e pamvarësisë.
Pushtimet e hueja
dhe intrigat e paemen të nji diplomacie bakalle, të pashpirt e të pazemër, kaq
fort ia kanë shndërrue dhe perçudnue fizionominë gjeografike dhe etnologjike
Shqipnisë sa që sot, nji i huej, sado i drejtë dhe i papajambajtas, mezi mundet
me e njoftë me nji të këqyrun. – Edhe nji nanë, shpesh e ka të vështirë me e
njohë fytyrën e të birit, kur këtë t’ia ketë përçudnue me varrë e me dermishime
arma e anmikut. – Prandej, lypet të caktojmë ma përpara disa kritere të
sigurta, mbas të cilave mandej, me përskajue kufijt e natyrshem të Shqipnisë.
Mbas parimit të
autodeçizionit, sejcili popull që mund të thotë se ka nji homogjenitet të
pakëputun e të pandamë në vetvedi, ashtu si ky përcaktohet prej ndermyllzave të
teorive uilsonjane, ka të drejtë, ose në mos tjetër do të kishte të drejtë, që
ai vetë me e nda kuvendin mbi sharte të veta politike e ekonomike dhe me u
nderue si shtet i lirë dhe i pamvarshem. Ky shtet, masandej, gjeografikisht do
të përshtrihej deri ku kapet kombsija e pandame e vijueshme e atij populli. E
në rast se në ndonji skundiill toke të këtij shteti gjinden të shartuem
elemente të huej, aty vullneti i popullit do të vertetohej nëpërmjet të nji
plebishiti, mandej liria e tij do të jetë e dorzanueme dhe e sigurueme si duhet
e sa duhet. Mbas këtyne parimeve, asht punë e arsyeshme që shteti Shqiptar të
përshtrihet gjeografikisht deri ku mërrin Kombësia e Popullit Shqiptar, e
vijueshme dhe e pandame prej centrit të vet. Sepse tagri i autodeçizionit nuk
asht i lidhun me individë ose me grupe të caktuem njerëzish, por me avrom të
gjithëmbarshëm prej të cilit përbahet Kombi. Prandaj çdo zvoglim që i bahet
tokës së Shqipnisë, i papështetun mbi këto parime, do me thanë se ai i bahet
dhunshëm e me të padrejtë. Por në bazë të cilit kriter ka për të mujtë me u
caktue të përshtrimit e Kombsisë Shqiptare? – Mbas gjuhës, i vetëm ky në këtë
rast, asht kriteri ma i patundshëm dhe që nuk mund të lehet kurrsesi mbasdore.
Populli Shqiptar
flet nji gjuhë krejt të veten që, – tue lanë mënjanë transformimet e natyrshme
të elementave të cilëve nuk i ka pshtue asnji gjuhë tjetër deri më sot, –
kurrfare nuk mund të unjisohet me gjuhë të tjera keltike, latine, gjermanike,
sllave ose helenike, me përjashtim ku puqet me to, me rrajë të bashkueme
indo-gjermane. Prej këtej pra, rrjedh që të gjithë ata që e flasin këtë gjuhë,
kanë një Kombsi krejt më vedi e krejt të ndame prej asaj të kombeve të tjera t’
Europës. Sepse, nuk ma merr mendja që nji tjetër popull i gjallë i Europës t’ia
ketë tatue Shqiptarit nji gjuhë që, dhe as nji tjetër popull europian, mos ta
ketë folë. Për ma tepër, nji gjuhë e dekun, nuk i tatohet nji populli marë. Por
as populli Shqiptar nuk ka mujtë me ua tatue popujve të tjerë gjuhën e vet.
Gjuha tatohet, ose me forcë t’ armëve, ose me forcën e kulturës e të
qytetnimit. Por, si prej njenës, si prej tjetrës pikpamje, Shqiptari nuk ka
kenë ma i fortë se popujt që ka përbrij. Prandej nuk ka si të mohohet se, të
gjithë ata që flasin shqip, janë të Kombsisë Shqiptare. E për këtë arsye,
Shteti Shqiptar, duhet të përshtrihet gjeografikisht deri ku përfshinë gjuha
Shqipe.
Tue pasë caktue
këto parime ose kritere, të shofim tash se cilët do të jenë kufijt gjeografikë
të Shtetit Shqiptar. Por, per me u diftue krejt të papajamajtshëm në këtë
çeshtje plot me gënjeshtra si dhe aq pahijshëm shoshitë prej anmiqve, këtu unë
due me ia lanë fjalën, Zotni, shkrimtarit tuej të sipërpërmendun, z. Rene
Pinon, i cili ka kenë në Shqipni dhe e ka pa vetë me sy, tue e prekë vetë me
dorë, se kush mundet me pasë arsye mbi këtë çeshtje?
