E premte, 13.12.2024, 12:32 AM (GMT)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Pse vetem Shkodra?! (XIV)

E enjte, 31.08.2023, 06:54 PM


Pergatiti Fritz RADOVANI: Pjesa e XIV

PSE  VETEM  SHKODRA?!

CILA ISHTE DETYRA E

SEKSIONIT KATOLIK

PRANë DEGëS Së MBRENDSHME Të

SHKODRES Në 1946,

I VETMI N’BOTë ?

-ZHDUKJA E  PERJETëSHME E

EMNAVE STUDJUES T’KLERIKVE.

BLINISHTI I DHURON SHKODRES

ATDHETARIN MENTOR QUKU !

Atdhetari Mentor Quku asht le në Blinisht të Korçës me 20 Janar 1939. Ardhja në Shkoder bani që të arsimohet në Shkollën Pedagogjike “Shejnaze Juka” në Shkodër (1951-1954), Vazhdoi Institutin e Naltë Pedagogjik në Tiranë (1955-1957) dhe Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës (1960-1963).

Ishte mësues në shkollat e Shtiqnit dhe të Kukësit (1954-1957), ndërsa në periudhën 1957-1961 ka shërbye në shkollën e mesme “Hydajet Lezha” në Lezhë. Ishte ndër mësuesit e parë në shkollën e mesme “Xheladin Fishta” në Shkodër (1961-1963), në shkollën e Barbullushit (1965-1991), në shkollën e Bahçallekut (1991-1992). Kohen fundit asht kenë drejtor i Muzeut Historik Shkodër (1992-2000), ku ka organizue katër seminaret e para “Shkodra në shekuj”. Ishte drejtor i revistës “Kumtari” dhe i gjashtë vllimeve “Seminari Ndërkombëtar”, “Shkodra në shekuj”. Ishte Autor i disa studimeve ma shumë me permbajtje letrare e pedagogjike.

Me 1 Qershor 2014 Mjedologu i njoftun Prof. Mentor Quku u nda kso jete!

Shkodra ka humbë një qytetar dhe intelektual të mirfilltë, ndersa, Shqipnia, ka humbë modelin e një Atdhetari të Persosun! Shokët e Tij numroheshin me gishta tue i veshtrue në disa pikpamje edukative dhe kulturore.

Familja e vjeter shkodrane asht e vertetë se ka pasë dhe uroj të kenë prap Pinjollë me të cilët ka mese krenohet, po, Mentor Quku, ishte i rrallë në mjedisin e gjithë qytetit të Shkodres.

I rij në Shpirtë, i pashëm, i qeshun gjithmonë, qyshë se e njoha në vitin 1953 në oborrin e shkollës Pedagogjike të Shkodres, po, mbi të gjitha i dashtun, joshës, dhe nder të veçantit ata Shqiptar që trashigoi Fisnikinë, Bujarin, Burrninë pa asnjë tharm fanatizmi, e këta janë një visar i çmueshem që Nana e Tij, i mkoi me qumshtin e vet të paster si biluri…

Kam njohë në jetë Burra të vertetë në Shkoder, por nder moshatarët e mij, ndonjë, se sot duhen thanë këto fjalë, po Shokët e Mentor Qukut, i vijnë rrallë Shkodres dhe gjithë Shqipnisë! E me plot gojë mund të them se Ajo Familje, 60 vjetë perpara kishte tri lule: Lalin, Mentorin e Lilin… Një nder’ i vertetë i Trojeve tona pranë Rozafës.

Provoi persekutimin e “heshtun”, tue iu privue e drejta me shkue në shkollen e mesme të gjimnazit, po gjithmonë kryenaltë se i perkiste asaj “klasë” që nuk pranonte privilegje me turp e faqe të zezë, gja të cilën, Qukët e kanë pague mjaft shtrenjtë nga persekucioni i pashpirtë komunist 47 vjeçar. Provuen burgjet, transferimet nder skajet ma të vështira të vendit, trajtimin antinjerzor komunist, po gjithmonë, dhe pa ma të voglen frikë krenarë dhe dashamirës ndaj shoqnisë së cilës, ua shperblyen me Besë dhe dashamirsi vuejtjen deri në vetflijim, po kurrë, me i sjellë një të keqe sado të vogël shokut dhe mikut nder të gjitha rrethanat e vështira të jetës. Ky ishte edhe Mentori!

Në vitin 1996 e takova rasësisht në rrugë tek Muzeu Popullor… Si gjithnjë, më foli dhe më tregoi se ishte angazhue per me krijue “Të Djathtën e Bashkueme Shkodrane”.

Atyperaty, nuk isha optimist! Po, mbas një takimi me një grup qytetarësh tek shkolla Pyjore, ndryshova mendim dhe mora pjesë me qejfë në atë fushatë zgjedhjesh edhe pse asnjëherë nuk jam angazhue me parti politike, madje, ishte pikrisht Mentori, Nik Pavaci dhe Nikolin Muzhani, që më propozuen si deputet perfaqsues i të Persekutuemëve Politik të Shkodres. Nuk u realizue kjo dëshirë e tyne, se ministria e mbrendshme më dha tri ditë ma vonë, dokumentin e pastertisë së figurës, atëherë, kur Prefekti i Shkodres z. Iljaz Vrioni, më tha: “Je i vonuar, se dje avioni u nis…”, dhe, unë iu pergjegja po me fjalët e tij, në një artikull në gazeten “Shkodra”… Megjithate, në saje të Mentor Qukut, Nikolin Pavacit, Nikolin Destanishtës, Ndrekë Bazhdarit etj., fitoria e së Djathtës së Bashkueme u arrijtë.

