Speciale
Dorian Koçi: Shtëpia e Kuvendeve të Tepelenës
E marte, 12.09.2023, 07:55 PM
Shtëpia
e Kuvendeve të Tepelenës
Nga
Dorian Koçi
Kjo
është një foto e misionit holandez kur mbrriti në Tepelenë në fillim të marsit
1914. Misioni holandez i kryesuar nga Majori De Waal dhe Kapiteni Sonne u
takuan me parinë e Tepelenës dhe diskutuan mundësinë për të marshuar drejt
Gjirokastrës. Në foto burri i veshur me uniformë ushtarake dhe qylaf në kokë
është Sadulla Agaraj, patriot dhe atdhetar i shquar i trevës së Tepelenës.
Ai
lindi në Tepelenë rreth viteve 1850 dhe u shkollua në Janinë dhe Stamboll. Në
vitet 1880 mbështeti Lidhjen e Prizrenit, duke marr pjesë në Lidhjen e Janinës
dhe Gjirokastrës. Së bashku me shumë patriot të Tepelenës si Sheh Dauti, Myslim
Vasjari etj, në vitin 1880 dërguan trupa në ruajtjen e kufirit të Janinës nga
marrja nga greku. Është disa herë kryetar i Tepelenës. Merr pjesë në klubet
shqiptare si “Drita” dhe “Bashkimi” ku me ndihmën e tyre hapin shkolla shqipe
në Tepelenë më 1911.( Xhezo Cana . Historia e Sadulla Tepelenës, kryetarit të
bashkisë së Tepelenës 1910-1918. Gazeta Telegraf 22.03.2017).
Takimi
me oficerët holandezë u organizua në shtëpinë e tij dykatëshe. Më parë në 18
gusht 1911 po në të njëjtën shtëpi ishte organizuar Kuvendi i kryengritësve të
Jugut. Ky takim u organizua pas atij të Manastrit të Cepos të datës 8 korrik
1911. Pasi këtij takimi i cili nuk pati marrëveshje me qeverinë turke u mbajt
Kuvendi i Tepelenës . Ky takim u bë në shtëpinë e Sadulla Tepelenës ku përveç
përfaqësuesve të krahinave të Jugut ishin dhe përfaqësuesit e Qeverisë së
Stambollit. Takimi i përfaqësuesve të kryengritësve u bë më 18 gusht 1911.
Po
sipas Fejzi Alizoti i cili së bashku me Xhafer Ypin ishin përfaqësuesit e
Sulltanit në takim me kryengritësit thuhet: “me të arritur në vend u mblodhëm
në shtëpinë e Sadulla Tepelenës . Grupet duke qenë të impresionuar nga gjendja
e intrigave, vendosën që Namik Delvina, Sadullau dhe unë të formulonim kërkesat
e tyre në një mënyrë që të mos refuzoheshin nga Qeveria Turke. Pasi u dërgua
kërkesa në Stamboll u prite 4-5 ditë të vinte përgjigja. Përgjigja ishte
pozitive, ku lejoheshin disa të drejta të shqiptareve si përdorimi i gjuhës
shqipe, mos bërja e ushtrisë në fise të largëta të Perandorisë etj.( Xhezo Cana
. Historia e Sadulla Tepelenës, kryetarit të bashkisë së Tepelenës 1910-1918.
Gazeta Telegraf 22.03.2017).
Pas
pushtimit të Tepelenës nga trupat greke në qershor 1914, qyteti u dogj dhe u
shkrumbua dhe nga kjo shtëpi dhe gjithe qyteti mbeti vetëm kalaja dhe një pirg
gurësh. Gazetari francez Robert Voutron, reporteri i gazetës L'Illustration që
vizitoi Tepelenën bashkë me trupat italiane shkruante në 25 dhjetor 1916 në
reportazhin e tij "Një ekskursion në Tepelenë" se kur trupat
italiane, pas kalimit te shumë fshatrave gërmadhë mbërriten ne Tepelenë,
ushtarët shprehen një britmë gëzimi. Më në fund, pas kaq shumë vështirësive,
ata gjetën një qytet të vogël, ku mund të jetojnë në një mënyrë më pak
primitive se e maleve që ata kishin përshkuar Por ç’e do! Ishte vetëm një
iluzion. Legjionet e shenjta* e kishin shndrruar Tepelenën në hi. Vetëm dy
shtëpi kishin shpëtuar: njëra prej tyre kishte shërbyer si kazermë për ushtarët
grekë, dhe tjera, si banesë e komandantit të tyre.
Zjarrit
dhe rrënimit nuk i shpëtoi dot dhe shtëpia e kuvendeve të Tepelenës dhe ne sot
vetëm mund ta kundrojmë nëpërmjet kësaj fotoje të marrë nga Arkivi Ushtarak
Holandez e që mikesha ime dhe muzeologia holandeze Gerda Mulder pati mirësinë
të ma dërgonte sëbashku me sqarimet përkatëse. Nëpërmjet fotove të tilla të
shpërndara arkivave të botës mund të rindërtojnë historinë e munguar urbane të
Shqipërisë së Jugut të djegur e përvëluar nga forcat shoviniste greke në vitet
e vështira 1914-1916.