Mendime » Radovani
Fritz Radovani: Pse vetem Shkodra?!
E marte, 27.06.2023, 07:39 PM
Pergatiti Fritz RADOVANI: Pjesa e V.
PSE VETEM
SHKODRA?!
1879
HISTORIA E TEATRIT
FILLOI
N’ SHKODER 144 VJET
PERPARA
TEK SHOQNIA E
JEZUTVE (S.J.)
E U VAZHDUE edhe NGA
FRETNIT.
?1945
CILA ISHTE DETYRA E
SEKSIONIT KATOLIK T’ SIGURIMIT SHTETIT
SHKODER?
KUSH I SHKATRROI ME THEMEL ATA?
SHKODREN PO E MBYT HESHTJA!
Historia e Teatrit në Shqipni fillon me
Teatrin e qytetit të Shkodres në 1879.
Jemi në pragun e 145 vjetorit të
TEATRIT SHKODRES !
Shkodra ishte djepi i kulturës dhe i
artit në të gjitha gjinit në Shqipni edhe, pse punohet tash 100 e sa vjet me
mujtë me e shue, me e zhdukë nga harta.
Shkrimtarët Shqiptar Shkodranë per fat
i kanë lanë të shkrueme të gjitha ata fakte historike, ndonse, jo vetem nuk
botohen po, edhe po fallsifikohen. Kjo e vertetë fillon nga botimet e para e
deri sot prej kokës së “Akademisë Antishkencore të Antishqiptarve në Tiranën
komuniste të Rilindjes Rama”.
Po të kishte shkrue Andrea Skanjeti,
Tonin Zadeja etj., me referenca per Teatrin dhe vlerat artistike të rujtuna
deri sot në themelet e Rozafës, sigurisht që vlersimi i Tyne do t’ ishte tjeter
nga ai vlersim formal i sotem.
Unë i jam referue pergjithësisht
dokumentave historike të tyne.
Grupet orkestrale dhe të humorit rrajen
e vet e kanë në Shkodren plakë.
Andrea Skanjeti mbet i paharrueshem në historinë e
shkrueme të teatrit të Parë: Shkodra
asht e dallueme në lëvizjen teatrore që në kohët e hershme, një qytet që ka një
traditë të pasun, të lakmueshme, djepi i lindjes së Teatrit në Shqipni, rraja
themelore e lindjes së Teatrit Popullor ma vonë në vitin 1945 (Sot Teatri
Kombetar)(kjoftë per atëherë, se edhe ai u rrenue). Deri në themelimin e
Teatrit profesionist në Shkoder ekzistonin shumë shoqni që lindën dhe e shfaqen
portretin e tyne artistik amator: “Shkolla Fretnore” (1861), Kolegji Saverian
(1905) me grupet deputuese: “Seminari Papnuer”, “Kongregacioni i Zonjës
Nunciatë”, “Oratoria e Zemrës së Krishtit”, “Rrethi bamirës i Sh’Jozefit”,
“Orfanotrofi i Zemrës së Krishtit”; e ma vonë shoqnitë: “Leka”, “Iliria”
(1931), Shkolla e Motrave Stigmatine (1878), Shoqëria”Rozafat” (18.02.1918),
“Shoqnitë: “Mustafa Pasha” me kryetar Ibrahim Gjyrezin e “Vaso Pasha” me
kryetar Hilë Mosin, të cilat u shkrinë dhe morën emnin “Vllaznia”
(1919-1935);”Gëzimorja” (Shirokë, 1922), “Populli” ma vonë u quejt “Shkodra”
(1923), “Grupi i Gjon Krajnit” (1923), “Atmja e lirë” (1932), “Djelmnia
Antoniane” (1933) në përbamje të së cilës ma vonë ishte: “Rrethi i Don Boskos”
e “Scuola Cantorum” (1935); “Malet tona” (1934), “Grupi shkodranë” (1936),
“Besa” (1937), si dhe “Komuniteti bamirës Musliman” (1938) dhe, “Karnavalet”
(1861, me siguri edhe ma parë), si dhe shoqnitë ndihmëtare e puntore etj., ku
mungojnë referencat.
Koha ma e rëndësishme në këtë histori asht kenja në
qytetin e Shkodrës e shtatë teatrove, bashkangjitun shkollave dhe shoqnive
t’asaj kohë:
Saloni i Kolegjit Saverian ndërtue më 1890 me 450
vënde.