Ajo Fitore e Popullit të Shkodres ishte meritë kryesisht e Mentor Qukut, prandej edhe pothuej “askush” nuk e bani zemren gurë me ba një analizë objektive të saj, sepse Aty, ishte Ideali i Popullit të Shkodres, i Bashkuem si asnjëherë rreth një dashunisë Vllaznore, me të cilen, Ai do ti tregonte mbarë Shqipnisë, se vetem kështu ndertohet Demokracia! Asnjë prej Atyne Burrave që e organizuen dhe e arrijtën Fitoren e së Djathtës së Bashkueme Shkodrane, nuk u angazhuen nder poste shtetnore, dhe kjo ishte dëshmija e ndershmënisë së Tyne, gja që vertetonte një nga cilësitë e Tyne të Mëdha Shpirtnore: “Shkodra Antikomuniste asht e Bashkueme!”

Po, a u mjaftue me kaq “drejtori” i Muzeut Shkodres Prof. Mentor Quku?

Nuk besoj se ka njeri që mund të mohojë vleren e madhe të punës së palodhun të Mentorit, që në fillimet e para të luftës per Demokraci të Vertetë, e Ajo fillon atëherë kur qendra e Muzeut u kthye në Vater Pritje të Burrave të Nderuem Shqiptarë si: Profesorët e Pavdekshem Arshi Pipa, Gjon Sinishta, Zonja Camaj, Abaz Ermenji e madje, edhe nga personalitete të mëdha të Besimeve Fetare apo të kulturës Europjane…Pa zanë me gojë botimet dhe kumtesat e organizueme per Krenarinë e Shkodres Martire.

Kujtojmë Emnat At Gjergj Fishta, Don Ndre Mjedja dhe Luigj Gurakuqi:

Këta Burra ishin frymzimi i Mentor Qukut.

Kjo veprimtari e Mentor Qukut e kishte domethanjen e vet!

Brumosja Shpirtnore dhe qytetare e Tij, në gjurmët e Kolosëve të Mëdhej si At Gjergj Fishta, Don Ndre Mjedja apo Luigj Gurakuqi, e thërrisnin dhe, pikrisht ishte Mentor Quku, që U asht pergjegjë me jeten dhe Veprat e veta, që me plot gojë sot, mund të mbishkruhen mbi aktivitetin e Tij Atdhetar: “Idealist deri në vdekje per një Shkoder Antikomuniste të Bashkueme!”

Nuk e dojshe kurr një lajm të keq per moshatarin tim Mentor Quku, edhe pse jam i sigurt se Ai asht pranë me Ata Burra që nderuene Shkodren! Jeta e njerzëve të Nderuem si Mentor Quku nuk mbyllet asnjëherë, se Veprat e Tij janë të Pavdekshme, janë udhë e sigurtë e pafund Vllaznimi dhe Bashkimi ashtusi, gjithmonë, Shkodra i ka lindë dy herë Ata: Si Kreatyra Njerzore dhe si Atdhetarë të Perkushtuem në rrugen Heroike të “Rozafës”.

Pak kohë perpara, pa dijtë se Mentori ishte tue u mjekue në Itali, i drejtova një pyetje per një nga personazhet e historisë sonë, fushë në të cilen kemi komunikue gjithnjë, dhe ashtu U përgjegjë, tue e mbyllë: “…Vllaznisht, Mentori.”Një ditë do ta publikoj mendimin Tuej, i dashtun shok i vjeter, mik dhe Vlla, siç më ke konsiderue gjithmonë deri pak kohë perpara!

Ishte viti 2014.

Profesor Mentor Quku i la një studim Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodres, ku punoj permbi 40 vite per me e ba të pavdekshme figuren brilante, të bylbylit të poezisë bukur shqipe Dom Ndre Mjedjes.

Vlera, veprat dhe Emni i Profesor Mentor Qukut, në saje të kenjes së Tij një Atdhetar i vertetë, e rreshtojnë Emnin e Tij nder Figurat e Pakrahasueshme dhe Atdhetare në historinë Letersisë sonë Perparimtare.

Profesor Mentor Quku!I therun thellë në zemer nga dhimbja per Ty, çova në këto ditë mendjen tek At Fishta, dhe mu kujtuen vargjet e Tija:

… “Dal në dritsore me kundrue shatorren,

Qi i Lumi t’ kthielltë ia vuni rruzullimit,

E kqyri hyjt, qi thue, se njaq sy Zotit

Flakojn mbi dhé –…

– e atë botë mendoj per ty.

E, ku t’ a shoh ma t’ flakshem tue xhixhillue

Nji hyll, aty selin un tham me vedi,

Ti do t’ a késh, e syt m’ atë hyll pa da

I nguli, e m’ bahet si me t’ pa. Me emen

Un t’ thrras atë botë n’ per terr. Nji vaj bylbylit,

Qi permallshem nder gemba rrin tue kja

Fatin e vet, a ndoshta, zojt e dashtun,

Jehonë m’i bahet t’ grishunit; e m’ duket

Se bisedoj me ty!… Nuk dekka i miri,

Jo kurr…” (Marrë nga: “Nji lule vjeshtet” At Gjergj Fishta, Lirika.)

Ashtu si Ti, o i Paharrueshmi Mentor Quku!!

Melbourne, 31 Gusht 2023.



(Vota: 2 . Mesatare: 1/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora