Mendime
Ndue Dedaj: Një rrugë që të lidhë Tropojën me... Shqipërinë!
E shtune, 26.08.2023, 06:58 PM
NJË
RRUGË QË TË LIDHË TROPOJËN ME… SHQIPËRINË!
NGA
NDUE DEDAJ
Benet
Beci, kryetari i Bashkisë së Shkodrës (të cilit paraprakisht i shprehim
ngushëllime për ndarjen nga jeta këto ditë të të atit, gjuhëtarit të njohur
Bahri Beci) kishte hedhur në rrjetet sociale një video ku shihej një varinsk që
po gërmonte në një terren shkëmbor zgjërimin e një rrugë thuajse të
pakalueshme, 17 km të gjatë, shoqëruar me pak fjalë: “Filluam menjëherë tani në
gusht, nga Prekali drejt Kirit, që të mos na zërë dimri...” Një rresht, po që i
thotë të gjitha: puna ka filluar në një nga rrugët më të vështira të
republikës, ka filluar tani në verë, që të mos e zërë dimri pa u bërë, ka
filluar në pikun e turizmit, ku janë aq të shumtë ata që duan të venë në
malësitë e Dukagjinit, Shoshit e Shalës, një nga trevat më vitale të
Shqipërisë, me një bukuri natyrore të rrallë, që e dëshmon qoftë dhe “Lumi i
Shalës”, që është veçse një margaritar turistik i këtyre anëve. Pa shkuar te
Thethi, përmasat e të cilit dihen tashmë në fushën e turizmit shqiptar. Çdo
drejtues i përgjegjshëm është i vetëdijshëm se punët e mëdha në dobi të
komunitetit nuk mund të presin për nesër. Dukagjini duke “pritur” ka shkuar në
kufijtë e ekzistencës, prandaj: o sot o kurrë! Nga ky vizion duket se
kryebashkiaku i ri i Shkodrës, duke sfiduar tranzicionin me ndërtimin e një
rruge “kooperative” që ka vetëm gjurmën, nuk don të mbyllë ca “llogari” (në
kuptimin e premtimit elektoral) me banorët e atyre maleve, por ta ringjallë
vendin e tyre nga e para. Një malësi e shquar për qendresën epike të banorëve,
dioqezën e Pultit, djelmninë e përmendur të Shalës, doket dhe ritualet
autentike, shkrimtarët e artistët e shquar, si dhe ashtin natyror të saj.
E
bëmë këtë “hyrje”, para se të vijmë te rruga që është objekt i këtij shkrimi,
ajo e Fierzës, për të thënë se sot ka ardhur koha që hapësira veriore, të mos
lidhet me pjesën tjetër të vendit me rrugë të ngushta, apo më keq, tërthorazi,
por të përshkohet lehtësisht. Prandaj lexuesi s’ka pse habitet nga ky titull që
“provokon” qeverinë, me dëshirën që i pari lexues i tij të jetë Kryeministri Rama
dhe merret me mend se përse, për shkak të vendimarrjes. Dihet që Tropoja është
Shqipëri, por nuk ka një rrugë normale për të shkuar atje. Njerëzit shkojnë në
Tropojë ose nga Gjakova, ose me traget nga liqeni i Komanit, por nuk mund të
mbërrijnë as për “tri ditë” rrugës natyrale nga Fushë - Arrëzi. Si ka mundësi
që Tropoja ka mbetur një “ishull” i shkëputur nga pjesa tjetër e vendit? Ka
disa “arsye” të paarsyeshme. E para, që malësia e Pukës nga kalon kjo rrugë
deri në Fierzë është e braktisur nga banorët dhe sipas logjikës se ftohtë
zyrtare, burokratike që ngec te shifrat, si mund të investohet në një vend pa
njerëz, qoftë ajo dhe një rrugë strategjike?! E dyta, rruga është mjaft e gjatë
(rreth 70 km nga Fushë-Arrëzi në Fierzë) dhe në një terren të vështirë malor
gjithë kthesa, teposhte dhe tërmale, që do të thotë se kërkon shumë para për
t’u bërë ashtu siç duhet, dykalimshe me krejt infrastrukturën e nevojshme të
veprave të artit. E treta, para shumë vitesh, rruga nëpër të cilën dikur ishin
mbartur me mundim materialet e hidrocentralit të Fierzës, është marrë nëpër
duar dhe asfaltuar, por sot kërkohen të tjera standarde nga ato të fillimeve të
tranzicionit, ku aq mundësi investuese kishte. Çfarë mund të thuhet kur
autombulanca nuk mund të niset nga “Bajram Curri” për në Tiranë, nga
Fushë-Arrëzi, pasi nuk dihet kur do të mbërrinte dhe fati i të sëmurit do të
ishte veçse në dorë të Zotit!?...
Tropoja
nuk është një katund atje matanë maleve, në gji të Alpeve, ku thjeshtë do të
shkojë makina me miell për banorët njëherë në tre muaj. Ajo është një nga
krahinat gjeografike dhe historike më të rëndësishme të botës shqiptare.