Saloni i Shkollës Françeskane me 300 vënde;
Saloni i Shkollës Stigmatike me 250 vënde;
Saloni i Shkollës së Parrucës me 400 vende,
(ndërtue për kinema-teatër nga ushtritë Austro- Hungareze gjatë Luftës së I-rë
Botnore).
Kinoteatri “Rozafat” me 400 vende;
Saloni i shoqnisë “Bogdani” me 350 vënde;
Saloni i shoqnisë “Vllaznia” me 400 vënde;
Në këto salone e kinoteatro për 66 vjet pa pushim u
lavrue Teatri Kombëtar Shqiptar tue u imponue banorëve të qytetit ndërgjegjen
kombëtare, krahas luftës për gjuhën dhe shkollën shqip. Pikërisht: Me 20 shkurt
1879 nga nxanësit e Shkollës Saveriane, mbas një Akademie poetiko-muzikore, u
dha farsa “Mako” e Jul Qezarit, përkthye shqip dhe ju përshtat zakoneve tona
shqiptare, tue u konsiderue Shfaqja e Parë në historinë e Populli Shqiptar.
Në zhvillimin e tij, kjo shfaqje qëndron në themelin e Teatrit tonë Kombëtar
dhe theksoj se, luejtën një rol të rëndësishem kulturor e Atdhetar, dhe meritë
per këte kishin Etnit Jezuit edhe Etnit Françeskanë të Shkodres.
Ishte viti 1879. Në këtë vit kemi fillimin e saktë
të një Teatri Kombëtar po në Shkoder (përpara Lidhjes së Prizrenit).
24 tetor 1880, jepet shfaqja e dytë nga nxanësit e
Shkollës Françeskane me dramën “Nata e Kshndellave”, e shkrueme nga poeti
arbëresh, françeskani i njoftun Leonardo De Martino.
Po këtë vit kjo dramë u shfaq edhe nga nxanësit e
Shkollës Stigmatine.
Në shkurt të vitit 1882, në salonin e ri të Kolegjit Saverian jepet drama
“I biri i çifutit” përkthye nga italishtja nga At Pashko
Babi, e cila asht shfaqja e tretë në historinë e teatrit kombëtar shqiptar.
Ndersa nga nxanësit e Shkollës Françeskane u shfaq
në 1905, përherë të parë, komedia “I ligu përmend”, e përshtatun nga poeti ynë
kombëtar At Gjergj Fishta; Skena asht punue nga piktori i njoftun Prof. Simon
Rrota.
Po këtë vit u shfaq tragjikomedia “Kushtrimi” ose
“Marka Kulikryeqitas” e shkrueme nga Frati At Shtjefën Gjeçovi.
Thalbin e trupave teatrore në qytetin e Shkodrës e
përbanin tre grupe, e ata ma kryesoret ishin të drejtueme nga Etnit Jezuitë:
1.Grupi i nxanësve të Kolegjit Saverian
2.Grupi i rrethit Shen Jozefit.
3.Grupi i Oratores së Zemrës së Krishtit.
Ma vonë u krijuen grupe të tjera, si ai i
Kongregacionit të Zojës Nunciatë, i shoqnisë ”Don Bosko”, Seminari Papnuer dhe
Shoqnia “L.E.K.A.”.
– Veprimtaria teatrore e nxanësve të “Kolegjit
Saverian” paraqitet si ma poshtë, gjithnjë tue pasë parasysh që aktivitetin e
tij Kolegji, e ka nisë që në krijimin e tij, në vitin shkollor 1877-1878.
Më 10 shkurt 1909 u shfaq pjesa gaztore
“Mësuesi i katundit” ose “Shkolla e Katundit” shkrue nga jezuiti At Anton Xanoni.
Po në vitin 1909 shfaqet drama e At Silvio
Pelikos “Bardhi i Ferdinandit” me përkthim të Shuk Gurakuqit.
U shfaq “Sh’ Eustaku” me autor Kolë
Thaçin dhe “Tre Martirët e Casaresë”, e përkthyeme prej Kolë Thaçit. të
shfaquna më 1911 .
Me 2 shkurt 1914 shfaqet drama e
Lemoyene-it “Llogoret e mullinjve” të përkthyeme nga At Anton Xanoni S.J.
Me 24 shkurt 1914 shfaqet e para dramë
per Heroin tonë Kombëtar Gjergj Kastriotin në Shqipni “Skëndërbeu”, 5 akte, punue
nga At Anton Xanoni.
Po kjo dramë, u përkthye nga frëngjishtja nga Gjon Bazhdari, dhe u vue në skenë
më 27.11.1914, mbas së cilës u luejt komedia e shkrueme nga At Anton Xanoni
“Profesor Llapa”.
Më 10.2.1015 u shfaqë komedia “Lejleku
në Shkodër” e shkrueme nga At Anton Xanoni.
Më 1916 shfaqet drama me 4 akte “Juli”
e përkthyeme nga Kolë Mirdita.
Po këtë vit shfaqet drama me 5 akte
“Vdekja e Skëndërbeut” me autor Helenau (Kolë Mirdita). Drama e fundit u
rishfaq më 17 Janar 1917, me rastin e 450 vjetorit të vdekjes së Skëndërbeut me
regjizor nga vetë autori.
Më 1917 u dha premierë komedia me 3
akte “Dy nipat e Kontit Kavur” ose “Dy savojardët” me përkthimin e Frano Lufit.
Po këtë vit shfaqet drama “Moisi
Golemi” në pesë akte, shkrue nga At Anton Xanoni me rregji të Fra Gjon
Pantalia.
Më 1919 u çfaq premiera “Fernando
Kortez”, dramë historike me 4 akte shkrue simbas romanit me të njëjtin titull
nga Ndoc Vasia.
Më 1920 shfaqet nga nxanësit e Kolegjit
Saverian, bashkë me disa aktorë të Shoqnisë “Bogdani” boceti dramatik, “Ora e
Shqypnis” e drejtueme nga Fra Gjon Pantalia. Po kjo dramë u shfaq në Gjinokastër,
Delvinë dhe Sarandë, nga studentë të Gjinokastrës.
Në vitin 1921 nxanësit e kolegjit
shfaqën tri komedi të përkthyeme nga italishtja dhe të adaptueme shqip:
“Fluturoi dysheku” dhe “Batakçiu i rrejtun” punue nga Ndoc Vasia, si dhe “Kudo
rafsha mos u vrafsha”, të shkrueme nga Zef M. Harapi.
Po këtë vit, më 2 dhjetor u shfaq
komedia në 4 akte “Shkolla e magjarëve”, të përkthyeme nga Kolë Plani.
Gjatë vitit 1922-1924 nga Kolegji
Saverian u shfaqën këto pjesë teatrale:
“Bylbyli” komedi në dy akte, adaptue nga italishjta me autor Ndoc Vasinë.
“Konte Kavalo”, drama mesjetare
përkthye nga italishtja prej Cuk Simonit.
“Dy gungaçat” komedi me tre akte e Molierit e adoptueme nga Ndoc Vasia.
“Gjoni prej Kale” dramë e përkthyeme nga italishtja në 3 akte.
“Isaku” dramë e përkthyeme nga
italishtja në 3 akte.
“Shjor Puci” melodramë nga Zef Gianini,
përkthye nga Dom L. Shantoja.
“Ciko Pistolja”, komedi me 3 akte e adaptueme nga italishtja.
Gjatë vitit 1925-1928 nxanësit e
Kolegjit Saverian dhanë këto shfaqje:
“Luigj Gonzaga”, melodramë në 3 akte,
të shkrueme nga poeti ynë kombëtar At Gjergj Fishta.
“Shën Françesku”, dramë në 3 akte nga
poeti ynë kombëtar At Gjergj Fishta, botue me 1912 nga shtypshkronja Nikaj.
“Një familje fatosash” dramë e perkthyeme nga italishtja prej autorit Ndoc
Vasia.
“Triumfi i Kristianizmit”, dramë në tre
akte e perkthyeme nga italishtja.
“Kostandini i Madh” dramë historike e
perkthyeme nga italishtja.
“Eustaku” dramë nga P. Metastazi,
perkthye në vargje nga Kole Thaçi.
“Shpata e Skenderbeut” ose “Ballaban Pasha” dramë në tre akte shkrue nga At
Anton Xanoni. Drama pati sukses të jashtëzakonshem dhe u vu në skenë disa herë
me aktor të ndryshem jo vetem, me rastin e 15 vjetorit të Pamvarësisë me 28 Nandor
1927, por edhe me 1928, 1937, me 1938 dhe me 8.11.1942.
Nxanësit e Kolegjit Saverian per 50 vjet, nga viti 1878 dhe deri në vitin 1928
kanë shfaqë ma shumë se 100 pjese teatrale shqiptare dhe të hueja.
Prej vitit 1929 deri me 1933, kur
teatri u mbyll me urdhnesë të qeverisë mbretnore, u shfaqen këto pjesë:
“Leoni i madh”, dramë në tre akte e
perkthyeme.
“Konti Retimos” dramë mesjetare
fiorentine në tre akte, e perkthyeme nga Henrik Lacaj (1929).
“Skenderbeu dhe mbarimi i tradhëtarëve”
dramë historike me 5 akte (1930), e persëritun
edhe 3 herë të tjera po atë vit.
“Konti i Drishtit” dramë në tre akte
nga Kolë Dema (15.2.1931).
“Ciko Pistolja” komedi e përpunueme nga
Ndoc Vasija në tre akte.
“Fluturon dysheku” farsë me një akt e
perkthyeme, adaptue shqip (1933).
Gjatë kësaj periudhë janë shfaqë edhe
komeditë:
“Shkarpa e fëllanxa”, “Telegrafi 1
prill”, “Veshët në piru”, “Dy sherbëtoret”, “Xhuxhmaxhuxhët”, “I shpejti dhe i
ngadalshmi”.
Me pjesen humoristike “Kontekaciku”
mbyllet edhe veprimtaria e Kolegjit Saverian, i cili gjatë 55 vjetëve të jetës
së tij vuni në skenë 117 pjesë teatrale (Liber prej A.Skanjetit “100 vjetori i
Teatrit Shkoder” 1879 - 1979) .
Teatri i Jezuitve u shtetizue në
Nandorin e vitit 1945, kur u mbyll Kuvendi.
***
Ndersa per Teatrin e Fretenve në
Shkoder, kam marrë një fragment nga një shkrim i z. Frano Kulli ku flet per një
temë inteesante mes At Gjergj Fishtës dhe piktorit Profesor Simon Rrota, nga
Shkodra në kujtimet e Tija:
Por aksioni më i
rëndësishëm i Poetit tonë është futja e gjuhës shqipe si gjuhë mësimi në të
gjitha shkollat françeskane (1902). Edhe si gjuhë në veprimtaritë
edukative-argëtuese.
Kam parasysh këtu
teatrin fishtjan, teatër i cili ka lidhun Simon Rrotën, si skenograf me At
Gjergj Fishtën si dramaturg e regjisor. Ne sot nuk e njohim mjaftueshëm punën e
skenografit Simon Rrota, por kemi pohimin e tij se ishte skenograf i Kolegjit
të Françekanëve dhe i Kolegjit Stigmatine të Vajzave (shkruen S.Rr.: “...Unë
ishe skenografi i Teatrit Françeskan dhe i atij të Motrave (murgeshave)
Stigmatine”).
Komedia e
Molierit “Mjek përdhuni” është shfaqja e parë teatrore në qytetin Shkodër (por
edhe në Shqipni), sepse “ma përpara nuk ishin shfaq shfaqje në gjuhën
shqipe”, shkruen piktori Simon Rrota. Dhe “drama pati sukses të madh, –
vazhdon Simon Rrota në kujtimet e tij, – veçanërisht pse ishte në gjuhën
shqipe, prandaj bani një përshtypje të madhe në popull, (i cili) e priti me
duartrokitje të vazhdueshme, në drejtim të poetit tonë”
4. At Gjergj
Fishta e trajtoi si koleg piktorin e ardhshëm me gjithë diferencën në moshë
(Fishta i kishte 16 vjet para Simonit). E ndihmon me materiale për vizatim, i
siguron vend pune në bibliotekën e kuvendit, ku gjente qetësi dhe shfrytëzonte
librat e artit që Fishta i blente për të pasunue Bibliotekën Kuvendit sa
herë udhëtonte nëpër Europë:
“Ngushllimi ma i
madhi qi muejshe me pasë unë, ishte vetëm Kuvendi i Françeskanëve,- shkruan
Simon Rrota,- pse aty, në biblioteken e tyne, gjejshe atë çka unë dishrojshe,
tue pa prodhime veprash hartistike qi më inspirojshin shumë e me nepshin zemer
me punue e me harrue njiherit edhe disprimin tem. Veçanërisht njatë herë
kur Patër Gjergji ishte kthye prej Italijet e më fali do materiale për
pikturë: bojna, penela etj., e më tregonte shumë vepra artistike qi kishte pa
atje. Për mue kjenë momentet ma të gëzueshme…” (f.35)
Prof. Simon
Rrota, krahas Patër Gjergj Fishtës rreshton edhe Patër Vinçenc Prennushin e
Patër Ambroz Marlaskajn, të cilët e kishin ndihmue artistikisht (“për
nevoja artistike”), për kompozicionin e veprave fetare që realizonte për kisha
etj., tue e krahasue veten, në një farë mënyre, me “Rafaelin (Raffaello
Sanzio), (i cili) kur donte me paraqitë vepra fetare klasike, shkonte
gjithëherë te Kardinal Bibiena, për me marrë udhëzime të sigurta për figurat qi
do të bante ndër veprat e veta”. (f.34)
Për me përfundue do
të ndalem në dy korrigjime që na duhet të bajmë tashti që kemi në dorë kujtimet
e piktorit Simon Rrota. Të dy janë të lidhura me teatrin. Korrigjimi
i parë ka të bajë me shfaqjen e parë të shkrueme dhe të vume në skemë nga At
Fishta, më 1905 (ose me titullin e saj): deri tashti dihej se kjo shfaqje ka
qenë një komedi e Molierit, e përshtatun nga At Fishta (ose, siç shprehej
Fishta, “simbas Molierit”), por titulli i saj nuk asht “I ligu për mend” (Andrea
Skanjeti, f.18), por “Mjek përdhuni” (Simon Rrota e shkruan “Mjek i përdhunë”).