Zotni Pinon pra,
në artikullin që prumë prej “Revue des
deux Mondes”, tue folë mbi kufijt e Shqipnisë, thotë: “Prej fushave të
Vardarit e deri në Adriatik, prej Thesalisë e deri në Mal të Zi, zot toket asht
Shqiptari, në daç sepse ky hyni këtu mbrendë ma i pari, në daç sepse ky ndolli
ma i forti”. E të tanë krahina e Kosovës, e cila, prej Konferencës së Londonit
(1913) i kje lëshue Serbisë, dhe mbarë Çamëria, “Epiri i Nordit”, të cilin e
lakmon aq shumë Greqia, janë të banueme kryekëput prej Shqiptarësh e prandej, e
drejta e lypë që të njehen me Shtetin Shqiptar.“ E mos të mendohet se zotni
Pinon asht shty tepër me këto fjalë, sepse e vërteta e këtyne fjalëve duket
çiltas edhe prej statistikave të cilat, qysh prej vitit 1909 e tektej, janë ba
përmbi proporcione etnologjike të popullsisë së Shqipnisë. Prej këtyne
statistikave zyrtare del në shesh se, në krahinat e lëshueme prej Konferencës
së Londonit serbëve dhe grekëve, të paktën, 80 përqind të popullsisë janë
thjesht Shqiptare. Serbët na thonë se banorët e Kosovës, me rod janë të gjithë
sllavë, por, gjithnji si thonë ata, përdhuni dhe me kohë janë çoroditë, tue u
kthye në Shqiptarë. Këtë fjalë e thonë edhe grekët për banorët e Epirit të
Nordit. Por ata nuk thonë të vërtetën, sepse, po të ishte e njimendët se
banorët e Kosovës janë sllavë dhe ata të Epirit të Nordit, grekë, atëherë
Serbia nuk do të kishte mbytë e gri deri më sot afro dyqindmijë vetë në Kosovë,
e Greqia, nuk do të kishte djegë ma shumë se treqind e gjashtëdhetë katunde në
Epir të Nordit, tue e kryqëzue gjinden përsëgjalli, posë atyne pesëdhetmijë
vetave që i kanë vra dhe i kanë lanë me dekë prej urije e sikletit. Popujt e
qytetnuem munden, po, në furinë e nji kryengritjes, me vra në trathti mbretënt
e mbretneshat e veta e me i dhunue trupat e tyne mbas vdekjes, por nuk mërrijnë
kurrë me gri – e në ç’mënyrë mandej! – me qinda e mija vllazën “bashkëqytetarë”
të vet! Qyshë se serbët kanë vra me qinda mija njerzë në Kosovë, dhe grekët
kanë djegë qinda e qinda katunde në Epir të Nordit, dëshmon kjartë se, as
banorët e Kosovës nuk duhet të kenë kenë serbë, as ata të Epirit të Nordit nuk
kanë kenë grekë. Jo, po, Zotni të nderuem! Janë vra gjindja me qinda mija në
Kosovë dhe janë djegë me qinda e qinda katunde të Epirit të Nordit, për të
vetmen arsye se grekët e serbët duen me e shue farën Shqiptare n’ ato krahina,
për me mujtë me i thanë mandej Konferencës së Paqes se atje nuk ka Shqiptarë!
Oh, sa arsye ka pasë ai i moçmi kur ka thanë: “Ubi solitdinem faciant, pacem
appellant.” Por, sa të kenë shkretnue vendet, thonë se vunë paqen!
Por për me i
forcue ma tepër fjalët e z.Renè Pinon mbi kufijt’ e Shqipnisë, këtu due me ju përmendë se çka shkruente mbi
këtë çeshtje Lordi Fritz Maurice, Mis i Komisjonit të Rumelisë Lindore, mbi “Foreign Office” e që masandej, kje botue
në nji Libër Bleu të vjetës 1880. Ai shkruen: “Për me folë se shka asht Kombi Shqiptar, i bjen me u përshtri edhe
mbrenda kufijve të Serbisë e të Malit të Zi, e krahina e Kosovës, shka merr
prej Mitrovicet e teposhtë, asht krejt Shqiptare dhe ka vetëm nji skundill fort
të vogël serb. Statistika bullgare e
greke, mbi të cilat qeveritë e Sofjes e të Athinës themelojnë pretendimet e
veta mbi Manastir, Ohër e Korçë, janë pështetë në rrena e dashtas janè ba me
rrena, le ma ato pretendime të Greqisë që janë ba pa kurrfarë turpit !.” Qé
pra, Zotni, se deri ku duhet të përshtrihet Shqipnia e ç’kufij duhet të ketë
Shteti Shqiptar. Mbas dishmisë së këtij diplomati ingliz në za, Konferenca e
Paqes kishte me ba nji paudhni të përgjakshme, po nuk e nxuer e nuk ua ktheu
Shqipnisë ato tokë që, Konferenca e Londonit, kundra çdo gjyqi e drejtsije, në
vitin 1913 ia shkëputi Shqipnisë, për me ua lëshue grekve dhe serbve. Veç shka
se tue bisedue për këte çeshtje me një delegat të Konferencës së Paqës, ky
zotni na tha troç: Hiqeni mendsh se na po marrim tokë tuejat, të pushtueme prej
Aleatëve tanë, e po ia kthejmë rishtas Shqipnisë.