Tropoja si Malësi e Gjakovës është sa Shqipëri sa Kosovë, nëse duam ta shohim
dhe nga kjo anë. Turistët nuk mund t’i bien nga “Kina” për të shkuar në
Tropojë, si me thënë, të kapësh veshin e majtë me dorën e djathtë apo
ndërsjelltas. Çfarëdo që të thuhet dhe sido të argumentohet, është e
papërligjur që Tropoja ka mbetur matanë… Shqipërisë. Se po ta shohësh hollë,
për të shkuar në Tropojë nuk ka asnjë rrugë! Ta zëmë se pëson defekt trageti i
linjës Koman - Fierzë e nuk rregullohet për një javë, nuk “punon” dogana në
Morinë, se ka qejfmbetje mes dy kryeministrave, të Shqipërisë dhe Kosovës
(vërtet shtet vëlla, ama duhet të kalosh nëpërmjet “gardhit” të tij për të
shkuar në një qytet të republikës tënde), dy variantet supermalore, nga Qafa e
Malit dhe Hasi për në qytetin e Plakut të Maleve, bëhen të pakalueshme nga
dëbora deri në tre metra, kaq duhet që në Tropojë të shkohet veç me helikopter!
Çka ka ngjarë shpesh dhe është bërë problem qeveritar.
Duke
mos pasur një rrugë normale nga Fushë Arrëzi në Fierzë, turistët humbasin një
visar turistik të pabesueshëm, luginën liqenore të Drinit, me një larmi relievi
të pazakontë. Po të udhëtosh andej me “sytë” e turizmit, eksplorimit, të
bukurës, mbase mund të kërkosh dhe atje “sy të kaltër” alpinë, ujëvara
mrekulluese, vaska shkëmbore për t’u larë, kanione të thella, shpella të
pasura, që deri dje ishin një “asgjë”, kurse sot po fitojnë pushues dhe
eksplorues të huaj e të vëndit. Është një reliev malor gjithë thyerje që iu
paraprinë Alpeve. Një rrugë nga më panoramiket (që të kujton atë të Shkopetit)
nga Xathi, Kumria, Blerimi, Dardha, Arst - Miliskaja, Fierza, të gjithë emra
shqip. Çfarë po bëjnë të huajt këtë verë këtu? Po vijnë të na zbulojnë hurdhat
ku laheshim dikur në fëmijëri, zallishtet, shkrepat, rrobujt e moçëëm. Po ecin
nëpër shtigjet tona të dhive. Po sikur t’i kishim ruajtur dhe kullat pa ua lënë
trarët t’iu kalbeshin apo digjeshin? Puna do të ishte shumë herë më mirë!
Megjithatë, sado shkret të duket, ka dhe në ato anë bujtina mjaft të mira, si
në Shkozë, Fushë-Arrës, Kryezi, Iballe, Dardhë etj. Njerëzit vërtet kanë ikur
në shumicë, por ata kthehen herë pas here, sidomos për festa, si fundjavën e shkuar
në Kryezi, ku u mblodhën për të kremtuar rreth treqind vetë.
Sa
i përket infrastrukturës së rrugëve, ia vlen të përmendet çdo vepër e
rëndësishme, në jug e veri, si tuneli i Llogarasë në ndërtim, që do të lidhë
Vlorën me Sarandën, pa të cilin dhe atë të rrugës Kardhiq - Delvinë, Saranda do
të ishte thuajse si Tropoja. Rrugë të gjata në standade janë dhe ajo e
Vërmoshit e Thethit, përkatësisht 100 dhe 70 km nga Shkodra, krahas Rrugës së
Arbërit që vazhdon. Nga FSHZH është ndërtuar para shumë vitesh rruga për në
Iballe, mbi 35 km. Po kështu vitet e fundit është rikonstruktuar dhe rruga nga
Repsi në Gjegjan e Fushë-Arrës. Ka mbetur vetëm segmenti prej ish-qytetit të
sharrëtarëve deri në Fierzë, 70 km. Disa mendojnë se do të ishte e volitshme
t’i bihej nga Iballja, Mërturi i Gurit e Bugjoni, ku në këtë rast ajo që do
bërë e re është veçse 15 kilometra, që sot për sot përshkruhet si “rrugë me
zhavorr, pa mirëmbajtje, vetëm për makinat “Off-Roads”, që ecin rrugë pa rrugë.
Është interesante të dëgjosh propozimet gjithnjë të vlefshme të njerëzve,
mjafton të përzgjedhësh mes tyre. Një njohës i mirë i turizmit rajonal dhe
rrugëve të vjetra, propozon që të bëhet dhe rruga tradicionale që lidhte dikur
Shkodrën me Gjakovën, që del në Qafë të Malit e merr tërthor për në Va – Spas
(Shëmri), për t’u ngjitur pasatj nëpër Has drejt Qafë-Prushit.