Korrigjimi i dytë lidhet me Teatrin e Françeskanëve
(Teatri i Françeskanëve, ndodhej djathas në oborrin e Shkollës Vasil Shanto), i
cili, simbas Rrotës, “kje ndërtue pak vjet ma parë se ndërtesa e shkollës
(1899). Ndërsa simbas At Donat Kurtit
“salloni i theatrit kje ndreqë më 1899”. Të dy korrigjimet kanë rëndësi të
dorës së parë, sepse lidhen jo vetëm me një titull komedie, por me veprën
e parë teatrore në gjuhën shqipe, që asht një përkthim/ përshtatje e
komedisë së Molierit (Mjek përdhuni) dhe asht jo vetëm pjesa e parë teatrore e
shkrueme dhe e vume në skenë në qytetin e Shkodrës, por edhe në gjithë Shqipninë
(ose në trojet shqiptare, se aso kohe nuk kishte Shqipni me kufij të shkruem
në harta a defterë të çfarëdoshëm).
Asht, gjithashtu,
shfaqja e parë në gjuhën shqipe luejtë në një teatër (salon teatri), për
ndërtimin e të cilit, siç na dëshmon Simon Rrota, fretnit e Shkodrës së bashku
me punëtorët rrezikuen shumë, për shkak të atyne “qi nuk dojshin ndërtesa e, teatër pa
lejen e Stamollës (kryeqyteti i Perandorisë Otomane) që nuk mund t´u ndërtonte.
Prandej puntorët u veshnin me zhguna (veshja e fretënve) si fretnit, për mos me
ra në sy të qeverisë turke.”Ndërsa një korrigjim tjetër duhet të bajmë tue
vlerësue teatrin e traditës, ashtusi na vjen nga piktori shkodranë Simon Rrota:
“Çfaqjet teatrale
qi u bajshin për të paren herë, në gjuhen shqip, për meritë të letrarit të
famshëm Atë Gjergj Fishta, nisën të baheshin shumë tërheqesë për vendin tonë e
sidomos për gratë pse ato, nuk kuptojshin italishten, ndersa djelmët e burrat e
zotnojshin mirë atë gjuhë e të thuesh, as nder mend nuk i shkonte gjuha
amtare…”(f.34)
Teatri i Fretenve
u shtetizue në Nandorin 1946, kur Kuvendi u kthye n’burg.
Ndersa, jo larg
nga kjo kohë Teatri i Parë i Shqipnisë, në Shkoder, shembet me kulm e themel,
tue mos lanë asnjë gjurmë të Tij si mos t’ ishte kenë kurr!
Sulmoni, sulmoni
Shkodren, tash po i gjeni komshijtë në dhomat e gjumit!
***
Në vitin 1958 bashkë me Prof. Simon Rroten kemi shkue në
inaugurimin e Teatrit të rij të Shkodres. Profesori kishte dy vrejtje: ”1. Pullazi i teatrit para i
prishë pamjen dhe 2. Me që dy ditë para inaugurimit vdiq artisti i Madh
Shkodranë Zef Jubani, Teatrit të Ri duhej ti vehej Emni i Zef Jubanit.”
Shkodra atëherë e
sot ka pasë artista që mund të krenohej nder shekuj.
Sigurisht,
njëditë Emnat e Tyne do të daltohen ashtusi e meritojnë Ata!
Edhe pse Teatri
i Parë i Shqipnisë asht shembë, si shumë vepra tjera me vlerë, asht e
domosdoshme të plotsohet historia e tij me referencat e kohës!
Melbourne, 27 Qershor
2023.