Mbi këto fjalë që
per ne kanë një randsi të madhe fort, unë kishe me dashtë me folë pak ma gjatë;
por, pse s’po due me vu ma teper në provë durimin tuej, po marr lejen me ju ba
vetëm një oroë mbi to. Po kje se puna asht, ashtu si e mendojmë, që Konferenca
e Paqës e ka në mendje me ia peshue gjyqin Botës në qetele të arsyes e jo në
mollëz të shpatës,
Zotnia juej e
kupton vetë, se fjalët e tij s’mund zanë vend; përndryshe asht kot që të tjerrë
fjalë ma gjatë, se sot shpata e Shqipnisë s’ka teh endè.
Qe, Zotnij, se
shka kam pasë me ju thanë per Shqiptarët e mbi të drejtat e tyne. Tue ju falë
nderës, me gjithë zemër për mirësi që keni dashtë me më diftue në këtë rasë, do
ta mbyll këtë ligjeratë të përvujtun, me ato fjalë që me 24 Nandor 1880 thonte
në Parlamentin italian, Madero Savini, kur Europa pat çue donamet e veta para
Ulqinit, për me e ngushtue Turkinë që me ia lëshue Malit të Zi tokët e
Shqipnisë. E qé shka foli në atë rasë, deputeti italian: “E po pse francezëve nuk u mbushet mendja me hjekë dorë nga
Alsazë-Lorena? Pse nuk do të guxojshit Ju, (deputetë italianë), me hjekë dorë
prej viseve italiane që gjinden nën Austri? Pse i keni dalë zot Greqisë kundra
Turqisë, në Kongresin e Berlinit? Vetëm per parimin e Kombsisë!
E pra, kujtoj unë, se, për me kenë burra fjalet,
na duhet me thanë edhe për Shqipninë ato shka thomi për të tjerë në Paris,
Romë, Athinë, Varshavë...
Në mos paça harrue, si kam ndij prej Profesorave
të mij, Grotius ka pasë thanë se, tashma asht ba si zanat me ua shndrrue zotin
popujve. Por përkundrazi, Jean-Jacques Rousseau vërret: “Ani, por të paktën
pyetni ma parë, mostjeter, këto bagëti njerzore!”.
(“Shqiptarët e të
drejtat e tyne” Shkoder, 1920)
***
Shenim nga Fritz Radovani:
Ashtu si foli në
vitin 1919 ashtu, At Gjergj Fishta Ju flet edhe sot!
Materiali asht
adaptue në gjuhen e sotme letrare Gegnishte nga Prof. Ndue Zef Toma.
Ky asht Teksti i
plotë në gjuhën Shqipe i Fjalimit të përgatitun nga At Gjergj Fishta (Sekretar
i Delegacionit në Konferencen e Paqes, 1919), që asht lexue në Paris prej të
pershndritshmit e të nderuemit Imzot Luigj Bumçi (Kryetar i Delegacionit
Shqiptar në 1919), Ipeshkëv i Lezhës, në gjuhen frengjisht, në sallen e Universitetit
Katolik në Paris, dhe që nuk i asht ba asnjë ndryshim prej meje nga origjinali
i botuem në vitin 1920 në Shkoder.
Kam theksue në dy
vende të shkrueme nga At Fishta, nr.1 e nr.2, që tregojnë se në Shqipni u
zhvilluen tre Kongrese Gjuhësije dhe se kishte edhe Gjuhë Letrare Shqipe. Kjo
tregon mashtrimin e të së quejtunes “Akademi e Shkencave e R.P.S.Shqipërisë”,
në vitin 1972, kur “zhvilloi kongresin e gjuhës njësuar”, që zhduku Gjuhen e
vertetë Letrare Shqipe ku perfshihej dhe Gegënishtja e Veriut.
“Akademikët’ dhe
ministrat e arsimit, vetem të mendojnë: “Kujt po i sherben sot heqja nga ana e
juej, e At Gjergj Fishtës dhe e Shkrimtarëve të Veriut, nga Historia dhe
Letersia e Gjuhës Shqipe?”
A e dijnë Rinia
Shqiptare se po mos t’ ishte At Gjergj Fishta, sot ata do të shkruenin
paperjashtim me shkronjat turke, sllave të “Ballkanit hapun” ose greke, që asht
ma afer Gjinokastres...
Boshatisja e
Atdheut nga “Rilindja komuniste”, thirret nga Populli edhe “SHFAROSJE”!
Sot jemi para një
fakti: Shtetii shqiptar kerkon me mbushë xhepat tue shfarosë SHQIPTARIN!
Ju lutem mos ndryshoni dhe as, mos hiqni asnjë fjalë nga origjinali i këtij
materiali!
Melbourne, 27 Korrik
2023