Nuk
jemi ne për t’i dhënë këshilla askujt, aq më tepër niveleve të larta të
drejtimit të shtetit, por si qytetarë që na ka rënë rasti të vemi shpesh në ato
zona, mendojmë se do të ishte e nevojshme t’i vizitonte dhe Presidenti i
vendit, edhe si Komandant i Forcave të Armatosura, jo nga frika e ndonjë lufte,
po qoftë dhe për natyrën e ashpër të emergjencave civile. Pse jo, dhe për të
dëshmuar mbështetjen e kreut të shtetit ndaj disa komuniteteve larg metropolit,
që në zgjedhjet e fundit vendore nuk votuan mazhorancën. Vërtet pushtetet janë
të ndara e secili në shtet ka punën e tij, ama kur është fjala për të
rivitalizuar një pjesë të madhe të territorit të vendit, të braktisur nga popullata
e të lënë në mëshirë të fatit nga tranzicioni, institucionet duhet të jenë në
një zë për prosperitetin e tyre, që sipas fjalorit të gjuhës shqipe do të thotë
“njerëzit të kenë me shumicë gjithçka, një jetesë me të mira materiale të
shumta e të qëndrueshme, mirëqenie, begati”. Puka si një epiqendër është
shembulli ku duhet me qenë bashkë të gjithë aktorët për këtë qëllim. Puka e
pyjeve dhe sharrave të djeshme historike. Puka e kthyer në një qytet turistik
këto vite, falë bashkëpunimit të frytshëm qeveri - bashki, por fjala është për
krejt arealin malor prej dhjetra e dhjetëra fshatrash nga Gomsiqja e Bërdheti
deri në Tropojë e Kukës, që përfshihet në dy bashki, të Pukës dhe të
Fushë-Arrësit, mundet me të ardhurat më të pakta në shkallë vendi. “Sa larg është
Tropoja nga Shkodra?” pyeti dikush dikë dikur. “Hiq Pukën dhe është veç njëzet
minuta!” ishte përgjigja. Përtej batudës, Puka, që shtrihet në zemër të
Shqipërisë veriore, “hiqet” veç me investime serioze. Mjafton të thuash se tre
nga ujërat më të mirë në tregun shqiptar janë nga ky vend, “Lajthiza”, “Qafa e
Malit” e “Mida”, që burojnë nga mali i Roshit dhe ai i Krrabit. Dihet se çfarë
ndodh, nëse nuk bëhen rrugë dhe investime, territori bëhet jo vetëm i
pabanueshëm, por pak nga pak kthehet në një “xhungël”, ku nuk mund të shkosh as
për të mbledhur kërpurdha, pasi do të jetë ndarë në zona influence nga
hashambjellësit dhe “veprimtarë” të tjerë të paligjshëm të pyllit, natyrës,
përrenjëve dhe mjedisit. Rruga nuk është një stoli, që veç i jep hijeshi bjeshkës.
Ajo është në radhë të parë punë. Përmendëm më sipër propozimet e banorëve gjatë
bisedave të lira me ta. Një ndër to ishte rimbjellja e pyjeve me drurë farorë,
filiza etj. Kjo do të ishte të shohësh afër dhe larg, për sot dhe për nesër. Me
siguri që Europa i gjen donacionet për projekte të tilla, mjafton që të kemi
vullnetin për ta kthyer në “identitet” pyllin dhe pylltarinë.
Për
në veri të vendit ka rrugë nga më të mirat, nga ana veriperëndimore dhe
verilindore, por jo dhe drejtpërdrejt nga pjesa qendrore! Një rrugë për në
Tropojë. A do të bëhet? Nuk e ke të lehtë të thuash me të parën, po. Jo për
mungesë dëshirë, por në radhë të parë vizioni. Ne nuk kemi menduar për rrugë në
bregdet, pa e kemi vijën bregdetare gjithë bunkerë, e vetëm tani ka nisur rruga
nga Velipoja për në Shengjin!? Kurse Mali i Zi fqinj është gjithkund me rrugë
atomobilistike dhe krejt bregdeti dalmatin. Puna është mos të bëjmë dhe me
malet gabimin që kemi bërë me bregdetin. Pa thënë se “Rruga e Kombit” mbeti në
Mamurras e nuk mbërriti dot deri te sheshi “Skënderbej”, nga ku duhej të niste.
Benet
Beci e nisi rrugën e vështirë drejt Dukagjinit dhe do t’ia dalë, duke shkuar
deri në Theth edhe në këtë anën nga Kiri e Shoshi. Kurse rruga e Tropojës
shpresojmë ta ketë “kumbarën” drejpërdrejt në qeveri. Mbase dhe me një mundësi
më shumë - ndërtuesit kryesorë të rrugëve në Shqipëri janë pukjanët, kompantitë
e drejtuara prej tyre, e nuk ka kuptim që ata të bëjnë krejt rrugët e “botës”
dhe mos të bëjnë ato të “shtëpisë” së tyre, nga ku dhe e kanë pasë fillesën e
mbarë bizneset e tyre!